Gazeta Nacional Albania

MARIE AMELIE VON GODIN, JETA E PANJOHUR NË SHKODËR DHE PËRKTHIMI NË GJERMANISHT I KANUNIT TË LEKË DUKAGJINIT. Përktheu nga gjermanishtja: Dr. Elda GJANA-BORIÇI

Shkrimtarja gjermane shkroi një sërë romanesh dhe novelash me temë shqiptare

MARIE AMELIE VON GODIN, JETA E PANJOHUR NË SHKODËR DHE PËRKTHIMI NË GJERMANISHT I KANUNIT TË LEKË DUKAGJINIT

“Qysh kur kam qenë për herë të parë në Shqipëri në vitin 1908 dhe fillova të punoja atje me forcat e mia të dobëta për lirinë dhe gjuhën e fuqishme, të stërlashtë të popullit krenar, trim dhe zemërgjerë, kam vizituar shpesh krahinën veriore, katolike të “Perëndimit”. Kjo trevë me male dhe pyje, lumenj smeraldi, lugina aventurore-romantike dhe fusha pjellore, të rrethuara nga lartësitë e maleve, një trevë që është më e bukura në botë, gjatë gjithë periudhës së skllavërisë turke ka ruajtur në mënyrën më të kulluar besimin e vjetër dhe sjelljen e zakonet shqiptare”.

Përktheu nga gjermanishtja: Dr. Elda GJANA-BORIÇI

Marie Amelie Julie Anna Freiin von Godin u lind në 7 mars të vitit 1882 në Munih, si bijë e një dere aristokratësh të rangut të ulët. U rrit dhe u selit me edukatën e rreptë konservatore dhe fetare të mjedisit dhe kohës së vet. Mësoi nëpër shkollat fetare gjuhë të huaja dhe muzikë. Qysh në vitin 1902 filloi të bashkëpunojë me “Kölnische Volkszeitung” dhe me “Tägliche Rundschau”. Prindërit e dërguan bashkë me vëllanë e vogël në një udhëtim drejt Athinës, Stambollit dhe Palestinës. Rrugës për në Stamboll u njoh rastësisht me një aristokrat shqiptar që e frymëzoi për atdheun e tij dhe e ftoi të vizitonte Shqipërinë, ku Godini shkoi në 1908. Asokohe ajo njohu edhe shumë atdhetarë shqiptarë, ndër ta Eqrem bej Vlorën, me të cilin do ta lidhë një miqësi dhe bashkëpunim i ngushtë.
Në korrik 1914 ajo punon si sanitare në spitalin ushtarak të Durrësit. Në gazetat dhe revistat e kohës ajo shkruan përshtypje udhëtimesh dhe përvojash kulturore. Edhe kur u kthye në Munih, ajo nuk e la pas dore shqipen dhe Shqipërinë. Shkruan një sërë romanesh dhe novelash me temë shqiptare. Harton fjalorin e madh të shqipes dhe të gjermanishtes, prej të cilit boton vetëm pjesën e parë, duhet theksuar se puna e saj madhore e kryer së bashku me mikun e saj Eqrem bej Vlorën, është përkthimi në gjermanisht i njërës prej veprave simbol të popullit dhe të kulturës shqiptare: Kanuni i Lekë Dukagjinit. Për ta realizuar këtë qëllim, për tu njohur më mirë me me shqipen e vështirë dhe të vjetër të Kanunit, ajo kthehet sërish në Shqipëri në 1930 dhe jeton disa muaj në Shkodër. Në vitet e fundit të jetës së saj nis të bashkëpunojë me Eqrem bej Vlorën për veprën “Ndihmesë për historinë e pushtimit turk në Shqipëri”, të cilën nuk e përfundon, sepse ndërron jetë në 1956. Në varrimin e saj morën pjesë edhe shqiptarë të cilët thanë: “sot ka vdekur nëna e Shqipërisë”.

*Nxjerrë nga “Aus Apostelpfaden durch das schöne Albanien”, 1936.

