ZBULOHET THERANDA NË DARDANI?
____________________________________________
VENDBANIMI ILIR I ÇIFLLAKUT – RAHOVEC
• Gërmimet arkeologjike në Çifllak zbuluan pjesë të një terme me përmasa shumë të mëdha dhe arkitekturë të zhvilluar që ishte një monument publik.
• Për herë të parë në historinë e kërkimit arkeologjik në Kosovë zbulohet një vendbanim që flet qartë për ndërtime të shekujve I-II pas Krishtit.
• Kjo qendër antike u rindërtua gjatë sundimit të konsujve Maksimus e Paternus në vitin 233 pas Krishtit.
• U zbuluan ndërtime dhe objekte cilësore arkitektonike të realizuara nga mjeshtrit vendas.
Në vend të hyrjes
Ishte vjeshtë e vitit 2001 kur një grup arkeologësh vizituam fshatin Çifllak gjatë ekspeditës përnjohëse në Drinin e Bardhë. Menjëherë na ra në sy në qendër të fshatit një grumbull i madh blloqesh prej mermeri të punuar bukur të përmasave të mëdha. Ndër to mund të veçojmë një bazament kolone, që ka gjasa të jetë përdorur si bazament i një stele, – bllok mermeri i dekoruar mbi reliev me motivin e gjarpërit, realizimi është mjaft cilësor. Në njërin prej blloqeve të mermerit vërehet dekoracioni i realizuar mbi reliev në formen e një zinxhiri të përbërë nga 5 trekëndesha pothuajse të barabartë, me kulm nga poshtë, të lidhur ndërmjet tyre me një vijë reliefore.
Më poshtë këtij dekoracioni po me reliev është realizuar një motiv në formën e një gjysëm harku. Mendohet paraprakisht se mermeri i bardhë është marrë në minieren e Banjës së Pejës ose në Ostrozhup të Malishevës.
Së bashku me kolegun tim Fatmir Peja biseduam se kjo masë blloqesh antike vinte nga një vendbanim shumë i zhvilluar pasi ato tregonin për ekzistencën këtu të një ndërtimi mjaftë cilësor dhe monumental. Pak nga pak rreth nesh u afruan banorët e fshatit të cilët pasi mësuan se ishim arkeolog menjëherë filluan të tregonin vendin se nga vinin këto blloqe të skalitur. Në bisedë me ta mësuam se vazhdimisht kur punojnë në ara si dhe në kopshtet e shtëpive gjejnë copa qeramike, si dhe objekte prej mermeri. Njëri prej tyre Z. Fasli Thaqi (ndjestë pastë), një burrë shumë gazmorë, i qeshur dhe bujar na tha që në kohë të thatë mund të shikosh në disa vende muret ilire. Unë herë pas here, tha ai, kam gjetur disa nga këto blloqe që po ju bëjnë ju shumë përshtypje. Unë nuk jam arkeolog, por një gjë e di se trojet e shtëpisë time janë ndërtuar mbi troje shumë te vjetra të ilirëve, në qoftëse nuk besoni jeni të mirëpritur që të graponi në kopshtin e shtëpisë edhe pse tani është plot me perime. E duke buzëqeshur shtoi- e kush pyet, boll që ja arritëm kësaj dite që të dimë historinë tonë.
Që nga ajo ditë shtëpia e Fasli Thaqit u bë dhe shtëpia e arkeologëve. Menjëherë e kuptuam se kishim të bënin më një qendër të rëndësishme antike të Kosovës, një vendbanim i cili përmbushte të gjitha kushtet për zhvillimin e jetës në antikitet.
Pozita gjeografike
Vendbanimi i Çifllakut ndodhet buzë luginës së Drinit të Bardhë (Kosovë), në të djathtë të rrjedhjes së tij. Kufizohet në veri me fshatin Kramovik, në lindje me Gurin e Kuq ndërsa në perëndim me Meqen dhe Rakovinën. Vendbanimi shtrihet në pjesën më të madhe të taracës së krijuar nga veprimtaria lumore në një fushë mjaft pjellore me një pozicion gjeografik të favorshëm.
