Liria nuk është kusht, liria nuk është vjedhje.
Koncepti i lirisë është shumëdimensional. Kam parasysh mendje të ndritura, udhëheqës përparimtarë e të mbrapshtë, politikbërje korruptive të miratuara gjoja me votë të lirë.
Nuk mund të ndërtohet një shoqëri e lirë kur nuk njeh rrënjën e lirisë, e cila nuk mësohet nga njeriu. Në liri vendoset e drejta mbi qytetarinë.
Të jesh qytetar, do të thotë të njohësh e të zbatosh rregullat e lirisë, të cilat janë fjala e lirë e mbështetur në ligj jo korruptiv. Zbatimi dhe njohja e këtij ligji, mbështesin të drejtën e qytetarisë, e cila nuk e kundërshton ligjin në zbatimin e tij, por e mbështet fort atë kur bëhet fjalë për shkeljen e tij.
Lind pyetja. A jemi popull i qytetëruar?
Të quhesh Lider, do të thotë të jesh qytetar, i cili nuk e kundërshton vullnetin e popullit, por e mbron atë drejt mirëqenies. Qytetari e njeh mirë çdo të thotë mirëqenie, e cila nuk ngel në klasë në kohë zgjedhjesh, por e kalon atë me nota të shkëlqyera.
Qytetërimi nuk mbillet nga të paditurit, të cilët janë si çibanë që shëmtojnë mendimin mbi bukurinë e fjalës së lirë.
Kultura qytetare nuk është disfatë në luftë kundër së keqes, por është armë që siguron fitoren e çdo kombi për një jetë të begatë e të shëndetshme.
Ligji e mbron kulturën e nuk e ç’rrënjos atë. E nëse ç’rrënjosim kulturën, kemi ç’rrënjosur traditë dhe komb.
Ligji ka shumë degë, por degët e ligjit nuk mund të priten kohë e pa kohë. Dora që pret pa e njohur vlerën e kohës, është dora që këput filizat e jetës së shëndetshme.
Çdo njeri e di se ku i pikon çatia e shtëpisë së tij. Askush nuk dëshiron të jetë me dëme në shtëpinë e vet. Këto dëme rikuperohen nga njerëz me traditë e kulturë qytetare, që kuptojnë, se po nuk i zure pikat e çatisë, dimri që kemi përpara do na e shembë çatinë. Ai që nuk mendon për dimrin që kemi pranë, është dritëshkurtër.
Ligji nuk thotë të na shemben çatitë, por ndihmon në mirëmbajtjen e tyre!
Kush ka sy le të shikojë, e kush ka veshë le të dëgjojë!
ZANA TAKO
ME E SHIT SHPIRTIN NUK KE MA SY E FAQE
Me e shit shpirtin nuk asht gja e lehtë, se bahesh skllav i tjetërkujt e ti nuk din se ç’ka ban pronari me ty!
Me e shit shpirtin nuk ke ma sy e faqe për me e pa tjetrin në fytyrë. Çdo njeri e ka fytyrën e vet për me buzëqeshë, për me folë n’dashni, për me përkëdhelë me sy e me dashni, por ai që e shet fytyrën e vet për pesë pare, nuk e don as veten e vet, as Zotin, as shokun e mikun, por e ka tradhtu veten ma s’pari, e mandej t’gjith me rradhë! Prandej, me e dasht Zotin ashtu sikurse na m’son, e don edhe veten, edhe t’gjith vllaznit, t’gjith s’bashku. Nuk t’vjen e keqja prej dashnis, por t’vjen e keqja prej tradhtis!!
Zana Tako
SHQIPËRIA ËSHTË VENDI I ÇUDIRAVE
Shqipëria është vendi i çudirave, sepse jeta është shumë e lidhur me praktikën. Në praktikë zbatohet teoria, e cila ve në lëvizje krahun e punës, me të cilin jemi mësuar të kuptojmë ligjin dhe antiligjin. Vlera e ligjit nuk është kohë e plotë për punëdhënësin, dhe antivlera e ligjit nuk është shkelje për atë që kupton ligjin.
Barazia nuk është vlerë e sasisë që mblidhet për ditë të vështirë. Me sasinë merret ai që mbledh taksën, e cila quhet prodhim dhe rendiment për forcën në pushtet.
Kemi kaluar në rrugë të vështira e jo të lehta. Lehtësinë nuk na e ka krijuar pasuria. Të përdorësh dhe të shesësh quhet përfitim, e prej këtij përfitimi njeriu kupton por edhe jo.
Qeveritë nuk kanë rrënjë. Rrënja e tyre është dashuria për individin. Nëse quhemi komb i shpopulluar, rrënja jonë është shkulur. Degët e saj janë përhapur jo për të mbirë por për t’u tharë. Por çudia më e madhe qëndron në faktin e asaj copë rrënje që ka mbetur, do forcohet apo do thahet?
