Gazeta Nacional Albania

KUR RRRËFIMI AUTOBIOGRAFIK SHNDWRROHET NË MEDITIM UNIVERSAL, DANILO KISH (1935-1989). STUDIM NGA FERIDE PAPLEKA

Kish lindi në Suboticë, një rajon kufi midis Serbisë dhe Hungarisë. I ati ishte çifut dhe e ëma malazeze, ortodokse nga Cetinja. Gjatë Luftës së Dytë ai humbi të atin dhe shumë anëtarë të tjerë të familjes, të cilët vdiqën nëpër kampe përqendrimi. Fëmijërinë e kaloi në Hungari dhe në Mal të Zi. Studioi letërsi në universitetin e Beogradit dhe më 1958 mbrojti doktoratën për letërsi krahasuese. Deri më 1960 punoi në Vidici magazine, një revistë letrare jugosllave dhe më 1962 botoi dy novelat e para që u pritën ngrohtë nga kritika e specializuar. Më 1973 u vlerësua me çmimin e madh “NIN” që ngjalli debat të gjerë politik. Më pasi botoi poezi, tregime e romane. Ironia poetike e tij shndërrohet në një rrrëfim autobiografik e pastaj në meditim universal.
Në vitet ’70, pasi fitoi një numër të madh çmimesh kombëtare e ndërkombëtare, shkoi në Paris dhe në fillim të viteve ’80 filloi punë si profesor letërsie. Ka përkthyer në gjuhën e vet poetët më të mëdhenj francezë, rusë dhe hungarezë. U bë i njohur sidomos me librin Enciklopedia e të vdekurve (1983), titulli i së cilës është si një kumt tragjik. Humori e dhembshuria aty zbulohen përmes forcës së rëndesës, sikur Danilo Kishi që vdiq pas pak kohësh kërkonte të shpallte hapur mistifikimin e vdekjes. Një nga të përditshmet amerikane e quajti si librin më fantastik që nga „Fiksione“ të Luis Borges-it, ndërsa Joseph Brodsky shkroi se libri i tij i jep tjetër kuptim vdekjes. Danilo Kish fliste për fatin e tij si çifut i Europës qendrore, por e theksonte se jetonte në shumë kultura, në shumë gjuhë e në shumë vende, duke përjetësuar lirinë e krijimit. « Atdheu im është letërsia dhe unë jam me konceptin e Goethe-s për një letërsi botërore », thoshte. U shua në Paris më 1989 nga një kancer në mushkëri. Vepra e tij në prozë është përkthyer në dhjetëra gjuhë. Tregimi që kemi zgjedhur përfshihet në librin Enciklopedia e të vdekurve që i dha famë.

Homazhe të përmortshme

Ngjarja ka ndodhur më 1923 apo më 1924. Në Hamburg më duket. Ishte koha e mynxyrave në Bursa dhe e zhvlerësimeve të llahtarshme: paga ditore e një dokeri arriti në shtatëmbëdhjetë miliardë marka dhe prostitutave të shtrenjta duhet’u paguaje trefishin. (Detarët e portit të Hamburgut e mbanin portofolin e tyre nën sqetull ose në kutitë e këpucëve).
Në një nga ato dhomat e vogla që janë rreth portit, një prostitutë me emrin Marjeta vdiq befasisht nga një pneumoni. Ukrainasi Bandura, detar dhe revolucionar, mendonte se ajo ishte “bërë verem nga dashuria”. Ai nuk mund ta lidhte me asnjë rëndomësi trupin e saj hyjnor, dhe, sikur të mos mjaftonte kjo, pneumonia ishte sëmundje e borgjezisë. “Ajo e ka djegur si qiri”, thoshte. Edhe pse kishin kaluar afërsisht pesë vjet që nga ajo ngjarje, zëri i Bandurës, kur e kujtonte, bëhej i ngjirur e i mbytur si pas një krize kolle. Nuk ishte shkaktar vetëm alkooli, sido që në atë kohë Bandura, ç’është e drejta, ishte një gërmadhë e vërtetë, i flakur nga njerëzit e vet, tamam si një mbeturinë e ndryshkur dhe e kalbur që ka ngecur në llum.
