Gazeta Nacional Albania

Muharrem Kuçana: SHKOLLA E TROPOJËS, NJË JETËS E MBUSHUR ME SHPRESA, PASIONE E DËSHIRA TË MËDHA PËR PUNË

SHKOLLA E TROPOJËS, NJË JETËS E MBUSHUR ME SHPRESA, PASIONE E DËSHIRA TË MËDHA PËR PUNË

Nga Muharrem Halil Kuçana

Edhe pse ka kaluar shumë kohë, gati një gjysëm shekulli, m’u zgjua kujtesa për atë pjesë të jetës time të mbushur me shpresa, pasione e dëshira të mëdha për punë të palodhur e krijuese, në shërbim të edukimit të të rinjve tanë dhe vendit.
Ishte viti 1977 kur mbarova Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Dega Fizikë me rezultate të larta dhe me formim solid, kur më caktuan të punoja në shkollën e mesme të Tropojës. E ndjeja që kam vullnet dhe mundësi për të ndërtuar një skemë afatmesme për të modernizuar metodat e mësimdhënies në shkollë. Ajnshtajni i madh ka thënë: “Mjeshtria më e madhe një mësuesi është të zgjojë tek nxënësit gëzimin për njohuritë e reja dhe punën krijuese”.
Meqenëse në fillim u emërova Zv.Drejtor për Bazën prodhuese kisha disa detyrime dhe mundësi për të bërë diçka më shumë nën nxitjen e metodave krijuese të mësimit e të eksperimentimit shkencor. Në shkollë gjeta një klimë pozitive pune për futjen e elementëve të rinj në metodat e mësimdhënies, duke e pasuruar bazën materiale e didaktike. Për këtë kontribut të madh ka dhënë mësuesi i agronomisë Ali Bajraktari i cili punonte pa u lodhur për ngritjen e kabineteve të lëndëve profesionale si pemët frutore dhe bimët e arave dhe të nxiste experimentimin shkencor në bazën prodhuese. Së bashku ngritëm serat me ngrohje diellore për herë të parë në Shqipërinë veriore. Shumë shpejt u bënë një bazë eksperimentale ku nxënësit punonin plot pasion e disiplinë shkencore. Pajisja e shkollës me laboratorët e Fizikës e Kimisë nga më modernet për kohën, krijuan mundësi për një punë mjaft të kualifikuar me kolegët e mi Jozef Bushati një mësues shembullor dhe shumë i edukuar si dhe më vonë me kolegun tjetër Osman Preçi.
Me kolegun Idriz Kosumi mësuesi i Biologjisë dhe Kimisë bëmë një planifikim të plotë për ndërtimin e laboratoreve dhe kabineteve të Biologjisë. Një vit më vonë ndërtuam kopshin botanik e bimët kryesore nga zonat alpine si dhe nga zonat e ulta dhe shumë shpejt u bë një bazë e rëndësishme didaktike për lëndë profesionale duke kultivuar 279 bimë nga më të rrallat dhe interesante për t’u studiuar. Kujdes i veçantë i tregohej anës përmbajtësore të gjitha hapësirave dhe didaktike si dhe kabineteve, laboratoreve, kopshtit botanik, kopshtit të koleksioneve. Krahas këtyre aspekteve në çdo detaj i kushtohej vëmendje për paraqitje të qartë estetike dhe përmbajtësore.

Në vitet 1979-80 u shënua një hap cilësor në të gjitha drejtimet e punëve në shkollë, filluam mbrojtjen e diplomave nga maturantët me temat e eksperimenteve shkencore në bazën prodhuese. Në shtator të vitit 1980 vendosëm për të festuar 10-vjetorin e shkollës. Kjo na shërbeu për të mobilizuar të gjithë kolektivin e shkollës në planifikimin dhe përgatitjen e veprimtarive të rëndësishme shkencore, kulturore, artistike, e fiskulturore-sportive. Gjithë planifikimi, organizimi dhe përgatitja e veprimtarive filloi një vit më përpara e gjithë kjo periudhë një vjeçare shërbeu në ngritjen në një stad të ri të të gjithë jetës së veprimtarisë së shkollës.

