Gazeta Nacional Albania

Laureta Petoshati: Në Israel mes pranisë hyjnore dhe dhimbjes. Reportazh

1. “Bar Mitzvah”

Do të ishte një ftesë suprizë që nga Amerika e poetes izraelito-shqiptare me banim në ShBA Rashel Solomon, për disa nga ne, miqtë e saj të penës, për t’iu bashkuar asaj dhe vajzës së saj Anita në Jerusalem të Israelit në një ceremoni tejet të veçantë për traditën e Israelit dhe kulturës së tij. Bëhej fjalë për marrjen pjesë në Bar Mitzvah të djalit të Anitës, Ori Dan. “Bar Mitzvah” në shqip do të thotë “Djali i Urdhëresave”, sepse djali kur arrin moshën për këtë ceremoni, pra pasi të mbushësh 13 vjeç, nuk është më prindi përgjegjës para ligjit të Moisiut, sipas Torah, por është vetë djali. Arritja e moshës për “Bar Mitzvah” do të thotë të bëhesh një anëtar i plotë i komunitetit hebre. Kjo ditë kaq e rëndësishme, me seriozitetin, përpikmërinë dhe larminë e pjesëmarrësve mund të barazohet si me atë të një dite dasme që bëjmë ne shqiptarët. Jo vetëm për faktin se do të shkonim në kryeqytetin e shenjtë, por dhe se do të njihnim nga afër atë dritë dhe shpërthim shpirtëror të mikeshës sonë poete Rashel Solomon, jo vetëm që patëm emocion, por dhe u përfshimë shpirtërisht. Konkretisht nga Shqipëria isha unë dhe Dr. Drita Prendi, një mikeshë e familjes Solomon, si dhe poeti nga Kosova Agim Desku, sepse miqtë e tjerë për arsye të angazhimeve akademike të këtij fundviti shkollor nuk mundën të vinin, pavarësisht dëshirës. “Bar Mitzvah” do të fillonte me këngë, brohoritje, lexim nga Torah, qysh në autobusët e vendosur enkas për pjesëmarrësit, të cilët u nisën nga qytetet si Bat Yam, Tel Aviv, Bersheva, Haifa, Herzeliya drejt Jerusalemit. Si në një dasmë ishte dhe mëngjesi i shtruar plot. Si në një dasmë ishte dhe hareja në autobusë. Si në një dasmë ishin dhe këngët dhe vallet e hedhura në Sheshin para Katër Sinagogave Sefardike në lagjen hebraike të qytetit të vjetër të Jeruzalemit. Ata formojnë një kompleks prej katër sinagogash ngjitur pranë njëra-tjetrës dhe ceremonia ku morëm pjesë u zhvillua brenda Sinagogës Katër – Djali i Zakait. Kishim të bënim me një sinagogë, pranë tempullit të shenjtë në zemër të Jerusalemit, mjaft elegante, e cila shërbente dhe si rezidencë për shkallën më të lartë të rabinëve. Ajo që të binte në sy ishte ndarja me një tyl të hollë e vendit të burrave dhe të grave. Brenda pjesës së burrave shiheshin djemtë me kipën në kokë dhe me një shall me vija për lutje. Herë pas here goditeshin nga ana e femrave me grushta karamelesh si në dasmat tona. Po ashtu dhe orkestra, hareja, dreka e shtruar me këtë rast ishin madhështore. Në fund të fundit kjo ishte një traditë aq e bukur dhe emocionuese, që edhe ne që nuk i përkisnim atij komuniteti u përfshimë me emocione të forta, që na përlotën kur vajza e Rashel, Anita Dan Solomon mbajti një fjalim prekës mbi rrugën e rritjes dhe edukimit të djalit të saj Ori Dan.

2. Muri i Lotëve

Në intervalin midis ceremonisë fetare të “Bar Mitzvah” dhe drekës së shtruar me këtë rast, të gjithë të pranishmit shkuam me këmbë te Muri i Lotëve, ose te Kotel, siç i thonin hebrenjtë. Ky mur i ndërtuar mbi themelet e vendosura nga mbreti biblik Solomon që nga koha e Tempullit të Parë vazhdon të tërheqë mijëra njerëz çdo ditë me praninë e tij hyjnore. Madje vetë premtimi hyjnor nuk lejoi shkatërrimin e tij që në kohën e Romës dhe e mban në këmbë e sot e kësaj dite. Mijëra njerëz, që shkojnë atje çdo ditë, shkruajnë dëshirat e tyre dhe mundohen që të gjejnë një birë të vogël, ndonjë kënd, apo mbështetëse për letrën e dëshirave drejtuar Zotit.