“ Besomë, gjëmon Bandura, asnjë putanë në botë nuk e kanë vajtuar me aq dhimbje … Dhe asnjë e vdekur s’ka patur ndere të atilla.”
Për varrimin e Marjetës kishin shqitur dyert e serrave të luleve bashkiake dhe kishin plaçkitur kopshtet e vilave të periferisë. Qentë kishin lehur gjithë natën, dogët dhe mollosët përgjigjeshin duke zgjatur turinjtë përmes qaforeve të tyre të ngjashme me një kurorë gjembash, unazat e zinxhirëve të tyre të rëndë rrëshqisnin përgjatë kabllos së tendosur, sikur të zhurmëronte hekuri i gjithë skllevërve të historisë. Por askush nuk kishte dyshuar, madje as kopshtarët e vjetër të rraskapitur, me kocka të sëmura që kishin të shkruar një anamnezë aq të gjatë sa edhe historia e proletariatit, askush nuk kishte dyshuar, që atë natë kishte shpërthyer një revolucion i vogël, i veçantë: papritmas marinarët e portit të Hamburgut, kishin sulmuar shtëpitë e të pasurve. Dhe këta fëmijë të proletariatit, të ardhur nga Havra, Marseja e Anveri, të mbrojtur nga nata, kishin prishur luleshpatoret, duke prerë degët deri në rrënjë me biçakët e xhepit të mprehur, ashtu si i mbajnë detarët, duke shkelur me këpucët e tyre të ngrëna të gjitha bimët e vogla që nuk i zinte tehu. Atë natë, parqe dhe sheshe qenë “shkelur keq”, duke përfshirë edhe Kopshtin Bashkiak dhe lehet e Bashkisë, “dy hapa larg komisariatit të policisë”. “Ky akt vandalizmi, mund të lexoje nëpër gazeta, padyshim që është tregues për mendje anarkiste dhe trafikantë të ndyrë lulesh.”
Mbi varrin e Marjetës sollën krahë trëndafilash, të bardhë e të kuq, degë pishe të sapoprera, tulipanë dhe krizantema, zhardhokë, lulebore bojë qielli, luleylberi të mbyllura, zymbyla dhe tulipanë të bukur të zinj, lule nate, zambakë, që është lulja e virgjërisë dhe e kungimit të parë, me një aromë të pazbërthyeshme, lulebore të zakonshme dhe luleshpatore të jashtëzakonshme (këto ishin më të shumta), në të bardhë të lehtë dhe të trëndafiltë pasteli, luleshpatore të pastra engjëllore që përmbanin tërë një mistikë të trëndafilit dhe të shpatës, dhe tërë kjo nën shenjën e pasurisë që kalbet. Kishte luleshpatore të një madhështie të përmortshme, ushqyer me djersën e kopshtarëve të vjetër, të lodhur nga prashitjet e të dërrmuar nga ujitjet me shi artificial pusesh arteziane, për t’i mbrojtur nga koha e keqe, nga harlisja e sëmurë, këto lule shterpa që nuk ndiejnë asgjë, me gjithë atë arkitekturë fantastike, me gjithë atë bashkim nyjëzimesh të ngjashme me kthetra omari, me gjithë palat e lustruara të petaleve dhe gjembat e rremë të sythave të gjatë; gjithë ajo harlisje e përbindshme ishte e pazonja të nxirrte atomin më të vogël të parfumit, madje as sa një vjollcë e vogël pylli. Ky zjarr artificial bimor ishte rrethuar me degët e manjolies, të vjedhura në kopshtin botanik, degë të rënduara me gjethe të regjura, me një lule të vetme të madhe në majë, si një fjongo mëndafshi në flokët e zonjushave të familjeve fisnike që Kamerad Bandura i krahasonte (me sensin e tij të zakonshëm për t’i tepruar gjërat) me putanat e porteve. Vetëm varrezat ishin kursyer, sepse në lajmërimin e tij drejtuar “gjithë marinarëve, dokerëve, të gjithë atyre që e kishin dashur”, Bandura kishte kërkuar vetëm lule të freskëta dhe padyshim, nën ndikimin e një frymëzimi thuajse mistik, e kishte ndaluar që të prekeshin varret. Besoj se mund të përshkruhet, së paku afërsisht, ajo çfarë ka menduar ai: “Nuk bëhet shaka me vdekjen; lulet kanë një rrugëtim dialektik mjaft të përcaktuar dhe ndjekin një cikël biologjik nga çelja te kalbëzimi; proletarët kanë të drejtë të kenë të njëjtat nderime të përmortshme ashtu si të pasurit; laviret janë rezultat i pabarazisë së klasave; (pra) ato janë të denja të kenë të njëjtat lule si edhe zonjushat e familjeve fisnike.” Etj.