NGRITJA E EKIPIT TË VOLEJBOLLIT TË TË REJAVE TË SHKOLLËS
Ishte shtatori 1980, në bisedë të lirë me mësuesin Shpend Hoxha të edukimit fizik diskutuam për mundësinë e krijimit të një ekipi në shkollë që të përfaqësojë rrethin në kampionate kombëtare të kategorisë së parë. Pasi e analizuam se cilat ekipe ishin të ngritura ne B.Curri, vendosëm ekipin e të rejave ne volejboll. Pas seleksionimit që u bë në klasa të ndryshme organizuam mbledhjen e themelimit në klasën e katit të parë sapo hynë në hollin e shkollës në krah të majtë. Në mbledhjen e parë morën pjesë: Bukurie Muhametaj, Fatbardha Berisha, Elvira Mellaj, Rushe Çelaj, Shefkie Agaj, Hajrie Iberhasaj, Nushë Çelaj, Nazmie Dushaj, Lena Qerreti, Hasime Berisha, Vjollca Rrustaj,
Fatbardha Memia, Fatmira Mustafaj, Majlinda Matoshi ejt. Këto vajza ishin nga zona të ndryshme të Tropojës, Babinës, Sopotit etj. Pasi mbajta një fjalë të shkurtër për qëllimin dhe rëndësinë e ngritjes së këtij ekipi dhe duke protokolluar krejt zhvillimin e mbledhjes themeluese u caktuan objektivat, strategjia dhe të gjitha masat që për një afat 3-vjeçar të arrihej kualifikimi për kategori të parë. U përcaktua që të fillohej stërvitja menjëherë duke siguruar uniformat, bazën materiale dhe mjetet e nevojshme. U vendos që për asnjë arsye të mos ndërpritet stëvitja asnjë ditë dhe të shtunën pas stërvitjes të bëhej analizë e plotë e mbarëvajtjes së punës së ekipit gjatë javës. Drejtoria e shkollës me trajnerin dhe ekipin morën të gjitha masat për sigurimin e kushteve për të lehtësuar sa më shumë kushtet e përgatitjes fizike, teknike për një rritje të nivelit cilësor të ekipit. Në vitin e parë stërvitja vazhdoi pa asnjë ndërpreje, pa asnjë sallë të mbyllur apo palestër shpesh duke hequr dëborën nga fusha e volejbollit. Në fund të vitit të parë, turi kualifikues u zhvillua në Burrel në Maj, paraqitja e ekipit ishte e mirë duke zënë vendin e dytë në grup. Kjo bëri që ekipi të inkurajohej e të nxitej për punë të mëtejshme. Drejtoria e shkollës me besim në suksesin e këtyre të rejave bëri gjithçka për të vlerësuar punën e tyre individuale dhe kolektive. Në vitin e dytë faza kualifikuese u zhvillua në qytetin e Korçës për një javë, ku ekipi ynë u paraqit mirë por nuk arritëm kualifikimin për në kategori të parë. Në verën e këtij viti arritëm të sigurojmë grumbullimin e ekipit në Valbonë. Që të kishin kushte sa më të mira klimaterike e natyrore si dhe një trajtim ushqimor sa më të mirë. Pas një muaji ekipi nën drejtimin e trajnerit Shpend Hoxha bën një përgatitje cilësore fizike, teknike dhe taktike që i shërbeu për t’u ngritur një një stad të ri. Duke vazhduar stërvitjen sistematike edhe për një vit erdhi momenti që të zhvillohej turi kualifikues në qytetin e B.Currit në Maj të vitit 1983. Ky tur zgjati një javë. Në grumbullim morën pjesë disa ekipe që luftonin për kategori të parë. Ndër këto ekipe ishte edhe ekipi i Burrelit i cili kishte vite që ishte pretendent kryesor për kategori të parë.