Taraca lumore e Drinit të Bardhë kishte krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e jetës që në lashtësi. Nuk është e rastit që në afërsi të Çifllakut, janë gjetur objekte të periudhës neolitike, si në Sarosh dhe Ratkoc. Pikërisht nga kjo zonë, në periudhën që kemi në shqyrtim, realizohej komunikimi ndërmjet Rrafshit të Dukagjinit dhe Rrafshit të Kosovës për në drejtim të Ulpjanës. Ende edhe sot gjejmë toponime që flasin për rrugë të vjetra si “Rruga e Sallahut“, e cila bënte lidhjet e këtij vendbanimi me pjesën përballë Drinit dhe Gjakovës, apo “Rruga e Dugajës“ e cila vijonte përgjatë luginës së Drinit të Bardhë.
Nga vrojtimet tona në terren kemi konstatuar se lugina e Drinit, ku përfshihet dhe Çifllaku, është shfrytëzuar për ngritjen e trasesë së rrugës së njohur romake Lissus-Naissus e cila kalonte Drinin e Bardhë në fshatin e sotëm Rogovë të Gjakovës dhe vijonte në drejtim të Gexhës, ku janë vërejtur gjurmët e një fortifikimi të shek. III-IV, për në drejtim të Çifllakut. Përreth këtij vendbanimi ndodhën dhe disa fortifikime të tjera të shekujve III-IV dhe VI, ku mund të veçojmë Gurin e Kuq, Zatriqin (Rahovec), Dollcin (Klinë) dhe Cërmjanin (Gjakovë). Kjo me sa duket tregon për rëndësinë që kishte ky vendbanim si një nyje e komunikimit rrugor në këtë pjesë të Dardanisë (Rrafshi i Dukagjinit). Gjurmë arkeologjike të kësaj periudhe janë dokumentuar tanimë edhe në fshatin Dërsnik i Poshtëm (Klinë).
Historia e kërkimit shkencor
Lidhet me zbulimin vite më parë i një altari prej mermeri, i cli i dedikohet kultit të Fortunës, që ruhet në Muzeun Arkeologjik të Prizrenit.
Mbishkrimi është lexuar:
-Fortunae Do/minae/ Avr(elius) Cas(sinus) dec(urio) p(osuit).
Çifllaku ishte përmendue dhe më parë në literaturën arkeologjike nga studiues të tillë si Budaj Arpad dhe Emil Çeshkov të cilët e rradhisin këtë qendër ndër vendet më të zhvilluara gjatë shekujve III-IV në Rrafshin e sotëm të Dukagjinit. Nisur nga pozita gjeografike për këto studiues, Çifllaku mund të ishte një muncipium, pra një qendër administrative dhe ekonomike e kësaj zone. Por, këto ishin vetëm shprehje të nuhatjes së një studiuesi pasi mungonin tërësisht studimet arkeologjike.
Gërmimet arkeologjike
Gërmimet arkeologjike të organizuara në Çifllak nxorën në dritë disa gjurmë banesash, me mjaft interes pasi elementët arkitektonike të zbuluar deri më tani janë të lidhura me një kontekst stratigrafik mjaft të qartë, ç’ka i bën të dallueshme edhe fazat e ndryshme ndërtimore që u vërejtën dhe u dokumentuan gjatë gërmimit.
Gërmimet dhanë një material relativisht të pasur arkeologjik, të ndarë në dy faza të mëdha, shekujt I-II dhe shekujt III-IV, periudhë që pasqyron dhe historinë e jetës së vetë monumentit. Përveç banesave materialin e zbuluar e përfaqëson dhe qeramika e përdorimit të përditshëm, ku nuk mungon edhe qeramika e importit që ngjason me enë të tilla tanimë të publikuara nga vendbanimi i Ulpianës.
Një vend me interes e zënë fragmentet e enëve prej qelqi, siç janë kupat dhe disa instrumente prej kocke të përdorura në fushën e mjekësisë etj. Nuk mungojnë dhe gjetjet prej bronzi siç është një ampuletë e vogël në formën e një sopate në të cilën vërehet iniciali X, realizuar me teknikën e incizimit; një fragment fibule prej bronzi, gjilpëra etj,.
Në mes gjetjeve metalike spikat një depo veglash pune prej hekuri, e gjetur mbi shtrojën e një ambienti banimi. Repertori i veglave të saj na jep të dhëna direkte me mjaft interes për karakterin ekonomik të vendbanimit. Kazmat, parmenda, darët dhe disa vegla të vreshtarisë janë këtu si dëshmi të aktivitetit bujqësor. Këtë e imponon edhe terreni i favorshëm me fusha aluvionale pjellore dhe kodra të përshtatëshme për vreshtari.
Tre monedha bronzi përfaqësojnë njësi të vogla monetare të perandorit Konstantin, të bijëve ose nipërve të tij. Ato përbëjnë nje material me vlere sidomos për datimin e konteksteve shtresore ku janë gjetur.
