KUDRET ISAJ :
Disa zonja zvicerane financojnë ndërtimin
e fshatit Zvicër të Kolonjës në vitin 1927
TRADITA E BAMIRËSISË NË SHQIPËRI
Edith Durhami. mbretëresha e pakurorëzuar e malësorëve shqiptarë në vitin 1904-1905, ka punuar për shoqërinë biblike britanike(British Bible Society) në disa vende të Ballkanit të përbërë me popullsi dominuese shqiptare ku shiste dhe shpërndante Bibla shqip, eksperiencë, të cilën e ka përshkruar dhe dokumentuar në artikuj të ndryshëm të botuar në revistat britanike si dhe në librin e saj Brenga e Ballkanit, botuar në Londër në vitin 1905. Përpos që është autore e shtatë librave të botuar për Shqipërinë në shtëpitë botuese më prestigjioze të Londrës, Edith Durhami në fillimet e shekullit të XX-të ka ndërmarrë një sërë udhëtimesh me profil antropologjik dhe etnografik herë më këmbë, herë mbi shpinën e kalit, apo të mushkës në krahinat më të thella të Shqipërisë së veriut. Në këto udhëtime të lodhshme dhe rraskapitëse, Edith Durhami bujte në kullat e varfëra dhe mikpritëse të malësorëve shqiptarë, cakrronte gotën me raki me ta, pinte dhallë dhe ndante përgjysmë bukën e misrit dhe nuk pranonte të bujte në kullat e bajraktarëve, as në qelën e famullitarit të kishës. Në librat e saj, Edith Durhami shkruan se në disa vende të Ballkanit ku ka shpërndarë ndihma, ajo ka parë me sytë e saj varganë me fëmijë të leckosur, vajza dhe gra me zhele që e kapnin nga xhaketa dhe i luteshin për një krodhe bukë. Miss Edith Durhami të njëjtin mjerim, ndoshta disa herë më të thellë e ka hasur edhe në malet e Shqipërisë. Megjithatë, antropologja britanike pohon se në Shqipëri nuk ka parë fëmijë, gra dhe nëna të reja që t’i luteshin dhe t’i binin në gjunjë për mëshirë. Ky arketip sociologjik mund të shpjegohet vetëm duke zbërthyer dhe njohur mirë natyrën, psikologjinë, karakterin dhe krenarinë e shqiptarit. Të qënit i skamur dhe i varfër për shqiptarin e asaj kohe të shkuar historike nuk e cënonte aspak burrërinë, krenarinë dhe sedrën e tij prej malësori me vezme me fishekë në brez dhe me martinën mbi sup për shkak se atij nuk i bënte syri dritë as para xhandarëve të kapidanit as para bajraktarëve të malësisë.
A nuk e përdori dhe e shpenzoi të gjithë pasurinë e tij zvicerani nga Gjeneva, Henry Dunant në vitin 1863 për të krijuar shoqërinë e mirëbërjes publike, e cila disa vite më pas do të pagëzohej me emrin Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të kuq ! A nuk do të drejtonte ai gjatë luftës franko-prusiane karvanet e misionarëve të kryqit të kuq duke rrezikuar jetën në fushën e betejës ! Filantropi dhe mëmëdhetari Thoma Turtulli, i dhuroi qytetit të Korçës bibliotekën, spitalin, kinemanë, liceun dhe jetimoren. A nuk mund të konsiderohet ai si një Iljaz Mirahor i dytë për dashurinë e pakufishme për Korçën, vendlindjen e tij ! Filantropi Joasaf Korça pagoi paratë për ngritjen e shtypshkronjës së Voskopojës. Vangjel Zhapa nga Labova e Madhe e Gjirokastrës financoi hapjen e shkollave shqipe dhe botimin e abetares me alfabet grek si dhe rihapjen e lojërave olimpike në Greqi. Hapjen e shkollave shqipe në Korcë e ka financuar edhe filantropi Anastas Avam Lekçi. Asaq Lotova, financoi ngritjen e një shkolle bujqësore në Përmet dhe botimin e librit «Bagëti dhe bujqësi» të Naim Frashërit botuar në Bukuresht në vitin 1896.
