Libri, edhe në është i porositur, e më bie shpejt në dorë, tek unë kot e ka, nuk ethyen radhën. E lë deri sa t’i vijë. E sikletshme do shprehen shumica e shokëve të mi. Pajtohem me ta, sidomos, kur ajo zgjat. Libri i fundit, i futur në radhë ma drodhi ca. Kur e mora vesh se autori i suksesshëm, i mbi dhjetë libra me përmbledhje poetike, i librave me tregime si: “Sa kushton një legjendë”, “Një monument në ecje”, “Të jetë Ana”, “Rusianka”, “Dritë që s’ndizet për këdo”,i librit, me tregime dhe novela, të titulluar “Gruaja që thyente bizhu”, i dy monografive, i librit “Sfida letrare – ese dhe studime”, i recensuesit të dhjetëra librave të autorëve vendas e të huaj, analistit të paanshëm, kritikut të sertë e në veçanti, autorit nga më të suksesshmit të rrëfimeve tejet tërheqëse, profesor, Qazim shehu,e kishte nisur për botim në shtëpinë botuese “ENJA” librin me tregime titulluar, KEQKUPTIMI, ia vura pritën. E porosita ta merrja i pari, duke ra vetë, dashje pa dashje, në kurthin e pritmëtarit. Më e keqja, edhe mbasi libri doli nga botimi, edhe se po atë ditë më erdhi libri në dorë, nuk e nisa leximin, por e lashë një javë të më priste ta merrja në dorë.
Qe mbrëmje kur ia hapa kapakët jo për ta lexuar, por sa për të shijuar ndonjë paragraf, ku rastësia të më çonte. Hëh ç’më bëre o Qazim, ç më bëre, – thashë si m’u ngjit në dorë e s’po më shqitej më. Si more, më detyrove të bëhem i lig, të thyej radhën e të ngulem në librin tënd me tregime?! Po përse nuk më tregove me kohë se, nuk e ke shkruar siç shkruhet zakonisht, me pendë, laps a përmes tastierës së kompjuterit. Me zamkë e paskëshe shkruajtur. M’u ngjit aq sa s’pyeti më për burrërinë time. Ma detyroi thyerjen e radhës së librave në pritje me autorë shumë të njohur. Ti, bash ti, e paske pas me hile që në të shkruar.
Hilen e paske sajuar që te tregimi me të cilin kishe hapur serinë e rrëfimeve, te “Kulla dhe baraka”, kulla e Ganos. Malli i tij për kullën sikur u josh nga malli im i rënduar për kullën tim në vendlindje. Kjo mëbëri ta ndiqja Ganon.Hë këtu e hë atje, e sikur vetë Gano po më tërhoq rrëshqanthi pas ngjarjeve të veta. Nuk thuhet kot se personazët ushqehen me ndijesitë e autorit. Të tillë paskëshin qenë personazhet e këtij rrëfimi. Diku kushëriri, miku e dashamiri i Ganos, rrugë tjetër kishte nisur për t’u mëkëmbur. M’u bë se u tjetërsova në shoqërues si Ganos. O zot si po më bëheshin rrugët! Tërë zikzake. Prej tij e njoha Dakon.Gjer në mosbesim më çuan bisedat e tij. E vura veten në rolin e Ganos, por…, assesi nuk e kisha shkuar në mendje se mund të më drejtoheshin armët në shkallët e kullës sime. O perëndi!, thashë me vete, e tronditja s’më lëshoi gjersa mësova përgjigjen e prerë të Dikut:
“O mik… të intereson të hash apo të dish ku qe nip kau”.
Më ra si rrufe hutimi im, por mendja mundi të më tërhiqte në kahun tjetër. Te aktualiteti. “I hidhur, por fatkeqësisht nëpër situata të tilla po ecën vendi ynë”, – murmurita me vete.