3. Në Yad Vashem

Natyrisht, që të shkosh në Israel për “Bar Mitzvah”, pra për gëzim nën prani hyjnore, nuk do të thotë që të mos mos shkosh atje ku tregohen dhimbjet më të mëdha të popullit hebre. Yad Vashemi,- Qendra Botërore e Përkujtimit të Holokaustit, ishte një tjetër tempull i ndërgjegjes së njeriut para njeriut. Çdo film, fotografi, apo send si ngjarje rrotullohej te qielli në formë prizmi para syve si dëshmi e kohërave të errëta të racës njerëzore. Ishte e dhimbshme të shikoje se si hebrenj nga gjithë Europa, që kishin dhënë kontribut domethënës për vendet ku jetonin, të përfundonin në asgjësim të plotë. Çdo gjë ishte tronditëse. Po shikonim me Agim Deskun, një medalje trimërie prej floriri të një ushtaraku me origjinë hebreje, që fatkeqësisht së bashku me gruan dhe familjen kishin përfunduar në dhomat e gazit. Turp dhe paradoks historik! Ku ishte mirënjohja si vlerë e lartë njerëzore e Europës së krishterë në këtë rast?! Pastaj po kërkonim Shqipërinë, ku shpëtuan të 200 hebrenjtë që kishin banim të përhershëm, por dhe të ardhurit e shumtë. Një nga ciceronët e muzeut, familja e të cilit vinte nga hebrenjtë e Rumanisë, fliste me shumë dashuri për Shqipërinë duke thënë se të “Drejtët midis kombëve” me origjinë nga Shqipëria po shtoheshin në numër përherë e më shumë. Madje, për çudinë tonë, ai na tregoi një foto të tij me Rona Nishliun, gjatë ditëve të Festivalit Europian, të cilës i kishte shprehur konsideratat për Shqipërinë dhe zërin e saj brilant.
Në Yad Vashem çdo vizitor, sidomos ne, që i përkasim një populli që ka hequr vuajtje dhe gjenocid mbi kurriz, vetëvetiu ndodhet në një dilemë që të qëndrojë gjatë për të parë gjithçka kronologjikisht deri në hollësi, apo të rrijë pak dhe ti kalojë gjërat shkarazi që të mos i përjetojë ato shpirtërisht. Në fakt Memoriali i Fëmijëve i ndërtuar nën tokë si brenda një shpelle nëntokësore, që të kujton Ferrin e Dantes, është një nderim për një milionë e gjysmë fëmijë hebrenj që u vranë gjatë Holokaustit, por dhe një provë për të përballuar këtë dhimbje njerëzore të pacak dhe të pakohë. Brenda kësaj shpelle në një qiell të errët dhe të zymtë, shkëlqejnë miliona yje dhe çdo yll është shpirti i një fëmije. Një zë gruaje në sfond përsërit emrat e fëmijëve të vrarë, moshën e tyre dhe vendet e origjinës.
Memoriali i Fëmijëve u ndërtua me shpenzimet e Abe dhe Edita Spiegel, djali i të cilëve Uziel u vra në Aushvic në moshën dy vjeç e gjysmë. As vetë nuk e di sesi u ula mbi një gur dhe nga shpirti më dolën ca vargje të përlotura:
Në Yad Vashem,
qan njerëzimi
që nga krijimi…