EGLANTYNE JEBB DHE THEMELIMI I SHOQATËS SAVE THE CHILDREN
Eglantyne Jebb(1876-1928) ishte një zonjë filantrope britanike me prejardhje nga një familje e madhe me shtatë fëmijë, prej së cilëve, Eglantyne ishte fëmija i katërt. Eglantyne Jebb u diplomua për histori në Universitetin e Oksfordit në vitin 1895. Nga viti 1903 deri në vitin 1908, punoi në shoqatën filantropike të Kembrixhit. Për dy vite radhazi nga viti 1910 deri në vitin 1912, ajo bëri udhëtime në disa vende të Europës. Në vitin 1913, Eglantyne Jebb vizitoi Shkupin dhe Prizrenin, kaloi nëpër Shqipëri, Bullgari dhe Serbi në përbërje të fondacionit për ndihmë dhe financim për fëmijët jetimë pas Luftës së Parë Botërore. Me t’u kthyer në Londër, Eglantyne Jebb së bashku me motrën e saj Dorothy Buxton siguruan leje nga qeveria britanike për të marrë lajme nga gazetat zvicerane, franceze dhe italiane dhe për t’i ribotuar ato në faqet e gazetës Cambridge Magasin. Kjo bëhej me qëllim që t’i paraqisnin lexuesve britanikë një informacion sa më të pavarur dhe neutral në lidhje me kasaphanën që kishte shkaktuar Lufta e Parë Botërore, informacion, të cilin lexuesit nuk mund ta gjenin në gazetat e përditshme londineze. Duke parë me sytë e tyre gjendjen e lemerishme, në të cilën ndodheshin fëmijët në vendet e Ballkanit, Eglantine Jebb, Dorothy Buxton dhe Clara Guthrik d’Arcis në 15 prill 1919 themeluan shoqatën filantropike «Save the Children» – Fondi i ndihmës për fëmijët.
Duke i dalë në mbrojtje fëmijëve «armiq» të shteteve ndërluftuese «armiq» të njëri tjetrit, Eglantyne Jebb shpërndau broshura nëpër rrugët e Londrës duke paraqitur në to fotografi të fëmijëve të uritur, gjë për të cilën u arrestua nga policia britanike në Tafalgar Squaire. Në aksionin e saj, ajo u përkrah nga dramaturgu i njohur irlandez Bernard Shou. Në cilësinë e sekretares së nderit të shoqatës «Save the Children» të Londrës, Eglantyne Jebb zbarkoi në Gjenevë në vitin 1919. Nën patronazhin e Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq, Eglantyne Jebb në 6 janar 1920 formoi në Gjenevë, Unionin ndërkombëtar të ndihmës për fëmijët, me të cilin u bashkua edhe Komiteti ndërkombëtar i ndihmës për fëmijët, i cili e kishte qendrën e tij në Bernë. Në vitin 1921, shoqata «Save the Children» me seli në Londër dërgoi ndihma për fëmijët e uritur në Rusi. Deviza që e udhëhoqi Eglantyne Jebb në jetën e saj sintetizohet në sentencën : «E vetmja gjuhë ndërkombëtare në botë është klithma e një fëmije». Kujtojmë këtu që Miss Edith Durhami ishte gjithashtu anëtare e shoqatës «Save the Children» të Londrës. Komiteti organizator i Gjenevës përbëhej nga figura të shquara të qytetit të Kalvinit dhe të Zhan Zhak Rusoit, ndër të cilët mund të përmendim : Theodore Aubert, Otto Binder, Frederic Ferrière, zëvëndëspresident i Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq, Suzanne Ferrier, Etienne Clouzot, shef i sekretariatit të Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq, Andre Oltramare dhe bankieri gjenevas Edouard Vidoudez.
