Rosalia De Kastro është poetja që i këndoi deri në fund të jetës së saj, shpirtit dhe mistereve të tij. Poezia e saj, u vu në kërkim të zbulimit të shpirtit njerëzor. Në vargjet e saj poetike ajo do të shprehej, “Sa e çuditshme dhe komplekse është zemra.” Njëlloj, si psikoanalistët, Frojdi dhe Jungu, ajo me intuitë zhbironte atë që ekzistonte poshtë pragut të koshiencës. Frojdi dhe Jungu zhvilluan intuitën e tyre dhe krijuan teorinë e psikologjisë së thellë, ndërsa poetesha galiciane e metamorfozoi atë në poemat e saj delikate dhe melankolike. Vargjet e saj kanë elementë misteriozë dhe të pashprehshëm, që shpjegohen vetëm si manifestime të nënvetëdijes. Shumë vepra artistike mund ta shprehin nënkoshiencën në një shkallë më të lartë ose më të ulët. Vetë poetesha, thotë që vargjet e saj shprehin lëvizjet e fshehta të shpirtit të saj.
Di të them vetëm që këngët e mia
dalin nga një shpirt i trazuar
i mbërthyer nga lisnajat e nëndhenshme
fillimi i ditës, kjo murmurimë e pasigurt
ngatërrim flladesh
Gjithçka që bëri përmes të të shkruarit nuk ishte vullneti i saj por ishte zëri i brendshëm dhe i parezistueshëm që dilnin nga nënvetëdija e saj dhe që i përshkroi poetikisht:
Ves, pasion, o sëmundjet e shpirtit
Që lehtë bie në tundim
Dhe shkruan siç shkruajnë valët në rërë
Si shiu në lagunë dhe si mjegulla në diell
Sipas teorisë së psikologjisë së thellë, koshienca jonë zë vetëm një pjesë të vogël në psiqikë dhe ajo që mbetet është nënvetëdija që konsiston në dy plane; nënvetëdija personale që përmban pjesën e harresës dhe tjetra është ajo kolektive, e trashëguar dhe që ndahen nga familja, populli, raca, nga kafshët , zogjtë dhe peshqit.
Siç e dimë fetusi përsëritet brenda mitrës dhe është një evolucion biologjik, njëlloj ndodh edhe me psiqikën. Koshienca ka dalë nga nënvetëdija kolektive ose më mirë mund të themi që evoluimi njerëzor ka ndodhur ngadalë për 6000 vjet, që nga nënvetëdija kolektive. Nënkoshienca kolektive ka dy forca të kundërta; forca shkatërruese dhe djallëzore që rrënon personalitetin dhe tjetra është forca hyjnore dhe produktive që e nxit personalitetin për të qenë ideal dhe perfekt. Nënvetëdija kolektive prej nga dalin veprat shpirtërore të njeriut si, koshienca, religjionet, arti, shkenca, parimet shoqërore, revolucionet, bëmat etj. Sipas Jungut, nënvetëdija gjendet afër gjuhës sonë racionale, por kur asaj i duhet që të shprehet ajo depërton brenda mbretërisë së gjykimeve tona dhe na bën të perceptojmë një pamje të re. Supozohet që nënvetëdija ka një funksion krijues dhe krijesat e njerëzve që quhen heronj dhe gjeni janë ato që na bëjnë të kuptojmë këtë nënvetëdije krijuese që ekziston poshtë koshiencës së bashkëkohësisë së tyre. Rosalia De Castro përmes poezive të saj, na bën të perceptojmë problemet tona shpirtërore që i ruajmë në nënvetëdijen tonë kolektive, si: dhimbja, hidhërimi, vetmia, frika, dashuria, malli, pakënaqësia dhe pasiguria, të gjitha këto përbëjnë universalitetin e saj.
Le të studiojmë poezinë e saj nga pikpamja e psikologjisë së thellë së Jungut dhe të shohim nënvetëdijen e saj kolektive në lidhje me veprat e saj, siç janë, Cantares Gallegos( (Këngët galiciane), Follas Novas (gjethe te reja), En las Orillas del Sar( Në brigjet e Sar).
