Gazeta Nacional Albania

Mitko GOGOV: Poezia e Shaip Emerllahut, modernizimi i fjalës poetike burimore apo kur dytësorja merr një identifikim poetik të ri

Ta lexosh poezinë e Shaip Emërllahut do të thotë që me ndihmën e mënyrës maestrale të interpretimit të parimeve morale, filozofike dhe thelbësore të ekzistencës të udhëtosh nëpër kohë dhe hapësirë. Vargëzimi tek ai vjen natyrshëm, d.m.th. në mënyrë natyrale, por me një formë të ndërtuar dhe shumë lart të etabluar të të shprehurit. Vargjet e tij janë përplot formash humane dhe estetike lirike, heroike, epike, tragjike, jambike dhe erotike. Vargu i lirë tek ai është i çliruar prej normave klasike dhe standarde, di të të befasojë dhe të shtyjë në përsiatje.
Rreshtat përshkohen nga një vizurë historiografike, ndërsa shenjat kozmike dhe melosi shpirtëror ndërlidhen në kompozicionin që është i afërt me lexuesin. Në shikim të parë, e panjohura bëhet e këndueshme me një stil që dorëshkrimin e tij e bën autentik dhe unik. Përcaktimi etik dhe shoqëror është theksuar vetëm në momente kushtrimi, si një gjeografi poetike që e ndërton arkitektonikën poetike. “Troja e Kalit” është një poezi, në të cilën ai dilemat i vendos mbi tryezë. Ç’na mbeti nga mashtrimi, ushtima e tij apo ajo e kalit (parafrazoj), tregon se si jetojmë pranë të panjohurave me pasoja të pashmangshme dhe çfarë sfide paraqet për njeriun të jetë i pranishëm në një botë të tillë, për arsye se në fund për fitoren do të shkruajnë ata të cilët e kanë parë meteorin Lehma, si Erosi zhyten në afshin e dashurisë.
Vrulli krijues i tij është i fuqishëm, gjëmues, mospajtues, ndërsa narrativi me të cilin i skulpturon ngjarjet dhe çastet e ekzistencës, në mënyrë jotendencioze është kozmopolit dhe universal. Liria e imagjinatës në vargjet e tij ndërthuret me kreativitetin e dukshëm, por atipik dhe enigmatik të ngjarjeve dhe të copëzave të realizmit. Tek ai, detektohen postulate artistike, të cilat nëpërmjet impulsit të autorit shërbejnë për të gjuajtur magjikën subtile, por të fuqishme të harruar të gjërave. Tash je këtu, në Madrid apo në Gaetë, lulëzojmë në netët e ndotura dhe pikërisht atëherë, si kurrë më parë, jemi personifikim i qenies sonë!
Poezia e Shaip Emërllahut i zhvendosë standardet e poetikës, të vargëzimit në përgjithësi. Ai është rrëfyes tipik dhe autentik i cili luan me shpirtin, me qenien, i cili me shumë lehtësi i sendërton temat e përcaktuara si një sfidë, me mjeshtri dhe të sajuar paraprakisht i mbart elementet e vendosura, i zotëron shënjestrat e të pathënave, ndërsa simbolika është vënë në funksion të asaj që të thuhet edhe ajo për të cilën rëndom s’kemi fjalë për ta thënë. Kur historia të vihet në pasiguri poetike, të fillojë të sillet si determinues tipik, përkatësisht si krijues i gjërave, atëherë thelbi i saj, me ndihmën e formës e ofron tërësinë që dëshiron ta përcjellë poeti, ndërsa Shaip Emërllahu këtë e përcjell si amanet, në mënyrë plotësuese ngase fjala e tij është ndërtuar, kështu që lexuesi në momentin e leximit, është si një shpuzë e cila tërësinë poetike e absorbon në mënyrë intensive. Hamë mollë Tetove, ëndërrojmë apo bëjmë theror? Mos vallë ky është brezi ynë, po qe se jeta s’është dot një dhe a mund ta drejtojmë në mënyrë afirmative gishtin drejt fajtorit që ka mashtruar, pa qenë të sigurt se era nuk na ka sjellë negativa nga frymëmarrja e dikujt në të cilën guri peshon më shumë se ajo që mund ta mbartin në ditën e re, pa i rezistuar parapërcaktimit?! Konstruksioni bazik i simplifikuar nuk është veçse bazë e retorikës poetike që i tejkalon poret e asaj që është standarde dhe depërton në substitutin e asaj që e percepton njeriu, ndërsa shprehja është e baraspeshuar me përjetimet të cilat të panjohurën e interpretojnë si një tokë të njohur, që është e kundërta e terraincognita dhe pikërisht këtu bie në sy guximi i autorit që t’i shtrirë mendimet e veta nëpër horizontet e tij poetike të (pa)zbuluara.