Kur Eglantyne Jebb mbërriti në Gjenevë në vitin 1919 donte të rezervonte një dhomë në një hotel buzë liqenit Leman për të ushtruar aktivitetin e saj bamirës dhe humanitar në qytetin e Kalvinit. Suzanne Ferrière, funksionare e lartë e Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq dhe mbesa e Frederik Ferrière e ftoi zonjën engjëllore të «Save the Children» të banonte në shtëpinë e saj në rrugën Jean-Calvin në Gjenevë. Eglantyne Jebb nuk ishte tip që qëndronte e ngujuar në zyrë me orë të tëra. Ajo karakterizohej nga një dimamizëm dhe aktivitet intelektual dhe fizik i lartë. Eglantine Jebb nuk la muze të Gjenevës pa vizituar pasi ishte një njohëse perfeksioniste e veprave të artit që nga epoka napoleniane deri në fillimet e shekullit të XX- të. Ajo nuk ndjente lodhje të ngjiste shkallët e qytetit të vjetër të Gjenevës ku shfletonte me ëndje një nga një faqet e ndritura të atij qyteti 2000 vjeçar, në të cilin Jul Cezari ka luajtur një rol të rëndësishëm në vitin 58 para Jezu Krishtit. Eglantyne Jebb do të ngjitej në malin e Salev-it me tren elektrik të pajisur me zinxhirë(treni i parë në botë i ndërtuar me këtë teknologji). Në ditarin e saj në vitin 1922, Eglantyne Jebb kujton se në majën e këtij mali 1379 metër të lartë, u frymëzua dhe i lindi idea për të hartuar deklaratën e të drejtave të fëmijëve, e cila u miratua nga Unioni ndërkombëtar i mbrojtjes së fëmijëve në vitin 1923. Teksti i saj u lexua nga Gustave Ador, President i Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq në datën 21 nëntor 1923 në studion e radio televizionit francez të ngritur në Tour Eifel në Paris. Diplomati shqiptar Lec Kurti në vitin 1923, ka ushtruar funksionin e ministrit rezident dhe të të deleguarit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë. Deklarata për mbrojtjen e fëmijëve u miratua nga Lidhja e Kombeve në 26 shtator 1924. Kjo deklaratë, e cila njihet me emrin deklarata e Gjenevës u shtyp në 36 gjuhë të botës. Për të festuar këtë ngjarje memoriale për Republikën e Gjenevës u zhvillua një ceremoni solemne në muzeun e arteve dhe të historisë ku u afishua teksti origjinal i kësaj deklarate i nënshkruar nga 39 delegatë të vendeve të ndryshme të botës.
Eglantyne Jebb ndërroi jetë në 17 dhjetor 1928 në Gjenevë dhe varri i saj ndodhet në varrezat e mbretërve. Figura e saj është po aq emblematike sa ajo e Florence Nightingal-it. Botanisti gjenevas David Austin krijoi një varietet trëndafili anglez me emrin Eglantyne në kujtim të filantropes britanike. Parku Acacias në Gjenevë në vitin 2020 u emërtua parku Eglantyne Jebb. Gustave Ador ndërroi jetë po atë vit në 31 mars 1928. Zvicerani Ador dhe britanikja Jebb kanë një fill të përbashkët që i bashkon njëri me tjetrin. Gustave Ador, përpos postit të Presidentit të Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq do të zgjidhej gjithashtu President nderi i Komitetit ndërkombëtar të ndihmës për fëmijët. A nuk ishte operacioni ndërkombëtar i organizuar nga Lidhja e Kombeve dhe nga Komiteti ndërkombëtar i Kryqit të kuq në vitin 1924 në Shqipëri për të shpëtuar banorët e krahinave të veriut nga zia e bukës dhe uria një operacion humanitar, filantropik dhe bamirës !
Gazeta «Ora e maleve» e datës 5 prill 1924 që botohej në Shkodër boton njoftimin me titull : Bamirsinat për Shqipni, të cilin po e citojmë më poshtë : Lajmohemi se në Tiranë ka mrrijtë Delegati i «Shoqënis për ndihmat në Shqipni», i njoftuni mik i yni Z.Prof. Eugenio Pittard nga Svicera. Lajmohemi edhe se ndër ndihmat e caktueme, Qeveria italjane ka marrë pjesë me nji shumë 500.000 lira italjane. Jemi të shigurtë se populli ervarshëm ka me diejt t’a çmojë nji ndihmë të tillë në kohë kaq të ngushtë për të. M.Gehri, redaktor i buletinit të Unionit ndërkombëtar të ndihmës për fëmijët në Gjenevë në letrën që i dërgon funksionarit të seksionit politik të Lidhjes së Kombeve, G.H.F. Abraham në datën 12 prill 1924 shkruan :
Në vazhdim të bisedës sonë telefonike që kemi patur sot në mëngjes me Z. Clouzot, kam nderin t’ju komunikoj më poshtë detajet e donacioneve private për Shqipërinë që u sollën në vëmëndjen e Fondit Save the Children në Londër nga një letër e Miss Edith Durham :
Donacion i mbledhur nga Miss Durham L.stg. 1. 706
Donacion i Lady Carnavon L.stg. 1. 000
Donacion i Vatikanit L.stg. 900
Donacion nga Këshilli i Britanisë së Madhe L.stg 200
Total 3.806
Unioni ndërkombëtar i ndihmës për fëmijët në Gjenevë në kohën e zisë së madhe të bukës në veri të Shqipërisë në vitin 1924 është treguar shumë aktiv për të siguruar ndihma për fëmijët e uritur shqiptarë. Ky Union dërgoi ndihma të tjera financiare në Shqipëri posacërisht për fëmijët duke vënë theksin që përdorimi i donacioneve për destinacione dhe qëllime të tjera është absolutisht i ndaluar. Ndihma e Unionit ndërkombëtar për fëmijët shqiptarë arrin vlerën 600 livra stërlina. Zonja britanike Eglantyne Jebb përpos bashkëpunimit me Gustave Ador-in dhe Frederic Ferrier-in ka patur marrëdhënie të ndërsjellta bashkëpunimi me Margueritte Frick-Cramer, historiane dhe anëtaria e parë femër e Komitetit ndërkombëtar të Kryqit të kuq si dhe me poetin, romancierin, botuesin dhe gazetarin skocez William Arthur Mackenzie, i cili në periudhën 1920-1939 ka ushtruar funksionet e sekretarit të përgjithshëm të shoqatës «Save the Children». Sot shoqata ndërkombëtare «Save the Children» është e përhapur në 120 vende të botës. Simotra e saj në Shqipëri e ushtron aktivitetin e saj që prej 25 vjetësh dhe ka në epiqendër shtresat e pafavorizuara të fëmijëve romë.