MARIA AMELIE FREIIN VON GODIN
Qysh kur kam qenë për herë të parë në Shqipëri në vitin 1908 dhe fillova të punoja atje me forcat e mia të dobëta për lirinë dhe gjuhën e fuqishme, të stërlashtë të popullit krenar, trim dhe zemërgjerë, kam vizituar shpesh krahinën veriore, katolike të “Perëndimit”. Kjo trevë me male dhe pyje, lumenj smeraldi, lugina aventurore-romantike dhe fusha pjellore, të rrethuara nga lartësitë e maleve, një trevë që është më e bukura në botë, gjatë gjithë periudhës së skllavërisë turke ka ruajtur në mënyrën më të kulluar besimin e vjetër dhe sjelljen e zakonet shqiptare.
Krahas mbrojtjes nga malet pothuaj të pakalueshëm dhe natyrës heroike të banorëve, në dejet e të cilëve krahas gjakut trim ilir, rrjedh po aq bujarisht edhe gjaku më i mirë i Zotit, kjo duhet t’i dihet për nder kryesisht françeskanëve, të cilët edhe në shekujt më të errët të luftës dhe të përndjekjes nuk e braktisën asnjëherë grigjën e tyre të vogël.
Shkollat e tyre kanë siguruar, sidomos në qytetin shqiptar të Shkodrës, një jetë shpirtërore dhe shkencore; megjithatë merita e tyre më e pakrahsueshme ishte një tjetër: ata jo vetëm kanë ruajtur dhe shpëtuar besimin katolik, por kanë ditur të mbajnë të zgjuar edhe një besim të gjallë e të thellë brenda në zemra, i cili të kujton kohët e para të krishtërimit. Gjithsaherë kam qenë e pranishme atje në ndonjë shërbesë fetare, jam pushtuar thellësisht nga përzemërsia e besimit të popullit të vëmendshëm, madje edhe jam prekur sa kam derdhur lot.
Kush e njeh, si unë, jetën familjare në shtëpitë fshatare shqiptare, aty ku famullitari i françeskanëve është mysafiri i dashur atënor, ai e di se këtu bari shpirëtror është një prift sipas zemrës së Zotit, që udhëheq përmes rreziqeve të kësaj kohe deri në banesën e përjetshme – kundër shtypjes, kundër padijes, kundër sëmundjes dhe varfërisë.
Askund nuk kam njohur priftërinj të Urdhrit që të kenë të njëjtin zell për besimin, me një gatishmëri kaq të pashoqe për tu flijuar për shpirtin, me një përkujdesje kaq të madhe edhe për të mirën trupore të atyre që u janë besuar; askund një dashuri të tillë të flaktë për atdheun; askund një trupë lufte kaq radhështrënguar kundër poshtërsisë dhe obskurantizmit; askund një entuziazëm të tillë për mbretërinë e dritës së Perëndisë!