Sipërfaqja e gërmuar në vendbanimin e Çifllakut sqaroi dy ndërtime të vëndosura njëra mbi tjetrën, që kohësisht janë të ndryeshme. Ndërtimet e fazës së parë, të cilat kohësisht lidhet me shekujt I-II mbas Krishtit, janë prezente në tërë sipërfaqen e gërmuar, ndërsa ato të më vonshme shekujt III-IV, kanë përdorur si bazament të tyre ato paraardhëse të cilat shtrihet pothuajse në tërë këtë kompleks.
Orientimi i ndërtimeve të kësaj faze (shekujt I-II) është më në lindje se ato pasardhëse. Teknikisht muret e tyre janë të ndryeshme. Njëkohësisht duken qartë ndërhyrjet e fazës së dytë (shekujt III-IV) të cilat kanë dëmtuar muret kufizuese të fazës së parë në pjesën lindore dhe perëndimore të këtij ndërtimi.
Ndërtimet e fazë së parë janë realizuar me gurë lumi të përmasave mesatare, me mbushje mbeturinash të materialit ndërtimor si tulla dhe tjegulla lidhur me argjil, pa gelqere. Gjërësia e mureve është e vështirë të sqarohet, me përjashtim të linjës perëndimore e cila është 0, 62 m, pasi në tërë linjën e murit ato janë të mbuluara nga ndërtimet e fazës së dytë.
Një shtresë tjeter që lidhet me fazën e dytë të vendbanimit janë ndërtimet e kryera mbi konstruksionet e fazës së parë. Muret e kësaj faze janë ndërtuar me gurë të punuar, lidhur me llaç i cili përbehet prej gelqere dhe rërë lumi të një cilësie mjaft të lartë dhe e suvatuar në faqet e saj. Ka raste që dallohen dhe gjurmë afreskesh me të cilat kanë dekuruar faqet e brendëshme të mureve. Mjaftë i veçante paraqitet ndërtimi i dyshemesë e cila është punuar prej një shtrese të bollshme llaçi, në të cilën janë vëndosur në profil tjegulla dhe tulla, fenomen ky që haset për herë të parë në ndërtimet e kësaj periudhe në vendbanimet romake të Kosovës. Një teknikë e ngjashme e punimit të dyshemesë është zbuluar kohët e fundit në Diaporit (Butrint), e datuar në shekujt III-IV. Kësaj faze i përkasin dhe disa ndërtime të cilat kanë shërbyer si ambiente ndihmëse të vilës, në të cilën u zbulua një depo veglash bujqësore dhe një sërë objektesh metalike. Zbulimi “in situ “ i shëmbjes së çatisë, tregon për përfundimin e jetës në këtë vendbanim. Paraprakisht mendojmë se kjo shembje ka ndodhur në fundin e shekullit të IV ose në fillimin e shekullit të V, kjo e pasqyruar nga qeramika dhe nga një kupë metalike prodhim i kësaj periudhe. Çatija e rrëzuar përbëhet prej tjegullave dhe imbikseve. Gjurmë të djegjes së trarëve dhe të ganxheve lidhës të tyre, me sa duket flasin se çatija e banesave të këtij kompleksi në shek. III dhe IV ishte ndërtuar me kapriata.
Terma
Gërmimet arkeologjike në Çifllak treguar për prezencën e një terme më përmasa shumë të mëdha. Sipërfaqja e gërmuar e cila është rreth 150 m/2 e përqendruar në sektorin C, mundësoj zbulimin vetem të pjeses jugore të termës së bashku me një pjesë të ambientit të piscinae.
Përbëhet prej një gjysëmharku të rregullt, ndërtuar në anën jugore të termës, në qendër të ambientit kryesor. Ndërtimi i harkut është bërë me dy teknika:- a)“opus incertum”, b) – opus mixtum” . Kjo pjesë e termës është e përforëcuar në tre pikë me anën e tre kontraforteve, të cilat janë të vendosura, dy në anët dhe një në qendër. Kontrafortët lidhen organikisht me muret e tjera, gjë që tregon për njëkohshmërinë ndërtimore të tyre.
Muret e këtij ambienti janë trajtuar në pjesët e jashtme me një suva të lehtë, mjaftë cilësore. Megjithatë nga gërmimet u zbuluan pjesë mjaftë të ruajtura mirë të cilat flasin mbi teknikën e ndërtimit të shtrimit të dyshemesë. Teknikisht dyshemeja është trajtuar si pjesët e tjera të termës.
