Gazeta Nacional Albania

Mark SIMONI: Zija Vukaj si bart edhe misionar i fjalës, si dorzanë mes letërsisë dhe autorëve të saj

(Shënime rreth librit “Labirintet e Fjalës”)

Lexova librin e Zija Vukës “Labirintet e Fjalës”dhe me sugjestionoi.
Unë mendoj se jeta ime ka kaluar nëpër libra të mirë, dhe tërë kjo letërsi më ka kolauduar saktë jo vetëm regjistrin e leximit, por dhe kulturën e letërsisë. Ndaj sugjestioni tek unë ndodh rrallë. Me atë çka di, mund të them me bindje se ky libër, është ndër 10 librat më të mirë të disiplinës së analizës letrare dhe historisë së letërsisë shqipe, që nga vitet ‘30 të shekullit të kaluar, me Gaetano Petrotën e këndej.
Ardhja e këtij libri është nga ato lajmet që fillon me: Po vjen libri filan, nderim! Janë si ato ngjarjet historike, kur mbahet fryma, ka pak qetësi, deri sa deklamohet se çfarë po ndodh.
Parë nga një këndvështrim dinamik, them me bindje se Libri “Labirintet e Fjalës” i Zija Vukajt nuk është libër Biblioteke, por tekst tavoline, libër pune, përherë në lëvizje, në referencë, në dinamikë, në diskutim, që duhet ditur patjetër, që duhet kënduar vazhdimisht si një kanu, si një këshillues dhe rrëfyes. Mendoj se biblioteka, si një gjest arkivues, e bën apatik librin, e nxjerr në pension, ia ngushton dinamikën, e vë në gjumë, i jep një kënd honorifik librit dhe e mbështet në qosh të panteonit. Kjo patjetër që nuk është pak për një libër, por pjesa aktive e diturakëve të letërsisë kanë nevojë për librat referencial e kulturologjik. Njerëzit me predispozita, të kujdesshëm dhe me pretendime kërkojnë nëpër bashtinat e dijes të mësojnë pa rreshtur. Libri i Zija Vukajt është pra njëri prej këtyre lloj librash.
Madje ky libër e orienton lexuesin të kuptojë që letërsia nuk është një fushë irracionale, mbushur emocionesh dhe fantazishë, hamendjesh dhe ndjenjash pa cak, trillesh gjithëfarë sojit, por mbi të gjitha është disiplinë rregullash, edhe shkencë kanonesh, është dhe art racional. Dhe kjo i jep zotnillek kësaj fushe kaq të bukur e të shenjtë, që mrekullon e sugjestionon këdo, dhe nuk e lë të zdërhallet dhe të keqpërdoret. Zija Vuka me veprën e tij na jep në mënyrë serioze argumetat e të qenit shkencë dhe disiplinë letërsia. Libri i tij, është manual korrekt, i këtij argumenti.
Ky libër është një akt dhe gjest i esesë së shkruar në nivele shumë të larta, me një raport shumë harmonik mes artit të të shkruarit me frymëzim dhe estetikë, dhe studimit të thellë, serioz, konseguent, të veçantë, që autori i ka bërë temave të ndryshme.
“Gjuhën e harruar” të Erik Fromit e kam lexuar me një frymë. Dhe tashti, pas kaq e kaq kohësh librin e Zija Vukajt, po me të njëjtin intensitet, me po të njëjtën kënaqësi, atmosferë leximi, ndjesi të mira dhe të thella. Ky është ai stili i artikulluar mirë i rrëfimit dhe i kumtit të Vukajt, që as nuk ta bën tekstit një letërsi të zvangur dhe pa emocion, dhe as t’i bën studimet e tij, rrëfime të mërzitshme akademike. Vetëm raporti i këtyre dy stileve e bën jo vetëm të lexueshëm me admirim librin, por edhe e familjarizon aq bukur dhe lehtë lexuesin me temat shkencore dhe studimore.
Të marrësh në analizë substancën e profileve më interesante të përsonaliteteve të letërsisë, (as më pak e as më shumë), por ke marrë në analizë pjesën më pikante të letërsisë. Këtë bën libri i Zija Vukajt, duke na dhënë në dorë magmën e asaj që letërsia jonë ka më të rëndësishme.
E mora si një rast fatlum këtë libër, nga ato raste kur të bie në dorë jo thjeshtë një tekst, por mbi të gjitha një vepër krejt të veçantë. E kuptova se qe një libër krejt ndryshe, me volume dijesh, studime të thella, analiza racionale, gjuhë e zhdërvjelltë mendimi, optikë e artikulluar qartë.