Rosalia de Kastro është shpirti dhe mishërimi i Galicisë. Studiuesi Euhenio Montero që ka shkruar biografinë e saj, shprehet: “Ajo është shpirti i Galicisë, si shiu që vajton nga qielli i saj, si shikimi i pastër nga një fushë e valëzuar dhe një pasion në detin e trazuar”. Viktoriano Garsia Marti do të shkruante në prologun e përmbledhjes së veprave të saj: ”Rosalia lindi bashkë me shpirtin e popullit të saj.” Këto fjalë përmbushin, si jo më mirë, Cantares Gallegos( Këngët Galiciane). Rosalia e publikoi veprën, Cantares Gallegos si rrjedhojë e një jete të hidhur që ajo eksperimentoi në Madrid, larg Galicisë. Cantares Gallegos janë një përmbledhje e ndjesive të ndryshme të poeteshës sonë, si; nostalgjia për peizazhin e gjelbër të Galicisë, sensibilizimi i saj për shoqërinë e keqe, duke i parë qytetarët e saj gjithmonë të varfër, të poshtëruar, të përjashtuar nga bota e madhe. Këto ishin disa nga temat që e frymëzuan poeten e cila filloi të shkruante në gjuhën galiciane, gjuhë që nuk përdorej në letërsi që nga shekulli 15-të. Ideologjia që shprehet në gjithë këtë vepër është një kërkesë e Galicisë dhe një akuzë e fortë për padrejtësinë shoqërore. Në këtë libër ajo i këndon pafundësisht jetës, zakoneve, festave, legjendave tradicionale të tokës së saj, të cilat tregohen me nota të gëzueshme, optimiste dhe shpeshherë satirike. Të tjera tema interesante që preken në këtë libër janë ajo e emigrantëve, akuza ndaj padrejtësisë shoqërore që i detyron vendasit e saj, të lënë tokën, familjen, të dashurat e tyre për të punuar në vende të tjera të Spanjës ose në Amerikë. Edhe pse poetesha i këndon Galicisë në këtë vepër, ajo shfaqet unike me shpirtin kolektiv të galicianëve. Gjithë prodhimtaria lirike e shpirtit galician që gjendet në këngët popullore është uni i Rosalisë, të cilat shkrihen dhe forcohen brenda poezive të poeteshës sonë duke mos u dalluar nga njëra-tjetra. Rosalia e ndjen trishtimin, vetminë, alegrinë dhe largimin e vendasve të saj, jo si një e huaj por njësoj si ata, dhe kjo shënon identifikimin, unifikimin me mentalitetin kolektiv të galicianëve. Mund të themi që psikologjikisht nënvetëdija kolektive e vendasve të saj është projektuar në të, dhe pikërisht funksioni krijues i kësaj nënvetëdije e nxit koshiencën që të shprehet përmes fjalëve. Në librin “Follas Novas“ (Gjethet e reja), Rosalia i këndon Galicisë , por nuk është protagoniste. Siç shprehet vetë poetja në prologun e librit, “Galicia ishte objekti i këtyre këngëve, shpirti i saj”. Në këtë përmbledhje me poezi shprehet vizioni i saj për botën subjektive që rrjedh nga një shkak shumë i thellë dhe universal i psiqikës, dhe thuhet që ajo e arriti nënvetëdijen kolektive duke qenë në përgjithësi humane dhe duke njohur rrënjësisht dhimbjen e jetës. Për të sjellë diçka të re, do të shkatëronte të vjetrën, si rrjedhojë e kohës së saj. Por në të njëjtën kohë kjo e detyroi poeten të pranonte vështirësinë e adoptimit të jetës dhe të komunitetit të saj, dhe për këtë preferoi vetminë. Rosalia në këtë vepër do të shprehej, “Sa e ëmbël dhe e trishtueshme është vetmia” ndërsa në librin, “En las Orrillas del Sar” (Në brigjet e Sar), “Më lër vetëm, në harresë, dhe të lirë: dua që të endem si një endacake në errësirë”. Shumë biografë, që kanë shkruar për jetën e Rosalisë, ia atribuojnë karakterin e saj çrregullimeve të fëmijërisë, por vetmia e saj shpjegohet edhe si rrjedhojë e gjenalitetit të saj. Temat si; malli i saj për errësirën, terrin, vdekjen, i gjejmë kryesisht në librin “Follas Novas.” Në veprën “En las Orrillas del Sar” ajo i këndon në mënyrë melankolike dhe delikate botës së brendshme dhe vuatjeve të galicianëve. Gjithashtu gjejmë shpirtin e poeteshës të etur, të pakënaqur, të përmalluar, gjithmonë në kërkim të mistereve të shpirtit:
Atje në kohërat e shkuara
Shpirti im i mbushur me kujtime të shenjta
të tokës sime me fusha të bukura
pasuria e të varfërve ishte zjarri që shkëlqente
nga kasollet në sfond, që ngrohte gjymtyrët e ngurta
nga e ftohta dhe uria e fëmijës dhe plakut
Vargjet poetike perkthyer nga spanjishtja ( Blerina Harizaj)