Gazeta Nacional Albania

Kostandin Dhamo: LIBRI I PARE, TREGIM

Me një roman me vete dhe me dy copa bukë të lyera me gjalpë dhe, të mbështjella keq e keq me gazetë, u nisa për te kinemaja verore, që e kishin sajuar mes mureve të rrënuar ciklopikë të kalasë bregdetare të Sazanit, ku ekrani i gjerë qëndronte çuditërisht natyrshëm mbi frakturën e tyre.
U shtriva në njërin nga stolat e gjatë prej hekuri dhe fillova të ha, ndërkohë edhe të lexoj, sepse kisha vendosur të mbaroja një libër në dy ditë. Dielli i kursyer i vjeshtës mezi më gjente e më ngrohte, por sakaq ia behu korrieri i bazës ( bazës ushtarake detare ) dhe më tha me një frymë:
– Të kërkon shefi i shtabit, paraqitu në çast !
Siç duket, shefi, së bashku me urdhërin , i kishte përcjellë edhe shqetësimin e tij , sepse korrieri dukej i tronditur. Eh, duhej të ngrihesha ! Këtij i thoshin korrier…
– Mirëdita ! – përshëndeta, kur hyra në zyrën e shtabit.
– Si nuk u paraqite një herë të vetme ushtarakisht, si nuk vure një herë kapele në kokë ! Ç’marinar je ti ? As shërbim në vendrojë,as strërvitje ditore me efektivët e anijeve, as…! Nuk ke faj, jo ! Të paktën na shkruan ndonjë artikull për shtypin e ushtrisë, apo ndonjë raport për ministrinë tonë ! Nejse, nejse; tani pothuaj erdhi fundi, pak muaj të kanë mbetur. Por dëgjo: kam një lajm të keq për ty. Sapo mora një radiogram nga Vlora. Nesër, në orën dymbëdhjetë duhet të paraqitesh në Komandën e Flotës ! Aty të pret një hetues, po po,një hetues që ka punë me ty. Me një fjalë do të të marrë në pyetje.
– Nuk po kuptoj gjë…
– Mua më pyet ? Ja, kanë arrestuar disa nga ata shokët e tu në Tiranë. Disa letrarë të rinj. Bobo ! Njeri prej shokëve tuaj qenkësh arratisur në Amerikë. Ai, mesa mora vesh unë e ka provokuar nisjen e hetimeve ndaj grupit tuaj. Këto i mësova më vonë, kur u lidha me telefon me komandën, por a s’më thua, ç’është e gjitha kjo ? Të them të drejtën u shqetësova mjaft. Hetuesi, në fillim , kishte kërkuar të të takonte këtu në ishull, por dikush që unë nuk ia di emrin ende, paskësh ngulur këmbë që séanca e pyetjeve të kryhej veçse në Vlorë, sepse këtu, mes ekuipazheve të anijeve , do të plaste panik i madh dhe do të përhapeshin lloj – lloj thashethemesh të rrezikshme. Ai, hetuesi, mesa kuptoj unë, ka dashur të të diskreditojë ty dhe në të njëjtën kohë, të trembë edhe të tjerët.
– Ata shokët e mi, kam më shumë se dy vjet, pa i takuar; kjo vërtetohet lehtësisht. Unë nuk kam shkuar në Tiranë asnjë herë qëkurse më caktuan të kryej shërbimin ushtarak këtu në Sazan. Merre me mend, as edhe kur u botua libri im, nuk më lejuan të shkoj në Tiranë që të tërhiqja të paktën pesë kopjet që më takonin si autor, apo edhe honorarin, për të cilin kisha shumë nevojë. Përse erdhën e më gjetën edhe këtu, ç’punë kanë ende me mua?
– Mirë, mirë; dëshmojmë ne po qe nevoja se, ti ke mëse dy vjet pa lëvizur nga vendi, por dëgjo ! Nesër fol sa më pak atje ! Fol vetëm atëherë kur të jesh menduar mirë e mirë, kështu ? Ti je djalë kryeqyteti. Por çfarë u bë vërtet me atë librin tënd, sepse, me ç’kujtoj u gëzove sa s’përmbaheshe dot kur t’u botua dhe të ra në dorë ? Se ç’të solli nja dy kopje ai marinari i bibliotekës, apo jo? Më duket se ai libër po të merr në qafë ! Se ç’pata një parandjenjë të keqe unë, qysh kur ta pashë nëpër duar…
– Po pse, vetë e botuan, madje papritur e pakujtuar. Unë, veçse në fund e mora vesh .
– E kush do të arsyetojë kështu si ti, a derëzi! Bëhu i fortë, bëhu i fortë ! Ja , që t’u mblodhën hallet tani në fund. Në vend që ta kesh mendjen te jeta civile, sepse shërbimit në marinë po i mbarojnë ditët, duhet të vrasësh mendjen sesi t’i shpëtosh burgut.
– Burgut ?! – u vrerosa dhe mezi e mblodha pak veten që të mund të vazhdoja – Çfarë s’më keni treguar ende ?
– E, ç’të të tregoj më ? Duhej të më kishe treguar ti prej kohësh shumë gjëra. Unë të kam dashur gjithmonë, përndryshe do ta kishe pësuar keq që në fillim.Ke bërë skandale të mëdha ti, kurse ne nuk kemi guxuar as të t’i përmendim. Je djalë i mençur, por rrëmbehesh dhe ndez sherr për një fjalë goje. Nesër, te hetuesi, ki kujdes çdo çast. Fol sa më pak dhe mos firmos asgjë nga hutimi dhe tronditja. Kush flet pak,gabon pak. Do të mendohem thuaj, do të mendohem një herë.
– Faleminderit ! Shumë !
– Nuk do të të lëmë në baltë, jo ! Po qe nevoja do të merrem vetë me këtë punë; s’lejoj njeri tjetër. E kam pësuar edhe unë dikur, kështu pak a shumë si ti. Isha me studime në Sevastopol atëherë; aha, e humbe krejt, më duket, e s’po më ndjek. Se mos harroj; përpiqu të dukesh edhe pak budalla, mos qesh tani…
Vlora ishte e bukur.Deti valëzonte gjithë përshkënditje gëzimi, teksa palmat ndanë tij tundeshin si erashka. Kishte shumë dritë në hapësirë dhe shumë harmoni, por mua më kërcënohej liria dhe ndoshta mund të humbisja gjithçka. Dy gra, që më kaluan në krah, m’u dukën mjaft të lezeçme dhe më ngacmuan seksualisht; në një gjendje tjetër shpirtërore asqë do t’i shihja me sy. Po, ku më gjetën pas dy vitesh ? Unë asqë e kisha idenë se ç’bëhej me shokët e mi letrarë, me të cilët isha ndarë një të hënë krejt papritur! Kushedi ç’luhej…
Në orën dymbëdhjetë e pesë minuta, pas një shëtitjeje, e cila veçse më lodhi dhe më trallisi, hyra në Komandën e Flotës Detare. Zinxhirët e zinj të spirancave të vendosura në të dyja anët e portës, mdonëse të stërmëdhenj, më kujtuan prangat.