Fillimi i turit po ndiqej me shumë interes nga banorët e qytetit e B.Currit pasi ata nuk ishin të informuar mirë për pjesëmarrjen e rrethit tonë në këtë grumbullim. Me fitoret e njëpasnjëshme të ekipit tonë u shtuan masivisht ndjekësit dhe ditën finale kur do të zhvillohej ndeshja përcaktuese për ekipin tonë u mbodhën mbi 10.000 me një entuziazëm të paparë. Në këto rrethana në stadiumin e lojërave me dorë, filloi ndeshja midis ekipit të Burrelit dhe të Valbonës. Entuziazmi ishte i zjarrtë. Seti i parë dhe i dytë fatkeqësisht humbën me rezultat të ngushtë. Seti i tretë filloi jo mirë duke udhëhequr ekipi i Burrelit dhe arriti rezultati 14-3 për Burrelin, pra u duhej vetëm një pikë për të fituar setin e tretë dhe krejt ndeshje 3-0. Ndodhi mrekullia, çudia e paimagjinueshmja pas një pushimi të shkurtër të ekipit tonë dhe një mobilizimi të madh nën ovacionet e fuqishme të publikut të pamasë ndërroi rrjedha e lojës. Shërbim mbas shërbimi dhe pikë mbas pike arritëm barazimin 14-14 dhe pas një kombinimi të mrekullueshëm u fitua seti i tretë. Filloi seti i katërt me një entuziazëm të paparë me mijëra shikues me emocione të papara ngritën në një shkallë më të lartë të mobilizimit dhe sakrificën ekstreme dhe në fund u arrit barazimi me sete 2-2. Në setin final që ishte seti më dramatik me një lojë brilante dhe organizim perfekt rezultati pikë mbas pike më në fund u finalizua 16-14 për ekipin tonë dhe krejt ndeshja me rezutatin 3-2 për ekipin e Valbonës. Rezultat me përmbysje të plotë i papritur dhe i befasishëm që atë ditë të majit të vitit 1983 që shënoi një datë në historinë e sportit të lojërave me dorë duke dalë në finale me Vllazninë e Shkodrës.
Në datën e caktuar shkuam në Shkodër me ekipin dhe trajnerin Shpend Hoxha të bindur që do të zhvillojmë një ndeshje të bukur dhe do të kualifikoheshim. Dhe kështu ndodhi. Ndeshja u zhvillua në pallatin e lojërave me dorë në Shkodër, sot Kisha e Madhe. Të pranishëm ishin shumë tifozë shkodranë dhe shumë pak ndjekës tanët. Megjithatë pas një ndeshje të bukur dhe formës së shkëlqyer të zhytëseve tona Elvira Mellës dhe Fatbardha Berishës që shkëqyen fituam me rezultatin 3-1. Kështu pa u bërë akoma tre vite nga krijimi i ekipit u kualifikuam për kategorinë e parë. Ngjarja u përhap menjëherë në mjetet mediatike dhe në gjithë opinionin sportdashës të Tropojës. Edhe sot i nderojnë me respekt ato vajza shkolle të palodhura të sakrificës të nderuara nga të gjithë.
MBRËMJE E PAHARRUAR

Të gjitha mbrëmjet e maturave në shkollën tonë bëheshin të bukura dhe prodhonin emocione të forta, por njëra prej tyre më ka mbetur në mendje.
Shiriti i vjetër 38 vjeçar i kujtesës sime i pluhurosur fillon të rrotullohet ngadalë si një ëndërr e jetësuar e nxënësve të mi të mrekullueshëm të maturave të vitit 1985. Ishin dy matura të shkëqyera të zooteknisë dhe një i agronomisë. Më ringjallën emocione të forta që më dridhnin gishtërinjtë shkronjat më dalin si hieroglife, prandaj shtyj emocionet e mia në sfilatën e reve dhe zhytem në pirgun e letrave të mia.
