Site icon Gazeta Nacional Albania

Ndahet nga jeta Dhimitër Anagnosti, mjeshtër i kinemasë shqiptare, autor i filmit “Përrallë nga e kaluara”

Regjisori dhe skenaristi legjendar i filmit shqiptar ndërroi jetë sot në Tiranë, duke lënë pas një trashëgimi të pasur artistike që do të jetojë për brezat.

Gazeta Nacional i shpreh ngushellimet e saj te sinqerta familjes Anagnosti.

 

Tiranë, 1 shtator 2025. Kinematografia shqiptare humbi sot një nga figurat e saj më përfaqësuese: Dhimitër Anagnosti, regjisor, skenarist dhe intelektual i shquar, i cili për më shumë se katër dekada kontribuoi në ndërtimin e identitetit artistik të filmit shqiptar. Ai vunet nga nje semundje e rede prej disa viteve.

Anagnosti hyri fuqishëm në skenën e filmit që në vitin 1961, me realizimin e filmit të shkurtër “Njeriu kurrë nuk vdes”, një ekranizim i një tregimi të Ernest Heminguejt, që u nderua me Çmimin e ParëFestivalin Botëror të Shkollave Kinematografike në Holandë. Po atë vit filloi punën si operator në Kinostudion “Shqipëria e Re”, duke kontribuar në filma si “Debatik” dhe “Toka jonë” (1964), si dhe dokumentarin e parë me ngjyra në Shqipëri, “Gurët dekorativë”.

Debutimin si regjisor e bëri më 1966 me filmin “Komisari i dritës”, së bashku me Viktor Gjikën, ndërsa vetëm një vit më vonë realizoi “Dueli i heshtur”, duke nisur një rrugëtim të pasur krijues.

 

NJË REGJISOR QË SFIDOI KUFIJTË E REALIZMIT SOCIALIST

Përtej mjeshtërisë teknike dhe repertorit të gjerë, Dhimitër Anagnosti do të kujtohet si një regjisor që kërkoi të çlirohej nga dogmat e realizmit socialist, duke i dhënë filmave të tij një thellësi njerëzore, shpesh përmes nëntekstit, ironisë dhe trajtimit emocional alegorik të personazheve.

Filmat e tij vendosnin njeriun në qendër të rrëfimit, jo si mjet propagande, por si qenie e ndërlikuar, me dilema, ndjenja dhe luftë të brendshme. Në vend të “heroit ideologjik”, Anagnosti solli figura të ndjeshme, të përballura me realitete të vështira, por me forcën për të zgjedhur vetë.

Kjo është veçanërisht e dukshme në filmin “Përrallë nga e kaluara” (1987), një komedi satirike që ironizon martesat e hershme në fshatrat shqiptare, ku fëmijët martoheshin qe nuset e tyre  t’u bëheshin “krah pune” familjes se burrit në shtëpi. Me një qasje plot humor dhe subtekst shoqëror, filmi përfundon me një zgjedhje përmbysëse dhe simbolike: nusja Marigoja martohet perfundimisht me dashurinë e saj të vërtetë, dhe jo me Gjinon e vogel  që i kishin  caktuar. Një mesazh i qartë për nevojën e emancipimit dhe lirisë personale.

Ndër filmat më të rëndësishëm të tij, “Lulëkuqet mbi mure” (1976) mbetet një nga veprat më të ndjera dhe simbolike të kinemasë shqiptare. Filmi trajton jetën e fëmijëve në një jetimore gjatë pushtimit fashist te vendit, ku në vend të përkujdesjes dhe ngrohtësisë familjare, ata përballen me ndëshkim, disiplinë të rreptë dhe mungesë dashurie. Anagnosti sjell një dramë të fortë emocionale mbi vetminë, izolimin dhe zbrazëtinë shpirtërore që përjetojnë fëmijët.