SHËN FRANÇESKU NË SHQIPËRI
Gojëdhëna thotë se bashkësia e parë e fretërve françeskanë në Shqipëri është themeluar nga vetë shën Françesku. Sidoqoftë ngulimet e para të françeskanëve në Shqipëri hetohen që në të gjallë të tij.
Edhe Shën Antoni duhet të ketë qenë në Shqipëri. Në Shqipërinë e Veriut ai gëzoi deri në ditët tona një nderim plot besim dhe prekës jo vetëm te katolikët, por edhe te malësorët fatkeqë, të cilët nën trysninë e vazhdueshme të Portës u shkëputën nga besimi në Krisht, edhe ato e adhurojnë “Shna Ndoin” e tyre dhe e thërrasin në çdo hall.
Shumë katolikë, të cilëve u duhet një ditë a më shumë rrugë deri në Shkodër, e kalojnë natën nga e hëna në të martë në vend të hapur përpara kishës së françeskanëve, dhe gjatë “meshës së Antonit” të martën, ndonjë luftëtar e merr në krahë fëmijën e tij më të vogël dhe e çon lart te shtatorja e bukur e Shën Antonit, ndërkohë që e shoqja, e cila mban për dore fëmijët më të mëdhenj, edhe ajo i lutet me pasion shenjtit të dashur.
Me siguri që qela malore e Troshanit, katër orë rrugë nga Shkodra, e cila ngrihet në një majë pylli në cepin jugor të fushës së Zadrimës, është themeluar njëherësh me kuvendin e Shkodrës po në të gjallë të Shën Françeskut.
Qela u ndërtua para afro njëqind vjetësh dhe për shekuj me radhë shërbeu si banesë e françeskanëve të përshpirtshëm, sepse largësia e tyre e madhe nga banesat e njerëzve e vështirësonte përkujdesjen baritore në rrafsh. Pothuaj katërqind metra më thellë u ndërtua mbi të kuvendi i sotshëm i vogëlth me kishën e tij të madhe dhe miqësore. Prej aty shikimi shtegton larg përmbi vendin pjellor me kurorën e alpeve të tij të larta deri në Shkodër në verilindje, deri në det në perëndim.
Kuvendthi i Troshanit është bekimi dhe shëmbëllëtyra e tërë krahinës. Fshatarët të cilët, më në fund, falë qeverisjes së fortë të mbretit të tanishëm, kanë shpëtuar nga sulmet e fiseve grabitëse myslimane prej maleve përreth, mësojnë nga etërit françeskanë jo vetëm virtytet dhe të vërtetën kristiane, por edhe si të mbjellin hardhi të mbrojtura nga epidemitë. Një françeskan atje është mjek, ai i shpëton njerëzit e Zadrimës nga ethet dhe lëngatat; një tjetër u mëson të eturve për dije lexim, shkrim dhe llogaritje. Shtazë nga më të ndryshme, të përkujdesur me dashuri, jetojnë në Troshan si në parajsë. Gomari dhe lopa, kali dhe delja: bilbila të panumërt ngrenë folenë në kopsht dhe në korije. Sot e kësaj dite përmbi këtë vend vazhdon të endet shpirti plot dashuri i shenjtit nga Azizi dhe Portinkula, i shenjtit, i cili përshëndeste diellin, por edhe zogjtë e peshqit si vëllezërit e vet.
Që përpara se të jetonte shën Françesku, meqenëse qysh prej vitit 1248 dishepujt e tij kishin ndërtuar qelat dhe kishat e tyre në tërë vendin, në Shqipëri ekzistonin shumë abaci të mëdha benediktinase, sidomos pranë lumenjve të rrëmbyeshëm dhe të pasur me peshk. Pas lulëzimit më të madh deri në shekullin e njëmbëdhjetë, kur erudicioni i etërve të tyre i solli popullit dije dhe gjallëri në punë dhe zeje, në shekullin e dymbëdhjetë duket se këto abaci njohën rënien e tyre.
Qysh prej vitit 1248 në vend të tyre filluan të veprojnë etërit françeskanë. Në kohën kur erdhi turku, në vend kishte thuajse njëzet qela françeskanësh, prej të cilave më të rëndësishmet ishin në Shkodër, Lezhë dhe Durrës.
Kuvendi i Lezhës e ka prejardhjen që nga kohët e themelimit të Urdhrit, madje me siguri do të ketë qenë ngulimi i parë i françeskanëve. Në kohën tonë ai u ndërtua sërish në vendin e vjetër mbi kodrën sipër Drinit të praruar, sot është krejt i varfër dhe kisha e tij e boshatisur dhe e shkretë. Faltorja e mrekullueshme e Zotit e kuvendit të vjetër u shkatërrua nga zjarri gjatë luftës botërore, duke humbur njëherësh edhe reliktet e saj të famshme të shenjta: një kryq i çmueshëm, i artë mesjetar, ai edhe një ikonë mjaft e njohur e Zonjës së Papërlyeme.
Deri në vitin 1402 kuvendet e françeskanëve ishin të përfshira në “Custodia Ragusana”, pastaj u bënë pjesë e “Custodia Duraciensis”. Që prej vitit 1523 emri i kësaj kustodie urdhtare bëhet “Provincia Albaniae” ose “Macedoniae”, derisa në vitin 1832 merr emrin “Missio Apostolica”. Në vitin 1906 u ngrit në rangun e provincës urdhtare të pavarur shqiptare.