Lëvizja popullore është defiçitare. Ky defiçit është krijuar në kohë, dhe jo qëllimisht është lënë në harresë. Harresa nuk i shërben kërkujt. Njeriu zgjedh, e nga kjo zgjedhje kupton se kujt i shërben, por shërbimi nuk kryhet falas. Pagesa është kusht i domosdoshëm për të mbijetuar ne tregun e punësimit, prej nga kupton fuqinë e pushtetit apo dobësinë e tij. Të paguarit janë me fat ose jo. Paga e lartë tregon unitet, e paga e ulët është mëshirë. Uniteti me mëshirën nuk janë miq. Armiqësia e tyre qëndron e fshehur për të shpërthyer edhe në kohë me diell.
Nuk janë kombet ato që lëvizin ujrat e mirëqenies. Dora e tyre ngjyhet edhe në vaj por edhe në uthull. Ky shtrembërim quhet skenë dhe prapaskenë, ku lojrat politike venë në lëvizje aktorë dhe faktorë që interpretojnë me në sfond muzikën e ankimit për të drejtat e mohuara. Çdo tingull i së drejtës së njeriut të lirë, përbën sinfoninë e kompozuar nga vetë jeta që popullohet dhe shpopullohet.
Zoti nuk e dirigjon këtë sinfoni, por vendos për fundin e interpretimit të saj, duke shpallur falimentin përfundimtar të aktorëve më të mëdhenj të politikave të mbrapshta, që inskenojnë ngjarje të fundit të kohërave.
ZANA TAKO
LUFTA E KLASAVE NË SHQIPËRI ËSHTË E VËRTETË APO ABUZIM?
Jemi shoqëri e ndarë në klasa politike, me soj-soj ngjyrash të cilat nuk veshin trupin por mendjen.
Mendja e njeriut nuk është shoshë, por është vatër inteligjence ku gjen prehje mendimi i paqtë ose e kundërta. Kjo vatër prodhon nxehtësi ose ftohtësi, ashtu si tubimet, mohimet, kundërshtitë apo shkesitë.
Jemi në kohë pandemie, e cila është vatër infeksioni që përhap sëmundjen e shpirtit. Mendimi e sëmur ose e shëron shpirtin e njeriut. Shkenca nuk e zbulon dot ilaçin e shpirtit të njeriut, ndaj qëndron memece përpara këtij misteri, por di t’a çorodisë mendjen e të paditurit për aq kohë, sa dija fshihet dhe nuk tregohet.
Sëmundjet nuk janë shpikur nga Zoti, i cili e mbron njeriun duke i dhuruar dijen si të mbrohet. Shkolla e dijes nuk është vatër infeksioni, por është e kundërta.
Fuqitë e mëdha nuk shpikin mirëqenie, ndaj quhen të falimentuara në kohë pandemie, e cila nuk bën gjë tjetër, veçse varfëron mendje me frikën dhe pasigurinë, vjel të ardhura nëpërmjet paditurisë ndaj dijes, shpërdoron kur duhet të bashkëpunojë me Ligjet e krijimit.
E gjithë kjo rrëmujë dhe ç’orientim drejt globalizmit intensiv që shpie në degjenerim të mirëqenies dhe sigurisë për jetën dhe ardhmërinë e saj, quhet mallkim i së keqes ndaj njeriut dhe Krijuesit të tij. Por ky mallkim do bjerë mbi vetë të keqen, e cila shpik të keqen për të luftuar Dritën. Por a mund të fitojë errësira mbi Dritën?
Njerëzimi do kuptojë, se fuqia e Dritës e mund errësirën. Por që të kuptojë fillimin dhe fundin e këtij mësimi, do shohë e do dëgjojë si zhvillohet kjo luftë në shesh të hapur, ku tifozët e së keqes do të mbeten duarthatë në gropën që e kanë përgatitur me duart e tyre.
Lufta ka kohë që ka filluar, e fundi i saj do dëshmojë, se kujt i përket fitorja. Amen!
ZANA TAKO
KUR NJERIU QUHET INJORANT
Njeriu quhet injorant, kur lejon të mbrapshtin të tregojë për mbrapështitë e veta si zbulime të mirëqenies. Në këtë kurth bien dështakët, të cilët falimentojnë kur dëgjojnë, shesin nderin e tyre kur bashkëpunojnë, vetëvriten kur tradhëtojnë.
Z.Tako
Emblema e dijes është ligji. Ligji formulon dijen, e cila nuk quhet e përciptë. Thellësia e saj nuk është cektinë, por është drejtësia e cila nuk të fundos, por nxjerr në sipërfaqe këdo që kupton se është embrion i së vërtetës që nuk mund të shpërbëhet!
ZANA TAKO