Dokumentar për figurat e mëdha të muzikës shqiptare
“NIKOLLA I ZEMRËS SË TIRANËS”, DOKUMENTARI QË SJELL PORTRETIN ARTISTIK TË KOMPOZITORIT NIKOLLA ZORAQI
“Filmi me regji nga Mevlan Shanaj dhe skenar nga Natasha Lako rrëfen jetën, krijimtarinë dhe kontributin e kompozitorit të njohur në muzikën shqiptare.”
Jeta dhe veprimtaria artistike e kompozitorit të shquar Nikolla Zoraqi vjen për publikun përmes filmit dokumentar “Nikolla i zemrës së Tiranës”, me regji nga Mevlan Shanaj dhe skenar nga Natasha Lako. Dokumentari, i konsideruar si i pari i realizuar për një kompozitor shqiptar, sjell në vëmendje kontributin e rëndësishëm të Zoraqit në zhvillimin e muzikës shqiptare.
I vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh” dhe i cilësuar nga kritika si “Çajkovski shqiptar”, Nikolla Zoraqi renditet ndër figurat më të rëndësishme të kulturës muzikore në vend. Krijimtaria e tij përfshin jo vetëm muzikën e kultivuar, por edhe shfrytëzimin e melosit të trevës së Tiranës, duke krijuar një stil të veçantë artistik.
Gjatë karrierës së tij, Zoraqi ka drejtuar Orkestrën e Radio Tiranës, ka punuar si pedagog dhe ka krijuar një sërë veprash të rëndësishme skenike. Ai është autor i tetë veprave për skenën, si dhe i muzikës për filma, koncerte dhe këngë të prezantuara në festivale.
Dokumentari paraqet një rrugëtim në jetën dhe krijimtarinë e kompozitorit, duke sjellë ngjarje dhe dëshmi interesante nga bashkëpunëtorë dhe figura të njohura të artit.
Premiera e filmit u shfaq në kinemanë “Milenium”, ku salla u mbush me artistë, studiues dhe dashamirës të muzikës. Interesimi i publikut ishte i dukshëm, ndërsa të pranishmit prisnin me kureshtje shfaqjen e dokumentarit kushtuar një prej figurave më të rëndësishme të muzikës shqiptare të periudhës para viteve ’90.
Gjatë fjalës së tij, regjisori Mevlan Shanaj u ndal edhe te sfidat që përballen dokumentarët, duke theksuar se shpesh këto filma mbeten “jetimë” pas premierës, pasi nuk arrijnë të kenë një qarkullim më të gjerë.
Filmi është realizuar në bashkëpunim me skenaristen Natasha Lako, me konsulent dirigjentin Zhani Ciko dhe producent Skënder Jaçe. Përmes intervistave dhe materialeve artistike, dokumentari ndërthur muzikën, operën, baletin dhe elemente vizuale që pasqyrojnë universin krijues të kompozitorit.
Në ekran shfaqen gjithashtu rrëfime dhe kujtime nga figura të njohura të artit dhe kulturës, të cilët sjellin për publikun dimensionin njerëzor dhe profesional të Nikolla Zoraqit, duke e rikthyer atë në vëmendjen e publikut si një nga personalitetet më të rëndësishme të muzikës shqiptare.

