07/02/2021
Mediet serbe shkruajnë këtë të diel të alarmuara se Presidenti i SHBA, Joe Biden, i ka kërkuar homologut të tij në Serbi, Aleksandër Vuçiç, të njohë Kosovën.
Në një letër urimi drejtuar Presidentit Vuçiç, mediet fqinje shkruajnë se Kreu i SHBA-ve ka kërkuar nga ai arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse Kosovë – Serbi, që do të përqendrohet në njohjen reciproke.
Siç njoftojnë mediat serbe, në letrën e tij presidenti amerikan, duke uruar presidentin Vuçiq me rastin e Ditës së Shtetësisë të Serbisë, ka konfirmuar mbështetjen amerikane në integrimin evropian të Serbisë.
Biden në letrën e tij veçanërisht theksoi mbështetjen e SHBA-së për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila përqendrohet në njohjen reciproke.
Mediat serbe shkruajnë se, ndërsa bëhet fjalë për urimin për Ditën e shtetësisë së Serbisë nga Shtëpia e Bardhë, që janë kryesisht protokollare, një mesazh i llojit të tillë u dërgua për herë të parë, në të cilin apostrofohet se zgjidhja e çështjes së Kosovës me njohje reciproke ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pritet që Vuçiq sot t’i përgjigjet këtij mesazhi. 15 shkurti është dita e shtetësisë së Republikës së Serbisë.