Gazeta Nacional Albania

Në prag të inaugurimit, shqiptaro-amerikanët flasin për të ardhmen. Nga Ilir Ikonomi

 

Presidenti amerikan Donald Trump pritet ta lërë Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, ditën e inaugurimit të Presidentit ri Joe Biden. Ai largohet ndërkohë që ndaj tij është ndërmarrë një proces shkarkimi nga demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve, të cilëve u janë bashkuar edhe një numër republikanësh. Por, a do të vazhdojë zoti Trump ta ruajë bazën e tij të mbështetësve dhe si mund të ndryshojë Partia Republikane pas largimit të tij. Kolegu ynë Ilir Ikonomi kërkoi opinionin e disa personaliteve të diasporës shqiptare këtu në SHBA.

Joe DioGuardi, ish kongresmen republikan, thotë se do të jetë në Uashington me rastin e inaugurimit të presidentit të ri Joe Biden, megjithë masat e rrepta të sigurisë dhe rreziqet e pandemisë. 80-vjeçari DioGuardi ka qenë anëtar i Kongresit nga viti 1985 deri në 1989 dhe është ende aktiv në punën me shqiptaro-amerikanët. Ai kujton me krenari se dy dekada më parë, pati rast t’i fliste senatorit Joe Biden, mbi shtypjen që ushtrohej ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Pas kësaj, në një darkë të shtruar në një hotel të Nju Jorkut nga Lidhja Civile Qytetare Shqiptaro-Amerikane, ai më tha përpara të gjithëve: Joe, jo vetëm që më ndryshove mendjen për këtë çështje, por edhe zemrën”, thotë zoti DioGuardi.

Zoti DioGuardi prej vitesh ka punuar me politikanë, si republikanë ashtu edhe demokratë për kauzat që ai ndjek në favor të shqiptarëve në Ballkan.

Bashkëshortja e tij Shirley Cloyes është demokrate, por zoti DioGuardi thotë se për ata të dy përkatësitë partiake nuk kanë shumë rëndësi.

Ne kemi kuptuar diçka: se duhet të bësh gjëra që sjellin ndryshime tek njerëzit. Nëse i përmbahesh një ideologjie që është e fokusuar tek njëri ekstrem, ose tek njëra parti, atëherë nuk arrin ta shikosh dot tablonë e përgjithshme. Pikërisht miq të tillë kam unë, duke përfshirë ata që kam në Kongres”, thotë zoti DioGuardi.

Ai thotë se më tepër se sa politika, rëndësi kanë vlerat që ndjek:

Nëse vlerat e tua janë për të drejtat e njeriut dhe për ato gjëra që i kapërcejnë partitë, atëherë je në rrugë të drejtë. Por disa njerëz e kalojnë masën, siç bëri Presidenti Trump. Kjo ishte e gabuar dhe prandaj ai nuk do të jetë më president dhe ju do të shikoni tani një rikonfigurim të gjërave. Do të shikoni shumë republikanë në Senat që do të votojnë për ta shpallur atë fajtor”.

Ai e ka fjalën për akuzën e ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve për shkarkimin e Presidentit Trump në lidhje me ngjarjet e 6 janarit, kur një turmë e dhunshme sulmoi Kapitolin dhe rriti tensionet në mbarë vendin.

Edhe pse kjo është hera e dytë që Dhoma e Përfaqësuesve ngre akuza për shkarkimin e Presidentit, zoti Trump ruan një bazë relativisht të gjerë mbështetësish.

Nick Markola, është investitor në kompanitë e teknologjisë së lartë në Nju Jork dhe thotë se është i pavarur politikisht.

Zëri i Amerikës: Zoti Markola, a mendoni se Zoti Trump do të vazhdojë të ketë ende ndikim mbi Partinë Republikane edhe pasi të jetë larguar nga Shtëpia e Bardhë?

Duhet të kemi parasysh se për zotin Trump votuan 74 milion njerëz. Disa e votuan sepse ai ishte kandidat republikan dhe ata nuk donin të votonin një demokrat. Nga ana tjetër, një pjesë e këtyre votuesve janë mbështetës shumë besnikë të zotit Trump”, tha zoti Markola.

Disa nga politikanët republikanë po qëndrojnë të heshtur por ndoshta privatisht nuk do ta braktisin atë plotësisht. Çështja është: Çfarë do të bëjë zoti Trump pasi të jetë larguar nga Shtëpia e Bardhë? A do të rrijë ai i heshtur? Nuk më duket se kjo përputhet me karakterin e tij. Ne mund të shprehim shumë hamendje, por nuk do të habitesha nëse e shohim atë të luajë kartën e medias për të qenë i pranishëm në skenë dhe ndoshta të rikthehet në vitin 2024”, shton ai.

