Gazeta Nacional Albania

ME MBRËMJEN LETRARE KUSHTUAR SHKRIMTARIT ISMAIL KADARE SONTE HAPET EDICIONI I 32-TË I KALIMERËS POETIKE “BASRI ÇAPRIQI”

ME MBRËMJEN LETRARE KUSHTUAR SHKRIMTARIT ISMAIL KADARE SONTE HAPET EDICIONI I 32-TË I KALIMERËS POETIKE “BASRI ÇAPRIQI”

Me mbrëmjen letrare homazh kushtuar shkrimtarit më të madh bashkëkohor shqiptar, Ismail Kadare, i ndarë nga jeta në fillim të muajit korrik, sonte në mjediset e Muzeut në Kalanë e Ulqinit do të fillojë edicioni i 32-të i manifestimit letrar Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”.
Për krijimtarinë e autorit do të flasin botuesi Bujar Hudhri dhe shkrimtarët Mehmet Kraja (Akademik) e Sadik Bejko, vargje do të lexojë aktori Laert Vasili, ndërsa mbrëmja do të udhëhiqet nga poeti dhe studiuesi i letërsisë Haxhi Shabani.

Dy mbrëmjet e tjera autoriale do t’u kushtohen studiuesit të letërsisë Ali Aliu (Akademik) dhe shkrimtarit Sadik Bejko.

Kalimera Poetike “Basri Çapriqi”, që e organizon Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” që nga viti 1993, është manifestimi letrar kryesor ndër shqiptarët në Malin e Zi dhe një nga më të rëndësishmit e këtij lloji në hapësirën shqiptare nëse kemi parasysh emrat e shkrimtarëve mysafirë të këtij manifestimi përgjatë viteve. Si e tillë, ajo vazhdon të promovojë vlerat më të mira letrare që krijohen gjithandej në botën shqiptare, vendet e rajonit dhe më gjerë.

Ulqin, më 03.08.2024