Gazeta Nacional Albania

Mr. Dragana Evtimova: Libri “Troja e Kalit” i poetit Shaip Emërllahu apo kaleidoskopi i kohës

Forma poetike e përmbledhjes “Troja e Kalit” e poetit Shaip Emërllahu është një provokim tipik për lexim, por njëherazi edhe për interpretim. Në këtë libër poetik, poezia është një urë midis poetit/lexuesit dhe botës, kështu që është një sfidë e vërtetë të zhytesh në rrugëtimin poetik të poezisë së Shaip Emërllahut.
Nga pikëpamja e stilit dhe e semantikës, vërehet se poezitë përmbajnë një shprehje të dendur dhe sentenca të ngjeshura, duke fituar kësisoj në fund të poezisë, konsistencë dhe proverb apo mendim urtësie, ku format e papërsëritshme kanë në dispozicion një konkluzion poetik origjinal. Libri poetik fillon me poezinë “Troja e Kalit”. Është poezia, e cila e mban titullin, që e mban edhe libri. Në këtë mënyrë, për lexuesin i cili ka vendosur të udhëtojë nëpër vargjet e librit, kjo paraqet një depërtim të zhdërvjellët në aventurën poetike bashkë me poetin, duke e inkorporuar lirinë individuale në shprehje, duke ia bërë me dije lexuesit tekstualisht se ç’dëshiron dhe me këtë e josh që të pajtohet me zërin narrativ të poetit: “ç’na mbeti nga Troja/përpos kalit/me djallëzinë e mashtrimit”, thotë autori në poezinë “Troja e Kalit”.
Secila poezi e ka dinamikën e vet dhe formë të ngjeshur hermetike, gjë që është sinjifikues i llojit të vet, i cili në asnjë mënyrë nuk është kufizues, përkundrazi: Para lexuesit hapet një botë e tërë mendimesh dhe dilemash, ndërsa hapësira është e gjerë dhe e pafund, përplot domethëniesh. Pikërisht origjinaliteti i këtij libri poetik është prezantuar nëpërmjet pranisë së formave poetike joklasike. Përkundrazi, në poezitë e veta autori ka vendosur t’i jepet lojës magjike të fjalëve, me të cilat e krijon perceptimin personal, si për shembull në poezinë “Kur dukja shembëllen vallëzimin e yllit”. Me fjalë të tjera, këtu bie në sy fakti se pjesa më e madhe e poezive u ngjajnë fragmenteve-haiku, ku nëpërmjet një përfundimi të shkurtër shpaloset përsiatja poetike personale:

kur tërmet ju merr shpirti
e thehen leqet nga kjo idhtësi ikjepoeti
çelni një poezi,
me zë…

Poeti do ta ndijë oshëtimën e saj
meteorshi do të shfaqet
në hapsirën e meskalimit
Lamtumirën duhet thënë