ZGJIDHJA E ENIGMËS SË FSHATIT ZVICËR NË RADANJ TË KOLONJËS
Që atë ditë kur Herbert William Sams bisedoi në telefon me Eglantyne Jebb, Presidenten e shoqatës «Save the Children» në Londër në pranverë të vitit 1927 dhe mori porosi prej saj që të përkujdesej për refugjatët shqiptarë të fshatit Korsackë në Greqi, të dëbuar me dhunë dhe raprezalje nga shtëpitë dhe vatrat e tyre, atij iu arratis gjumi nga sytë dhe ndihej i lënduar sikur t’i kishin dëbuar disa pjesëtarë të familjes së tij. Ai ishte australian në origjinë dhe kishte lindur në 10 shtator të vitit 1889. Pasi ishte diplomuar në Akademinë ushtarake, ai kishte shërbyer për disa vite me radhë në Kryqin e kuq francez deri në vitin 1917. Pas këtij viti u kthye në Australi. Pas krijimit të shoqatës «Save the Children» në vitin 1919, ai iu bashkua vlerave humanitare të kësaj organizate ndërkombëtare dhe u emërua drejtor ekzekutiv i saj për Europën, me seli në Paris. Të nesërmen e bisedës telefonike me Eglantyne Jebb, ai bëri një plan operativ për realizimin e misionit që i kishte ngarkuar filantropja britanike.
Pikësëpari, ai i dërgoi një telegraf Harry Eyres-it(1856 -1944), ministrit të parë të Britanisë së Madhe me seli në Durrës. Nëse do të bëjmë një hamendësim kemi mendimin që do të ketë qenë pikërisht titullari i kësaj legate, i cili e mbante këtë post që prej vitit 1922, i cili do ta ketë shkundur administratën e fjetur shqiptare dhe do të ketë marrë kontakt me qeverinë në Tiranë si dhe me prefektin e Korçës, Zef Kadarja(1892-1945). Ai ishte me origjinë nga Shkodra. Pasi kishte përfunduar kolegjin saverian jezuit, ai ishte diplomuar në një Akademi ushtarake në Itali. Ai ishte shtetar i vërtetë dhe për disa vite kishte punuar si gjykatës në Shkodër. Më pas, ai do të punonte si prefekt dhe nënprefekt në qytete të ndryshme të vendit. Në vitin 1936, ai kishte punuar si sekretar i përgjithshëm i ministrisë së punëve të brendshme. Nga data 8 deri në 12 prill 1939, vetëm për katër ditë, ai kishte ushtruar atributet e ministrit të brendshëm të Shqipërisë nën pushtimin fashist. Si rrjedhojë, gjyqi special në Tiranë në 13 prill 1945, e dënoi Zef Kadaren me vdekje me pushkatim.
