Gazeta Nacional Albania

Maxhun Osmanaj: Librat e Elvira Zenelit, “Më merr në ëndrra” dhe “Puthja e jetës”, poezi, “Nacional” 2025

FLLADI I LIRIZMIT EROTIK DHE MALLI I SHFRENUAR NË DY VEPRAT E ELVIRA ZENELIT

( Elvira Zeneli, “Më merr në ëndrra” dhe “Puthja e jetës”, poezi, “Nacional” 2025

( Në vend të prologut)

Rrugëtimi dhe fati i poetëve kurrë s’është i njëjtë në jetë, por as në krijimtari, ngase eruzioni shpërthyes dhe kohor ka specifikat e veta.Shpërthimi dhe paraqitja e tyre ndryshon për shkak të rrethanave objektive dhe subjektive.Disa lajmërohen me botime me krijime letrare apo me libra në rini, disa në pjekuri, ka edhe të tjerë në moshën e tretë, ngase ëndrra si dëshirë nuk fiket asnjëherë.Kjo s’do të thotë që t’i paragjykojmë apo nënvlerësojmë në bazë të kohës kur janë paraqitur në sofrën letrare.Vlerësimi dhe gjurma e tyre ruhet nga ç’vlera i sjellin letërsisë në përgjithësi, ç’shije estetike dhe ç’ndjenja shpërfaq arti i tyre te akcili lexues.Meqënëse jeta e krijuesit është e mbushur me ëndrra jetësore dhe letrare, secilit i mbetet diçka si peng a borxh! I tërë cikli jetësor i njeriut është i veshur me velin filozofik ku brenda këtij veli fshihen enigma, por edhe dashuri të pashpjeguara për jetën e rrënjosur në jetën e njeriut me shumë degëzime. Dashuri për një ëndërr të parealizuar, dashuri për heroin lirik qoftë të imagjinuar, qoftë si realitet, malli për kohën e ikur e ngjyrosur me ngjyrat e kujtimeve të rinisë, si dhe dashuria që troket në kalanë e shpirtit bjeshkë-qëndresë.Vibracionet dhe ndjenjat emocionale nuk pulsojnë asnjëherë njëjtë, por te krijuesi-poeti nuk perëndojnë kurrë, meqë frymëzimi është “ngacmuesi lazdran apo rrebel” që s’i lë rehat krijuesit në çdo kohë.
Elvira Zeneli, pedagoge, poete, ndonëse drithërimat e veta poetike i ka shfaqur herët në bankat e shkollës fillore, të mesme dhe atë në fakultet, në moshën e pjekurisë, vendosi t’i bashkohet sofrës së madhe të letërsisë.Në mars të këtij viti 2025 botoi dy vëllime poetike “Më merr në ëndrra” dhe “Puthja e jetës”, nga SHB “Nacional”-Tiranë. Elvira s’është emër i panjohur, meqë ka disa vite që boton poezi në rrjetet sociale, në revista dhe gazeta në mbarë viset shqiptare.Si çdo poet i “vërsulet një tematike apo shumë temave, por gjatë ecejakeve i gërshetojnë dhe i pasurojnë temat , motivet, ashtu siç jeta na dhuron çdo ditë pasqyrën shumëngjyrëshe dhe imazhet e mrekullueshme me trajtat e dhimbjes, por edhe të dashurisë dhe ndjesive. “Hedh në vargje histori reale të ndodhura nga njerëzit që na rrethojnë.Çiltërsia dhe sinqeriteti i vargut, i ndjenjës së dashurisë herë e bukur, e herë me dhimbje, sepse e tillë është jeta”(E.Zeneli, “Nacional”, fq.22, 29 mars 2025).Tani shtrohet pyetja se cilën temë e trajton autorja Elvira? Brenda dy vëllimeve, kryetema e dashurisë shpaloset me format e gërshetuara herë si ndjenjë e frenuar, herë të “shfrenuar” me një flakë emocionale ku lexuesi ngroh shpirtin, por nuk digjet asnjëherë.Përmes kësaj kryeteme ndërlidhen malli, kujtimet, nostalgjia, ëndrra e ikur, dhimbja dhe përditshmëria që na rrethon.Brenda këtyre emocioneve, peizazhi i natyrës troket në shpirt i jap ftatra të fluturimit imagjinativ. Vëllimi “Më merr në ëndrra” ka të strukturuar 71 poezi, ku 50 nga to bartin temën e dashurisë, ndërsa 10 nga to kanë tharmin filozofik dhe të tjera përkushtuese, ato të peizazhit, personale, të vendlindjes apo etnografike. Në të gjitha këto poezi përvijohet malli herë i fshehur, herë si rreze që ngroh fushën e gjelbërimit të kujtimeve.Ç’tipare e karakterizon temën e dashurisë se poetes?Elvira nuk shkruan poezi të zorit apo poezi të mundimshme.Poezia e saj shquhet si rrëfim i çiltër emocional përballë heroit lirik, poezi skofijare, herë edhe shpërthyese.