Gilda Meleqi është rritur në qytetin e Delvinës. Ka mbaruar studimet e larta në Tiranë në degën e Informatikës dhe është diplomuar në Master Shkencor në pedagogji. Ka nisur të shkruajë vjersha që në moshën 10 vjeçare e nuk ka ndalur më. Në adoleshencë provoi të shkruajë prozë, ku u përshtat po aq natyrshëm. Ka botuar librin e saj të parë me poezi nën titullin “Do kthehem” dhe aktualisht ka në dorë një cikël me novela.
E LODHUR
Më lodh shiu
Që aq shumë ia dua
Notat e brishta
Kur furishëm më këndojnë fytyrën.
Më lodh dhe dita shpesh
Kur atë ç’kam dashur
Nuk e realizova mbrëmjes që shkoi.
Më tremb vetëtima
Frikë ngjall tek unë
Ideja që dhe qielli mund të ulërijë
prej dhimbjes
E zërin përkthen në dritë mbi dhe
Duke dashur të dëgjohet gjithkund.
Më lodh dhe poezia ndonjëherë
Se kjo jetë s’do më mjaftojë
Të nxjerr çfarë më mundon
e drithëron në shpirt.
Frikësohem prej territ
Se terr m’i sjell syve
E duket se çdo gjë fsheh
Dhe kjo është e padrejtë.
Më shumë më lodh vetja
Kur s’njoh zërin tim
E dëshirën e lodhur
nga nevoja për nevojë dot s’e shoh
Kjo është frika që më ndjell kob
Të jem diku e të mos di ku dreqin jam..
MONOLOG NE VETMI
Ka momente
Që tingujt e zhurrmshëm të shiut
S’i dëgjoj pastër
Litarët e qiellit më njollosin grykën
E më mbytin fjalët gjith’ zi
Pastaj vijnë momente
Që dashuroj vdekjen
me sy të zhgënjyer nga jeta
Dhe kur kaloj ditë të këqija si kjo
Kujtoj
Se jam stina e preferuar e Zotit.
GJYSMA
Dhe në djall sa herë të nis
Të kthej prap, dot s’të lë
Sytë e tu dua të jem
Që pa to të mos shoh më.
Jemi zënë e jemi sharë
Fjalë të poshtra të kam thënë
Pastaj malli na ka mar
Dashuri për të dhënë.
Kur rrëzohem dhe kur ngrihem
Bëhu ti vullneti im
Unë do bëhem dhembja jote
Qe dhembja ime të ketë shërim.
S’ta shpreh dot, por aq të dua
Po ta them një të vërtetë,
Unë marr frymë nga fryma jote
Jeta jote më jep jetë.
JA DHE PAK, DHE PAK
Po ç’natë e mbytur trishtim qe kjo!
Në çdo cep të dhomës erë gëzimi
shpirti bosh…
Telefoni i dehur nga fjalët e mira
zëri ngrirë..
Ja dhe pak, dhe pak
po ja, të presësh…
të presësh do të thotë të kesh shpresë
e të shpresosh do të thotë të duash hënën..
Shpresë hënash, oh ç’marrëzi!
E tani ç’bëj? Me një filxhan çaji në dorë,
pres të shoh pambukun të bëj zhurrmë
dhe të kalojë, dhe të iki..
që unë të kthehem përsëri…
Si dreqin nuk ngopemi kurrë ne qëniet frymore!?
FLETA TË KËRKON
Pa shiko, ç’u bë me ne kështu!
U bë kaq kohë pa të parë
Më thuaj diçka te shkruaj një poezi
Sot po bie shi dhe është ftohtë
Dhe ti e di se shiu më frymëzon gjer në palcë
E i ftohti më bën të derdh
kockat e shpirtit mbi fletë..
Hë, ma lodh pak penën sot
Pa më thuaj, mëngjesin si e kalove!?
Lodhe këtë qënie
Që vdes nëse s’vdes nga pak nga malli yt..
Po këto mbrëmje vallë, si i ke kaluar pa mua!?
Fleta të kërkon, poezia, jo unë..
Se u bë kohë pa të parë..
