Gazeta Nacional Albania

KUR VATRA PRITI AT GJERGJ FISHTËN NE BOSTON. NGA DALIP GRECA, New York

VATRA vendosi njëzëri që të ndihmojë me 500 $ nëkryetarin e Parlamentit At Gjergj Fisht

“Faik Konica nga Bostoni, i shkruante Fishtës, ndër të tjera: “I Shkëlqyer mik, Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguat. Kini lënë ndër shqiptarët e këtushëm një kujtim lartësie dhe drite, që ka shuar gjithë moskputimet e shkuara”.

 

NGA DALIP GRECA*

Në simpoziumin kushtuar At Gjergj Fishtës organizuar prej Kishes Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodres” dhe Shoqatës “Skënderbej INC”, të shtunën në 2 nëntor 2019, në qendrën Kulturore”Nënë Tereza” ekspozova disa momente që e lidhin Federatën Pan Shqiptare të Amerikës “VATRA” me At Gjergj Fishtën. Momenti i parë i takon vizitës së At Gjergj Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Në axhendën e ngjeshur të ish nënkryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, At Fishtës, nuk mund të anashkalohej Vatra, e cila deri në vitet ’20- ‘ 30 të shekullit të shkuar ishte identifikuar me shtetin shqiptar, thënë më shqip, luante rolin e shtetit të munguar shqiptar.

Vatra kishte organizuar dy fushata të mëdha, atë 3 qershorit 1917, ku u mblodhën 150 mijë dollare, që shërbyen për organizimin e lobimit të Shqipërisë në Europë dhe në SHBA si dhe për të paguar delegatët e saj që luanin rolin e ambasadorëve në Europë dhe Washington.

Tre vjet më vonë një tjetër fushatë u organizua nga Vatra në ndihmë të shtetit shqiptar, Huaja Kombëtare, kur Vatra mblodhi 198 mijë dollar dhe ia dërgoi qeverisë së Sulejman Delvinës.Në këtë fushatë nuk mund të mos përmendet edhe roli i Mid’hat Frashërit, që ishte i dërguari i Qeverisë shqiptare.

Në mes të këtyre dy aksioneve kombëtare, qëndron takimi historik i Fan S. Nolit me Presidentin Wilson dhe zonjës së parë, me 4 korrik 1918, ku u mor premtimi prej presidentit amerikan se vota dhe fjala e tij do të ishin në mbrojtje të kombeve të vegjël, si Shqipëria.

Fotografia e atij takimi dhe letrat e Nolit për atë takim historik ndodhen në arkivin e Vatrës. Ky moment historik nuk mund të anashkalohet dhe nuk mund të mos merret si çelësi i hapjes së portave të Washingtonit prej shqiptarëve të Amerikës(nënkupto Vatra) dhe përfitimit të votës mbrojtse amerikane në Konferencën e Paqes.
Një fakt tjetër që e rrit pikën e rëndesës të Federatës VATRA në raport me çështjen Kombëtare ka të bëjë me përgatitjen Trupave Vullnetare të Vatrës prej katër vitesh, nga 1916 deri më 1920….Në shkurt 1920 Vatra kishte dërguar në Shqipëri, 200 Trupat Vullnetare, që shërbyen për stabilizimin e kufijëve jugorë të Shqipërisë të shkelura nga invazionet e grekëve. Bashkë me 200 trupat e Vatrës ishte dërguar edhe Banda Muzikore e saj, që nuk u kthye më në SHBA(me përjashtim të dirigjentit Thoma Nasi); shërbeu si Bandë Muzikore e Shtetit Shqiptar deri në fillim vitet ’30, ndërkohë që edhe Trupat Vullnetare nuk u kthye më në SHBA, por u transformuan në Gardë Kombëtare e Shqipërisë,për t’u “shpërblyer” për shërbimet ndaj Kombit me plumba nga diktatura komuniste, siç ndodhi me komandantin e tyre vatarnin Aqif Përmeti.
Pra këto ngjarje i kishin paraprirë vizitës së At Gjergj Fishtës në SHBA.

Vatra aso kohe ishte në qendër të opinionit shqiptar dhe vlerësohej si avokatja dhe shpëtimtarja e Kombit Shqiptar. Dhe At Fishta nuk mund të largohej nga Amerika pa u takuar me Vatrën. Ai u prit nga Kryetari i Vatrës Faik Konica. Është i njohur letërkëmbimi i Faik Konicës me At Fishtën. Siç e përmendi në simpoziumin kushtuar 148 vjetorit të Lindjes së Fishtës, gjatë kumtesës së tij gazetari Frank Shkreli: Faik Konica nga Bostoni, i shkruante Fishtës, ndër të tjera: “I Shkëlqyer mik, Ju falem nderit për letrën e bukur që më dërguat. Kini lënë ndër shqiptarët e këtushëm një kujtim lartësie dhe drite, që ka shuar gjithë moskputimet e shkuara”.
Po cilat ishin moskuptimet e shkuara me Vatrën? Kishte ndodhë vetëm një moskuptim i vogël; At Fishat në Parlament kishte dalë kundër vendimit të qeverisë për të paguar Bandën Muzikore të Vatrës nga buxheti i shtetit, kur ajo shkoi në Shqipëri më 1920.
Po le të kthehemi tek vizita e At Fishtës. Në Simpozium paraqita Vendimin e komisionit të Vatrës të 12 qershorit 1922. Vendimi mbanë firmën e kryetarit Faik Konica dhe sekretarit Kosta Isaak, por dhe anëtarëve të tjerë të komisionit.
Miratimi është bërë në mbledhjen e 12 qershorit 1922, një takimin mujor, kur u mor edhe vendimi për Kuvendin vjetor të korrikut të atij viti. Në fund të vendimit janë firmat e Komisionit të Vatrës nën drejtimin e Kryetarit të saj Faik Konica, sekretarit Kosta Isaak, si dhe të anëtarëve: Kristaq Polena, Hasan Hysi, Xhevat Harxhi dhe George Prifti.
Nga rekordet që ndodhen në arkivin e Vatrës, shkëpusim këtë fragment nga vendimi i Komisionit të Vatrës:
Komisioni vendosi njëzëri që të ndihmojë me $500.00 nëkryetarin e Parlamentit At Gjergj Fishta. Shuma do të ndahet kësisoj: $250.00 për Fushatën e Shkollave; $100.00 një dhuratë për Gjimnazin e françeskanëve në Shkodër(me këtë shumë u porosit një saksofon kushtuar gjymnazit të Shkodrës, ku u gdhend emri i Vatrës(R.G)), si dhe $150.00 do të përdoreshin për harxhet personale dhe udhëtimin e At Gjergj Fishtës. Ky vendim u muar si shenjë e vogël e dëshirës që Vatra ushqente për elementët shkollore dhe në respekt të At Gjergj Fishtës.(rekordet e Vatrës 1919-926, f.182)