Është edhe poezi e thirrjes dhe e betimit të nënkuptuar, e udhëtimit si afsh-zjarr.Ajo hy në imazhin e stinëve për të komunikuar me to si kundërpërgjigje të heroit lirik.Bota emocionale e autores i ngjan një deti të trazuar, i ngjan një varke me lundrim si guximtare nga stuhitë që e përcjellin, i ngjan një stine që pasuron florë e faunë mendimesh, i ngjan një peme që fruton.Figura e mallit është hetuar në disa poezi, si p.sh:”Mall”,”Dhe ti s’më bëre kurrë,/Një vend në zemrn tënde/Ti deshe veç një urë/të ecësh përmbi dhembje. Por unë vazhdoj të pres/E mall kam zjarr për ty, mbi buzë të të zbres/me puthje sy me sy”(fq.33) Sado një ftohësirë ,brenda këtij malli kalëron dhe fshihet një brengë,një dhimbje, një shqetësim, por heroi lirik vazhdon , e pret, sepse malli vërshon si zjarr që përvëlon. Figurën e thirrjes e dallojmë në disa poezi, p.sh.”Eja/Ç’ke që pret, pse ngurron/Bëhu edhe ti njëherë shpëtimtar/Të ma thashë këtë lot/Se zemra s’e duron dot”(Eja, ma thaj lotin tim, fq.43).
Figura e ëndrrës mbetet si ngacmuese lozonjare e poetes, ku i jap shije estetike poezisë.Ëndrra e merr dhe e shpie në gjeografinë e ndjesive dhe shqetësimeve.”Se çdo gjë tëndën e dua,gjer në pafundësi/Prandaj më merr përgjithmonë/Në ëndrrat e tua deri në përjetësi…”(Më merr në ëndërr, fq.46).Dsahuria në disa poezi na vjen si ndjenjë dhe zjarr, që djeg dhe përvëlon, pra si kulm emocional,por jo si dashuri romantike.”Zemra fort po rreh e trupi zjarr merr/Atje ku digjesh, o zemër, përvlohem unë”(Buzët që qeshin bukur. Fq.13).
“Puthja e jetës” është vazhdimësi e librit të parë dhe po në këtë libër janë strukturuar 71 poezi.Ndërsa duke i lexuar me kujdes, 40 prej tyre kanë shpirtin tematik të dashurisë. Në këtë vëllim, gjeografia e dashurisë shtrihet në fushën e bukur të shpirtit si blerim emocional, si thirrje, si revoltë, si zhgënjim, por prapë ajo i mbetet besnike drithërimave të dashurisë që e shoqërojnë në shumë poezi.Sado që heroi lirik përjeton në ndonjë çast zhgënjim :”Ç’është kjo ftohtësirë kështu/Që trupin ma ndez flakë/Akullnajat e shpirtit/Si mund të shkrihen nga larg/Ndaj ti puthmë/puthmë deri në dhimbje, në gjak?!”(Puthmë, fq.31).Pra, dhimbja si ndjenjë dhe thirrja si ndihmë shpërfaq një shpalosje e shpirtit të brengosur dhe shqetësuar ku bukuria e shprehjes metaforike i jap pjekuri dhe estetikë poezisë.Poezia tjetër “ Puthja e jetës” që mban të njëjtin emër, libri, mbetet poezi e veçantë nga ndërtimi ideor, mesazhi dhe arkitektura ideore.Heroi lirik e përjeton si puthje peng ku gërshetohet si filozofi e jetës, ku edhe shtrohet vargu “A luhet me dashurinë!?”,( fq.57-58).Poezitë e këtij vëllimi bartin edhe tharmin filozofik si gërshëtim me kohën e ikur dhe me betejat brenda ciklit jetësor.Pra, vargjet na vijnë si kujtime-mall nga koha rinore, si rrëfime ku njeriu gjatë jetës kalon nëpër stuhitë jetësore.Jeta provon ta shkundë , ta rrexojë për tokë, por ai qëndron, bëhet më qendrestar te poezia “Qyteti prej zjarri” fq.70-71.Poezia na vjen edhe si zhgënjim dhe protestë shpirtërore.Elementet filozofike i hasim në poezitë:”Shtegu i pafundësisë”,”Metamorfozë”, “Katarakt”, “Bregut të detit”, “Toka lëviz nën shpërthime dhe rënkon”etj.Ndërsa edhe tema e peizazhit ndërlidhet mjeshtrisht si paralele me temën e dashurisë; p.sh.”Rrugë vjeshte”, “Lamtumirë, deti im!”, “Përjetësi”,”Syri i hënës”,”Sonte u rebeluam me Lasgushin”.
(Gjuha figurative dhe metrika)
Autorja ka ndërtuar poezi të pjekura në mendim, në ide për ta shpalosur botën e brendshme emocionale shpirtërore si derivat ndjesor i pashtjerrë.Lirizmi poetik na vjen si rrëfim , po edhe si përkushtim, komunikon bukur me lexuesin.Ndër figurat letrare në të dy vëllimet na lajmërohen:Krahasimi( varet si llampadar), metafora-epitet (deti flokëthinjur mbi brigje po qante), epitet(era e çmendur), antitezë,(në verë ndjej ftoftë dhe në dimër vapë), etj.
Ndërsa metrika e vargjeve ndryshon nga njëra te tjetra.Autorja përdor strofa nga 2 vargëshe deri nëntëvargëshe.Disa kanë rimë të kryqëzuar,disa janë pa rimë, pra të lira.Vëllimet “Më merr në ëndrra”dhe “Puthja e jetës” mbesin gjurmë të mira në udhëtimin e guximshëm poetik . Poetja premton me talentin që ka për ta përsosur dhe pasuruar gamën tematike shumëdimensionale.Ta duash jetën me gjithë kopleksivitetin, qoftë si sfidë, qoftë si ëndërr, qoftë si realitet është bukuri dhe fisnikëri shpirti.Urime dhe suksese të radhës, poete Elvira! Fillimqershor 2025