Unë dua të përqëndrohem në dy karakteristika të autorit të kësaj vepre, (pra është vepër dhe jo thjeshtë libër), pra tek Zija Vuka.
Zija Vuka me “Labirinteve të fjalës” u tregon lexuesve dhe deri tek studiuesit më seriozë se letërsia është shkencë, madje një shkencë e përpiktë dhe racionale. Si dhe ajo trajtohet saktë vetëm nga njerëz të kulturologjisë, me dije të shumta e të thella. Dhe pa më të voglin dyshim Zija Vuka është tek shkencat dhe kulturologjia si në domenin e vet, ndjehet si në abitatin e tij, në realitetin që e ka krijuar me aq mund dhe përkushtim.
Dhe letërsia me të gjithë artet e krijimit kanë prapa kuintave anën shkencore të tyre. Mos të harrojmë se një nga Stradivarët thotë se: “Një orkestër e madhe muzikore, së pari është një agregat që funksionon në bazë të ligjeve të fizikës”.
Zija Vuka në këtë libër rropos disa rregulla, disa stile leximi, prodhon mekanizmin e mënyrës së altertekstit, trondit disa klishe të pedagogjisë dhe didaktikës tradicionale të gjykimit të letërsissë. Dhe me po atë materie ngre rregulla të reja, strukturë dhe atmosferë shumë më moderne. Ashtu si Niçja që rroposi filozofinë paraardhëse, e destruktoi për të ngritur strukturat e një filozofie të re, shumë më koherente dhe moderne. Zija Vuka njeh shumë mirë dy dimensionet, atë toksorë dhe real të gjërave, dhe atë transhëndental, (perëndi, fe, univers). Unë e kuptoj se me këtë vepër ka bërë një akt platonian, që në filozofi njihet me termin “Soditje e ideve”. Unë mendoj se me soditjen e ideve Zija Vuka ka dalluar dy shqetësime të mëdha, krizën e teksteve dhe spekullimin intelektual, sëmundje të përherëshme të metaletrsisë. Madje Autori i veprës, gjatë leximit më ka dhënë dimension sofisti, dhe pikërisht në atë që kishin në avanguardë këto njerëz të dijes, si një “relativist i parë”.
Në një libër për etikën deontologjike kam hasur termin “Instrumentë konceptualë”. Zija Vuka pikërisht mjete të tilla përdor, vë në punë, dhe i administron më së miri. I ka nën kontroll. Dhe pikërisht këto mjete nuk vijnë nga brenda letërsisë por nga jashtë saj, nga shkenca të tjera.
Unë ndjej se në formimin arketipal të Zija Vukajt ka disa dimensione gjykimi. Mendoj se kur merr në analizë individët, përsonazhet e letërsisë, ka edhe mënyrë frojdiane të kërkimit, për të hyrë në thellësinë e motiveve përtej koshiencës, siç ka dhe çelësin e sjelljeve të individit letrar, (përsonazhi tipik). Por mendoj se Zikja Vuka është dhe Niçean, sepse shoh që në trajtesat e tij ka nëntekst të gjeanologjisë dhe të moralit.
Optika e këtij Autori lëviz në një gjeografi të harlisur veprash, subjektesh dhe përsonazhes, nga njëri cep i botës në tjetrin, nga njëri kat i kohës në tjetrin. Gjergj Elez Alia me këngët e Rolandit të shekullit 11, këngët kroate, serbe, maqedone, Plini, Aristoteli, Straboni, Herodoti dhe veglat kordofone, (Mungon Tuqididi), Migjeni dhe Zarathustra, mistika me shprehjen “heshtja e mençur e vorrezave”, Vorret e Rrëmaji, “Frymët e vdekura” dhe përkthimi i Mitrushit, Ali Binaku dhe Radovan Zogoviq, Homeri me Trojën, djali i kumbarës. Këto e shumë e shumë të tjera janë mjaftushëm për të kuptuar relievin e çuditshëm dhe të mrekullueshëm të fenomenologjisë së veprës së Zija Vukajt.
Dhe, megjithëse ky libër është aq i thuktë me kulturë dhe shkencë letrare, është njëkohësisht dhe shumë elegant, i artikuluar bukur, i zhdërvjelltë, akademik dhe i lehtë njëherësh, imazhinist si vetë fantazia e kritikëve që trajton Zijai, i këndshëm dhe tërheqës.
Nga gjithë çka thashë, jam i bindur se edhe ky libër i ka dhënë emrit të Zija Vukajt një status të epërm, duke e bërë edhe bart, edhe misionar, edhe dorzanë të letërsisë dhe autorëve të saj, që ka asistuar gjithë pjesën më të ndritshme dhe të shenjtë të letërsisë sonë të bukur.
Urime mik i ditur!