Përmes syve të këtyre fëmijëve, zbulohet boshllëku i slloganeve të bukura fashiste që predikohen në shkollë – slogane që, në vend të edukimit dhe përfshirjes, fshehin pas vetes asimilimin dhe pushtimin ideologjik. Në këtë realitet të shtypur dhe të zbrazët, disa nga fëmijët gjejnë kurajon për t’iu bashkuar rezistencës antifashiste, duke kundërshtuar urinë, rregullat shtypëse të konviktit dhe autoritetin imponues fashist.

Momentet më të forta të filmit ndërtohen përmes kontrastit mes fëmijërisë së pafajshme dhe brutalitetit të botës përreth dhe pushtimit te vendit. Vdekja e vogëlushit Sulo nga patrullat fashiste shënon pikën kulmore të dramës, duke ndezur urrejtjen dhe frymën e rezistencës jo vetëm te jetimët, por në mbarë qytetin.

Anagnosti e ndërton filmin mbi një strukturë të pasur simbolike, ku çdo element – nga muret gri të jetimores, kontrolli fashist, uria, keqtrajtimi, rezistenca e jetimeve, prockat qe i bejne kujdestarit dhe tallja e mesueses italine te muzikes – shërben për të kontrastuar realitetin me ëndrrën, shtypjen me lirinë, të kaluarën me shpresën.

Vete jeta e nderprere ne mes e Sulos, eshte  një lulëkuqeve që del mbi keto mure.

Ndërsa në filma si “Plagë të vjetra” (1968) apo “Malet me blerim mbuluar” (1971), Anagnosti mbetet i kujdesshëm për të ruajtur një ekuilibër mes kërkesave ideologjike të kohës dhe nevojës për një rrëfim më të sinqertë, më njerëzor.

NJË JETË NË SHËRBIM TË ARTIT DHE SHOQËRISË

Gjatë karrierës së tij krijoi 14 filma artistikë, 10 dokumentarë dhe është autor i 15 skenarëve, shumicën e të cilëve i ka shkruar vetë. Filmat e tij janë vlerësuar në konkurse të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare, duke e bërë një nga figurat më të vlerësuara të artit shqiptar.

Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm, në vitin 1987 u nderua me titullin “Artist i Popullit”, ndërsa në Festivalin e 10-të të Filmit Shqiptar iu dha Kupa e Karrierës.

Pas ndryshimeve politike në Shqipëri, Anagnosti u përfshi në lëvizjen demokratike dhe shërbeu si deputet i Partisë Demokratike nga viti 1991 deri më 1996. Në prill të vitit 1992 u emërua Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, post të cilin e mbajti deri më 4 dhjetor 1994, kur dha dorëheqjen.

Më vonë themeloi dhe drejtoi Fondacionin për Artin dhe Kulturën “Fan Noli”, përmes të cilit mbështeti artistë, studiues dhe krijues të rinj, duke kontribuar në zhvillimin e kulturës shqiptare brenda dhe jashtë vendit.

Në vitin 2001 shkroi dhe vuri në skenë dramën e tij të vetme “Nata e trokitjeve në xham”, ndërsa në 2005 realizoi filmin e tij të fundit, “Gjoleka, djali i Abazit”, një vepër që u nderua me dy çmime ndërkombëtare në Itali, duke dëshmuar se pasioni i tij për artin nuk kishte zbehje as pas dekadash krijimtarie.

Anagnosti ishte i martuar me një tjetër ikonë të skenës dhe ekranit shqiptar, Roza Anagnosti, një bashkudhëtare e denjë në jetë dhe art.

FILMOGRAFIA MË E NJOHUR E DHIMITËR ANAGNOSTIT:

 

Dhimitër Anagnosti u largua fizikisht, por trashëgimia e tij mbetet një gur themeli i artit shqiptar. Me një stil unik, ndjenjë të thellë njerëzore dhe guxim për të folur përmes metaforës në kohë të vështira, ai do të kujtohet si një nga më të mëdhenjtë e filmit shqiptar.

Gazeta Nacional

Exit mobile version