– Ku je ti maskara ! – ulëriu hetuesi im, sapo më pa në derë. – Në vend që të më presësh ti mua, të pres unë ty ! Pas kurvave më bridhje, apo pas të deklasuarve ?
Nuk fola. Ishte hera e parë që nuk ktheja përgjigje të ashpër dhe sherrndezëse. Sa keq ! Ndodhesha po në atë zyrë, nga ku dy vite më parë, nisi syrgjynosja ime për në Sazan, vetëm e vetëm , sepse nuk pranova të vazhdoja studimet në Akademinë e Marinës…
Hetuesi dukej një idiot agresiv. Lombrozio, me siguri do ta kishte fotografuar dhe do ta kishte studiuar portretin e tij. Kokën e kishte të madhe dhe me cepa,sytë përngaherë të shqyer e të rrumbullakosur, teksa në fytyrën me faqe si të enjtura, i kullonte një vetëkënaqësi e pështirë.
Hapi një çantë të fryrë si kacek dhe nxori që andej pistoletën, pastaj dosjen, (time!) dhe, i hodhi me zhurmë dhe nervozizëm të kërkuar mbi tryezën shkatarraqe, tek e cila e gjeta, kur hyra dhe iu ula përballë. Eh, tashmë , mesa dukej, unë kisha një dosje politike!
– A e di ti, mor’i degjeneruar se, po të dua unë t’i vë prangat në vend ? Na, lexoje këtë dhe firmos në fund !
Ishte një fletë e daktilografuar, ku unë i bëja vetes sime një mijë e një akuza nga më të rëndat: jam i ndikuar në shkrimet e mia nga letërsia dekadente franceze, kam dashur të organizoj kryengritje të armatosur kundër pushtetit popullor, jam tallur me diktaturën e proletariatit, jam veshur sipas modës së huaj…
– Unë nuk kam deponuar ende asgjë; është hera e parë që takohemi bashkë. Kush ka guxuar të flasë në emrin tim ? Unë e dua Partinë.
– Dale, dale, se na e këpute shpirtin ! Shokët e tu, ata qelbësirat e rrugëve të Tiranës, nuk lanë gjë pa thënë për ty; unë vetëm sa i kam vënë në gojën tënde ato çka thanë ata. Apo ti kërkon të shtosh fakte të tjera? Atëherë ndryshon puna…
– Jo, unë nuk kam fakte të tjera, madje mua më mungojnë fare faktet, sepse kam mëse dy vjet pa i takuar ata shokët e mi, që nuk e di çfarë bëjnë ndërkohë. Do të protestoj !
– Pusho dekadent, armik e faqezi ! Pusho, sepse trembem dhe e kam zemrën të dobët.Pa lexo tani se çfarë kanë thënë ata fundërrinat e shoqërisë për njeri – tjetrin ; lexo, lexo ! Ja, ku i ke të shkruara qartë me makinë .
– E thashë një herë, kam më shumë se dy vjet pa i takuar ; kjo vërtetohet lehtë.
– Do ta bësh ti punën tonë ?
– Jo, por ishim ftohur që pa u vendosur unë në Vlorë. Nuk ia lejoj vetes të gënjej përpara një përfaqësuesi të organeve të pushtetit popullor ; aq më tepër që jam i veshur edhe me uniformë…
– A pika uniformës ! Nuk do ta mbash gjatë atë uniformë, jo ! S’e meriton; tjetër uniformë të shkon ty. I kemi depozituar shkrimet e tua antikomuniste, i kemi depozituar, mos u merakos !
– Shkrimet e mia janë botuar të gjitha dhe ato mund t’i lexojë kushdo. Shkrime të tjera , nuk kam bërë asnjë herë. Për shembull, redaktor i librit tim është njëri nga shkrimtarët më të shquar të vendit tonë…
– Të dhjefsha librin ! Këtu qëndron e keqja. Të gjithëve, pa përjashtim, ju ka marrë koka erë e, megjithatë, trajtoheni me leje krijuese disamuajshe, përfitoni rroga të majme, dhoma shtesë për t’i kthyer në studio, posi ! Ke pasur dijeni për arratisjen e Bilal Xhaferrit ? Çfarë planesh të fshehta hartoi ai para se të thyente qafën ?
– Sinqerisht që tani po e marr vesh që është arratisur Bilal Xhaferri ! E njoh si shkrimtar, por kurrë s’e kam takuar.
– Ki kujdes, për ato që nxjerr nga goja, ki shumë kujdes. Sjellja jote është e dënueshme edhe sot e kësaj dite; merresh me femra, del në Vlorë sa herë të ta ketë qejfi, dëgjon muzikë perëndimore, pi verë nëpër tunelet sekretë të armatimeve me disa marinarë durrsakë më të dyshimtë se edhe vetë ti, sheh stacionet televizive italiane, i komenton pastaj, lexon libra të ndaluar që , nga pakujdesia apo edhe nga puna efikase e armikut të klasës, nuk janë hequr ende nga biblioteka e ishullit, pusho ! E sheh që ne dimë çdo gjë ? Thuaji ndonjë tjetri se, ke mbetur ai gjimnazisti i ndrojtur i dikurshëm. Aha; ç’të bëj se kam porosi nga tjetërkush që të të mos të djeg , pa ta tregoja unë ty, tradhtar ! Ke gjashtë komunistë në gjirin e familjes, tre prej të cilëve sekretarë partie ! I ke turpëruar të gjithë, por ama , si të kanë lënë të degjenerosh kështu ? Kanë faj ata , patjetër kanë faj, sepse lufta e klasave duhet zhvilluar edhe brenda gjirit të familjes, por ç’të bësh ! Mblidhen një tufë zagarësh, që u ka marrë koka erë dhe, shkruajnë si t’u teket. Ç’thua, more ç’thua ? Edhe në litar t’ju varësh juve, është pak. Por mos ki merak; i rregullon burgu të gjitha. Tani shporru ! Prit ! Kur të të thërrasim ne, të paraqitesh me një këmbë në sallën e gjyqit. Apo, të të vë prangat që tani…
Pasdite duke lundruar me anijen Sgalemi drejt ishullit, që humbte mes mjegullave, për herë të parë më erdhi mirë që isha ndryrë diku larg dhe, shtyja ditët i papërzier me intrigat e hidhëta, me shpifjet apo edhe me përgjimet. Por, ç’i papërzier ? Çfarë nuk lexova në ato rreshtat e zinj të daktilografuar thellë. S’kishin lënë gjë pa nxjerrë ata shokët e mi, edhe ngjarjet më intime, edhe fjalët e thëna në një çast sinqeriteti të paqtë ! Ndoshta i kanë shtrënguar dhe detyruar me dhunë dhe ata nuk kanë pasur nga t’ia mbajnë. Sa larg veç, paskëshin shkuar që kur jemi ndarë; sherre, grushte, akuza të ndërsjellta, mëri, artikuj nëpër gazeta kundër librave të njeri – tjetrit, apo edhe kundër librit tim ! Përse kështu ? Harruan që unë , sidoqoftë , do të kthehesha një ditë..?
