Gazeta Nacional Albania

MILAZIM KRASNIQI: Pjetër Arbnori, “Brajtoni një vetëtimë e largët”, roman

LETËRSIA DHE MASKA E ÇJERRË E DIKTATURËS

Në romanin “Brajtoni një vetëtimë e largët’ Pjetër Arbnori, shkrimtar i burgosur, e zotëron të vërtetën-mjeshtrinë e shkrimit origjinal, por nuk e zbulon para gardianëve, policëve, prokurorëve, gjyqtarëve e komesarëve të lajthitur. Veten e shpall se është Gjon Krizi, veprën e shpall si një vepër angleze të përkthyer në shqip prej tij.

Milazim KRASNIQI

Romani i Pjetër Arbnorit, “Brajtoni një vetëtimë e largët”, është edhe një tjetër dëshmi e letërsisë së shkruar në atmosferën ngulfatëse të diktaturës dhe të censurës. Sipas dëshmisë së autorit, ky roman është shkruar në burgun famëkeq të Burrelit, në vitin 1965. Duket vërtet fantastike që në një burg të skëterrshëm të diktaturës komuniste të shkruhen romane, madje edhe kur maskohen nën firma shkrimtarësh të trilluar anglezë, sikundër argumenton autori. Por, kjo nuk e zvogëlon aspak rëndësinë e dëshmisë që na provon romani i Arbnorit, i cili mbart në vete një vlerë të shfytyrimit të individit dhe të artit në ambientet e diktaturës. Përmbysja e identitetit autorial, e tematikës, e ideve dhe e gjithçkaje në konstruksionin e veprës, është dëshmi e një përmbysjeje morale të shoqërisë dhe të njeriut si kuptim esencial i ekzistencës. Kjo përmbysje, ose më saktë ky deformim i realitetit, është shumë më i panatyrshëm, se ai i legjendave dhe i përrallave, të cilat largimin nga skema e realitetit dhe shfytyrimin e tij në përmasa të mëdha, e bëjnë nga një shtytje estetike. Ndërsa shfytyrimi në këtë roman bëhet nga shtytje për të shpëtuar autori nga ndëshkimi fizik, i cili edhe në qelinë e burgut, nuk mund të mposht impulset prej shkrimtari. Por, për të shpëtuar nga ndëshkimi për punën e tij, autori shtrëngohet të sajojë një “metodë krijuese” që nuk ndëshkohet- metodën e fshehjes së autorësisë dhe të shkrimit të një vepre me një tematikë “të huaj”. Pra, nëse e marrim për të besueshëm shpjegimin e autorit, sipas të cilit romani është shkruar në burgun e Burrelit në vitin 1965, (as që kemi ndonjë dëshmi kundërshtuese), atëherë këtë vepër e vendosim në shtratin e diskursit të Ketmanit, për të cilin ka folur gjerësisht Ceslav Miloshi, kur ka analizuar krijimtarinë e shkrimtarëve në “demokracitë popullore”. Ai konstaton se shkrimtarët detyrohen të përdorin një diskurs me të cilin i fshehin idetë e tyre nga regjimi.
Në këtë përpjekje për të fshehur idetë e vërteta, janë bërë shumë eksperimentime stilistike, dhe janë bërë shumë shartime tematike, që edhe sot nuk mund të zbërthehen lehtë. Vepra “Brajtoni një vetëtimë e largët” është një shembull, por në letërsinë shqipe ka një numër jashtëzakonisht të madh të veprave që janë shkruar mbi këtë diskurs “mashtrues”. Mjafton të kujtojmë këtu poezinë shqipe të viteve të gjashtëdhjeta dhe të shtatëdhjeta në Kosovë, që pati krijuar “shtratin e modernizmit”, duke qenë në fakt një modernizëm i shpifur, një imitacion dhe esencialisht një fshehje e ideve nga censura. Më duket se ekzemplar tipik është vargu “cubi me harfë në krahë”, që nuk mund të mbulohet as me figurën e oksimoronit. Në poezinë shqipe të asaj periudhe ka më shumë lule, gjethe, sytha, se sa në kopshtin botanik më të famshëm. Ky leksik, më së