Ronald Cami, me profesion avokat dhe këshilltar i përgjithshëm juridik i firmës Waypoint Capital në Boston, thotë se e përqafoi Partinë Republikane që në moshën 18-vjeçare. Ai tregon se gjyshi i tij u ekzekutua nga qeveria komuniste e Shqipërisë në vitin 1952 dhe se ishte e natyrshme që ai, ashtu si shumë të tjerë si ai, të qëndronin më afër Partisë Republikane sesa asaj Demokrate.

Në atë kohë, mesazhi i Partisë Republikane, që vazhdon edhe sot, ishte më tepër rreth përgjegjësisë individuale dhe lirisë, çka ishte shumë e rëndësishme për ne”, thotë zoti Cami.

Zëri i Amerikës: Çfarë ka ndryshuar sot në Partinë Republikane?

Për mua, është si ai miku që të ka thyer zemrën. Pra, Partia Republikane është miku im i vjetër që më ka thyer zemrën duke lejuar të ndodhte atë që ndodhi. Për mua kishte dy rrugë, ose të dorëzohesha dhe t’i thosha partisë se nuk ishte më miku im, ose të ngrija zërin për parimet themelore që ne duhet të mbrojmë. Dhe unë kam zgjedhur rrugën e dytë. Shumë nga miqtë e mi kanë zgjedhur të parën”, thotë zoti Cami.

Ne jemi për parime të tilla si sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit. Ne duam udhëheqës që i mbrojnë kauza të tilla mbi bazën e traditës amerikane, që do të thotë ta vendosësh vendin tënd mbi të gjitha. Por mendoj se presidenti ynë i tanishëm vuri veten mbi të gjitha”, shton ai.

Zëri i Amerikës: A do të vazhdojë të jetë zoti Trump një pikë reference për republikanët pasi të jetë larguar nga Shtëpia e Bardhë?

Mendoj se ka mjaft njerëz, ndoshta 15 për qind e popullsisë, që është një numër mjaft i madh, të cilët ndjejnë njëfarë besnikërie ndaj tij“, thotë zoti Cami.

Nëse ne i demonizojmë këta njerëz dhe u vëmë etiketa, gjë që Partia Demokratike e ka bërë në të kaluarën, duke i quajtur në një rast ‘mjeranë’, siç bëri Hillary Clinton, kjo do ta keqësonte situatën. Shumë nga këta njerëz unë i njoh, sepse jam rritur me ta. Ata janë njerëz të mirë. Ata duhet të binden me argumente dhe me respekt. Shpresoj që Partia Republikane ta tregojë këtë respekt ndaj tyre, pa i manipuluar dhe pa i gënjyer”, shton ai.

Por si mund të ndikojë procesi i fajësimit të presidentit Trump? A rrezikon ta përçajë më tej vendin? Kjo është një pyetje në mendjen e shumë njerëzve.

Mendoj se në çdo rast, ngritja e akuzave për shkarkimin e një presidenti është diçka e mirë nëse është e merituar. Sepse ajo që arrihet me anë të këtij procesi është se gjërat shtrohen në tryezë. Edhe në rastin e tanishëm, kur kemi një president me një mbështetje të madhe në publik, është gjë e mirë që po ndodh, sepse tani njerëzit po e kuptojnë se jo çdo republikan është në anën e tij”, thotë zoti DioGuardi.

Republikanët nuk kanë arsye të shqetësohen. Ata duhet të shprehen me vendosmëri për atë që besojnë dhe të lejojnë që drejtësia të bëjë punën e saj. Ne kemi një sistem kontrollesh dhe balancash që është i pashembullt në botë“, shton ai.

Zoti Cami thotë se është në favor të procesit të tanishëm në Kongres për shkarkimin e Presidentit Trump, sepse ajo që ndodhi më 6 janar, sipas tij ishte diçka e papranueshme:

Demokratët i hapën dritën jeshile dhunës së kësaj vere, kur u dogjën kisha dhe qytete. Por kësaj here, më 6 janar, dhuna u ndërmor me idenë për të ndryshuar zgjedhjet. Kjo ishte diçka tepër e rëndë. Prandaj nuk mendoj se ngritja e akuzave do të krijojë përçarje në vend”.

Nick Markola ka një ide tjetër. Ai thotë se në vend që të përpiqen të shkarkojnë presidentin dhe të polarizojnë vendin, politikanët e të dyja partive duhet të gjejnë mënyrën për t’u bashkuar dhe për të punuar së bashku.

 

 

VOA