Po zhvishem nga shqetësimet nga hidhërimet apo nga kthesat e papritura. Jeta e shkollës ishte e bukur. Kujtoj ëndrrat e bukura që kishin maturantët për të organizuar mbrëmjen e maturës të vitit 1985. Mësuesit kujdestar të këtyre maturave Ali Bajraktari, Zenel Mulgeci dhe Qazim Basha bashkë me nxënësit e tyre kishin disa muaj që mendonin se si do të organizonin më bukur e më të begatë mbrëmjen e maturës. Kishin menduar deri në detaje si do ta dekoronin sallën e madhe që sapo ishte mbaruar e re qe ishte palestra e shkollës. Kishin siguruar dhjetëra qilima e sexhade për t’u shtruar e veshur muret. Ishin caktuar se kush do të gatuante nëpër shtëpi gjëra të rralla si pite me rrathë, fli si dhe fruta të stinës. Ishin caktuar njerëzit për të sjellë dëborën nga bjeshkët me të cilën do ftoheshin pijet. Ansambli i shkollës po përgatitej me program artistik të kombinuar me programin e maturantëve. Kishim të ftuar këngëtaret e njohur të Hasit. Kësaj atmosfere të gëzueshme dhe festive iu bashkuan të ftuar nga Kom.Ekzekutiv i rrethit Bajram Neza, anëtari Komitetit Qëndror Rrahman Hanku nga Komiteti i Rinisë, shefi i seksionit të arsimit Mal Buçpapaj etj. E kujtoj atë natë të mbushur me gëzime me hare nga të gjithë sidomos maturantët që e kishin mbëmjen e jetës ku do të këndonin kërcenin dhe vallëzonin. Kështu së bashku nuk do të ishim më, do nisnin një rrugë tjetër, rrugën e jetës me besim e shpresë për të ardhmen. Dhe kështu mbrëmja vazhdoi sipas traditës gjithë natën deri në mëngjes, me një atmosferë gjithnjë e më melankolike. Dalëngadalë mbrëmjes po i vinte fundi dhe do ndaheshin nga njëri-tjetri shokë e shoqe mësuesit nga nxënësit e tyre të dashur. E pas kaq shumë vitesh do kujtojmë jetën e shkollës për kënaqësitë e shumta, për gazin, për mbrëmjen e vitit të ri dhe ekskursionet e bukura. Do të kujtojmë një vështrim të ëmbël një ledhatim apo kompliment e për… e kush i kujton të gjitha. Ju nxënës kujtoni edhe çastet e vështira dridhjet përpara një provimi kur keni bërë ndonjë gabim të vogël e kur jeni qortuar. E bukura në jetën e shkollës është e lidhur ngushtë me shqetësimet. Shqetësimet e sotme janë skicat e se ardhmes janë deftesa e ndërgjegjes sonë. E kështu me përqafime e me lot i përcollëm maturantët e dashur për të mos u mbledhur më si atë natë. Por i kujtojmë me nostalgji e me mall.
Aksioni në Dobrej
Pas një përgatitje dyditore me 2 Korrik 1985 u organizuam rreth 60 maturantë dhe vetëm unë si drejtues dhe si stazhier për kandidat partie. U nisëm me dy kamionë të Kooperativës Bujqësore për të arritur në majën e Dobrejt ku do të punonim një muaj për ndërtimin e një Lere (ujëmbledhës). Ishte fillimi i korrikut vapa sapo kishte filluar. Pas një ore arritëm te Kroi i Qafës së Luzhës, u ndalëm për pak pushim dhe u freskuam. Vazhduam dhe pas pak filluam të ngjiteshim në shpatet e Dobrejt. Malorja ishte e madhe dhe me kthesa të forta megjithatë arritëm mirë. Ishte një pamje panoramike me pyje të harlisura ahu, lisi,frashëri, një luginë e vogël si livadh ishte e rrethuar me lloj-lloj shkurresh si shkemza, mlleza, krekca. Në mes të luginës ishte një pus uji i thellë. Një vajzë zhyti kovën dhe mbushi plot me ujë të ftohtë, u freskuam dhe shuam etjen. Të befasuar me këtë pamje të bukur pasi pushuam pak bëmë një shëtitje duke u ngjitur në shpatin me rrugë këmbësore dhe arritëm në një nivel tjetër me horizont më të hapur prej ku dallohej maja e Dobrejt. Poshtë majës ishte një repart ushtarak dhe poshtë repartit shtrihej një fushë e madhe në formë amfiteatri plot me bar e lule. Shëtitëm për pak kohë dhe u rikthyem përsëri te vendi ku do të ngrinim kampin me tendat që kishim. Kampin vendosëm ta vinim afër pusit të ujit në një lëndinë që ndodhej në mes të pyllit. Me punë të pandërprerë arritëm që për dy orë të ngrinim të gjitha tendat e sistemuam ambjentim dhe shumë shpejt u adaptuam me vendin dhe strehimin që realizuam. Një djalë i ri rreth 24 vjeç ishte caktuar nga kooperativa bujqësore që të na furnizonte me ushqimet dhe mjetet e nevojshme. Pasi kaluam një natë të qetë një vend të bukur dhe të freskët u ngritëm, hëngrëm mëngjes dhe filluam punën që e kishim shumë afër rreth 100 metra larg. Piketuam Lerën dhe filluam gërmimet me kazma dhe lopata dhe një pjesë grumbullonin gurë për t’i vendosur në digën e Lerës dhe skarpatat e saj.