shpeshti merr përsipër të bartë te lexuesi idetë për lirinë, për atdhetarinë. Por, duke u maskuar në mënyrë të skajshme diskursi poetik, më shumë përjetohet si deskripcion i natyrës. Në një rast, Esad Mekuli i ndjerë, më ka treguar vështirësitë për nxjerrjen e revistës “Jeta e re”, të cilat shkonin deri aty sa që tërë përmbajtja e revistës duhej të përkthehej në gjuhën serbe dhe të jipej vlerësimi nga Stanoje Aksiqi (ose ndonjë censor tjetër), para se ajo të botohej. Në rrethana të tilla është tërësisht e kuptueshme ajo varfëri tematike dhe stilistike e krijimeve letrare, pra ai shfytyrim i letërsisë shqipe. Por, sot duhet të thuhet se nëse në planin thjesht ideologjik, kanë pasur sukses të mashtrojnë censurën, në planin estetik më shumë kanë mashtruar veten se të tjerët.
Ka qenë një letërsi e krijuar me qëllimin e mbijetesës fizike të autorëve dhe të mbijetesës kulturore të një populli. Për të arritur këtë qëllim, autorët është dashur të fshehin idetë e veta dhe të krijojnë një sistem spekulativ të analogjive, të asocimeve, të shfytyrimeve mjaft të panatyrshme, si vargu që u citua më herët. Ky është një zbulim “origjinal” i shkrimtarëve shqiptarë në Kosovë po edhe në Shqipëri, megjithëse shumë më vonë se Ketmani, ajo metodë e përdorur nga revizionistët antiislamikë, që ishin mjeshtër për fshehjen e ideve të veta. Konti Gobino për Ketmanin e tyre ka lënë këtë definim:”ai që zotëron të vërtetën nuk duhet ta zbulojë veten, pasuritë apo emrin e mirë që ka, ndaj verbërisë, marrëzisë e çoroditjes së atyre që Zotit i ka pëlqyer t’i lërë në lajthim”.
Në romanin “Brajtoni një vetëtimë e largët’ Pjetër Arbnori, shkrimtar i burgosur, e zotëron të vërtetën-mjeshtrinë e shkrimit origjinal, por nuk e zbulon para gardianëve, policëve, prokurorëve, gjyqtarëve e komesarëve të lajthitur. Veten e shpall se është Gjon Krizi, veprën e shpall si një vepër angleze të përkthyer në shqip prej tij. Romani është i shkruar jashtë shemave të realizmit socialist, me një tematikë që u afrohet romaneve të zhanrit uikend, me një narracion të detajuar, stil të rrjedhshëm dhe kompozicion linear.
Mashtrimi që u ka bërë vepra censorëve të burgut, duke ua mbushur mendjen se vërtet është vepër e një autori anglez, nuk është pasojë e mosvigjilencës së tyre ideologjike. Ajo është rezultat i shfytyrmit të plotë të veprës nga ambienti, nga idetë, nga tematika dhe nga gjithçka që do të mund të lidhej me shenjat e jetës shqiptare.
Rrjedhimisht, romani “Brajtoni një vetëtimë e largët”, është një dëshmi e letërsisë së shfytyruar dhe të dhunuar shqipe. Kuraja e autorit për të krijuar letërsi edhe në burg, është kurajë njerëzore dhe krijuese, së cilës duhet hequr kapelën secili. I kam të freskëta në kujtesë dëshmitë e disa kolegëve poetë më të vjetër, të cilët përpiqeshin të na tregonin se “çfarë kanë dashur të thonë” me vargjet e tyre, për Kongon, për Vietnamin, për Lorkën, për Spanjën, për lulkuqet, për lumin… Ketmani i kishte shpëtuar nga ndëshkimi fizik, por sot krijimet e tyre të asaj fryme, të asaj shpërlarjeje, të atij shfytyrimi, vështirë kontekstualizohen në letërsinë shqipe si vlera të saj. Edhe ky është një tagër që i është paguar robërisë. Në rastin e Arbnorit dhe të shumë shkrimtarëve të tjerë të Shqipërisë, tagri i është paguar diktaturës komuniste.