Gazeta Nacional Albania

Mexhit Prençi: Si u censurua nga partia, drama “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit

Si u censurua nga partia, drama “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit

TEATRI DHE CENSURA

“Hallkë tjetër sa absurde aq dhe e çuditshme ishin letrat anonime nga cmirëzinjtë, të paaftët, të liqtë, spiunët vullnetarë, apo dhe nga ata që kishin marrë nofkën “njëmijëlekshët”, të cilët gjendeshin brenda komunitetit të teatrit dhe jashtë tij. Letrat anonime lëviznin antenat e censuruesve. Ato ishin kthyer në frikë e ankth për ta; duhej të mbusheshin fletët e bardha, me shkronja e mendime të zeza tw sajuara. kwsisoj hidheshin në veprime konkrete po edhe absurde, madje duke sajuar çfarë u pillte fantazia e çartallosur për të “motivuar” mendimet e spiunëve kundra spektaklit, pa u thelluar, ishin a nuk ishin të drejta.”

Nga Mexhit Prençi

Hallkat e censurës së dramës dhe spektaklit ishin të shumta, të forta, agresive. Ishin më të rrepta se në rrafshet e tjerë të letërsisë dhe artit. Mekanizmi censurues fillonte që nga kati i parë i piramidës e gjer në krye të saj te Diktatori i Madh Kryecensurues. Drama në teatër që të shihte dritën e skenës duhej të kalonte nga hallka në hallkë. I pari e nis censurimin shefi i repertorit të teatrit i cili përgjithësisht ishte prej dramaturgësh. Ai bënte seleksionimin e veprave që vinin në kabinetin e tij për t’u vënë në skenë. Si kompetent, bënte përzgjedhjen, duke mënjanuar veprat me cilësi të dobët artistike dhe estetike, por kryesor ishte kriteri ideologjik dhe politik.
Pas këtij procesi veprën e redakton dhe e përgatit për hallkën e dytë të censurimit që është instiucioni i drejtorit, i cili nuk ishte as profesionist, as specialist, por njeri partiak. Preokupimin më të madh e kishte të mos kalonte ndonjë vepër me gabime e shtrembërime ideologjike. Përkushtohej tërësisht në leximin e dramës a komedisë, madje edhe duke ia dhënë fshehtas ndonjë miku partiak që e konsideronte specialist të kësaj fushe, mendimin e të cilit e merrte si absolut.
Drejtuesve të teatrit u kishte mbetur në kokë togfjalëshi “pilula të helmatisura”, si paralajmërim nga Diktatori i Madh për rrezikshmërinë e “helmimit” të masave nga ideologjitë e huaja, sa nënvizonin çdo batutë që nuk e kuptonin, apo dyshonin se mos përmbante ndonjë dozë të tillë. Thënia e një shefi të redaksisë në shtëpinë botuese “Naim Frashëri” se “po dyshove edhe për gjënë më të vogël te vepra, ktheje mbrapsht, mos e boto” ishte bërë “kriter” i pa deklaruar, por i domosdoshëm për të ruajtur vetveten nga rreziqet e censorëve më lart. Madje këtë marifet e përdorte edhe një nga shefat e shtypit në KQ të Partisë të asaj kohe dhe ua rekomandonte gazetarëve në takimin që bënte me ta. Dyshove, vëri kryq. Mos e boto.
Vetëm kur nuk dyshonte drejtori i teatrit se drama apo komedia, nuk kishin asgjë nga ato që e ngarkonin me përgjegjësi, e shqyrtonte veprën në këshillin artistik, i cili ishte vendim-marrës de juro, por jo de fakto. Këshilli artistik, rrallë kishte ndodhur të pezullonte ndonjë dramë apo spektakël për dobësi artistike, por as edhe për dobësi ideologjike. Ishte as mish, as peshk. Një vegël e strukturave të partisë që përdorej si instrument. Madje edhe vetë organizatat bazë ishin instrumente gjer në strukturat më të larta krejtësisht të paafta të kuptonin vlerat e vërteta, jovlerat dhe ativlerat e veprave dhe spektakleve.
Një hallkë tjetër ishte komiteti ekzekutiv, ku vepra dërgohej formalisht për miratim në seksionin e kulturës, i cili kishte vetëm çelsat e kashtës në dorë, ndaj i bashkohej hallkës së rrezikshme të komitetit të partisë duke miratuar gjithçka thoshin ata. Po as specialistët e saj ideologjikë nuk vendosnin dot për miratimin ose mosmiratimin e shfaqjes teatrore pa lejen e shefit të tyre, sekretarit të dytë të komitetit të partisë. Ata më shumë ishin informatorë se specialistë. Ruanin veten se mos rrëshqitnin në dërrasë të kalbur, ndaj nuk shprehnin as miratim as mosmiratim për një dramë apo spektakël. Hallka më e frikshme, më e rreptë, ishte sekretari i dytë i byros të komitetit të partisë, i cili ishte autoriteti më i lartë për t’i dhënë lejen e kalimit në skenë veprës dhe spektaklit që të shfaqej në publik. Këtu është e nevojshme të sqaroj se shumica e spektakleve nuk shikoheshin me rreptësinë që rrëfeva më sipër nga hallkat e larta të censurimit, kur drama e komedia e paraqitnin realitetin socialist gjithë ngjyra e dritë të shkëlqyer nga çdo pikëpamje, heroin pozitiv të përsosur si zëdhënës të partisë dhe diktaturën e proletariatit si etalon të drejtësisë, çka miratoheshin pa ngurim, me kënaqësi dhe entuziazëm.