Gjithsesi, poezia dhe autori gërshetohen me njëri-tjetrin dhe fillojnë të jetojnë jetën e tyre të mëvetësishme dhe të pavarur, natyrshëm mu si frymëmarrja, origjinalë dhe të çliruar nga koha, e megjithëkëtë, thellësisht besnikë ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj vetvetes. Peizazhi i këtillë i shpirtit poetik është një lloj lufte individuale. Poezitë frymojnë në ritmin e kënaqësisë së vet estetike, të derdhur në vargje, më në fund, të përkthyera edhe në gjuhën maqedonase.
Në poezi nuk kemi numër të madh fjalësh. Përkundrazi, vizualja përbëhet prej strofave të shkurtra si dhe nga porosia e ndërtuar në mënyrë të zakonshme dhe adekuate. Transparenca poetike fuqishëm është strukur në strofullin e ekzistimit të pakufizuar të shekujve. Vargjet flasin për Trojën dhe ekzistimin autentik të saj, për gjetjen e rrëfimeve nga hapësirat e paarritshme dhe për përkohësinë e poetit përballë kohës, por njëherazi edhe për kënaqjen me konstatimin mbi ekzistimin e pakufizuar të Trojës ndër shekuj. Edhe pse vitet sjellin pleqëri, por si duket kjo nuk vlen për Trojën. Ky është çasti kur poeti bashkohet me Trojën dhe poshtë qiellit të kaltër lidhet me pafunëdsinë e së përhershmes, mu aty ku frymon jeta. Troja, në të cilën nuk ekziston dot kufizimi, e pasqyruar si një objekt dhe subjekt lirik, kështu që në poezinë “Asgjë s’mbetet pa negativ”, poeti thotë: “edhe gjëja më e imtë / lë gjurmë anatomike”. Metafora me Trojën është një formë e udhërrëfyesit historik për lindjen e jetës, që na lë pa fjalë, ndërsa Troja, vetvetiu është provë e glamurozitetit të vet. Po qe se nocioni art ka të bëjë me kreativitetin e një artisti, poeti, atëherë “Troja e Kalit” është një dhunti spontane e poetit Shaip Emërllahu për forcën që të ruhet e pathëna dhe të shndërrohet në determinant të përkryer të historisë. Mbase kjo është mundësia më e mirë e ruajtjes së qetësisë dhe e ngjitjes në shkallë më të lartë, në mënyrë që të përcaktohet rruga e paepur në mendimin historik. Perspektiva kreative e Shaip Emërllahut e potencon përkohësinë e jetës si dhe dëshirën e fuqishme të poetit për t’u bashkuar me shkëndijën, të pashuar ndër shekuj: “mos më fal / Zoti është i madh”, thotë në poezinë “Kohë e humbur”, përkatësisht dhimbjen e përkohshmërisë së vet, siç ka ndodhur edhe me Gilgameshin, por te “Troja e Kalit” s’ka dot kufizime, por prandaj kufizimi është i pranishëm kudo, madje edhe te jeta vetë. Poezitë janë kombinime të imazheve peizazhesh me karakter deskriptiv dhe mishërim i tokave të thella. Ngjeshmëria hermetike e poezive është përplot theksimesh të përkohshmërisë së njeriut, por edhe theksim i vetmisë sonë. Kësisoj, poeti ia del plotësisht që të na kthejë në fillim, aty ku ndjehet dëshira e zjarrtë për epërsi, për jetën mbi çastin afatshkurtër të një kënaqësie retrospektive. Poezia e Shaip Emërllahut është e çliruar nga të gjitha normat tradicionale dhe në poezitë e tij dominon tërësish transparenca dhe thjeshtësia e gjërave, fluidja dhe perceptimi për ta analizuar dhe për ta zbuluar botën si dhe lufta për katarzis personal. Pa anashkalime, paragjykime dhe pa dekorime, duke u zhytur thellë në vargje si për një hulumtim të vogël, arrijmë të depërtojmë në fragmente të rëndësishme të jetës.
Në stilin e Shaip Emërllahut mbizotëron qetësia, si dhe njohja shqisore për perceptimin e jashtëm të botës, si një pasqyrë, në reflektimin e së cilës ndërthuret qartësisht teksti vizual dhe verbal, gjë që tërthorazi dhe pa kufizime, ngjall kërshërinë e lexuesit. Sapo fshihet, sakaq rishfaqet autoportreti i Trojës dhe në të njëjtën kohë ekzalton në heshtje, si në poezinë “Bileta për cirk në TV”, me vargjet: “dil, dil, dil / bëj bileta bindëse nga cirku”.
Arti nuk njeh kufij, ndërsa fjala poetike është e pakufishme, fleksibile, zhbirues dhe elastik, ndaj poezia e Shaip Emërllahut mbjell ndjenjën e kënaqësisë te lexuesit, si shqiptarë ashtu edhe maqedonas. Tani “Trojën e Kalit” e kemi të përkthyer edhe në maqedonisht nga Remzi Saliu dhe Ahmet Selmani. Urime!