Kjo më bëri të mos e lija librin. Iu ktheva pasdarke. Kureshtja ma treti gjumin. Iu futa rrëfimit në vijim të titulluar, Ksenomani,ku epiteti metaforik “i rrinte përsipër një kopertinë e dyfishtë, mosnjohja dhe indiferenca”. Duke vazhduar leximin e pashë veten në disa realitetetë tilla, edhe sebajate, kur mendova se të tilla realitete gjenden jo të rralla, në vendin tonë hallemadh. Teksa njihesha me disa nga ata “kokoroçë”, siç i simbolizon autori për mos me i quajtur tranguj fare ,që nuk kexojnë asgjë,por dinë vetëm të derdhin përbuzje për letërsisë shqipe. Solla jo pak sish në mendje. Këtu autori i tregimit qëllon fort me krahasimin simbolik: “ përpara se të përzëmë shkrimtarët shqiptarë nga ky vend, në fillim duhet të përzëmë prokurorët, gjyqtarët dhe avokatët shqiptarë; nuk do të ishte keq t’i zëvendësonim me prokurorë italianë, belg, francezë, anglezë”- më bëri të shkelja keq radhën e leximeve të mia. Ajo që lexova më përcolli te tregimi i mbushur me humorin e këndshëm, Zogu. Pas tij të kapërceja te Ndrikullat, “mendjemprehta” përpara nuses së “paditura”, te tregimi Debati e…, përse ta zgjas, mora turr nga njëri tregim në tjetrin. S’ kisha të ndalur. Persona nga më interesantët, steriotipe të gjithfarëllojtë më dolën përpara. Më vinin si skulptura të mirëgdhendura që ta ndërronin mimikën. Herë të bënin t’i përqafoje , herë t’i urreje, herë të papranueshëm, e herë – herë me gabime të pariparueshme, të cilat autori nuk i anashkalon. Është natyra e këtij shkrimtari të ta vërë në dukje e të të futë në hullinë e gjetjes së rrugës së përmirësimit të qëndrimeve jo të denja. Secili në një farë mënyre të bënte të mbaje qëndrim.
Larmia e personazheve ta shton interesin e njohjes me ta. Njëri më shfaqej idhnak e më nxiste kureshtjen ta dija ku i çon mushka, tjetri me freskinë mendore më afronte diçka për të mësuar. Kësisoj e harrova fare autorin e huaj, librin e të cilit e lashë mënjanë. Mbeta në Shqipërinë e viteve që s’po mundemi me i kapërcyer, ku veset e mentalitetet na dalin përpara si rrënjë të këqia që nuk shkulen rehat.Autori ia sjell mesazhin lexuesit qartësisht, duke goditur servilizmin, injorancën, burokracinë, përvetësuesin e pasurisë së tjetrit, hajdutin, politikanin e paaftë, mburracakun, aventurierin, bukëshkalin.
Ai ua nxjerr në pah tiparet veçuese të tyre, që vetë lexuesi të mbajë qëndrimin që e shikon të arsyseshëm i pandikuar në ndonjë moralizim të tepruar.
Në tregimin Autoironi,s’ka si të mos të të vijë të qeshësh edhe i vetmuar. Teksa lexoja, solla në kujtesë raste të tilla, ku isha zënë ngushtë e në vend që të shprehja pakënaqësinë, e humbjes së kohës duke lexuar volume të tëra pa as më të voglën vlerë, detyrohesha të përzgjidhja shprehje sa për të anashkaluar atë të vërtetë të hidhur që po shëmtohej akoma më shumë me lëvdata të stisura ashtu kot së koti. Në kujtesë me erdhi thënia e një vajtoreje kur e pyeti një shoqe e saj, bashkëbiseduese:
-Pash zotin, ku i more tërë ato lëvdata që ia rreshtove.
– Tashma ia kamë marrë dorën, o motër, merr tiparet e të mirit, bash si merren rrobat e përdoruna prej një person që vishej rregullisht estetikisht e cilësisht mirë, e ia vesh dikujt që kurrë nuk është parë të vishet bukur. Njerëzit që e shohin çuditën edhe se nuk e shprehin. Përse do thuash? Ç’të keqe ka se e çoi edhe të keqin në botën tjetër si të barabartë me të mirin. Atje si të barabartë do të qëndrojnë.
Me këtë humor therës përshtatur për “vlerësimin” e pamerituar të krijimtarisë letrare kalova te tregimi “Keqkuptimi” nga autori Qazim Shehu,të cilin e ka marrë edhe titulli i këtij libri me tregime si njërin nga rrëfimtarët më të spikatur të letërsisë së sotme shqipe. Autori sjell për lexuesin shprehjet e përdorura pa vend që e zhvlerësojnë titullin “profesor”, titull ky, realisht i merituar nga pak persona e i përdorur krejt pa vend për cilindo që të del përpara. Po kështu shprehjen “Ekstra fare!” të vënë në gojën e Markut, me të cilën përpiqet ta nxjerrë veten jashtë rethanave reale, për t’u paraqitur si person i pakapur nga moria e problemeve në të cilët janë zhytur pjesa dërmuese e njerëzve të vendit tonë. Mënyra se si ia nxjerr në dukje tiparet e një sjellje artificiale, përdorur nga interesa të ngushta jashtë normave që duhet të ketë shoqëria njerëzore, dhe e sjell deri në injorim total, sa të bën që tipa të tillë të vështirësohen.