Duke ecur i vrerosur nëpër bazën detare, gjithçka përrreth po më bënte përshtypje aqsa edhe ditën e parë të mbërritjes sime këtu; koka të rruara, bajoneta që shkreptinin si prej shkarkesave elektrike, kapota të ashpra si bari i shkëmbit, cima të tendosura dhe të trasha, që i qullnin stërkalat , erë karburantesh të djegur që t’i lotonin sytë, tuba silurash, flamurë dallgëzues, njelmësi, topa nën mushama , si penisët poshtë brekëve, angështi e ngushtësi robëruese, ndonëse ndanë hapësirës së pafundme të detit…
Duro , duro, e këshillova veten me një urtësi pothuaj fetare, duro, sepse, pavarësisht se qëndron mes njerëzish, nuk je veçse një asket i mbyllur, që përçmohesh nga injorantët. Pastaj, durimi dhe dhembjet të dëlirin …
Por më zunë sytë shefin e shtabit që po ngjitej për në shtëpinë e tij, e cila ndodhej fare pak metra me sipër se kapanoni ynë. Kishte bërë një çikë pazar në dyqanin e vetëm të bazës dhe po mbante në njerën dorë një bukë të zezë dhe të madhe, kurse në tjetrën një tufë presh. Eh, sa m’u dhimbs; më shumë se vetja !
– Shoku shef ! – i thirra përmbajtshëm.Mund t’i isha drejtuar edhe me emër, sepse e dija që më donte vërtet dhe më pranonte si të barabartë me veten , pavarësisht nga detyrat ushtarake që kryenim , por nuk m’u dha.
– Qenke kthyer ? Pa më trego si vajti !
– Ndoshta jo keq, por ç’po them ? Aii hetuesi më akuzoi se, paskësha dashur t’organizoj deri dhe kryengritje t’armatosur kundër pushtetit popullor ; e paimagjinueshme ! E si do ta organizoja …
– Lëre, s’është gjë kjo ; janë akuza standarde, të cilat bëhen që ti të ndihesh fajtor edhe pa kryer kurrfarë krimi.
– Por në gjyq situata mund të ngatërrohet dhe të bëhet e pakontrollueshme. Shokët e mi kishin vjellë shumë; nuk kishin lënë gjë pa thënë për mua dhe për njeri – tjetrin. Sa u gëzova kur m’u botua libri, sa u entuziazmova dhe u frymëzova për të shkruar më tej me vrull, kurse tani mund të deklaroj se pikërisht ai libër po ma shkatërron tërë jetën. U befasova tradhtisht sot nga ato që më tha hetuesi. Por nuk do të ndahem nga letërsia, jo!
– Dale, dale ! Pa ule zërin ! Shokët e tu e dinë se ç’kanë hequr, gjersa kanë hapur gojën, megjithatë s’e kuptoj dot : ç’janë këta njerëz që nuk rrinë dot rehat ?
(Eh shef,as ti vetë s’paskëshe ndenjur rehat dikur…)
– Ç’të thuash. Por ndërkohë ata shokët e mi, kështu po i quaj ende, janë martuar, janë bërë me fëmijë, madje kanë pasur kohë edhe të divorcohen. Por kur krijon familje, duhet ta kesh të qartë se mban përgjegjësi edhe për ata që sjell në jetë; për ta thënë këtë nuk është e domosdoshme të jesh edhe vetë i martuar…
– Do të të dalë për mirë mosikja në Tiranë, do të të dalë për mirë, ke për të parë. Ke në favorin tënd një alibi të verifikueshme, që mund të rrëzojë disa akuza njëherësh. Por edhe ti, kam përshtypjen se deshe t’i shkëpusje lidhjet e vjetra, deshe t’i harrosh miqtë dhe të njohurit , deshe të të harronin edhe ata ty, por ja që nuk ndodhi plotësisht ashtu; në të keq kushdo përpiqet që t’i fusë të gjithë në një thes. Megjithatë , ta thashë një herë, mosikja në Tiranë do të të ndihmojë mjaft. Ndoshta s’e ke kuptuar qartësisht, ndoshta më shumë e ke intuituar se, një ditë do t’ju plaste zjarri mu në mes.
– Nuk ka qenë intuitë, ka qenë një gjykim i vetëdijshëm dhe i shtruar.Gjithçka e kam shqyrtuar me hollësi, por nuk ishte aspak e zorshme ta parashikoje fundin. Disa nga ata shokët tanë,ndonëse më të mëdhenj se unë në moshë dhe më të vuajtur, ishin naivë, madje të papërgjegjshëm herë – herë. Të pakujdesshëm po se po. Harronin ku jetonin; e theksuam një herë këtë. Por një ditë më duket se harrova ku jetoja edhe unë vetë !
– Ta tha hetuesi se kur do të zhvillohet gjyqi ? Të paktën përafërsisht.Puna është që të mos ngordhësh në burg! Burgu të njollos përfundimisht dhe nuk të le të ngresh kokën.Të tjerat rregullohen dalëngadalë. Po atyre njerëzve të shtëpisë, nuk do t’u thuash të të ndihmojnë? Ata duhet të kishin filluar ta bënin këtë gjë, ndërkohë.
– Ata të mitë kanë harruar fare se ku ndodhem unë, prandaj nuk do t’u kërkoj gjë.I kemi ndërprerë pothuaj lidhjet fare dhe unë as marr letra dhe as dërgoj.
– Po pse, ore ?