Përcjella e heshtur që udhëhiqej nga Bandura i ngriti flamujt e kuq e të zinj vetëm në rrethinat e qytezave punëtore dhe ata u shpalosën në erë me një tingull të kobshëm, me një të kuqe gjaku dhe të zezë nate – simbole të përafërta me gjuhën e luleve, por jo të zhveshura nga konteksti social.
Në anë të rrugës që ndan varret e të pasurve nga varret e të varfërve, Bandura, duke iu marrë pak këmbët, u ngjit në një piedestal të lartë mermeri të zi (një engjëll i bronztë mbante një kurorë sipër vogëlushes së vdekur prej shumë kohësh) dhe para turmës së heshtur të marinarëve pa kapela dhe prostitutave të stolisura, shqiptoi fjalimin e përmortshëm. Ai ripërshkroi jetën e Marjetës, shkurtimisht, në mënyrë mekanike: një jetë e ashpër e një fëmije proletarësh, midis një nëne rrobaqepëse e një babai që s’ishte për asgjë e që e mbylli jetën e vet prej pijaneci si punëtor shkarkimi në portin e Marsejës. Dhe ndërkohë që Bandura marinari, Bandura revolucionari, me grykë të shtrënguar e me zë të dridhur, përpiqej ta përmblidhte fjalimin e tij të përmortshëm, këtë fund të trishtuar të një jete të mjerë, brenda kufijve të padrejtësive shoqërore dhe të luftës së klasave, duke thënë me zë të lartë fjalë zemërimi sikur të lexonte Bakuninin, nuk mund të rrinte pa shikuar se si parakalonin brenda tij ato tablo të gjalla të një ekzistence, sikur po shfletonte një album të vjetër. (Dhe mendoj që me këto imazhe përziheshin, padashur, kujtimet e fëmijërisë së tij.) Një bodrum i kredhur në një mugëtirë të thellë ku tymi i cigareve trazohet me erën e keqe të verës dhe uzos; skena të dhunshme zënkash familjare, goditje, të qara, lot; gjaku i çimkave që kërcasin nën pishtarin prej letre gazetash, flaka e të cilit lëpin sustat dhe parvazet metalike, të nxirë tashmë nga bloza, shtretër portativë; seanca majmuneske çmorrimi mbrëmjeve nën dritën e llambës që lëshon tym, ndërsa fëmijët të përkulur në qafën e tjetrit, duke pritur radhën, zbulojnë gjer në rrënjët e cullufeve të verdha e të zeza tufat e thërriave; duart e nënës, të fryra nga larja e rrobave që dukeshin si barbunë të zier …
Ligjërata e tij mbi varrin e hapur ishte ndërprerë kohë pas kohe nga dënesje të shkurtra histerike të lavireve plaka (të cilat sigurisht e ndjenin në mënyrën më të dhimbshme se çdokush tjetër përkohësinë e trupit dhe kërcënimin e rrënimit të pandreqshëm), ashtu edhe nga kollitjet e ngjirura dhe rrufitjet e dokerëve, e që Bandura nuk mund ta kuptonte në ishte fjala vërtet për kollitje apo më shumë për dënesje të papërmbajtura të marinarëve, me të cilat ai vetë theksonte ligjëratën. (Ai e dëgjonte zërin e vet sikur ishte zëri i një tjetri që dilte nga një gramafon kërcëllitës, gjithë duke shfletuar brenda vetes në mënyrë kronologjike atë album të vjetruar, që nga takimi i parë me Marjetën).