Noli pat shkruar në të gjallë të Fishtës, këtë vlerësim të përmbledhur vetëm me një togfjalësh:”Fishta është i madh”!

Faik Konica kishte shkruar: Më tepër se një poet, është lidër intelektual i dorës së parë”. Dielli shkroi se “Fishta ishte nën/kryetar i Parlamentit të Shqipërisë kur erdhi në Amerikë, dhe atë udhëtim të gjatë nuk e pëlqyen disa kolegë të tij, pa u këshilluar me ta’. Për atë shkak, At Fishta mori pakëz inat dhe shkrojti në Dielli që të mbronte veten e tij. Faik Konitza bëri këtë shënim të shkurtër në fund të artikullit: Na vjen keq që Dielli s’ka theks hundak.Kemi shpresë se At Fishta do të na falë”…( R.G. Historia e Vatrës f 141).Konica kishte dhe një kujtim të vyeshëm nga At Gjergji, Lahutën me përkushtim në latinisht me shkrim dore dhe firmën e at Fishtës.
Paraqita në këtë simpozium edhe një fakt tjetër: Nuk është hera e parë që vlerësohet vepra e At Fishtës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Iu referova Seminarit të Vatrës, organizua me rastin e 100 vjetorit të Lindjes së At Fishtës organizuar nga Federata Pan Shqiptare e Amerikës VATRA. Ky simpozium u organizua Hotel Waldorf Astoria, New York me 23 Prill 1972.
Ekspozova aty Ftesën e atij seminari, që ma pat dhuruar Tonin Mirakaj, pjesmarrës në atë seminar të Vatrës, ku paten marrë pjesë më shumë se 200 persona. Në krye të ftesës shkruheshin vargjet e Fishtës”:” Flamuri Kombëtar nuk ka shka ban nder ne,/ Po kje se dashuri nuk kemi per Atdhe’”…

Seminari u hap nga nacionalisti Muharrem Babameto. Hymnet Kombëtare, Amerikan dhe Shqiptar, u kënduan nga Lume Juka. Seminari u përshëndet nga kryetari Theodhor Papalilo, i cili vlerësoi figurën e At Gjergj Fishtës dhe falenderoi ligjëruesi. Kryetari i Vatrës Gregory Chiriako ka përshëndetur seminarin dhe ka vlerësuar përmasat e figurës kombëtare të Fishëts. Folësi i parë, që mbajti kumtesën kryesore mbi jetën dhe veprën e At Gjergj Fishtës ishte Prof. Rexhep Krasniqi.Një kumtesë të veçantë mbajti Fehime Pipa.Ndër folësit e Seminarit ishin edhe: Profesor Dilaver Berberi, Dr. Feizi Domi, më pas u interpretuan vargje nga vepra e Fishtës.
Seminari është mbyllur me Hymnin e Flamurit të At Gjergj Fishtës të kënduar nga Lume Juka.

Edhe shqiptarët e Italisë e përkujtuan me dnerime 100 vjetorin e Lindjes së Fishtës. Dielli hapi faqet për Fishtën e madh dhe shkruan për të Prof. Namik Resuli dhe pena të tjera të kualifikuara që i shkonin për shtat madhështisë së Fishtës.
Diaspora shqiptare e Amerikës e ka për detyrë që të sjellë në kujtesë veprimtaritë e paraardhësve të saj.

* Mbajtur në Simpoziumin e organizuar me 2 nëntor 2019 nga Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës” dhe Shoqata “Skënderbej INC”.

 

Diciturat: 1- Dalip Greca, kryeredaktor i gazetës “Dielli” në simpoziumin e 2 nëntorit 2019 mbajtur në Qendrën”Nënë Tereza” të Kishës Katolike Shqiptare Zoja e Shkodrës.

2- Rekodrdi i 12 qershorit 1922, që ndodhet në arkivin e Vatrës, vitet 1919-1926, faqe 182, ku shënohet vendimi për të ndihmuar misionin e nënkryetarit të Parlamentit At Gjergj Fishta me 500 dollarë.

3- Ftesa e seminarit të Vatrës kushtuar 100 vjetorit të Lindjes së Fishtës, organizuar në Hotel Waldorf Astoria, New York me 23 Prill 1972.

4- Ja si apsqyroi Gazeta Dielli seminarin përkujtimor të Nju Jorkut dhe të Romës.

5- Përkushtimi që At Fishta i bëri Konicës kur i dhuroi Lahtën e Malësisë(shkruar në latinisht)