Pasi mbaruam orarin e punës me shumë rendiment dhe me një entuziazëm të madh filloi zbatimi i regjimit të pushimit dhe organizimit të kohës së lirë. Ç’është e vërteta nuk po e ndjenim lodhjen. Dita ishte e gjatë vendi ishte i bukur si bjeshkë me freski dhe klimë shumë të mirë. Mbasdite djem dhe vajza organizoheshin në aktivitete të ndryshme sportive si volejboll, futboll, lojëra të tjera me letra dhe domino, dikush lexonte. Një nga vajzat, Shpresa Lusha si e mësuar në fshat merrej me mjeljen e një tufe të vogël delesh 15~20 kokë që i zinte në një mriz aty afër iu merrte 2~3 litra qumësht dhe thoshte: Do t’ua bëj përshesh duke bërë shaka. Natën nuk flija nga meraku ishin rreth 60 djem e vajza që flinin në mes të pyllit në çadra. Shpesh kisha një farë stresi nga meraku se mos na ndodh ndonjë gjë e papëlqyeshme. Në çdo mëngjes isha i pangopur me gjumë dhe megjithatë shkoja në punë, përpiqesha të qëndroja gjithmonë aty. Por djemtë dhe vajzat e kishin kuptuar që isha pa gjumë dhe më thoshin: Drejtor shko ti të çadra se në punojme vetë, e kështu detyrohesha të kthehesha për të pushuar. Një ndër ditet maturantët kishin planifikuar një ndeshje futbolli në fushën që ndodhej sipër kampit. Pasi u organizuan bashkë me vajzat u nisën dhe shkuan për të zhvilluar ndeshjen. Unë këtë herë qëndrova në çadër për t’u çlodhur. U shtriva me fjetë nja një orë, ndërkohë po afrohej muzgu dola jashtë dhe nxora një kovë ujë nga pusi për të pirë dhe freskuar. Kampi ishte i qetë dhe pa asgjë njeri përveç meje. U solla rreth lëndinës dhe u futa sërish në çadër. Ndërsa po qëndroja brenda dëgjova disa zëra që vinin nga lart prej fushës së futbollit. Dola jasht, zërat filluan të afroheshin dhe u bënë më të fort, ishin britma të çuditshme dhe të trishtueshme. U nisa me vrap rrugës malore për te fusha. Duke u afruar u ndesha me disa djem e vajza që po vinin poshtë me vrap duke u çjerrur dhe shkul flokët, disa shtriheshin për toke duke bërtitur. Më pushtoi një trishtim i madh nuk po e dija se çfarë kishte ndodhur. Në mes të një lemerie të paparë kurrë mësova se njërin nga maturantët e kishin vrarë aksidentalisht. Në kohën kur zhvillohej ndeshja një ushtar roje në shërbim në largësi rreth 300 metra nga fusha i hutuar duke parë ndeshje luan me armën e varur në krah e shkrep atë dhe fatalish godet në kokë maturantin Ali Buça. Një djalë i shkëlqyer, punëtor, i sjellshëm shumë i urtë dhe fatkeqësisht djalë i vetëm dhe jetim. Kjo ngjarje fatale më tragjikja që më kishte ndodhur deri atëherë më tronditi. Isha i pamësuar me befasi të tilla i trishtuar dhe i hutuar nuk dija ç’të bëja. Ishte errur nata, djemtë e vajzat ishin përfshirë nga një histeri kolektive. Duke u shtrirë për toke e duke goditur me grushta e ulëritur me të madhe. Në errësirën e natës u nisa i vetëm për të reparti ushtarak pasi takova komandantin e repartit njoftuam menjëherë Komandën e Brigadës, Degën e Brendshme, Komitetin e Partisë, Komitetin Ekzekutiv dhe Komitetin e Rinisë. U riktheva tek çadrat për të qetësuar maturantët po ishte e pamundur, po prisnim ardhje e njerëzve nga B.Curri, organet shtetërore dhe shoqërore që të na ndihmonin në administrimin e kësaj ngjarje tragjike. Kjo natë e paharrueshme për jetë për të gjithë ne që e përjetuam me shumë tronditje. Erdhi mëngjesi i trishtueshëm, i dhimbshëm dhe i mjerë. Megjithatë u organizuam me makina për t’u kthyer në Tropojë të vjetër dhe për të kryer përcjelljen e nxënësit të dashur Ali Buça shokut të urtë dhe shembullor, për të mos e harruar kurrë.