Në bazë të dokumenteve të gjetura në arkivat e Gjenevës dhe në shtypin shqiptar del që çështjen e refugjatëve shqiptarë të fshatit Korsackë në Greqi që ushtria greke me dhunë dhe raprezalje donte t’i degdiste në Turqi, duke i cilësuar si myslimanë turq, në fazën e parë e mori në dorë një kuartet i përbërë nga katër persona. Eglantyne Jebb në Londër, Herbert Wîlliam Sams në Paris, Henry Eyres në Durrës dhe Zef Kadarja në Korçë. Në bazë të marrëveshjes midis Greqisë dhe Turqisë të nënshkruar në Lozanë në vitin 1923, e cila njihet me emrin marrëveshja e Lozanës, Greqia do të dëbonte me dhunë dhe pa të drejtë rikthimi banorët autoktonë shqiptarë që banonin në Greqi duke i etiketuar ata si myslimanë turq dhe në vend të tyre do të vendoste grekët që do të ktheheshin nga Anadolli. Kujtojmë këtu që në vitin 1927, banorët e Filatit i kishin dërguar një telegram Lidhjes së Kombeve në Gjenevë duke denoncuar me forcë terrorrin dhe raprezaljet e ushtrisë greke që donte t’i dëbonte nga vatrat e tyre stërgjyshore dhe t’i degdiste në Turqi.
Duke e trajtuar me seriozitetin më të lartë çështjen e refugjatëve shqiptarë të fshatit Korsackë, Zef Kadarja, e ngriti zërin e tij deri në kupolën më të lartë të qeverisë në Tiranë. Apo ndoshta ka qenë Henry Eyres, katalizatori i kësaj zgjidhjeje duke trokitur në zyrën e Ahmet Zogut, i cili në këtë periudhë i kishte marrë në dorë të gjitha frenat e pushtetit duke ushtruar njëkohësisht postin e Kryeministrit dhe të Presidentit të Republikës Shqiptare ! Rëndësi ka fakti që prefekti i Korçës, Zef Kadarja në pranverë të vitit 1927 e vuri makinën shtetërore në lëvizje dhe arriti të sigurojë disa fonde jo fort të mëdha për ndërtimin e 20 shtëpive në fshatin Radanj të Kolonjës, në të cilat do të strehoheshin emigrantët shqiptarë që do të vinin nga fshati Korsackë i Greqisë. Shtrohet pyetja : përse u zgjodh pikërisht fshati Radanj për strehimin e tyre ? Kjo pyetje, e cila është shumë e drejtë mund të shpjegohet me faktin se fshati Radanj ndodhej fare pranë kufirit me Greqinë në një largësi gjeografike të afërt me fshatin Korsackë, i cili kishte mbetur në territorin grek. Për hir të së vërtetës duhet pohuar që buxheti i shtetit shqiptar ishte shumë i limituar dhe mbahej në këmbë në sajë të huave skllavëruese që mbreti Zog kishte nënshkruar me qeverinë italiane.
Megjithatë, gazetat shqiptare që dilnin në Zvicër, Itali, Francë dhe gjetiu, e përhapën lajmin që qeveria shqiptare kishte vendosur të jepte një ndihmë financiare modeste për të strehuar refugjatët shqiptarë të Korsackës, të cilët kishin mbetur pa kulm mbi krye dhe rrezikoheshin të dëboheshin në Turqi. Fatmirësisht një lajm i tillë iu shkoi në vesh disa zonjave zvicerane, të cilat kishin lidhje me Shqipërinë. Ato mblodhën në Zvicër ndihma monetare të konsiderueshme, të cilat ia vunë në dispozicion qeverisë shqiptare për ndërtimin e 20 shtëpive të refugjatëve shqiptarë në fshatin Radanj të Kolonjës. Banorët e rinj do të përfitonin gjithashtu nga një pendë qe për të mbjellë misrin dhe për të punuar tokën. Në sajë të kësaj bujarie, humanizmi dhe bamirësie një gjeometër i caktuar nga prefektura e Korcës hartoi një projekt për ndërtimin e 20 shtëpive të reja në fshatin Radanj. Me të vënë këmbën vjeshta e parë dhe gjethet e pemishteve nisën të marrin ngjyra të arta dhe të argjendta, banorët e Radanjit panë një ditë Herbert William Sams-in, përfaqësuesin e shoqatës britanike «Save the Children» duke i prirë një vargani me rreth 120 shpirt, të cilët kishin orë të tëra që udhëtonin më këmbë me një tërkaç plaçkash në kurriz që nga Korsacka në Radanj. H.W.Sams ju dha me dorën e tij banorëve të sapo ardhur celësat e shtëpive të reja, projekt që u ideua, u hartua dhe u realizua në sajë të bujarisë dhe të dhembshurisë së zonjave zvicerane si dhe të shpirtmadhësisë së filantropes britanike Eglantyne Jebb.