Ai e kishte parë një mbrëmje të njëmijë e nëntëqind e nëntëmbëdhjetës, në portin e Hamburgut, sapo kishte zbritur nga Frankeni. Ishte vonë, mbrëmja ishte e zymtë – ishte nëntor – dhe nëpër rrugë drita e fenerëve lëkundej përmes mjegullës. Që të nesërmen në një kafe të portit ai duhej të hynte në lidhje me Aparatin (kishte rënë dakord për një parrullë) dhe prej aty të kalonte pa u vënë re, të mos dallohej në asgjë, as në veshje, as në të folur, as në qëndrim, as në gjeste, mes qindra mijë detarësh që kishin zbritur atë ditë. Ai eci në “rrugën e kukullave”, u përzie me marinarët e dehur – dhe me spiunët civilë që hiqeshin si marinarë të dehur, – duke shikuar nga dritaret e ulëta, brenda në dhomat e ndriçuara me kursim. Llampa në murin anësor të pajisura me një abazhur të kuq të ndezur, ndriçonin si te mjeshtrit flamandë, portretet e Zonjave që lahen në atmosferën jargavan të brendësisë ku perdja, e zbukuruar me luleshpatore, me këtë lule të harlisur, ruante misteret e intimitetit (tërheqëse për atë që fsheh, ashtu si janë tërheqëse palat dhe të çarat e fundeve): kanapeja e fortë e mbuluar me armaç, e madhe si një barkë – oh, Bandura ua dinte vlerën këtyre vendeve shumë më përpara se të takonte Marjetën! – legeni prej fajance me një të bardhë të ndritshme dhe një kanaçe me vjegë të lartë. Drita e trëndafiltë e llampës pasqyrohet mbi stofin e paravanit që ka marrë shkëlqim, luleshpatoret duken më të errëta, ashtu duket edhe armaçi i kuq i karriges së vendosur në mes të vitrinës e mbi të cilën është ulur Zonja. Ajo pothuajse është kthyer nga shikuesit dhe palat e fustanit të saj përthyejnë dritën e purpurt të llampës. Me këmbë të kryqëzuara ajo mban në duar një triko. Shtizat shkëlqejnë sipër thurimës. Flokët e gjatë, flakërues i bien mbi supet e zbuluara deri te kraharori i madh, gjysmë i zhveshur. Një Zonjë tjetër, në vitrinën fqinje mban një libër në dorë, si një rishtare që lexon Biblën. Poshtë flokëve në një të kuqërreme të zjarrtë, që i fshehin gjysmën e fytyrës, drita e llampës pasqyrohet në xhamat e syzeve të saj. (Duke u afruar, shikuesi mund ta lexojë titullin e librit, shkruar me shkronja të mëdha: Konti i Montekristos). Ajo ka veshur një fustan të errët me jakë të bardhë dantelle dhe lavirja e ushtarëve ngjason me një studente të Heidelbergut. Pikërisht atëherë ai pa atë, Marjetën. Ajo ishte ulur me këmbë të kryqëzuara si të tjerat, paksa e mënjanuar, me një cigare në duar, veshur me fustan atllasi të çelët, por në qëndrimin e saj, në dukjen, në atë dritë trëndafili të zbehtë ku lahej si në një akuarium (Sirenë e përjetshme e të gjithë marinarëve), kishte një nuk-e-di-çfarë që e tërhoqi menjëherë Bandurën. Por vetëm duke hyrë në dhomën e saj, kur uli perden e rëndë të kadifes së gjelbër e kur ia kaloi dorën e ngrohtë nën këmishë, vetëm atëherë ai e kuptoi: Marjeta nuk luante asnjë rol – ajo nuk luante as të Zonjën e shtëpisë, as Trikopunuesen, as Studenten, as Rishtaren, – vetëm ajo mund ta kuptonte këtë koreografi të përpiktë e të njohur prej kohësh; ajo ishte e papërsëritshme, e paimitueshme; ajo ishte lavirja e portit.