ANALIZA SEMESTRALE
Në fillim të janarit 1986 ishte caktuar në B. Curri analiza e arsimit për semestrin e parë. Në këtë analizë ishin thirrë drejtorët e shkollave, zv.drejtorët dhe kryetarët e komisioneve të lëndëve. Mbledhja u bë në sallën e pallatit të kulturës. Do të merrte pjesë edhe Sekretari i Parë i Kom. të Partisë i sapoemëruar R.B. Rradha e diskutimeve kishte një rregull të pashkruar, i pari diskutonte Hasan Neza drejtori i shkollës së mesme B.Curri, i dyti diskutoja unë si drejtor i shkollës së mesme Tropojë. Mirëpo kësaj rradhe i dyti u ngrit Selim Berisha drejtor i shkollës Llugaj. Pasi bëri një përshkrim të punës së bërë me shumë mjeshtëri, ai foli për aktivitete tjera në fshat dhe ndihmën që i kishin dhënë kooperativës bujqësore me aksione. Në fund të diskutimit paraqiti pasqyrën përmbledhëse të rezultateve të cilat siç i paraqiti ishin shumë pozitive kalueshmëria shkonte nga 90% në 95%, 97% dhe deri në 100% dhe nota mesatare nga 7, 7.4, 7.5 dhe 8. Pasi mbaroi diskutimin u përgëzua nga Sekretari i Parë dhe u ul.
Pas tij u ngrita unë. Zakonisht në diskutimet e mia merresha me një temë të veçantë që e zbërtheja në detaje. Për shembull si e organizonim kontrollin në shkollë si e shpërndanim në kohë sipas klasave dhe degëve. Metodat e realizimit të kontrolleve, anketave etj. Në përfundim bëra një përmbledhje të rezultateve të kalueshmërisë dhe notës mesatare. Ato ishin nga 82%, 84%, 86% për vitet e dyta, treta dhe të katërtat dhe 69% për vitin e parë. Ndërsa nota mesatare varionte nga 6.1, 6.4, 6.9 etj. Sekretari i parë duke krahasuar shifrat e parafolësit me shifrat që citova unë mendon që e ka gjetë personin për ta bërë objekt sulmi e kritike për punë të dobët ndërkaq më drejtohet: Çfarë janë këto shifra? Çfarë flet more? Po ia fut kot? Ti nuk punoke fare, s’keni bërë një terren sportiv, s’keni mbjellë një pemë, i keni ambjentet e shkollës të shkreta.