Ideologjia estetike dhe vetë struktura me të cilat i ndërton kompozimet, si dhe vendosmëria humaniste që të prezantohet një botëkuptim i këtillë, janë ato që mbizotërojnë në vështrim të impulsit kulturologjik, përfshi edhe komponentët që e formojnë këtë spektër verbal metaforash dhe asociacionesh. Mundësitë e pafundme, zhvendosjet dhe/ose fitoret shpirtërore, vetë shpërngulja dhe/ose vjelja poetike të diskurseve letrare tanimë të ndërtuara, nxisin dhe japin shtytje për zbulimin e një materiali poetik të ri dhe të ndryshëm që nuk mund të fabrikohet, por thjesht shihet se është e krijuar nëpërmjet një përvoje (jetësore) personale. Skenat historike – filozofike, siç do të kishte thënë V. Benjamini, imponojnë habi, befasi, mbase jo në drejtim të shoqërores. Korrektësia dhe përgjegjësia politike, për nga rëndësia me ndikim në ndonjë njohje konkrete, sikur është në funksion të konstatimit se barra e jetës ka të bëjë me zbulimin e lirisë, duke i dhënë mundësi fjalës, si të tillë, që ta sundojë fatin tonë, duke na përkujtuar se mbajmë përgjegjësi për vetveten, madje edhe atëherë kur para vetes nuk e kemi pasqyrën. Vendnumërojmë kur ecim, apo ecim kur vendnumërojmë?
Poezinë e Emërllahut mund ta përjetojmë si lidhëse, si një stacion/frekuencë letrare në të cilën brendia e zbulon pafundësinë. Nëpër vargje, vazhdimisht lëvron evolucioni, transformohet, komunikon me lexuesin dhe ndërton platformë në të cilën njeriu bëhet zoompoeticum. Unë s’e di dot në ekziston kjo formë latine, por ajo gjithsesi e tejkalon pragun e tokësores, të asaj që është standarde, tanimë të njohur për njeriun e rëndomtë dhe që duke hulumtuar – rritet, që ndonjëherë është shqetësues dhe në momente përputhet plotësisht. Ai e zhvesh lëvozhgën e dhimbjes së tij, i eliminon problemet, në vargun apo në qetësinë e vezës mbjell jetën, ndërsa forca e tij i mbetet konsekuente vetvetes, që si njeri dhe si autor të pasqyrojë vlerën e vet poetike.
Mendimi i tij poetik i filtruar dhe i spastruar, gjithsesi ofron një përvojë imagjinatave të papërsëritshme. Poezia nuk kërkon gjykim final, por lëshohet në qiell si një katana. Si zhanër nuk ka tendencë për të qenë e deformuar, por është fakt se kur është cilësore, ofron mundësi më të mëdha interpretimi dhe polifoni në të lexuar.
Me këtë libër Shaip Emërllahu vazhdon të na tregojë se procesi krijues është i rëndësishëm. Po kështu edhe pozita e autorit, forcimi i esencës morale të shpirtit, teknikat e provokimit, por edhe vetë strategjia dhe procesi i udhëtimit nëpër (ab)normalen, e pranueshmja dhe e normuara si formë bazike. Vetë poezia e cila nuk ka tendencë që të karakterizohet apo të klasifikohet/të paracaktohet për të qenë rroll model, ekzemplar/shembull për ndonjë arritje kulmore, e me këtë edhe të çliruar nga tërë ajo barrë e panevojshme, e ka magjinë të jetë e afërt me publikun dhe pikërisht e tillë është poezia në këtë libër. E modernizuar, por me butësi tanimë të verifikuar. E gjerë si ujërat, e zhurmshme si valët, mistike si netët në të cilat vetmia zhytet në dejtë e vet ekzistencialë.
Me sjelljen e vet prej romantiku dhe qëndrimin konsekuent, Shaip Emërllahu përsëri na jep përgjigje për pyetjet tona të përhershme. Për këtë, në mos tjetër, duhet t’i jemi mirënjohës dhe gjithsesi të kënaqemi duke e lexuar.