Hajde, lodhe penën time sot
Bëje fletën time të plogësht
Të ndjejë mall për ty…
Se unë po digjem nga ky dreq malli…
TRE
Për tre vite që nuk ditën të mbaronin
jetova shumë..preka shumë..pashë shumë
në vend të tavanit të bardhë
shihja fytyra pikëllimi të skllavëruara..
e të qarta prej padurimit..
pastaj i preka..ishin të vërteta
pastaj i jetova..
Çdo gjë ishte e pastër
e kuqe mes fletëve të oqeanit gri
iu përgjërova diellit të më puthte trupin
e hënës të më trajtonte si diçka me vlerë
por retë më merrnin frymën
e më vidhnin sytë e dëshirat
e ndjeja dashurinë e nevojës
stacione të gjata larg, larg trupit tim
Për tre vite me rradhë
jetova më shumë se një jetë..
por isha e lumtur..
pastaj zgjohesha dhe flija,
zgjohesha dhe flija..
Dhe flija..
por isha e bukur..
dhe isha e lirë..
DROGA MË E BUKUR
Ti ishe droga më e bukur
Që mendimet m’i ngrije në ekstazë
E trupin mbi qiell
Të lirë
Duke u valëvitur si pendë oqeani
E pirë yjet gjithë dëshirë
Isha nota më e lodhur e lumturisë që më fale..
Se ajo lumturi u bë himni më i bukur
E gjërat e bukura të lodhin, pastaj të vdesin…
Ç’mund të sillje më pas kësaj?
tingujt e tu
do mungojnë dhe nëse kalojnë
Njëmijë jetë të tjera
Me dëshira të tjera
Me puthje të reja
Me njerëz të tjerë
Ti ishe dëshira më e dëshiruar
Dhe unë e dija që në fillim
Që do bëheshe historia ime më e bukur,
Më e lirë..
Mes lirisë që pata..
Dhe unë shkrova shumë për ty…
AJO MË SJELL ËNDRRAT
Errësira më ndjell kob
gjithmonë i jam frikësuar buzëve të saj
sapo më afroheshin në dritare e shtrat
por ishte një frikë e bukur
vonë e kuptova..
më pëlqente e dot s’rrija pa të
ajo më sillte një vete te kaluar
nga larg, nga shumë larg
AJO MË SILLTE ËNDRRAT..
Ëndrrat gjithë ngjyra
që përherë kanë qënë dembele
e gojën nuk e lagnin kurrë
Ëndrrat që i dua kaq shumë..
m’i sjell frika ime më e madhe..
tani kam filluar ta dua më shumë terrin
se vetëm këtu ëndrrat kanë gojë e flasin
e unë behëm memece
dëgjoj e vuaj babëzinë e tyre..
e di që unë mungoj..
nëse ato do mund të flisnin
do preferoja të jetoja mes frikës
LAMTUMIRË S’KA
S’mund të them se të kam harruar
Se çdo mbrëmje të kujtoj
Mëngjesi më gjen të përmalluar
Vetes të kujtoj s’mund t’ja pengoj.
Po s’ka lamtumirë o njeri i mirë
Ndryshe mungesës, kujtimit s’do u dinim emrat
Ngushëllojmë veten me fjalën lamtumirë
Kur shtrëngatat e zemërimit na rrudhin zemrat.
Lamtumira për mua është si sendi
Pa frymë, pa gjak, pa emër, e pa vlerë
Ndërsa mungesa si fluturimi i një shpendi
Që kujtime na sjell e copëza na merr.
PASQYRW
PASQYRË
Unë jam oqeani
e ti uji im i freskët
që më mbush mushkëritë
unë jam venat e tua
e ti je detet e gjallë
që më ushqejnë barkun e gojën
unë jam fytyra, trupi, ëndrrat
e ti je shikimi, dëshira, i ftohti
puthjet e dehura..
kam një grua brenda vetes
dhe ajo je ti
e bëshme dhe e bukur
Çdo mëngjes ngrihesh me mua
dhe puthim perdet diellore
me buzët e mia
E dashuri bëjmë të dyja
Me trupin tim
po ti je brenda meje
ti je unë
s’duhet të të zhgënjej
unë jam ti
unë eci me ty mbi çdo kapak
Çdo kapitull të qelqtë e bëj me vrap
se me detyron ti
unë jetoj per qëllimin tënd
dëgjo se unë të dashuroj
ti më ke shkruar mua
e unë tani shkruaj për ty…