– Unë për veten time , besoj se ata të mitë , nuk dinë ende çfarë po ndodh me mua. Ti nuk e beson këtë që po të them, por unë e besoj, prandaj po ta them. Sidoqoftë, ndihmesa e tyre e tërthortë, nuk do të mungojë, në mos ndodhtë që të frymëzohen kinezërisht dhe, dërgojnë këtu në bazë ndonjë fletërrufe të ashpër, me anë të së cilës të dënojnë sjelljen time armiqësore; eh !
– Mos fol ashtu ! Njerëzit e tu mbeten të tutë. Ata do të kesh tërë jetën, por ç’ke bërë ti, në fund të fundit ? Ti je ende kaq i ri …
– Nuk e gjej dot. Ne kemi qenë një grup shokësh që merreshim me letërsi dhe takoheshim pothuaj çdo ditë te Stalini për t’ia lexuar njeri – tjetrit ato që shkruanim. Merret vesh që lëshonim edhe ndonjë fjalë, siç lëshohen zakonisht midis miqsh…
– Hopa ! Ti e the vetë : lëshonim ndonjë fjalë midis miqsh. Mjafton kaq ; ato fjalë janë radhitur në sa e sa procesverbale. Mos ka edhe ndonjë fakt tjetër, që ty të duket i parëndësishëm ?
– A, nuk pranova të vazhdoj studimet në Akademinë e Marinës, ngaqë nuk më pëlqen të jem një oficer…
– O këtë e dija ! Shiko, ligjin e interpreton si të ta dojë qejfi , por ty nuk do të të bëjnë gjë, nuk do të të bëjnë gjë; përndryshe marrin në qafë një fis të tërë komunistësh, siç jeni mesa di unë, juve, kupton ? Do të të rehabilitojnë , dëgjomë me kujdes, duke përdorur këtë justifikim, që i shërben të dyja palëve, edhe atyre edhe ty: është një i ri që vjen nga një familje me biografi të shkëlqyer, prandaj do t’ia japim edhe një mundësi për t’u riedukuar…
– Më fal; e kam fare të qartë vazhdimin: thellimi i mëtejshëm në mësimet e Partisë dhe veprat e shokut Enver… Po , a thua do të ndodhë kështu ? Çuditem sesi diskutohet rehabilitimi im , kur ende nuk ka ndodhur asgjë!
– Por gjyqi, sidoqoftë, do të zhvillohet , apo jo ? Tani e tutje të kesh shumë kujdes. Mos pandeh se të duan të gjithë. Se ç’do të të thosha edhe diçka tjetër ; a, mbaj, mbaj ca vepra të shokut Enver në komodinë ! Shët: mbylle gojën…
Askush nuk ma përfoli atë punën e hetimit. Çudi,çudi ! Nuk merrej absolutisht njeri me mua. Isha më i lirë se asnjë herë tjetër. Në mensë, hyja për të ngrënë pasi dilnin të gjithë ekuipazhet e anijeve , por kuzhinierët dhe ata që pastronin aty, nuk mërziteshin dhe nuk m’i varnin turinjtë, ndonëse unë i bezdisja dhe i pengoja. Por ndodhën ngjarje tronditëse në ishull ! Njera pas tjetrës …
Një marinar i vitit të parë të shërbimit, djalë i hareshëm, që kishte ardhur në bazë drejt e nga bankat e shkollës, vrau veten ! Atë natë bënte roje në territorin e depos së silureve, dhe, kur shkuan ta ndërrojnë, i qëllon me kallashnikov të pesë marinarët, sapo ua ndjeu hapat nëpër terrinë. Ishte përgjegjësi i truprojes, roja që do ta ndërronte atë vetë, roja i katerava, i dragaminave dhe i depozitave të nëndheshme të karburantit rezervë.
Ndoshta, duke pandehur se i kishte vrarë të gjithë, ashtu duke shtënë kuturu, e ka kthyer armën nga vetja dhe e ka qëlluar në bark. Mendo ! Kishte mbetur pa u shkrehur vetëm një fishek fatal ! Edhe një qitës me përvojë të madhe zor se do të mund ta ndante një fishek të vetëm pas një breshërie shurdhuese. Siç duket ashtu qe e thënë të ndodhte…
Asnjë nga të pestët nuk u vra. Arritën të bëhen petë pas asfaltit, a thua se s’ishin veçse ca gjëra pa vëllim, dhe morën vetëm ca plagë të lehta sipërfaqësore prej rikosheteve tinëzare.
E ngacmonin shpesh atë marinarin e ri, e tallnin sa herë e gjenin në vendroje, apo kur u dilte përpara dhe për dreq atë natë shkojnë dhe e ndërrojnë tridhjetë e ca minuta me vonesë. Ai i ndjeri, duke e marrë vonesën si vazhdim të sjelljeve tallëse dhe shpërfillëse, fyhet siç duket papërmbajtshëm dhe i qëllon…
Një herë pata ndërhyrë unë, kur ai po grindej me disa marinarë të vjetër. Nuk e duronin dot, sepse kishte ardhur nga kryeqyteti dhe kjo atyre u dukej e padrejtë. Ishin nga ata që e kishin zverkun gjithë rombe rrudhash prej të robtuarit në diell dhe, që për t’i shpëtuar shatit dhe lopatës në kooperativat bujqësore, visheshin kapterë me të kryer shërbimin e detyruar ushtarak, ndërkohë që ata të qyteteve, mezi prisnin ditën e lirimit. Dhe s’gjeje më të liq se birbot e shatit e të lopatës,që u silleshin vartësve ashtu siç u ishin sjellë atyre me parë eprorët…
Pa u shuar ende jehona e të shtënave u dha alarm dhe në të gdhirë plasi rrëmujë e madhe. Nuk mbeti njeri pa ardhur nga Ministria e Mbrojtjes. Filluan menjëherë mbledhjet, akuzat, përgjegjësitë, ndarja e fajit, pyetjet me kë rrinte e me kë s’rrinte i ndjeri, marrëdhëniet me shokët, me familjen, marrëdhëniet me eprorët; si përgjigjej në orët e edukimit politik, si e mbante postin luftarak, a e deformonte uniformën…
Po sikur të kujtohej ndokush e të thoshte : si të mos ketë ngjarje të tilla të jashtëzakonshme në bazë, kur mes gjirit tuaj mbani elementë të molepsur nga ideologjia e huaj borgjeze, si filani, ndaj të cilit ka filluar edhe një proces i rëndë gjyqësor ?