Duke e ruajtur qetësinë iu drejtova me gisht dhe i thashë: Më falni po ia fusni kot ju, ju nuk dini asgjë ne e kemi një shkollë ku punohet shumë. Kemi mbaruar të gjitha klasat kabinete e laboratore nga më modernet. Kemi ngritur një kopsht botanik me 289 lloje bimësh, të gjitha koleksionet e perimeve që kanë me qindra kultivarë. Në shkollën tonë çdo vit bëhen deri në 60 eksperimente në bashkëpunim me Insititutin e Perimeve Patateve Tiranë. Me këto tema të eksperimenteve 10-15 maturantë çdo vit mbrojnë diplomat. Kemi mbaruar të gjitha terrenet sportive dhe sivjet kemi ndërtuar një palestër me forcat e vetë shkollës. Shkolla jonë ka ngritur një ekip volejbolli për të rejat që ka tre vite që konkuron me kategorinë e parë me Dinamon, 17 Nëntorin, Lushnjen, Korabin etj. Për të gjitha këto që thashë vitin e kaluar shkolla e mesme “16 Tetori” e Tropojës ka marrë fletë lavdërimi nga Ministria e Arsimit si një ndër tre shkollat më të dalluara të Shqipërisë. Mbylla diskutimin dhe u ula në vend. Nuk isha i qetë. Për atë kohë mund të themi “Zoti ishte në qiell dhe Sekretari i Parë në tokë”. Edhe pse isha përgjigjur ashpër nuk isha aspak pishman, sepse për mua vlente më shumë dinjiteti se çdo gjë. U nisa për në Tropojë të vjetër i shqetësuar se mendoja se do të më vinte ndonjë urdhër shkarkimi apo transferimi. Por jo ndodhi krejt ndryshe. Të nesërmen ishte ditë e diel. Nga ora 9 në mëngjes më thërrasin të shkolla. Kishte ardhur Sekretari i Parë, u përshëndetëm dhe më kërkoi t’i organizoj një takim me ekipin e volejbollit të vajzave. Pasi u mblodhën bashkë me trajnerin Shpend Hoxha u futëm në zyrën time. Sekretari i Parë i përgëzoj dhe i uroj vajzat për suksesin e arritur dhe ju kërkoj atyre që t’i shkruanin një letër shokut Ramiz Alia për t’i treguar për punën dhe suksesin që kishin arritur. Mbaruam takimin dhe u shpëndamë me mirënjohje dhe respekt reciprok vendosëm që t’ia përgatisim letrën dhe ta dërgojmë fillimisht në Komitetin e Partisë. E formuluam letrën dhe e dërguam në Komunitet të Partisë së rrethit prej ku ia dërguan shokut Ramiz Alia. Ramiz Alia me datën 24 Qershor 1986 u drejtohet vajzave të ekipit të volejbollit me një letër ku i përgëzonte për sukseset e arritura. Kjo letër u botua në të gjitha organet e shtypit dhe gazetat e kohës.
VALBONË
Ishte muaji korrik i vitit 1986. Në marrëveshje me drejtorin e shkollës së Valbonës shokun tonë Kongres Memia kishim krijuar kushte për akomodimin e ekipit të volejbollit në shkollë.
-Natyra në atë kohë ishte fantastike, gjelbërim masiv, me bredha të bukur që mbulonin gjithë luginën e cila rrethohej nga male madhështore. Kudo buronin ujëra të kristalta, të ftohta akull që rridhnin dhe bashkoheshin me lumin Valbonë. Trajtimin ushqimor të ekipit e kishim zgjedhur me Ndërmarrje Gjeologjike që kishte një restorant për punëtorët e saj të sektorit të Valbonës. Në këto kushte të thjeshta por në një klimë të përshtatshme ekipi i volejbollit u stërvit pandërprerje për më shumë se një muaj.
Unë së bashku me dy punëtorë të shkollës emrat: Si Idrizi dhe Qazim Jaha që ishte zetorist ishim organizuar për të prerë disa drurë, për të siguruar dërrasa për punime të ndryshme të shkollës. U ngjitën hipur në zetor shpatit të malit nëpër një rrugë me shumë kthesa. Ishte një pyll shekullor, që i vishej malit Jezerca në anën jugore. Bredhat ishin 30-35 m të lartë dhe 1-1,2 m të trashë. Panjat ishin deri në 50 cm të trashë. Pasi punuam disa ditë me lodhje të madhe arritëm të ngarkojmë një kamion, skodë plot me trupa të të gjitha llojeve. Zbritëm nga pylli i quajtur Ashta e Rragamit deri në qendër të Valbonës. U nisëm për Tropojë të vjetër për të shkarkuar trupat tek reparti i punës i shkollës. Isha i gëzuar se tani do të kishim lëndë të parë për mobiljet që nevojiteshin për klasa e kabinete.