Ja ç’shkruante gazeta Posta e Korçës e datës 12 nëntor 1927 : …Sikundër dihet në katundin Radanj të nënprefekturës Leskovik, janë instaluar prej shoqërisë bamirëse 20 familje emigrantësh. Shoqërisë në fjalë i qenë dorëzuar 5.180 killo misër, të cilin e përndau nëpër familjet e përmendura. Pas ftimit të drejtorit të shoqërisë britanike, z, Herbert William Sams, vajti para pak kohësh në katundin Radanj titullari i kësaj prefekture, Zef Kadarja, i cili konstatoi se të gjithë emigrantët janë instaluar mjaft mirë nëpër shtëpitë e ngrehura për ta. Për ngritjen e këtyre shtëpive kishte kontribuar misioni britanik. Të 20 familjet ishin myslimane. Qeveria premtoi se do të japë kredi. Me të mbërritur ata kërkuan një xhami…». Kurorëzimi i këtij projekti ambicioz dhe realizimi i tij i plotë nga të gjithë faktorët dhe vektorët si dhe nga subjektet përkatëse që morën pjesë aktivisht në të ishte një shenjë maturie dhe serioziteti e një premtimi të mbajtur edhe pse Londra dhe fshati Zvicër në Kolonjë ishin mijëra kilometra larg njëri tjetrit. Të gjithë protagonistët e këtij misioni filantropik, bamirës dhe humanitar kanë arsye të forta të jenë të përmbushur, të lumturuar dhe krenarë.
Në një artikull tjetër të gazetës Zëri i Korçës të datës 3 dhjetor 1927 lexojmë : «…Sipas vendimit të Këshillit Ministerial, katundi i ndërtuar prej misionit britanik në Radanj të Leskovikut dhe i përbërë prej 20 shtëpish, u pagëzua me emrin «Zvicër». Ky emër iu dha për nder e kujtim të zonjave të Zvicrës që kanë dhuruar ndihmat e tyre për ngrehjen e këtij katundi…». Shtrojmë një pyetje, të cilën e kemi në majë të gjuhës dhe nuk mund të mos ta bëjmë: A mos vallë ka qenë Helene Pittard e njohur me pseudonimin Noëlle Roger në mesin e zonjave donatore zvicerane ? Nuk jemi ende të sigurtë, nëse e kemi gjetur enigmën që kemi shtruar për zgjidhje në krye të këtij hulumtimi dhe kësodore mund të vazhdojmë të bëjmë tautologji të ndërlikuara psikologjike, të cilat nuk të nxjerrin në asnjë shteg dhe nuk të çojnë në asnjë rrugë. Për fat të mirë, na vjen në ndihmë Mit’hat Frashëri në revistën e tij Dituria të dhjetorit të vitit 1927, i cili kishte botuar një artikull anglisht me titullin : «Historia e dy katundeve», shkruar nga Hubert D.Watson të revistës : The Words Children(vol. VIII). Po citojmë një fragment nga shkrimi i Mit’hat Frashër-it: «…Këndonjësit e Diturisë e dinë se në Shqipëri kemi çështjen e refugjatëve, një problem aq të rëndë sa dhe të zjarrtë, të njerëzve të ardhur nga Kosova, nga Camëria, pastaj edhe nga Turqia, prej atyre që kishin ikur më 1914, përpara shkretimeve dhe djegieve të grekëve…Duke parë nevojat e një popullsie që vuan, lëngon dhe lufton me vdekjen, shoqëria mirëbërëse angleze «Save the Children Fund» që kujdesetë për të shpëtuar foshnjat, djemtë e mbetur jetimë, mori përsipër të goditnjë dy katunde, një në Libofshë(Xhebaj) dhe i dyti në Radan(Leskovik) që të dy nga 20 shtëpia…».