“ Ajo i ka dashur, i ka ndihmuar marinarët e ardhur nga të gjitha kontinentet, sokëllin Bandura mbi varrin e hapur, si në një miting, nuk kishte ajo asnjë paragjykim ngjyre, race apo besimi. Mbi gjoksin e saj, të vogël, por të bukur, siç thoshte Napoleon Bonaparti, perandori i krimit, janë ngjeshur trupat e zinj e të regjur me djersë të marinarëve të Nju Jorkut, kraharorët e verdhë dhe pa qime të Malezëve, pëllëmbët prej ariu të dokerëve të Hamburgut dhe muskujt plot tatuazhe të pilotëve të kanalit Albert. Mbi qafën e saj si zambak kanë lënë gjurmët e tyre si vulë e vëllazërimit universal mes gjithë njerëzve, edhe kryqi i Maltës, edhe kryqi i kryqëzimit, edhe ylli i Salomonit, edhe ikona ruse, apo dhëmbi i krokodilit, edhe rrënjët e madërgonës si hajmali; mes kofshëve të saj të buta ka rrjedhur një lumë sperme e nxehtë që është derdhur në vaginën e saj të ngrohtë si në portin e bashkimit të gjithë marinarëve, si në gotullën e gjithë lumenjve …”
Bandura dëgjon zërin e vet të largët e të ftohtë, ndërkohë që i vijnë në mendje imazhet e jetës së Marjetës, duke përçmuar tani e mbrapa kronologjinë, sikur era t’i kthente sipas dëshirës faqet e albumit e sikur ai, Bandura ta kishte parë gjithë këtë me sytë e vet. (Marjeta e kishte zakon pas dashurisë, e shtrënguar pas burrave që donte vërtet – dhe ky revolucionar me zemër të butë ishte njëri nga ata – të fliste për veten sikur rrëfehej. Ajo tregonte për kujtimet e saj me një nostalgji të çuditshme, si të mos kishin fare rëndësi në vetvete ato histori mizore, plot hollësi të ndyra, por vetëm fakti që ato ishin shumë të largëta e se atëherë ajo ishte e re, pothuajse një fëmijë.) Dhe Bandura sheh një grek shëndetlig e të neveritshëm që një natë karnavalesh e rrëmben nga dora; Marjeta është e zbehtë dhe paksa e dehur nga birra, shkumën e së cilës ajo e ka thithur si fëmijë; ai e sheh si shkon ajo pas grekut me hapin e vogël prej kafshe të bindur e të uritur në rrugët e ngushta të Marsejës që të çojnë në port; pastaj ajo ngjit shkallën e errët të një ndërtese pranë atyre të dokerëve, duke e lënë dorën t’i rrëshqiste mbi parmak; pastaj ai e ndjek me mend, përherë me të njëjtin tërbim të turbullt, hapi i vendosur i Marjetës drejt një dere në katin e tretë (greku qëndron në fund të shkallës për t’i dhënë zemër). Skena zhvendoset pas kësaj në rrugët e Marsejës, ku e stolisur ajo rri e mbështetur në një mur guri, njërën këmbë të mbledhur si zog i sëmurë …
“Ne jemi të gjithë këtu, Kameraden, vazhdon Bandura, ne jemi të gjithë anëtarë të një familjeje të madhe, dashnorë, të fejuar, çfarë them: burra të së njëjtës grua, kavalierë të së njëjtës damë, kushërinj që e kanë shuar etjen në të njëjtin burim, që kanë pirë rum me një shishe, që janë ngashëryer të dehur në të njëjtin sup e kanë vjellë në të njëjtin legen, atje pas perdes së gjelbër …”