-Në nëntor 1986 më ftuan në Kongresin e 9-të të PPSH-së në Tiranë. Pas një jave qëndrim u ktheva me mbresa për Pallatin e Kongreseve arkitekturën dhe cilësinë e punimeve të tij. Vijuam punën e përditshme në shkollë që gjithmonë kishte ngarkesë punë, mësimi dhe veprimtari të ndryshme që organizonim me mësuesit e dalluar të matematikës Hajredin Ymaj dhe Gani Pitamina. Një ndër ditët në vijim shkova tek reparti i zdrukthtarisë për të parë disa punime që do të bënim për kabinetet. U befasova kur pashë njësi dërrasash panje, i kishin çarë trupat dhe m’u dukën shumë pak dërrasa. Thirra menjëherë mjeshtrin Ram Rexha dhe punëtorët Qazim Jaha dhe Isuf Buça. I shqetësuar iu drejtova: Kush ju ka thënë që t’i çani trupat?
-Ishim pa punë,- tha Isufi,- dhe i çuam në Bujan për t’i çarë.
Unë e kisha menduar që do të shkoja vetë kur të dërgonim tupat për t’i çarë. Debatova ashpër me punëtorët duke shprehur dyshimin se mungonte një numër i madh dërrasash. Ata bënin be e rrufe që vetëm këto dërrasa kishin dalë dhe këtu janë të gjitha. Në këto rrethana i drejtohem mjeshtrit Ram Rexha dhe i them: Unë kam 2 orë mësim tani, gjatë kësaj kohe do t’i nxjerrësh në oborr dërrasat dhe do t’i bashkosh sipas trupave që kanë qenë.
Mbarova orët e mësimit dhe u ktheva te reparti. Pashë që mjeshtri i kishte bashkuar dërrasat sipas përkatësisë të trupavë dhe rrumbullaksisë së tyre. Në çdo trup të formuar mungonin 2-3 copë dërrasa, ishin vedet bosh. Unë i nervozuar i drejtohem punëtorëve Qazimit dhe Isufit: Ku janë dërrasat që mungojnë? Ata mbetën pa gojë dhe nuk po përgjigjeshin. Pasi shfryva të gjithë dufin që pata ju thashë: Ose gjeni këto dërrasa që mungojnë dhe kërkoni falje që t’ju pranoj edhe një herë në punë, ose shkoni dhe të mos paraqiteni më në punë.
Që atë ditë shkuan në shtëpi dhe nuk erdhën më.
Gjatë punës time në këtë shkollë si mësues por edhe si drejtor kam shumë kujtime, por zgjodha vetëm disa episode që më kanë mbetur në mendje dhe që i kam përjetuar më shumë emocione.
Mund të shkruaja faqe të tëra për veprimtaritë e shumta kulturore, artistike, teatrore dhe sportive ku shkolla jonë shquhej në të gjithë Tropojën, por edhe në nivel vendi, por kësaj radhe u mjaftova me këto radhë, të cilat janë një homazh për ish-mësuesit dhe kolegët e mi që nuk jetojnë më, por edhe për të gjithë mësuesit dhe nxënësit e kësaj shkolle ndër vite të cilët janë krenar bashkë me mua që i përkasim kësaj shkolle me traditë.
Në të ardhmen, nisur nga ky rast, besoj do t’i hedh këto përjetime në një formë më të zgjeruar dhe më të plotë.
Falenderoj ish-nxënësin tim të dashur dr.Mujë Buçpapaj, poet, studiues, botues dhe publicist i shquar, për ftesën që më bëri për të shkruar këto kujtime me rastin e 52-vjetorit të hapjes së shkollës së mesme “16 Tetori” Tropojë!

Tiranë 5 Gusht 2022
Ish drejtori i shkollës së mesme “16 Tetori”, nga viti 1980-1988