***
Sistemi i censurimit të rreptë, nga shkalla më e ulët gjer te më e larta, aplikohej kryesisht për veprat që tentonin të kalonoin vijat e bardha të realizmit socialist. Këtu hallkat ishin lidhur zinxhir, kishin përgjegjësi kolektive por edhe individuale. Çdo shef hallke mbante edhe përgjegjësitë e tij. Ndaj kishte një garë konkuruese midis censorëve për vigjilencë, rreptësi e ashpërsi, për të pezulluar sa më shumë spektakle, që të dëshmonin besnikërinë ndaj udhëheqësve të partisë. Andaj ishin të gjithë në ankth se mos u shpëtonte ndonjë rast që të shfaqej ndonjë dramë me gabime ideologjike, mbasi e pësonin edhe ata. Duket e pabesueshme të rrëfej se edhe sekretari i komitetit të partisë ishte në ankth, mbasi po ta shihte spektaklin shefi i tij dhe shefi i shefit, gjer te Diktatori i Madh, e të mos e pëlqenin dramën a spektaklin siç ka ndodhur shpesh, rrufetë binin mbi secilin, po rrufezharritëse binin mbi sekretarin. Kështu hallkat kontrollonin e censuronin njera-tjetrën, sa askush nuk ishte i sigurt përveç Diktatorit.
Tërë këtë sistem censurimi e kontrollonin shefat komunistë, nëpërmjet veglave të tyre – specialistë të tjetërsuar në skllevër ideologjik të partisë, si shëbëtorë më besnik të saj. Kjo çoi jo vetëm në burgosjen e disa veprave, spektakleve dhe autorëve dramatikë e regjisorëve, por edhe të lirisë krijuese që solli zvjordhjen dhe venitjen e talenteve me prirje liberale e moderne, të cilët nuk mundën të realizojnë vetveten në kushtet e ultradiktaturës komuniste, enveriste.

* * *
Një frymë e tillë censurimi kishte pushtuar edhe spektatorët që mbushnin sallat e teatrove profesioniste dhe amatore. Qe një periudhë kur një publik masiv nga masat e gjera, gjykonte spektaklet e dramave dhe të komedive. Kjo ishte një hallkë “speciale” censurimi. Ishte një periudhë e vështirë për të gjithë krijuesit e spektaklit bashkë me dramaturgun. Një natë para përurimit të spektaklit, “trupi gjykues” censurues, ishte një publik ideologjik, injorant, i zgjedhur me porosi, që mbushte sallën i cili vendoste ta miratonte ose jo. Një praktikë e tillë ishte imitim i modelit kinez. Spektatori i ftuar përbëhej nga punëtorë, kooperativistë, sekretarë partie, funksinarë të bashkimeve profesionale, po edhe kritikë dogmatikë që kërkonin zbatimin me rreptësi të luftës së klasave dhe të partishmërisë proletare në çdo qelizë të veprës dhe spektaklit edhe atje ku nuk duhej.
Kriteri sociologjik, ideologjik, politik dhe identifikimi i realitetit artistik me botën reale, ishin bërë pjesë e vetëdijes së publikut që mbushte sallat e teatrit. Duartrokitej nxehtësisht spektakli që përshkohej nga partishmëria proletare dhe ashpërsia e luftës së klasave, ku heroi pozitiv ishte punëtori i thjeshtë, komunisti, sekretari i partisë, ndërsa pesonazhet negativ ishin kundërshtarët politkë, ish-ët: ballisti, zogisti, tregtari, beu, kulaku por edhe personazhi me shfaqje të huaja ose me “lakra në kokë” i shoqërisë socialiste, siç thuhej, të cilin e trajtonin si personazh të lidhur me ish-mbeturinat e klasave të përmbysura apo me armikun e jashtëm. Triumfi mbi ta, në çdo situatë dhe rrethanë, ishte e domosdoshme madje ata duhej të stigmatizoheshin dhe përçudnoheshin, por kurrësesi jo personazhet pozitivë dhe realiteti socialist që duhej të paraqitej vetëm i shndritshëm.