Në bazë të hulumtimeve që kemi bërë në listën e fshatrave të sotëm të Kolonjës, fshatin me emrin Zvicër ose Suisse nuk e kemi gjetur, madje edhe disa banorë që i kemi pyetur dhe që kanë jetuar në atë kohë ngrenë supet të habitur dhe nuk janë të zotë të japin një informacion të saktë. Sot nga fshati Radanj kanë mbetur vetëm një grusht shtëpish të braktisura, për shkak se shumica e banorëve kanë marrë rrugën e emigracionit. Megjithatë të bën përshtypje fakti se në vitin 1927, madje shumë vite më pas ky fshat është quajtur gjithmonë Radanj, qoftë në dokumentet e administratës qëndrore, qoftë në dokumentet e administratës lokale të Kolonjës, qoftë në hartat fizike dhe gjeografike të hartuara dhe të shtypura në Tiranë. Ky rebus më sjell ndër mend urdhëresën e nënshkruar nga Fan Noli në gusht të vitit 1924 për t’i vënë Shëngjinit emrin Wilson. Megjithatë me cyt pyetja se përse Fan Noli nuk e bëri realitet ndryshimin e emrit të qytetit nga Shëngjin në Wilson gjatë qëndrimit gjashtëmujor në pushtet ? Nga ana tjetër, nëse Ahmet Zogu kur erdhi në pushtet në dhjetor të vitit 1924, do të ishte ngritur mbi politikën dhe do ta kishte miratuar këtë urdhëresë në mbledhjen e qeverisë, qyteti i Shëngjinit, sot do të quhej qyteti Wilson. Sentenca latine : Verba volant, scripta manent(fjalët fluturojnë, e shkruara mbetet), në rastin tonë do të përkthehej në trajtën sipas së cilës Zef Kadarja, prefekti i Korçës duhej ta kishte dërguar me shkrim në qeveri në rrugë zyrtare propozimin për zëvëndësimin e emrit të fshatit Radanj me emrin Zvicër dhe pasi ky propozim të kishte marrë miratimin nga instancat përkatëse, do të botohej në fletoren zyrtare.
Sado që kam kërkuar dhe shfletuar gazetat zvicerane të periudhës kohore 1926 dhe 1927 deri tani nuk kam gjetur asnjë lajm për fshatin Zvicër në Kolonjë dhe donacionin e zonjave zvicerane. Ndoshta zonjat zvicerane që kanë bërë këtë donacion bamirës dhe mirëbërës në vlera të konsiderueshme monetare në fshatin Radanj të Kolonjës në vitin 1927 kanë patur arsyet e tyre për të mbetur anonime, të mos dalin publikisht dhe të mos japin intervista nëpër gazeta për xhestin dhe veprën e tyre humanitare. Fakti që deri tani emrat e tyre kanë mbetur enigmatike na e përforcon akoma më shumë mendimin që kjo ka qenë dëshira e tyre, të cilën e kemi për detyrë që ta respektojmë derisa të mos ketë një zhvillim të ri të ngjarjeve. Megjithatë, duke shfletuar albumin fotografik të fotografit kolonjar Dhimitër Vangjeli zbulojmë dy vajza zvicerane dalë në mesin e një familjeje në Kolonjë. Fotografia ka diçiturën : Familje qytetare kolonjare me bamirëset zvicerane në qendër. Në fotografinë në fjalë nuk është shënuar viti. Fotografia është bardhë e zi dhe është realizuar para murit gati gjysmë të shembur të shtëpisë. Në fotografi kanë dalë 17 vetë. Të pesë burrat janë veshur me kostume dhe kravata, ndërsa 12 gratë dhe vajzat mbajnë fustane allafrënga dhe veshje të kohës. Në fotografi duken tjegullat e kuqe të shtëpisë. Në murin e bardhë poshtë tjegullave është varur një çarçaf ngjyrë qumështi që të kujton sfondet që përdorin fotografët profesionistë kur i nxjerrin njerëzit në fotografi. Para çarçafit qëndrojnë në këmbë 7 persona, katër gra dhe tre burra. Dy vajzat bamirëse zvicerane ndodhen në qendër.
Një rresht para tyre qëndrojnë ulur 6 persona, ndër të cilët shquajmë 4 gra të moshuara dhe dy burra. Njëri prej tyre ka mustaqe të mëdha dhe të bardha, i cili me sa duket është plaku i shtëpisë. Një rresht para tyre qëndrojnë ulur tri vajza të moshës 15 -20 vjeçare dhe një djalë i vogël 5 vjeç.Të gjitha vajzat janë të veshura allafrënga. Një pjesë e vajzave në fotografi mbajnë bereta të zeza dhe të tjerat mbajnë kapele të bardha. Nuk jemi të sigurtë dhe nuk mund ta vëmë dorën në zjarr që këto dy vajza mund të jenë dy bamirëset zvicerane, të cilat kanë financuar ndërtimin e 20 shtëpive në fshatin Radanj të Kolonjës në vitin 1927. Megjithatë po e botojmë fotografinë e fotografit kolonjar Dhimitër Vangjeli. Këtë enigmë do ta vërtetojë koha. Gazetarët investigativë kanë për detyrë të kryejnë misionin e tyre.