GJONI I PIANO DI CAPRINE DHE LUFTA KUNDËR SKIZMËS
Me të drejtë shumëkush mund të habitet, se si, ndërkohë që tërë Ballkani kishte kaluar në kishën lindore, pra ishte bërë pjesë e Skizmës ortodokse, Shqipëria i kishte qëndruar besnike kishës sonë të shenjtë.
Rënia e Jugut ka ndodhur shumë më vonë dhe madje gjatë qeverisjes së Gjysmëhënës. Deri në kohën e Turqisë e tërë Shqipëria, në thelb, ishte e ritit katolik.
Kjo besnikëri ndaj kishës i dedikohet episkopatit të zellshëm dhe energjisë së priftërinjve shqiptarë pas vitit 1248 dhe sidmos françeskanëve të saj. Një zell i tillë e frymëzoi këtë kler shqiptar, madje pajisi me priftërinj shqiptarë tërë Dalmacinë e Jugut duke bërë kështu të mundur që ato të mbroheshin nga Bizanti dhe Skizma e tij.
Në pothuaj tetëqind vjet gjatë luftës mbrojtëse nga Skizma, rolin më të rëndësishëm e kanë luajtur shumë françeskanë energjikë. Më i famshmi ndër ta, ai i cili e organzizoi këtë luftë në mënyrë të shkëlqyeshme dhe e udhëhoqi, ishte françeskani i madh dhe udhëtari i botës Gjoni i Piano di Carpine, i cili në vitin 1248 u emërua kryepeshkop i Tivarit nga miku i tij Papa Inocenti IV dhe diti ta shndërronte dioqezën e tij në një bastion të kishës së shenjtë. Askund dhe prej askujt lufta kundër lajthitjes dhe Skizmës nuk është drejtuar me më shumë shpirt, energji dhe logjikë sesa prej tij, në qytetin e dioqezës së tij dhe nën ndikimin e tij në tërë Shqipërinë. Kësaj lufte ai jo vetëm që i dha një bazë të mirëfilltë katolike, por edhe një bazë kombëtare shqiptare, kështu që me të drejtë mund të pretendohet se ky françeskan i madh jo vetëm i ka shpëtuar tërë Shqipërisë besimin e drejtë, por ka penguar edhe asgjësimin e karakterit popullor shqiptar nga mësymja e jashtëzakonshme e serbëve shumë të etur për pushtim nën sundimin e carëve të tyre mesjetarë (sidomos të Dushanit).
Natyrisht edhe ca kohë pas vdekjes së tij, priftërinjtë ortodoksë që ushtronin detytrën nën autoritetin e kishave serbe dhe greke (krahas asaj katolike), po dhe ipeshkëve, u përpoqënn të ndikonin në Shqipëri, megjithatë pa sukses; populli ishte i imunizuar ndaj doktrinës së tyre falë përkushtimit të klerit katolik. Pushteti i kishës ortodokse u zhduk dalëngadalë e nga viti në vit derisa misionarët e tyre u larguan plotësisht nga Shqipëria. Vetë peshkopata e Ohrit, e cila për shumë kohë ishte një bastion i frymës skizmatike në kufirin juglindor shqiptar, në vitin 1320 merret në dorëzim nga një dishepull i shën Françeskut.
Njëzet vjet më vonë ndikimi i françeskanëve (dhe dominikanëve) ishte rritur aq shumë, saqë në kohën e Klementit VI, Inocentit VI dhe Urbanit V tërë peshkopatat shqiptare ishin pushtuar nga dishepujt e shën Françeskut. Sidomos peshkopata e rithemeluar e Savës, e cila disi më vonë u zmadhua rreth peshkopatës së Sardës, ka drejtuar me kaq heroizëm luftën kundër Bizantit në zonën jug-perëndimore të Shkodrës së kërcënuar më shumë nga skizmatikët, saqë në dhjetëvjeçarët e shkurtër fshati dhe vendbanimi i fundit u çlirua nga ndikimi i Skizmës. Edhe sot rrënojat e të dy qyteteve të peshkopatave flasin me gërmadhat e tyre të fuqishme të “qindra” katedraleve dhe kishave për besnikërinë e banorëve të tyre kundrejt Romës dhe për besimin e kulturën e këtyre bashkësive që drejtoheshin sa me zgjuarsi aq edhe me shenjtëri nga françeskanët.
Edhe Prizreni, në sinorin veri-lindor serbo-shqiptar, aty nga fundi i shekullit të 14, pasi ishte rrënuar nga shima dhe madje nga sundimi i serbëve, u mor në dorëzim nga një peshkop françeskan dhe u fitua për kishën tonë të shenjtë si edhe për popullin shqiptar.
Kështu Mesjeta e Vonshme është një faqe lavdie në historinë e françeskanëve shqiptarë që e mbrojtën vendin e tyre nga lajthitja dhe rënia në ditët veçanërisht të rrezikshme dhe me këtë e shpëtuan popullin e tyre nga asgjësimi si komb.