* * *
Ishin të kufizuara hapësirat e lirisë krijuese çka i vinin në vështirësi të mëdha krijuesit gjer te e pamundura. Pak kritikë të bëhej për ndonjë dukuri negative si p.sh. për burokratizmin në sferat e larta të ekzekutivit dhe të krijoje një personazh me të meta, gabime e negacione një drejtor ndërmarrjeje, drejtor spitali, drejtor drejtorie në ministri etj,. dhe të ngarkohej me sjellje e veprime prepotente e burokratike, vepra dhe spektakli konsideroheshin nga censura se kanë nxirë realitetin. Dhe bënin pyetjet-akuzë, të frikshme e retorike: pse kështu i kemi drejtorët tanë? Kështu i kemi kryetarët e komitetit ekzekutiv?… Dhe kështu-të e ashtu-të nuk kishin të sosur… Ndërsa të formësoje personazh të tillë, funksionar në sferat më të larta të piramidës së kuqe, as që e mendonin autorët, le më të merrnin guximin e t’i futnin në veprat e tyre si personazhe.
Le të sjellim ndërmend drejtorin me dy fytyra Bektash Shkozën e dramës “Fytyra e dytë” e Dritëro Agollit që e inskenoi Pirro Mani, se si e detyruan autorin dhe regjisorin ta çonin Bektashin në kantier për riedukim, ndryshe do të anullonin dramën të shfaqej… Këtë “tolerancë e mirëkuptim” e bënë me Dritëroin që ishte një komunist i devotshëm i partisë, si gazetar i shquar i saj në atë kohë. Po dhe me regjisorin Piro Mani i cili kishte realizuar disa spektakle të partishëm dhe e kishin me sy të mirë udhëheqësit e lartë, se po të ishin të tjerë, do të kishin fatin e Xhemal Brojës, Minush Jeros, Mihal Luarasit, dramaturgut të ri të talentuar Shpëtim Ginës etj.

* * *
Po le të ndalemi te një qasje tjetër censurimi: gjykimi i spektatorit mbi fatin e spektaklit. Kam qenë në sallën e Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar) kur publiku i indoktrinuar iu vërsul spektaklit të komedisë groteske “I pazëvëndësueshmi“ të Qamil Buxhelit. Njerëz profanë, dogmatikë, pa kulturë, që nuk kuptonin se teatri është realitet artistik, mental dhe jo jetë reale, të cilët fshikullimin e dukurive negative e kërkonin jo kudo ku shfaqen ato, por vetëm te klasat e përmbysura, apo te ata që shfaqnin mendime e qëndrime që nuk i shkonin për shtat regjimit. Nuk e pranonin ata të ishte personazh me të meta as edhe drejtori i një shtëpie kulture që dridhte zinxhirin e nuk bënte punë, por lëvizte karriget nga salla në sallë, nga kati i parë në katin e dytë e nga i dyti në të parin siç e stigmatizon komedia e Buxhelit. Ata e quanin komedinë me shfaqje të huaja borgjezo-revizioniste që nixinte realitetin tonë dhe denigronte kuadrot e partisë, ndaj kërkonin të pezullohej shfaqja, të dënohej regjisori Pirro Mani e komediografi Qamil Buxheli, (megjithëse ky i fundit ishte komunist dhe me bindje të tilla u nda edhe nga kjo jetë në dekadën e dytë të demokracisë).
Censura këtë e quante zëri i masave. Në fakt ky ishte zëri i të indoktrinuarve të ftuar në shfaqje, për t’iu kundërvënë çdo llojë kritike ndaj dukurive negative të realitetit socialist. Spektakli u ndalua. Autori i komedisë u dërgua për riedukim në zonat rurale. Regjisori Pirro Mani u fut në rrethin e kuq, i cili siç thotë Urtaku, këtë e mbante vëth në vesh, për të mos rënë në kurthin e guximit të marrë. Neni 55 i dilte dhe në ëndërr. Kishte edhe një cen të zi, në biografi, gjyshi i tij jetonte në Amerikë.

