Gazeta Nacional Albania

NATYRA NË RËNKIM AGONIK!   NGA SHKËLQIM KARAJ Sekretar i Përgjithshëm i Qarkut të Elbasanit nё Partinё Agrare Ambientaliste

 

 

Jemi mësuar të shikojmë çdo ditë e më shumë se si qeveria kryen fushata propaganduese mbi mbjelljen e pemëve dekorative dhe rregullimin e parqeve nëpër qendrat e banuara me fondet e bashkive apo të qeverisë qëndrore. Jemi mësuar edhe me faktin e abuzimeve që bëhet çdo ditë me fondet publike në emër të së ardhmes së brezave të rinj dhe natyrës. Por me shkatërrimin që po i bëhet natyrës dhe mjedisit ku jetojmë nuk po mësohemi dot!

Shkatërrimet janë në të gjithë dimesionet ekologjike të florës dhe faunës, të ndotjes së ajrit, ujit dhe tokës, ndotja akustike dhe ajo vizive. Por për ujdi qeverisë nuk i bëjnë fare përshtypje këto fenomene, të veshur me Armani dhe Gucci ecin mbi natyrën që rënkon, duket sikur me veshjet e tyre zbukurojnë dhe lehtësojnë dhimbjen e natyrës. Por edhe sa do të durojë natyra këtë sjellje të qeverisë në ikje?

Partia Agrare Ambientaliste prej kohësh tashmë ngre zërin e saj ndaj simptomave shkatërruese që po i bëhet natyrës. Fenomenet e shkatërrimit në sytë e qeverisë janë justifikim i dështimit të tyre, duke ngritur pallate qiell-gërvishtëse i tregojnë natyrës forcën që kanë për ta sfiduar atë dhe ligjet e saj.

Për fat të keq shumë procese degradimi janë të pakthyeshëm për nga dimensioni shkatërrues ku gjenden dhe do të duhet shumë kohë për tu ripërtërirë, por kurrë nuk është vonë, koha për të vepruar ishte dje, masat duhen marrë sot dhe mirëmbajtja duhet bërë gjithashtu sot.

Fokusi dhe programi i Partisë Agrare Ambientaliste për ndërhyrjen e menjëhershme në politikat mbrojtëse të natyrës dhe mjedisit dhe masat rigjeneruese për rimëkëmbjen e natyrës janë strategji kombëtare për të cilën nuk do të ketë asnjë negociatë politike që mund ta shtrembërojë vullnetin dhe vendosmërinë e PAA-së.

Në programin e saj politik Partia Agrare Ambientaliste do të angazhohet intesivisht për të ndaluar shkatërrimin e mëtejshëm të natyrës duke marrë masa konkrete në mbrojtjen dhe reabilitimin e saj. Promovimi i burimeve natyrore të qëndrueshme si një alternativë për mbrojtjen dhe krijimin e vëndeve të reja të punës për të rinjtë e braktisur nga qeveria e fasadave do të jetë fokusi në të gjithë zonat rurale dhe interurbane të Shqipërisë.

Promovimi i Agroturizmit dhe mbështetjae drejtpërdrejtë e këtij sektori duke ulur burokracitë dhe klientelizmat dhe rritur inovacionin dhe teknologjitë smart të përdorura gjerësisht nga të rinjtë do të jetë fokusi kryesor i politikave promovuese të Partisë Agrare Ambientaliste. Zonat rurale dhe fermerët prej kohësh vuajnë për një strategji dhe fokus të resurseve kombëtare. Qeveria e fasadave pa asnjë dyshim dështimin më të madh të saj e ka kundrejt kësaj shtrese të harruar prej saj dhe të cilës i ka premtuar gjithmonë shumë dhe i ka dhënë gjithmonë pak për të mos thënë që i ka marrë dhe i ka vjedhur nga puna e tyre e palodhur.

Objektivat e Partisë Agrare Ambientaliste janë:

  1. Eleminimi i varfërisë rurale dhe rritja e mirëqënies së fermerëve
  2. Zhvillimi rural i qëndrueshëm
  3. Urbanizimi i hapësirës rurale
  4. Garantimi i sigurisë ushqimore nëpërmjet prodhimeve bujqësore cilësore
  5. Mbrojtje e mjedisit dhe biodiversitetit
  6. Zhvillimi i Agroturizmit

 

Fokusi kryesor i Partisë Agrare Ambientaliste padyshim që do të jenë interesat e banorëve të zonave rurale, mbrojtja e mjedisit dhe garantimi i qëndrueshëm ekonomiko-social për një Shqipëri të zhvilluar dhe një të ardhme të sigurtë për të rinjtë dhe të rejat e këtij vëndi. Partia Agrare Ambientaliste do jetë zëri i munguar i të gjithë atyre që nuk janë dëgjuar, nuk janë parë nga sytë e pushtetarëve nuk janë përfillur nevojat e tyre dhe nuk janë eksploruar mundësitë dhe potenciali i tyre i pashtershëm.