Në tregimin“Rojtari i pyllit”, autori na njehj me Luanin.Jo Luanin e veshur me lëkurë mbretërie, por luanin e veshur me pacipësi poshtërsie, gjë që mund ta çojnë në të këqia më të rënda se ajo që i ngjau atë natë të mbushur me lakminë e tij. Përmes hiperbolave, krahasimeve simboleve dhe antitezave, edhe ky rrëfim bëhet shumë tërheqës.
Përshkrimet janë armë e fortë e autorit. Të shkurtëra, të mirëpërshtatura, por shumë efikase, sajuar enkas për të lëshuar dritë të bollshme e bërë më të dukshëm tiparet e personave që i japin shije të keqe shoqërisë njerëzore. Përmes përqasjeve autori ka ditur të shprehë papajtueshmërinë e tipareve të personazheve në shumicën e rrëfimeve në vijiueshmërinë e tregimevetë këtij libri, duke i dhënë një shije fort tërheqëse sa nuk të bëhet ta lëshosh nga dora. Në tregimin Fytyra e djallit, autori i sjell lexuest gazetarin Stavër S. të veshur me hipokrizi dhe egoizëm, por siç e mbyll rrëfimin autori “djallin nganjëherë e ndihmon fati”.
Rrëfimi “Ngjyra” përmes një sarkazme të mirëgoditur, autori na sjell një realitet fort të hidhur racizmin në papajtueshmëri me çdo kohe. Që këtu sytë të kalojnë në rëfimin “Ana tjetër…” me kohë furçesh, “Testi” me veprimin e rëndomtë të kopjuesit. Në secilën prej tyre gendet si stoli e tregimeve epiteti metaforik me të cilin tregimi vesh rrobën e pëlqyeshmërisë.
Në rrëfimin “Eks- identitet”autoti i sjell në kujtesë lexuesit se rrethanat e viteve të fundit i futën rrënjët e së keqes gjer në thelb të shpirtit, ndërrimit të identitetit dhe këtë ia thur një mirditori me një barrë vetish pozitive, por që i vjen çasti t’i shemben keqas nga pamundësia e të rezistuarit përpara morisë së halleve nga njëra anë,e mundësisë së kthimit nga migrimi për te fëmijët, duarëbosh apo thënë ndryshe te “sofra thatë e familjarëve të Pjetrit” i cili përfaqësonte punëtorin zemërmirë.
“Pse vonon ajo grua”një antitezën e pritjes me-e-pa arsye për të pritur, vërtet të le në njëfarë enigme, por lexuesi me gjykimin e tij ka shumë mundësi të qëllojë në shenjë, të hamendësojë gjithçka.“Piktori”, më dha të kuptoja se arti më i bukur është ai që ndjehet.
Është i bukur, shumë i bukur e kohor rrëfimi Molla. Autori të të tërheq, të fut vetiu në rrjedhën e ngjarjes që përfundon me mendimin filozofik: “Ka disa raste kur edukata ndihet keq, ndërsa e vërteta triumfon jashtë saj dhe krijon një sjellje të re sinqeriteti…”
Në tregimin “Relativieti”autori na tërheq në kontraditat, gjer në smirëkëqij brenda botës së artit. Pasqyron një përplasje jo vetëm gjykimesh për poezinë, por edhe botës së brendshme të poetëve. Këtu nxjerr kokë urrejtja ndaj atij që thotë të vërtetën, nuk shkon në një linjë me atë të lexuesit të mirëfilltë.Ai ia nxjerr në dritë vlerat e vërteta. ShV vlerësohet nga lexuesit për të vërtetën që e thotë hapur.
Tregimi “Hamletin”mbart në brendësi një satirë therëse nis me Rahimin, “marroku”, vetëm e vetëm se ishte fjalëdrejtë, por që merr nofkën “Dinxhi” (te mjeku në spitalin e të çmendurve). Puseta, një rrëfim i shkurtër, por që të bëhet se e ndjen,si jo rrallë në ditët tona, metaforën e kundërmimit të parave të grabitura.
Tregimi “Për një ëndërr…”, marrëzi e kohës së shkuar ku personazhi tregon se si e hëngri burgun, nga një ëndërr. Në tregimin e titulluar “Brenda kohës”, vjen tendenca për ta zhvlerësuar shkencëtarin me dokrra të pa bazuara.Kadriu,me shkathtësitë djallëzore të tij kërkonte të përmbysë gjithçka shkencore të kahershme. Këto e lejonte vetë Akademia në veprimtarinë e saj, bën aluzion autori i këtij libri.“Burrat”, si rrëfim i thurur bukur duke çjerrë maska burrash të maskuar me rrobat e artit të munguar në tërësinë e tipareve të tyre, njerëz me dy fytyra. Në tregimin “Foljet modale”ku antiteza nxjerr përballë njëri-tjetrit Stefin me Ditin gjithanshmërisht të kundërt. I pari s’kursehej ta favorizonte për gjithçka, i dyti të vidhte edhe njohuritë më elementare ndaj dhe nuk kishte arritur të bëhej njeri.