* * *
Hallkë tjetër sa absurde aq dhe e çuditshme ishin letrat anonime nga cmirëzinjtë, të paaftët, të liqtë, spiunët vullnetarë, apo dhe nga ata që kishin marrë nofkën “njëmijëlekshët”, të cilët gjendeshin brenda komunitetit të teatrit dhe jashtë tij. Letrat anonime lëviznin antenat e censuruesve. Ato ishin kthyer në frikë e ankth për ta; duhej të mbusheshin fletët e bardha, me shkronja e mendime të zeza tw sajuara. kwsisoj hidheshin në veprime konkrete po edhe absurde, madje duke sajuar çfarë u pillte fantazia e çartallosur për të “motivuar” mendimet e spiunëve kundra spektaklit, pa u thelluar, ishin a nuk ishin të drejta.
Kjo praktikë ka ushtruar trysni edhe në vetëdijen krijuese të autorëve e regjisorëve, por krahas kësaj, i ka bërë ata të ishin më të vëmendshëm, më të kujdesshëm. Megjithatë kjo trysni bashkë me atë të faktorëve të tjerë jashtëletrarë që mbivlerësoheshin dhe absolutizoheshin, duke sfiduar artistiken dhe estetiken, lindën elementet e para të autocensurës tek krijuesit e cila venit, than dhe frenon fantazinë, duke atrofizuar lirinë krijuese të tyre.

* * *
Në zinxhirin e hallkave të censurimit, padyshim, kritika marksiste-leniniste që aplikohej ka qënë “armë” në duart e partisë, në ruajtje të parimeve të socrealizmit, – që të bënte gjëmën. Tek ajo mbështeteshin edhe strukturat e tjera, inkompetentët dhe publiku i indoktrinuar. Fjala e kritikës së politizuar, ishte sa ndikuese dhe sensibilizuese në krijimin e opinionit aq edhe trysnuese e frikshme për të gjykuar vlerat, jovlerat dhe antivlerat sipas ideologjisë së partisë. Ajo ishte edhe kritikë entuziaste edhe kritikë nihiliste. Ishte entuziaste në mbivlerësimin e letërsisë dhe artit në tërësi dhe të dramës e spektaklit në veçanti, kur vepra përshkohej tejmbanë nga ideologjia komuniste në çdo përbërës të saj. Ishte nihiliste e vlerave artistike dhe estetike kur ajo tentonte të sfidonte faktorët jashtëletrarë… Në raste të veçanta, disa kritikë, nuk e teproj të them, se suleshin si “bisha të uritura” për të “ngrënë” vepra dhe autorë kur merrnin porosi nga partia.
Kritikët e zellshëm dogmatik të realizmit socialist, i përdorte censura zyrtare. Pothuajse çdo libër: dramë, roman, poezi para botimit, recensionohej nga një kritik i tillë ose shkrimtar. Ndërsa kur libri konsiderohej me probleme ideologjike recensionimi bëhej nga një kritikë, njw dramaturg a prozator, sipas gjinisë letrare, të cilët ishin me autoritet në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe të Artistëve.
Censurimi më i egër dhe fatal që shfaqej në raste të veçanta, ishte kur kritikë dhe krijues komunistë me porosi të censuruesve dhe hetuesve xhahil, recensiononin drama, poezi e prozë kur autorët ishin në hetuesi dhe i akuzonin si armiq të partisë, atdheut dhe socializmit. Firma e tyre, ndonëse nuk ishte faktor kryesor, ishte pjesë e krimit, si psh të dënimit të poetëve Vilson Blloshmi, Genc Leka, Trifon Xhagjika etj., dënuar me pushkatim nga gjyqtarë komunistë. Firma të tjera, bashkë me firmat e gjyqtarëve vrasës, sipas ligjeve të Diktatorit të Tmerrshëm, dënuan me varje në litarë poetin Havzi Nelaj.
O Zot i madh! Varet poeti për poezi?!… Pse nuk gjuajte me rrufe, o Zot!

( Marrë nga libri “Drama dhe spektakli i ndaluar)