Kur zëri i ashpër i Bandurës pushoi, dëgjohej zhurma e grushteve të para me dhe që hidhnin mbi qivur duart e ashpra të marinarëve dhe dokerëve, të cilët i shkërmoqnin plisat sikur kriposnin të përbrendshmet e ndonjë peshku të madh. Sipër varrit të hapur dëgjohej si kërciste mëndafshi i flamujve të zinj e të kuq që ishin vetëm flamurë zie. Pastaj dheu u hodh mbi qivur me lopata, duke trokitur mbyturazi mbi dru, siç afrohet veshi në zemrën e shastisur të një lavireje pas dashurisë. Fillimisht lulet i hodhën një nga një, pastaj filluan t’i mblidhnin me krahë të mëdhenj që i kalonin dorë më dorë si në fushë, që nga kishëza gjer te sektori i varfër i varrezës, atje ku pas gdhendjeve të thjeshta në gur apo kryqeve të kalbur prej druri, vinin varret prej graniti dhe skalitjet në bronz. Dhe askush nuk do ta dijë kurrë kush i shtyu, çfarë instinkti, çfarë dhimbjeje, çfarë mërie klasore apo rumi xhamaike, çfarë i shtyti, pra, të shkelnin porositë e Bandurës; u prodhua megjithatë një mosbindje e mrekullueshme revolucionare, një çlirim i pashpjegueshëm revolte: marinarët dhe laviret e portit, ky fis i vështirë, në një shpërthim zemërimi, furie, përmes lotëve dhe kërcëllitjes së dhëmbëve, filloi të këpuste luleshpatore të mrekullueshme, të çirrte pëllëmbët e duarve me degët e trëndafilave, të shkulte tulipanë me gjithë bulbë, t’i këpuste me dhëmbë karafilat, duke i kaluar dorë më dorë dhe me krahë të mëdhenj. Shumë shpejt u bë një mal lulesh e gjethesh, një stivë me tulipanë, me lulebore e me trëndafila, një pirg luleshpatoresh dhe kryqi që ngrihej mbi sukën e dheut të freskët dhe suka e dheut vetë, gjithçka u zhduk poshtë asaj stive të madhe që çlironte një aromë zambakësh të këputur.
Kur ndërhyri policia, sektorët e varrezës ku dergjeshin të pasurit, ishin rrënuar e shkatërruar, “sikur në këto vende të trishta të kishte kaluar një re karkalecash”, siç mund të lexohet në shtyp. (Rote Fahne botoi një artikull anonim ku flitej për ashpërsinë e policisë që kishte arrestuar dhe ndjekur rreth njëzet marinarë).
“Kthjellohu”, i thotë Bandura bashkëbiseduesit të vet. Johann ou Jan Valtin (kështu më duket se ishte emri i tij), mes një krize të papritur dhimbjesh përpiqej të sillte në mend fytyrën e Marjetës. Atij i kujtohet vetëm trupi i saj imcak dhe e qeshura e ngjirur. Megjithatë ai e sheh vetëtimthi buzëqeshjen e saj, hijen e fytyrës, por edhe kjo zhduket në çast.
“Besomë, thotë Bandura, asnjë vajzë të familjeve fisnike nuk e kanë vajtuar me aq dhimbje. Dhe asnjë e varrosur s’ka patur ndere të atilla.”

Përktheu Feride Papleka