FSHATI XHEBAJ I LIBOFSHËS NË PËRKUJTIM TË EGLANTYNE JEBB
Ne shqiptarët e kemi zakon që miqve që na hyjnë në zemër ju a shqiptarizojmë emrat. Përshembull : Fotografi italian nga Piaçenca kur hyri për herë të parë në Shkodër u regjistrua në hotel me emrin Pietro Marubbi. Megjithatë, të gjithë shkodranët pas një kohe të shkurtër nisën ta thërrasin me emrin e shqiptarizuar Pjetër. Mund të bëjmë të njëjtën analogji me Eglantyne Jebb. Autoritetet qëndrore në Tiranë si dhe autoritetet lokale në Fier në vitin 1926, e dinin shumë mirë mbiemrin e saj, megjithatë për ta bërë këtë mbiemër anglez më të dashur dhe më familjar, ata e shqiptarizuan atë duke i dhënë trajtën Xhebaj. Presidentja e shoqatës «Save the Children» Eglantyne Jebb dhe drejtori ekzekutiv, Herbert William Sams do të ndërtonin 20 shtëpi në fshatin Xhebaj të Libofshës dhe do t’i pajisnin banorët e tyre me vegla bujqësore, me nga një pendë qe për të punuar tokën dhe me farëra bimësh. Emigrantët shqiptarë të fshatit Xhebaj përveç punëve në bujqësi do të merreshin edhe me endjen e qilimave dhe të rrobave prej leshi dhe pambuku. Në lidhje me emigrantët shqiptarë që u vendosën në fshatin Xhebaj në vitin 1926 nuk kemi gjetur asnjë statistikë apo informacion për të ditur nëse ata kanë qenë me prejardhje nga Kosova, nga Camëria apo nga shqiptarët e Turqisë që u shpërngulën në këtë vend pas vitit 1914.
Sipas një urdhërese të qeverisë shqiptare të vitit 1926 emigrantëve shqiptarë që vinin nga jashtë kufirit dhe donin të vendoseshin në Shqipëri ju jepeshin falas 25 mijë metra katrorë tokë shtetërore. Teki Selenica, sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave në vitin 1928, botoi dy libra të karakterit demografik me titullin : Shqipëria në vitin 1923 dhe Shqipëria në vitin 1927. Në vitin 1930, ai bëri regjistrimin e popullsisë në rang vendi, të cilin sot specialistët e quajnë census. Duhet vënë në pah fakti që librat e shtypura prej tij në shtypshkronjat e Tiranës mund të gjenden shqip pa as më të voglën vështirësi në bibliotekat më të njohura të Europës, përfshi këtu Zvicrën, Francën, Gjermaninë, Italinë, Greqinë, Austrinë, Belgjikën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mit’hat Frashëri na e ka lënë të shkruar si amanet në revistën e tij Dituria të dhjetorit të vitit 1927 që të mos e harrojmë emrin e filantropes dhe bamirëses së Shqipërisë zonjës Eglantyne Jebb. Shumëkush në Shqipëri sa herë ka kaluar aty pari në Libofshë apo ka dëgjuar emrin Xhebaj, ky emër nuk i ka shkaktuar ndonjë emocion të veçantë për shkakun e vetëm se pas gati njëqind vjetësh nuk ka mundur ta bëjë dot asosacionin e emrit Xhebaj me themeluesen e shoqatës «Save the Children». Eglantyne Jebb. Zonja filantrope dhe bamirëse britanike dhe drejtori ekzekutiv i shoqatës «Save the Children» Herbert William Sams ndërtuan në vitin 1926 fshatin Xhebaj me 20 shtëpi në afërsi të Libofshës, 15 kilometra larg nga qyteti i Fierit. Pas kontrollit të listës së fshatrave të rrethit të Fierit më rezulton që një fshat me emrin Xhebaj sot nuk ekziston.
Do të dëshiroja që bashkia e Fierit ta emërtonte këtë fshat me emrin e tij të vërtetë, me emrin e filantropes dhe bamirëses britanike : Eglantyne Jebb, si për të na bërë të kujtojmë, të kuptojmë dhe të besojmë që nuk kemi nevojë të shkojmë në Londër për t’u përshëndoshur me të sepse bamirëses së dashur të Shqipërisë, Eglantyne Jebb, ndonëse me një vonesë gati një shekullore do t’i ngrejmë në shenjë mirënjohjeje një statujë në fshatin Libofshë.

