Site icon Gazeta Nacional Albania

NDAHET NGA JETA NUREDIN SADIK LUSHAJ, STUDIUES FOLKLORIST, PUBLICIST DHE MËSUES VETERAN. Dr. Mujë Buçpapaj

NDAHET NGA JETA NUREDIN SADIK LUSHAJ, STUDIUES FOLKLORIST, PUBLICIST DHE MËSUES VETERAN
Dr. Mujë Buçpapaj
Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë
Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Nuredin Sadik Lushajt, mësuesit veteran, studiuesit të përkushtuar, mbledhësit të shquar të folklorit shqiptar dhe publicistit, i cili i kushtoi gjithë jetën arsimit kombëtar dhe ruajtjes së trashëgimisë sonë shpirtërore.
Me largimin e tij nga kjo jetë, Malësia e Gjakovës, kultura shqiptare dhe historiografia e folklorit humbin një prej shërbyesve më të devotshëm, një personalitet që punoi me përkushtim të rrallë për të mbledhur, dokumentuar dhe ruajtur kujtesën gojore të krahinës së tij, duke e shndërruar atë në pasuri të qëndrueshme të kulturës kombëtare.
Nuredin Sadik Lushaj lindi më 23 gusht 1943 në fshatin Gri të Malësisë së Gjakovës, në një familje me tradita të spikatura atdhetare. Arsimin fillor dhe te mesem e kreu në vendlindje, ndërsa studimet e larta i kreu pranë Institutit të Lartë Pedagogjik në Shkodër, ku u diplomua si një arsimtar i denjë i gjuhës dhe letërsisë shqipe. Për dekada me radhë ai shërbeu në shkollat e Tropojës me profesionalizëm, përkushtim dhe fisnikëri njerëzore, duke fituar respektin e nxënësve, kolegëve dhe të gjithë komunitetit.
Veprimtaria e tij nuk u kufizua vetëm në auditorin e shkollës. Ai ishte një studiues i palodhur i folklorit dhe etnografisë shqiptare, bashkëpunëtor i rregullt i Institutit të Kulturës Popullore, më pas i Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë në Tiranë, si edhe i institucioneve shkencore në Prishtinë. Një pjesë e rëndësishme e fondit të folklorit shqiptar, të botuar në vëllime shkencore dhe përmbledhje kombëtare, mban gjurmën e punës së tij këmbëngulëse në terren, të kryer me rigorozitet shkencor dhe ndjenjë të lartë përgjegjësie kulturore.
Njëherazi, ai ishte publicist i angazhuar, autor i dhjetëra shkrimeve në shtypin shqiptar, ndër to në gazetat “Pionieri”, “Bashkimi”, “Mësuesi” dhe në shumë organe të tjera të medias shqiptare pas viteve 1990. Në shkrimet e tij ai solli në dritë figura të shquara të Malësisë së Gjakovës – patriotë, klerikë, arsimtarë, intelektualë, shkrimtarë dhe personalitete të jetës kombëtare – duke kontribuar në pasurimin e kujtesës historike dhe kulturore të vendit.
Kam pasur nderin dhe kënaqësinë të bashkëpunoj me Nuredinin për më shumë se dy dekada në Gazetën Nacional, ku ai ishte një bashkëpunëtor i rregullt. Me poezitë, studimet dhe shkrimet e tij publicistike ai pasuroi faqet e gazetës sonë, duke dëshmuar kulturë të gjerë, ndershmëri intelektuale dhe një dashuri të pashtershme për vendlindjen, kombin dhe traditën shqiptare. Çdo shkrim i tij mbante vulën e seriozitetit shkencor dhe të përgjegjësisë morale ndaj së vërtetës.
Ikja e Nuredin Sadik Lushajt është edhe një humbje e ndjeshme për një familje që i ka dhënë shumë kulturës shqiptare. Ai ishte vëllai i studiuesit, shkrimtarit dhe publicistit të njohur Zeqir Lushaj, i cili u nda nga jeta me 11 nëntor 2021, duke lënë edhe ai një trashëgimi të vyer në fushën e letersise, publicistikës dhe të studimeve letrare.
Figura e Nuredin Sadik Lushajt do të mbetet e respektuar në historinë e arsimit shqiptar dhe të studimeve folklorike, si modeli i intelektualit të heshtur, punëtor e të përkushtuar, që e konsideroi dijen jo si privilegj, por si mision në shërbim të kombit.
Në emër të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si edhe në emrin tim personal, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Lushaj, të afërmve, miqve dhe gjithë bashkëpunëtorëve të tij.
Qoftë i përjetshëm kujtimi dhe vepra e Nuredin Sadik Lushajt!
Exit mobile version