Nuk kisha çfarë të bëja, le të kujtohej…
Më urdhëruan të merresha me të vetëvrarin dhe unë, pasi caktova dhe dy marinarë të tjerë, ia filluam punës, i vetëm kurrsesi nuk do ta përballoja dot; së pari nisëm të pastronim gjakun e derdhur te hyrja e depos së silurave, por sa shumë gjak paskësh pasur njeriu ! Ndërkohë na u afrua një plak që ruante delet e pakta të ekonomisë ndihmëse të ishullit dhe na tha:
– E more djema, more djema ! S’lahet gjaku, jo !
Pandeha se, bariu ushtarak foli në mënyrë të figurshme dhe vazhduam punën, por kur hoqëm zorrën e ujit dhe u ulëm të pinim një cigare, trualli u tha sakaq dhe gjaku skuqi përsëri.Kështu që na u desh të hidhnim përsipër rërë të imët dhe ta mbyllnim atë punë. Më pas duhej të lanim edhe vetë të ndjerin, që t’i vishnim një uniformë të re dhe ta vendosnim në arkivol. Por nuk më ndenjën më pranë marinarët që të më ndihmonin ; ikën njeri pas tjetrit gati fshehtësisht dhe më vonë dikush më rrëfeu se u kishte plasur të vjellët nga tronditja që u kishte shkaktuar pamja e kufomës të verdhë dyllë.
M’u desh të thërras një marinar nga Veriu, të cilin e kisha shumë mik. E kuptova që ajo punë më kishte mbetur mua në dorë dhe askush nuk desh t’ia dinte më. Por në ishull, pikërisht në çastet delikate, shfaqej jo rrallë një rebelim i verbër, një papërgjegjshmëri dhe një shthurje disiplinore nga ana e komandantëve, që të habiste . Po kujt si kishte ardhur në majë të hundës,aty n’ishull ?
Kësisoj, as komisari i bazës, një ish mësues i marksizëm – leninizmit në një shkollë fshati , nuk po vinte të pyeste, nëse na kishte dalë ndonjë problem . Marinari nga Veriu, i vitit të fundit të shërbimit si edhe unë, pranoi menjëherë të më ndihmonte, madje filloi të shfaqë edhe zell në punët që i ngarkova. Por nuk ishte saktësisht zell, ishte përkushtim dhe përulje rituale e një njeriu , që ndihej i detyruar t’i shërbente një të vdekuri, me përvojën e tij të përftuar siç duket nga trashëgimia breznore e familjes së tij.
Rendi në kuzhinë dhe solli që andej dy ibrikë të mëdhenj përplot me ujë të ngrohtë që ta lanim njëfarësoj të vetevrarin, të cilin e kishim shtrirë ndërkohë mbi flegrën e një dere, që e shkulëm më zor nga menteshat e ndryshkura. Por, si t’ia hiqnim rrobat gjithë gjak të mpiksur, që i ishin ngjitur pas trupit ? Na bëhej sikur do t’i shkaktonim dhembje të padurueshme atij djaloshi, tashmë me një mimikë të shkrehur …
Por bëmë si bëmë dhe e mblodhëm veten,ia shqitëm petkat e disfatës ,e lamë dhe e pastruam aqsa mundëm dhe, në fund i veshëm një uniformë të re liridaljeje, të cilën na e dorëzoi me firmë një kapter magazine, që s’u afrua më shumë se te hyrja. Pastaj, të shtrirë në një arkivol të kuq, e nisën për në Tiranë, pa fjalime, pa medalje, pa krisma armësh, pa sirena anijesh, sepse ashtu kishte ardhur udhëzimi nga lart; disfatistëve që vrasin veten nuk u bëhet asnjë nder…
Por mua, nga e gjithë ajo ngjarje e rëndë, m’u ngulit në mendje prerja në formë kryqi e xhaketës nga zjarri i tytës së armës, që në çastin e shkrepjes do të ketë qenë e puthitur pas trupit të rrëqethur të të ndjerit. Atë kryq, atë kryq të djegur nga flaka nxituan dhe vunë re më së pari ekspertët e kriminalistikës, për t’u bindur se ishte vërtet fjala për një akt vetëvrasjeje; pastaj fotografuan nga disa kënde dhe mblodhën gëzhojat e hallakatura , morën auutomatikun mbi pellgun e gjakut dhe kërkuan t’ua sillnin menjëherë edhe armët e pesëshes së ndërresës…
Natën vonë,tek po kaloja kushedi për të satën herë në mendje ngjarjet e ditës, pyeta veten : përse, fundi i fundit, më caktuan pikërisht mua që të merresha me të ndjerin gjer në vendosjen e tij n’arkivol ?
A s’mund të sillnin qoftë edhe një infermier nga ata të spitalit të ishullit për t’u marrë me ato punëra që m’i ngecën mua e të tjerëve ?
Eh, u zgjidh me të ngopur si t’ishte një angari e rëndomtë.
Lërjani atë punë tiranasit, ( siç më thërrisnin mua ) djalë i zoti ai,posi, pastaj edhe vetë të ndjerin e kishte patriot ; kot s’e mbronte sa herë e bullizonin …
Kësht, kështu m’u bë sikur dëgjova ca zëra …
Një ditë me shi ( sa absurde duket rënia e shiut mbi det !) dolëm në lundrim me një kater për të kryer një qitje prove me një silurë të vërtetë luftarake. Kishte kaq kohë që pritej të merrej ky vendim; prishja e beftë e marrëdhënieve të ngushta vëllazërore me Kinën, dyshimet e kahershme se ajo po e furnizonte ushtrinë shqiptare me armatime të cilësisë së dobët, e kishin shtyrë numrin një, domethënë, vetë Enver Hoxhën,të mblidhte shtabin e përgjithshëm dhe të pyeste: mos po na i mbush silurat ai Mao Ce Duni me rërë ? Na rruat ne, pastaj…
Ishte parashikuar që silura të godiste një shkëmb masiv në brigjet e Karaburunit, një shkëmb, ku më pas do të shpohej një tunel i thellë dhe i lartë për të strehuar katerat në rast lufte. Kështu shpërthimi do të përuronte, në një farë mënyre edhe nisjen e punimeve …
Për fat silura qëlloi në shenjë, por plasja ishte e llahtarshme.Tymi i zi dhe i rëndë, nuk u davarit nëpër qiell, por u plandos mbi detin që u errësua , u fry e u ngrit si një përbindësh i egërsuar.
Shkëmbi i laskaruar nga eksplozivi vazhdonte të shembej, kurse ne na rrihte zemra fort, sepse vetëm pas atij shpërthimi gjëmimthellë, që na ngriti përreth dallgë të larta si të cunamit, e morëm vesh më së miri se, çfarë armësh të tmerrshme rrotullonim si lodra nëpër duar tërë ditën .