“Emigranti” mjeku spekulant që shfrytëzon injorancën. Një trajtim i këndshëm çeshtja e marrjes së titujve shkencorë jo nga vepimtaria krijuese,por padrejtësisht përmes temave të bullizuara. Te tregimi, Lasgush Poradeci, ndeshemi me ironinë e thellë ndaj vlerësimit të të paditurve me nota të mira dukshëm të pamerituara. I tillë nga përgatitja shfaqet edhe inspektori që vë përballë punës së Genc Lekës dhe parullës së shkruar prej tij,RROFTË KQPPSH, me reflektimin e ngjyrave kuq e zi. Rrëfimin “Një lugë e mbushur me kos…” ku pasqyrohet gjendja shpirtërore e Genc Lekës nga njëra anë e kontrasti i pashpirtësisë së policisë nga ana tjetër mjafton të kuptosh,rënia e lugës kur poeti po e çonte te goja dhe Tare Kosi, një alegori e hollë si dhe figura të tëra letrare qëjo vetëm ia zbukurojnë rrëfimet autorit, por edhe nuk i lënë hapësirë artificialitetin.
Simbollika e alegoria vijnë rrjedhshëm në rrëfimin kushtuar Blloshnit e Lekës. “Kur nga gazi i Degës së Brendshme zbritën Vilson Blloshni dhe Genc Leka,turma pa dy djem të bardhë lidhur me pranga.Vuajtjet i kishin shndërruar në dy pamje të bardha.Turma, në fillim përmes heshtjes, vrapoi si e çmendur një rrjedhë rrëqethëse e pazakontë trishtim dhe frike, që rrinin dy metra larg tyre dhe vështronin me kureshtje të mpirë këta dy djem.Apo: Kur Vilson Blloshmit i thoshin që të ngrinte dorën e djathtë duhej të thirrte në ndihmë të majtën (ia kishin dërmuar parakrahun. Qëndrimin edhe mbrojtja më e fortë në ndonjë gjyq do ia kishte zili”.
Papritur një zë metalik: Ky është armik që nga emri Vilson, emër amerikan.
Në trgimin “Atë dimër të vitit 1944… autori nxjerr në pah madhështinë e karakterit të shqiptarit të përballur me ligësinë e komandantit komunist.Sapo të lexosh shprehjen “bora ndrin kobshëm si qefin i bardhë” të vjen përpara syve akti i shëmtuar i ftohtë i trishtë i kurdisjes dashakeqëse. Sajesa e armikut, gjë që u bë moto. Autori e tjerr ngjarjen gjer në luftën e brendshme ku përfiton morali i burrave të malësisë.
“Për hir të dashurisë”, “Dyshimi”, “Elsa me Erën; ”Një shkak i vogël” janë tregime tërheqëse që godasin fuqishëm veset siç është ai i papajtueshmërisë në veshje.
“Fajtori”, “Nafakë e huaj” Vaso dhe Tani në Prizren. Plaku -beg me qëndrimin e tij kundra hajnisë si tipar i vyer i malësorit duke bërë krahasimin me veprimete serbëve. Mbështetur në fjal-urtën e popullit kush humb mallin humb shpirtin, sjell të mbushur me emocione Vason i cili humbet jo vetëm paret, por edhe shpirtin ndaj Tanit,
“Nga kronikë e një gazete…”“Tre shokët”, “Kthimi”, ku autori sjell temperamente e karaktere nga më të ndryshmet ndërtuar me mjeshtri përmes përshkrimeve të qëndisura me simbole , metaforën e ironinë aq tërheqës sa të vjen keq që llibri shkoi aq shpejt drejt fundit.
Autori i rendit rrëfimet drejt mbylljes me tregimin “Tym” ku përmes revoltës së shokut të tij KL të fton të kuptosh gendjen e rëndë ekonomike ku ka rënë një popull i tërë i rraskspitur, por i përgjumur a siç e shpreh autori “transversit”
Shprehjet e bukura,si nafaka e huaj s’bëhet e jotja, e sa e sa të tjera, larmia e rrëfimeve pa rënë askund në përsëritje si dhe atë që autori e ka për zemër, përdorimi i fjalëve të rralla e figurave të shumta letrare e bëjnë më të këndshëm leximin.
I nisur nga këto dukuri të shpërndara anekënd librit e them i sugurt të vërtetën se: Nëse ndonjëri nga shokët e mi do më kërkonte mendim, unë do ta orientoja ta gjente “Keqkuptimin” duke e siguruar se do gjejë shijen e kërkuar nga ky rrëfimtar fort i vlerësuar.