Site icon Gazeta Nacional Albania

Mal Berisha: “TA DUAM NE ATDHEUN TONË AQ SA E KANË DASHUR DHE E DUAN DISA TË HUAJ.”

 

Këtë herë do të flasim për Sir Noel Malcolm.

MIRËNJOHJA ËSHTË PARAMETËR I FISNIKËRISË NJERËZORE

Pyetja që më shoqëron sa herë mendoj për njerëzit që, pa lindur shqiptarë, i kanë kushtuar vite të jetës së tyre njohjes së historisë sonë, ndriçimit të së vërtetës dhe mbrojtjes së dinjitetit tonë kombëtar është:

Çfarë i shtyu të mësonin gjuhën tonë, të kërkonin në arkiva dhe të përballeshin me paragjykime e shtrembërime të rrënjosura prej kohësh? Dhe çfarë bëjmë ne për ta njohur, për ta çmuar dhe për ta vijuar këtë përkushtim?

Sir Noel Malcolm është një prej këtyre personaliteteve të jashtëzakonshme. Historian britanik me autoritet të lartë shkencor, u ka kushtuar shqiptarëve dhe historisë së tyre vepra madhore, ndër të cilat “Kosova, një histori e shkurtër”, “Agjentë perandorakë” dhe “Shqiptarët, rebelët, besimtarët, të mbijetuarit”.

Nëpërmjet kërkimit të durueshëm, shqyrtimit kritik të burimeve dhe ndershmërisë intelektuale, ai ka ndihmuar që historia jonë të kuptohet më mirë nga lexuesit dhe nga ata që marrin vendime për fatin e popullit tonë në Kosovë.

Përkushtimi i tij ndaj shqiptarëve mbështetet te respekti për të vërtetën. Pikërisht kjo i jep veprës së tij një peshë të veçantë. Një komb nderohet kur historia e tij studiohet me seriozitet, kur padrejtësitë dokumentohen dhe kur e vërteta paraqitet me argumente që qëndrojnë përballë shqyrtimit shkencor.

Dëshmitë e përfshira në dokumentarin që ju ftoj të ndiqni nxjerrin në pah rëndësinë e veprës së Malcolm-it, veçanërisht të librit

“Kosova, një histori e shkurtër”, për kuptimin e çështjes së Kosovës në botën perëndimore. Ato na kujtojnë sa shumë mund të vlejë puna e një dijetari kur dijes i bashkohen integriteti, këmbëngulja dhe përgjegjësia njerëzore.

Këtë film dokumentar me tri episode e realizova nga bindja se ne shqiptarët kemi detyrimin t’u shprehim mirënjohjen njerëzve që i kanë shërbyer njohjes së historisë sonë. Përmes rrëfimeve të personaliteteve britanike dhe shqiptare, dëshirova të sillja më pranë publikut veprën dhe njeriun Sir Noel Malcolm, si dhe të kontribuoja në forcimin e miqësisë sonë me Mbretërinë e Bashkuar.

Por mirënjohja merr kuptim të plotë kur shndërrohet në përgjegjësi. A i lexojmë këto vepra? A ua përcjellim brezave të rinj? A punojmë që e vërteta jonë të njihet në botë me gjuhën e dijes, të dokumentit dhe të argumentit?

Dashuria për atdheun dëshmohet edhe nga gatishmëria për ta njohur historinë e tij dhe për t’i shërbyer me punë të ndershme.

Shembulli i Sir Noel Malcolm-it na fton të reflektojmë mbi atë që secili prej nesh mund të bëjë për vendin tonë. Ai na kujton se njohja ndërton mirëkuptim dhe se një vepër e shkruar me përkushtim mund të hapë rrugë që thirrjet tona, të vetme, nuk arrijnë t’i hapin.

Ju ftoj ta ndiqni këtë cikël dokumentar me tri episode si një homazh mirënjohjeje dhe si një ftesë për ta dashur atdheun me dije, me ndershmëri dhe me vepra.

T’i nderojmë miqtë tanë duke mësuar nga përkushtimi i tyre për ne!

Mal Berisha

Ju lutem, ndiqni episodin e parë të ciklit dokumentar kushtuar mikut tonë të madh, Sir Noel Malcolm

 

Exit mobile version