Por baza detare po kritikohej vazhdimisht , ndërsa repartet e artilerisë bregdetare, lart në ishull, veçse lavdëroheshin. Ç’janë ata marinarë që vetëvriten , apo që vetëplagosen për t’iu shmangur vazhdimit të shërbimit ushtarak, ç’janë ata që i lënë anijet të zënë ndryshk, ç’janë ata që nuk kapin dot motoskafët e turistëve të huaj , të cilët shkelin pa u shqetësuar fare ujërat tona territoriale, dhe bëjnë fotografi artistike me objektet tona ushtarake ? Marinarë janë ata që provokojnë gratë e eprorëve, në vend që t’u sillen si t’i kishin motrat e tyre ? Mbizotëron fryma liberale në flotë. Marinarët, siç duket, kanë shumë kohë të pazënë nga programi stërvitor, apo nga orët e punës politike. Por si na porosit komandanti ynë suprem: ushtari asnjë çast nuk duhet ta ketë të pazënë me veprimtari stërvitore apo ideo- politike …
Filluan njeri pas tjetrit kontrollet e paparalajmëruar nga një ekip i autorizuar nga Ministria e Mbrojtjes nëpër të gjithë kapanonet e marinarëve që flinin në tokë dhe nëpër lokalet e fjetjes në anijet e mëdha. Luftë kundër çdo sekonde të pazënë nga veprimtaritë kolektive , luftë çdo sendi personal, të cilësuar të panevojshëm nga rregullorja e re e brendshme për ushtrinë.
Nga kontrolli , gjithashtu i paparalajmëruar, në kapanonin tonë ( ne flinim në tokë, në katerat e vegjël flinim vetëm në raste gatishmërie ) plasi skandal i madh.
– Ç’ke bërë kështu, o i uruar ! – iu drejtua i turbulluar një oficer i ministrisë marinarit të gjatë dhe të hollë që rrinte përpara tij gatitu, por me sytë përdhe. – Ç’janë gjithë këto brekë grash që ke fshehur në dyshek ! Pa shih, pa shih, lloj – lloj, lloj – lloj. Ç’i doje or’aman ! Obobo, reçipeta ! Po këto ore ? Dyqan, për ideal , dyqan !
– Prandaj u mungonin grave tona mbathjet ! – ndërhyri i indinjuar njëri nga oficerët që ndiqnin nga pas të dërguarin e ministrisë – Thoshin ato të shkretat, por s’i dëgjonim. Se kush na i merr nga gardhi kur i nderim për t’u tharë, ankoheshin ato. Po aty ka roje, i kundërshtonim ne; është gjithë ajo depo municioni! Mbathjet tuaja mbetën të humbin ? Nga depoja, nga depoja na i vjedhin, dy hapa larg shtëpive tona, nxeheshin ato; ndërsa ne talleshim. Por ja, pika municionit…
– E mo’, ç’i qi t’ëmën ! – tha nën zë oficeri inspektues i ministrisë. – Mjaft, ju lutem ! Nuk e kuptoni ? Eshtë e qartë çdo gjë ; ai me ato frymëzohej, me ato… Lëreni, për ideal, lëreni me kaq ! Ç’punë ke bërë në jetën civile, mor’ aman? – pyeti pastaj, duke ngritur zërin, marinarin fetishist !
– Drejtor shkolle në një fshat, – u përgjigj shpejt e shpejt, në vend të marinarit , komandanti , që e kishte pjesëtar të ekuipazhit të katerit.
– Jo more ! Po këtu ç’detyrë ka ?
– Radist, radist mjaft i zoti ! – u përgjigj përsëri komandanti i tij – Kurrë nuk kemi pasur probleme prej këtij radisti. Edhe me kovën në qafë, kur e zënë të vjellat në mes të detit,s’e ndërpret transmetimin. Gjithashtu, në punën politike përgjigjet i pari.
– Për ideal ?
– Po, për ideal të Partisë, po !
– Aha, kini kujdes, mbylleni me kaq këtë histori, dëgjuat ? – ndërhyri përsëri me zë të ulët inspektori i ministrisë , duke iu drejtuar oficerëve – Transferojeni diku gjetkë dhe, le të harrohet ky muhabet. Dhe mos e caktoni më roje te brekët për aq kohë sa do të qëndrojë ende këtu. Gjynah,vete dëm gjithë ky djalë…
– Shoku inspektor i ministrisë, shoku inspektor ! – thirri nga fundi i kapanonit, një kapter që ishte caktuar të kontrollonte një për një komodinat e marinarëve në anë të krevateve, të cilave për çudi të gjithë në bazë u thoshin kom e dina…
– Ç’është more, aman ! Ua ua ua ! Si more do të vdisja pa e parë këtë kapanon!
Kapteri kishte nxjerrë nga komedinat, konserva midhjesh dhe sardelesh dhe, i kishte vendosur mbi njera – tjetrën, duke ngritur kësisoj një mur dekorativ me hapësira të rregullta vertikale. Situata u bë komike dhe askush nuk e mbajti të qeshurën.
– Përse i mbani nëpër komedina këto ? Përse nuk i keni ngrënë, o të uruar; keni ushqim të tepërt ? Ua, ua, mur për ideal, Muri i Madh Kinez…
– I ruajmë për ushtarët e rinj të sapoardhur; që bëjnë shërbim lart në ishull. – u përgjigj një marinar. – Ne kemi normën shtatë, kurse ata normën një.
– Pa shih, pa shih! Normat e ushqimit në ushtrinë tonë popullore janë përcaktuar sipas një studimi të kujdesshëm dhe të hollësishëm, studim ky i bazuar në të dhënat shkencore; atëherë çfarë do të thuash ti ? Partia nuk kursen asgjë për ushtrinë; ju e dini. Apo mos ka ardhur koha të shqyrtohen edhe një herë këto norma, ngaqë mund të jenë të fryra në ndonjë rast; hë ?
