Gazeta Nacional Albania

Muhamed Kërveshi: QENI PA GJUMË, POEZI

NËSE

Nëse
kemi folur për dashurinë
-është rritur

Nëse
kemi shkruar për dashurinë
-është zbukuruar

Nëse
kemi përqafuar dashurinë
-na ka dhuruar ngjyrën e saj

Nëse
kemi qarë për dashurinë
-na i ka fshirë lotët.

DARDANIA

Ecën
me shikimin tonë

heton
hapat tanë
mbi kurrizin e saj

fle
me gjumin tonë

Dardania varr i madh
i stinëve.

TOKA JONË

Toka jonë
ka pirë gjak tonin

i ka ujitur
fidanet në qiell

TOKA JONË.

QENI PA GJUMË

Sonte
Xhufin tim
s’e merr gjumi

në kopsht shumë hije

qeni leh në hije
këto rrinë prapa pemëve
të mos i shohë askush

u merr erë
u afrohet t’i kafshojë

hijet me shumë këmbë.

mars, 1999

NGJYRAT E LOTIT TË NËNËS

Të hënën
loti ka ngjyrën e bardhë

të martën loti ka ngjyrën e kuqe

Të mërkurën
e ka ngjyrën e zezë

Të enjten
e ka ngjyrën e kaltër

Të premten
e ka ngjyrën e gjelbërtë

Të shtunën
e ka ngjyrën e kaftë

Të dielën
e ka ngjyrën e Kosovës

maj, 1999

LIRIKA E PLAGOSUR

Herë dënes
herë vajton

herë pikëllohet
herë qan

herë kërruset
herë ecën me kukëza

herë i shihen lotët
herë kapet për shtylla kaltrie.

ESHTRAT TANË FLASIN

Kudo
eshtrat tanë

kur
ecin mbi ta
lëvizin
gjëmojnë

i afrohen njëri-tjetrit

në Ballkan
(edhe gjetiu)
eshtrat tanë
e thërrasin
njëri-tjetrin

eshtrat tanë të shkapërderdhur

në dashurinë tonë
flasin me Kosovën.

SHIRAT PËRTEJ KOHËVE

Rrugë e gjatë e shirave

shirat takohen
shirat flasin

shihen përtej kohëve

zëri i lotëve prek lartësitë
nis vajin dita e plagosur në zemër

rruga
zëri
dhe dita
shihen në pasqyrë qielli

ju dua zogj
-hapni dritare
në shi
në kohë
dhe në dashuri

shirat përtej kohëve
xherdan i stinëve të etura

i stolisin ishujt e dhembjes
me shikim gjelbërimi

dashuria jonë
dy aorta
dy paralele

në shira përtej kohëve
në det të mërzisë
shirat flasin
me diell, me yje në kopshte pikëllimi
Perëndimi fole mërgimi.

MOTRA SHKODËR

Motër Shkodër
sytë t’i shohim
në kodër

ti e sheh veten në Drin

sa të kemi afër
edhe yjet e din’

sytë e tu kopsht
shikimi yt gjelbërim

me vete të kemi pasur edhe në mërgim

Shkodër motër
e dashurisë votër.

DITA TEATËR

Sot
dita është
teatër i madh

pikëllimi
dekor

stinët
aktor’

kori i zogjve
prolog i tragjedisë moderne.