4. Një Israel në ndërtim

Nëse ngjitesh në Jeruzalem do të shikosh gjithçka nga lart, por më tepër dy ngjyra: grinë e lehtë të gurit të Jerusalemit dhe atë të gjelbër. Herë –herë ullinjtë, palmat, leandrat, bugenvilet, dorëzonjat, fiqtë e detit dhe vilet e ndryshme të bëjnë të harrosh që je në Israel dhe të duket vetja sikur je në Vlorë apo në bregdetin e Jugut të Shqipërisë. Në Jerusalem të gjitha ndërtimet pa përjashtim bëhen vetëm me gurin e Jerusalemit si në lashtësi dhe kjo tregon dashurinë për mjedisin, për të shkuarën dhe kujdesin për të ardhmen. Në Israel nuk ka shumë vila, nuk ka arkitekturë si ato që kanë ndërtuar mbretërit e perandorët në Europë, por ajo që ndërtohet është e mirëmenduar, e përllogaritur deri në detaje. Ka një sistem të mrekullueshëm rrugësh, gjelbërimi, ndriçimi, parkimi. Nëse në Shqipëri mbi çdo pallat sheh bolierët e ujit, në Israel çdo familje kishte panel diellor për ngrohjen e ujit dhe uji ishte 24 orë edhe pse nuk ka atë sistem lumenjsh apo prurjesh që ka Shqipëria.
Në çdo pallat nuk kishte kat të parë, sepse midis shtyllave që mbahej godina parkoheshin makinat dhe vendosej kazani i madh i mbeturinave për çdo godinë. Ajo që binte në sy ishin kontrollet dhe pagesat elektronike në qendra tregtare, dogana, benzinata, apo dhe njësi të tjera shërbimi. Ndryshe nga Shqipëria në Israel shëtitoret bregdetare nuk kishin prishur pjesën e rërës së plazhit dhe mbi të gjitha plazhet ishin publikë. Kishte tenda publike, dushe të hapura publike, ku uji ngrohej me panele diellore. Nëse duhet të mësojnë pushtetarët tanë qëndrorë dhe vendor, atëherë këtë gjë duhet ta bëjnë nga Israeli. Atje ka një respekt dhe dashuri për vendin dhe njerëzit e tij., për të cilët qeveria bën më të mirën.
5. Një rabin që flet shqip
Në qëndrimin tonë në Israel, takuam dhe David Shilat, ose më mirë, unë takova pas shumë kohësh David Ndrepepaj, i biri i Rashel Solomon, të cilin e mbaja mend shumë të vogël, kur e shoqëronte me përparësen e shkollës për në vitet e para të fillores në shkollën “Lef Sallata”, gjyshi i tij Loni Solomon. Pas më shumë se 30 vjetësh e shoh Davidin tashmë burrë, me një trup të gjatë e të lidhur, me veshjen dhe qëndrimin e një rabini të vërtetë, të një udhëheqësi shpirtëror ose mësuesi fetar në judaizëm. Davidi, që ishte shuguruar rabin, sipas thirrjes shpirtërore, duke ecur në gjurmët e stërgjyshit të tij nga nëna, më shpjegon se fjala “Rabin” në aramaishten biblike do të thotë “i madh” në shumë kuptime, duke përfshirë dhe shprehjen “i nderuar, ose i shenjtë”. Davidi kishte mbaruar universitetin për fiskulturë, por dhe për filozofi. Ishte prind i shtatë fëmijëve, ku dy djemtë e tij, Ac’hija dhe Jehuda, ecnin në gjurmët e të atit. Të flisje me Davidin duhet të kishe përqëndrim dhe vëmendje në ato që thoshte. Ai fliste mbi filozofinë e të ndërtuarit të një jete, të një shoqërie apo objekti, ku ai që ndërton natyrisht që do të prishë dhe interesa të të tjerëve, por qëllimi dhe përfitimi i shumicës duhet të kapërcejë dëmin apo lëndimin e një pakice, që duhet të jetë sa më i vogël në sasi dhe cilësi. Dhe këtë gjë ai e lidhte dhe me jetën e tij, sepse për tu bërë rabin nuk kishte pasur aprovimin e së ëmës, Rashelit, pavarësisht se gjyshi i saj kishe qenë rabin. Davidin e pyeta nëse mbante gjë mend nga Shqipëria. Mbante mend emrat e shokëve, vjershat e kopshtit dhe të fillores. E regjistrova ndërsa recitonte pjesë nga poezia “Për një shkronjë” të Odise Grillos:
Për një M,
që ti s’e vë,
fjala mik,
bëhet ik.
Ç’bën kështu,
more Besnik,
a i thuhet
mikut ik?”
Ky ishte Davidi, djali i lindur në Vlorë, me rrënjë dardane dhe izraelite, i cili bënte një jetë të përkushtuar dhe të devotshme, kishte hapur dhe një manifakturë të vogël, që e menaxhonte me djemtë e tij ku punoheshin të linjtat e bardha si bora e Bjeshkëve të Namuna dhe si valët e Mesdheut që lidh brigjet e Shqipërisë dhe të Israelit.
Kjo ishte vizita jonë në Israel e pashlyeshme me vendin, por mbi të gjitha me njerëzit. Do të doja që dhe ne shqiptarët ta donim vendin kaq shumë, ti ndenim flamurët tanë në çdo vend dhe të kishin guximin të luftonin me abuzuesit në pushtet dhe jo vetëm, sipas ligjit hebraik sy për sy dhe dhëmbë për dhëmbë.