– Unë thashë të vërtetën. Nuk mund t’ju gënjeja…
– E mo’ç’i qi t’ëmën ! Shiko ! – inspektori u kthye përsëri nga oficerët. – Jepni më shumë leje për marinarët ! O, aman, i di gatishmëritë, i di edhe ciklet stërvitore, ç’më tregoni ? Duken djem të mrekullueshëm, por i keni mbyllur dhe i keni shkëputur fare nga jeta civile…
Për fat, asnjë fjalë nuk u tha për mua. Kapteri që kontrollonte komodinat, nuk më gjeti send tjetër tek imja , veç një furçe të vjetër dhëmbësh dhe një copë sapuni. Sepse librat që lexoja, bllokun ku shkruaja, fjalorin anglisht – shqip, si edhe disa rroba civile që i vishja me të mbërritur në Vlorë, i mbaja gjithmonë në aneksin e laboratorit të aparateve xhiroskopikë të silurave, tek i cili hyja vetëm unë, meqë isha personi i specializuar për kolaudimin e tyre…
Pas disa ditësh erdhi e më gjeti përsëri korrieri partizan; jo more ç’partizan, korrieri i bazës dhe, më tha se, më kërkonte shefi i shtabit. Urgjent ! Posi , posi. Moti ishte shumë i vrenjtur, por i ngrohtë dhe unë po lahesha , duke nxjerrë britma të forta grykore që ta qetësoja njëfarësoj shpirtin. Deti kreshpërohej prej një ere të lehtë dhe, dukej sikur po loznim me njeri – tjetrin , por unë dola në breg dhe u vesha përtueshëm…
– Nesër duhet të shkosh në Tiranë; ta bëj gati unë fletëlejen . Pasnesër në orën dhjetë, do të fillojë seanca e parë e gjyqit tuaj ! – më tha shefi i shtabit, duke më parë në sy sikur më ruante.
– Po…
– He he ; ti je tepër i ri dhe nuk e kupton dot çfarë do të thotë e gjitha kjo, por, ndoshta, pikërisht për këtë arsye do të shpëtosh.
Nuk fola. Ç’të thosha ; ai siç duket besonte se unë e merrja vërtet lehtë gjithçka. Dhe, prapë se prapë përpiqej të më ndihmonte.
– Por kam një mendim, kam një mendim, dale ! – shpërtheu duke u çuar nga karrigia ku ishte lëshuar. – Nisu sonte me treqindeshtatën në lundrimin strërvitor gjashtëditor, që pritet të fillojë. Shohim e bëjmë pastaj, kur të ktheheni në bazë. Eshtë pothuaj një javë në mes; mos fol gjëkundi. Flas unë ; prit, mos më ndërpre! Ti vetëm formalisht je efektiv në katerat silurues, prandaj e kemi fare të lehtë të të integrojmë në ekuipazhin e anijes flamurtare, te treqindeshtata pra, që të kryesh një detyrë të veçantë me urdhër nga lart, domethënë , nga unë. Do të përpilosh , deri në detaje raportin e manovrave luftarake në det të hapur dhe, më pas, po nga ky raport, duke hequr sigurisht ato të dhëna që përbëjnë sekret ushtarak, do të përmbyllësh një reportazh për gazetën Luftëtari dhe revistën 10 Korriku, kështu ? Ne përgjigjemi për këto punë, dhe ne i caktojmë njerëzit atje ku duhen. Fillojmë ! Mos harro, sonte do të lëvizin pothuaj të gjitha anijet e bazës…
Pata një dëshirë donkkishoteske për t’ia shpërblyer këtë të mirë shefit të shtabit, qoftë edhe me një përpjekje heroike ! Por edhe ai, ama, çfarë tipi ishte; nuk rronte dot pa e shqetësuar veten herë pas here…
Deti ishte vazhdimisht i dallgëzuar dhe anija jonë, ndonëse e gjatë dhe e rëndë, tundej dhe shkundej. Det ushtarak, thosha me vete, tek e shihja me atë ngjyrën e sertë metalike, ashtu siç do të thosha edhe rrugë ushtarake për një t’atillë. Në një rast pandehëm se u mbytëm. Bashi u përfshi i tëri nga dallgët, por anija për fat , ndonëse e vjetër, shpërtheu përsëri përpjetë si ai notari i fuqishëm, që kërkon të ngopet e të ngopet me frymë. Radistët merrnin pareshtur radiograme, por asnjeri prej tyre nuk erdhi për mua. Siç dukej, gjyqi atje në Tiranë po zhvillohej normalisht, pavarësisht nga mungesa ime. Apo ishte shtyrë për një ditë tjetër të papërcaktuar ?
Lundronim në det të hapur, në një det të trazuar me erë të përhershme, megjithatë , rrija shpesh jashtë mbi kuvertë, sepse më vinte mirë që moti nuk ndreqej. Patjetër që isha i vetmi në anije që e dëshiroja këtë. Kreshtat e bardha të dallgëve krisnin tek shëmbeshin , kurse retë e zeza dhe të ulëta, rrokulliseshin nën fshikullimat e kamxhikëve të vetëtimave, duke përlarë shpendët e mprehtë detarë që gjuanin dhe argëtoheshin egërsisht. Ngjante si një lundrim kolombian, që s’dihej sesi dhe kur do të përfundonte. Por unë atë doja; mjaft që të mos paraqitesha në sallën e gjyqit, ku do të detyrohesha të nxirrja nga goja akuza kundër shokëve të mi, prej të cilave një ditë do të më vinte ndot nga vetja. Sepse, në fund të fundit, për aq kohë sa ndenjëm me njeri – tjetrin, arritëm të bëheshim dikush. Por gjyqi ndoshta ishte zhvilluar sakaq, ishte mbyllur dhe i kishte marrë vendimet përkatëse…
Kthimi në bazë u prit me kënaqësi të madhe.Të gjithë ishin lodhur e bezdisur nga avaritë, urdhrat, shërbimet e gatishmërisë, ngjarjet e paparashikuara, rreziku i mbytjes, ndarja nga fëmijët dhe gratë…
Bregëzuam anijen nëpër gjysme rrësirë si piratët dhe, ne bujtësit, unë dhe dy marinarë të tjerë, u larguam për të fjetur në kapanonin tonë.
Në mëngjes, fillova të lëviz nëpër bazë, duke shpresuar të shoh shefin e shtabit, por nuk po ma zinte syri gjëkundi. Do të jetë në zyrë, e ndava mendjen në fund, dhe nuk bëj keq të vete e ta takoj atje. Ah libri, sjellësi i të gjitha prapësive! Megjithatë, ah sa e doja, ah sa dëshirë dhe nevojë kisha ta shtrëngoja fort ndër duar!
