Gazeta Nacional Albania

Kryeministri Albin Kurti deklarate per mediat per situaten ne veri te Kosoves

Të dashur qytetarë dhe të nderuar përfaqësues të mediave,

Sot, duke u nisur nga zhvillimet e fundit në vend, bashkë me Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, kemi ftuar këtë konferencë për medie, për të ju njoftuar me gjendjen aktuale në veri të vendit tonë dhe me angazhimin e institucioneve tona për ruajtjen e rendit, të sigurisë, të ligjit e të paqes.

Duam të theksojmë se mbarëvajtja e punës së institucioneve dhe shërbimeve që ato i ofrojnë po vijon. Pavarësisht zhvillimeve gjatë kësaj fundjave, institucionet vartëse të secilës ministri kanë vazhduar pandërprerë përmbushjen e detyrave të tyre.

Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet tona, mbeten të përkushtuara për vlerat demokratike dhe evropiane të sundimit të ligjit, të të drejtave dhe lirive të njeriut e të pakicave, të pluralizmit politik, të paqes e të sigurisë.

Po ashtu, dëshiroj të ju njoftoj që institucionet po vazhdojnë me realizimin e lehtësuar të procesit të regjistrimit të targave ilegale në ato RKS të shtetit tonë të pavarur, përfshirë dhe zbatimin e sekuencuar të vendimit të fundit të Qeverisë të datës 28 tetor 2022. Nga data 01 nëntor e vitit 2022, deri më tani janë shënuar 856 qortime apo vërejtje.

Karshi thirrjeve dashamirëse të institucioneve të Republikës së Kosovës, drejtuar qytetarëve të komunitetit serb për konvertimin e targave nga ilegale në ato RKS, ditëve të fundit janë intensifikuar kërcënimet dhe përpjekjet e Serbisë e të Presidentit të fqinjit tonë verior për destabilizimin e situatës në vendin tonë dhe këto kërcënime janë praktikisht të orientuara para së gjithash ndaj qytetarëve të vendit tonë, nëpërmjet ngjalljes së frikës e të panikut.

Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Qeverisë së Serbisë të shtunën, presidenti atje pati takime të ndara me ambasadorin e Rusisë dhe atë të Kinës në Beograd.

Kjo tregon qartë se Presidenti i Serbisë takohet dhe koordinohet me Rusinë e Kinën, ndërsa gënjen e zhgënjen Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Prandaj edhe çfarë po ndodh tani shpjegohet më së shumti me përpjekjen e Beogradit për ta ambalazhuar kundërshtimin e nismës franko gjermane apo të propozimit të këtyre dy fuqive evropiane.

Nuk bëhet fjalë as për tabela të automjeteve, as për Asociacion të komunave me shumicë serbe, as për suspendimin e Nenad Gjuriqit, bëhet fjalë vetëm për refuzimin që ata ia kanë bërë propozimit të Parisit dhe të Berlinit. Dhe tash duhet ta kamuflojnë këtë refuzim që ia kanë bërë Evropës, që ia kanë bërë Bashkimit Evropian, këtë koordinim të ngushtë që e kanë me Kremlinin dhe me presidentin despotik Putinin, dhe për këtë po i përdorin ata të cilët ende vazhdojnë t’i dëgjojnë në Republikën e Kosovës, pra pjesëtarë të ndryshëm të strukturave ilegale.