– Radiogrami i dytë erdhi pa vonesë, – më tha që në fillim,por unë iu përgjigja shkurt ,se nuk mund të ndërpritej stërvitja e të kthehej në bazë anija flamurtare, vetëm e vetëm për të zbritur një person. Por tani, nisu për në Tiranë. – vazhdoi – Nuk ka më asnjë rrezik, besoj, sepse gjyqi juaj mbaroi dhe ç’ishte për t’u bërë, u bë. Po të ishte marrë vendim për të të burgosur, mos ki merak se do të vinin të t’i hidhnin hekurat ja këtu në bazë. – më tha shefi i shtabit në zyrë. Dukej pa qejf dhe i ligështuar dhe, në një gjendje të tillë shpirtërore, ai mbetej aty, në zyrën e tij me orë të tëra, duke pirë paf – puf duhan pa ndërprerje. Ma kishte thënë disa herë përmes një pëshpërime konspirative se, i kishte ardhur në majë të hundës jeta në ishull dhe nuk besonte se do të duronte më gjatë. Siç duket, prandaj nuk mori pjesë vetë në stërvitjen e madhe, por angazhoi dy zëvendësit e tij të rinj, që ishin kandidatë partie…
Tirana ime e dashur, vendlindja ime, tek e cila e gjeja veten në çdo cep, m’u duk e huaj dhe nuk shpërtheva dot në gëzim edhe pse e pashë pas dy vitesh. Por ndoshta nuk më linte shqetësimi që kisha, gjersa ta merrja vesh përfundimisht se ç’vendim kishte marrë gjyqi për mua. Im atë, i vetmi që më kishte mbetur në shtëpi e më mbante derën e saj hapur, pasi ime më kishte vdekur që kur unë isha katër vjeç, ndërsa të dyja motrat e mia dhe, të tre vëllezërit e mi ishin martuar sakaq, më tha tek po hanim bukë bashkë se, na e kishin bastisur shtëpinë dy herë rresht ; nuk morën asgjë me vete në të dy rastet edhe pse përmbysën gjithçka.Por si të të shkruaja unë të tilla gjëra në letrat që të kam dërguar në Sazan ?
E ç’të merrnin,o im atë, pensionist i harruar ! Unë nuk kam hedhur ende n’ato fletët e mia, qoftë edhe një varg të vetëm kundër këtij pushteti që e urrej…
Femrat tani në Tiranë, kanë filluar të mbajnë minifunde, më shkruante në letrën e tij para disa muajve një shoku im i gjimnazit, por unë po shihja kudo veçse fytyra të vrazhda dhe rroba ngjyrë hiri. Siç duket , Pleniumi i lV që ia ngeci këngën në fyt Festivalit të Njëmbëdhjetë të RTSH -së, e kishte kinezëruar më pas tërë jetën. Por nuk do të kaloja andej nga Lidhja e Shkrimtarëve, as nga Biblioteka Kombëtare, as nga Parku i Madh, e as nga shtëpia e asaj vajzës, që më zemërohej sa herë që e takoja. Nuk do të shihja asnjë nga vendet, për të cilat kisha mall; do të paraqitesha fillimisht në gjykatë, pastaj…
Në gjykatë nuk do të shkosh i veshur civil; do të shkosh me uniformë, më porositi gjithë kujdes shefi i shtabit dhe, unë ashtu vajta. Pata një fat të papërsëritshëm, sepse me të hyrë atje, takova hetuesin tim.
– Po ti këtu ç’do ? Tani t’u fry ty të paraqitesh ?
– Nuk munda të vij në kohën e duhur, sepse…
– Lëre or’aman, lëre se e di. Më ndiq !
U futëm në një zyrë të ngushtë dhe të gjatë dhe sekretarja që punonte aty, edhe pse mbante në trup një përparëse ngjyrëblu të vrarë si e policëve, dukej menjëherë që ishte e bukur. Por, sa më pa, ia shkrepi:
– Ah, e ka zemrën të madhe Partia, oqean e ka, por me kë se, me ca mosmirënjohës që edhe t’i varësh është pak…
Ç’teveqele, mendova. Me sigruri është ndonjë nga ato kodoshet e shefave, që vë përpara të gjithë kolegët e vet. Po me mua ç’pati,përse më provokoi ? Por isha bërë trim ,isha bërë çmendurisht trim, ja ashtu pa pritur e pa kujtuar. Ndoshta më kishte ndodhur si Anteut, preka tokën time!
Teksa po tallesha tërë qejf me veten, m’u kthye hetuesi, që kishte gjetur ndërkaq dosjen time, me ndihmën e sekretares:
– Ja, lexoje letrën e shkëputur dhe vëri një firmë në fund, hajde ! Njihu pastaj edhe me vendimet e gjyqit, sepse unë do të iki; s’kam kohë të merrem me ty. As edhe në një mbledhje të organizatës së rinisë nuk do të të jepej ky vendim, thyej qafën, ja që dole i pafajshëm…
Nuk më preku fare toni poshtërues i hetuesit. Kisha shpëtuar nga burgu dhe kjo ishte fitore ! Madje, kurrsesi nuk do të pyesja më me naivitet: a mund ta di çfarë kam bërë ?
Ishte një fletë e daktilografuar që e veçuan nga të tjerat dhe unë e firmosa me një gjest prej mendjemadhi, ende pa e lexuar të tërën rrëshqitazi:
…deklaroj
me përgjegjësi të plotë se, do të
përpiqem vazhdimisht pa u lodhur
për t’u riedukuar, duke përvetësuar më së miri
mësimet e Partisë dhe të shokut Enver…

Pa shih, pa shih ; edhe nëse do të kisha qenë vetë i pranishëm në sallën e gjyqit, kështu do të kisha deklaruar fjalë për fjalë, me patos madje ! Çfarë formule edukimi false dhe e neveritshme, por ja, funksiononte !
Eh, shef i shtabit ! Kur të kthehem në ishull, do të të tregoj shumë gjëra.Të gjithë i kishin dënuar me burgim për agjitacion e propagandë ! Nga tre, deri në shtatë vjet secilin. A, vetëm një moshatarin tim, që punonte te gazeta Drita, e kishin transferuar në një rreth të Veriut dhe sakaq, ia kishin hequr të drejtën e botimit. Eh, ishte ai, që siç mësova më vonë, e kishte futur i pari në lojë edhe emrin tim ! Në grupin tonë, kishte deklaruar, ka qenë edhe një shoku im i ngushtë, të cilin e quajnë DK…
Hëm ; kaq kishte mjaftuar.
E more shoku im, s’të rrihej pa mua në krah…
Por të drejtën e botimit, ma kishin hequr edhe mua. Por, kush po pyeste ! Edhe po të mos ma hiqnin, nuk kisha për të botuar më, sepse do të më paragjykonin. Por ç’do të të tregoj ty; ti i paskëshe ditur të gjitha !
Unë nuk paskësha ditur gjë …

1992