Padyshim që ky ndërtim flet për një kohë më të vonë se ndërtimi i këtij ambienti të termës. Objekti ngjason me formën e një vaske të vogël me përmasa 1.32 m x 1,00 m, me zgjatim nga veriu. Ndërtimi i tij është realizuar me fragmente tullash të përmasave të ndryeshme, lidhur prej një shtrese llaçi mjaftë të hollë. Dyshemeja e termes e zbuluar në thellësinë 0,70m, është punuar me një cilësi të lartë. Pas nivelimit të sipërfaqes është lustruar me ajkën e baltës e cila ruan cilësi hidroizoluese. Vlen të theksojmë se në përgatitjen e llaçit ka dhe shumë pluhur tulle.
Një përzierje llaçi me rerë lumi të situr mirë, përzier me gelqere të stazhinuar së bashku me pluhur tulle. Mbi mbushtjen me material qeramikë ndërtimi që është përdorur për nivelimin e dyshemesë dhe lidhjes së këtij materiali me llaç të bollshëm është shtruar një cipë e hollë ajkë llaç hidroizolues. Rreth kjo pjesë e termës qarkohet prej një bordure e cila mbyll hapësirën ndërmjet dyshemesë dhe faqës së brëndëshme të saj. Gjatë rënies së çatisë, është dëmtuar një pjesë e dyshemesë, pasi së bashku me materialin mbulues të çatisë në përzierjen e kësaj shtrese vërejmë dhe fragmente të dyshemesë. Me mjaftë interes veçojmë gjurmët e djegjes, të cilat mendojmë se flasin për përfundimin e jetës në ketë termë.
Deri tani për nga teknika e ndërtimit, mënyra e shtrimit të dyshemese si nga disa elemente të tjerë arkitektonik, terma e Çifllakut lidhet ne kohe me termën e zbuluar ne municip DD të Soçanicës. Materiali qeramik si dhe materiali tjetër tregon se funksioni i termes i perket shekujve II, III dhe IV, ndërsa shtresa e djegjes flet më së shumti për përfundimin e jetës në ketë monument që mund të lidhet me fillimin e shekullit të V.
Çifllaku prezanton kështu të parën qendër arkeologjike ku diferencohen qartë dy fazat e depërtimin të perandorisë Romake në Kosovën antike, shekujt I-II dhe shek III-IV. Vazhdimi i gërmimeve arkeologjike në këtë qendër është një domosdoshmëri pasi ndihmon shumë në sqarimin historisë antike të Dardanisë.
Çfarë përfaqësonte Çifllaku në antikitet?
Ndonëse është shumë shpejt që të konklodojmë në lidhje më përkatësinë dhe funksionin e kësaj qendre, zbulimet e deritanishme na japin të drejtë që të supozojmë rreth disa çeshtjeve të cilat duhet të zgjidhen nga gërmimet arkeologjike në të ardhmen.
Siç mund të dihet, emri Çifllak vjen me origjinë nga turqishtja e cila nga disa konsultime që kam bërë me kolegët të mij të kësaj fushe mund të përkthehet shumë dyshe. Nisur nga pozicioni që ka kjo qendër në aksin e rrugës Lissus-Naissus, pra të arteries që bënte lidhjet ndërmjet Dardanisë dhe bregdetit Adriatik, mendoj që në këtë qendër gjatë antikitetit janë shpërndarë disa rrugë:- ajo që vinte nga fortesa e shekujve IV mb.Kr, Gexhe, pasi kalonte në Çifllak shkonte në drejtim të Ulpianës duke cekur kështjellën e njohur sot më emrin Dollc; po ashtu nga Çifllaku shkonte një rrugë tjetër për në këshjellën e shekujve të IV në Pejë dhe një rrugë tjeër ishte ajo për në Dërsnik, një vendbanim ky i kësaj periudhe që ndodhet sot në komunën e Klinës. Mendoj që vetë emërtesa e këtij vendbanimi është një tregues për rolin që luajti kjo qendër në antikitet. Kjo qendër antike u rindërtua gjatë sundimit të konsujve MAKSIMUS e PATERNUS në vitin 233 pas Krishtit.
Një problem tjetër që duhet të sqarohet lidhet me monumentin e zbuluar në Çifllak nga gërmimet arkeologjike. Siç e sqaruam më lart është fjala për zbulimin e një terme me përmasa shumë të mëdha dhe arkitekturë të zhvilluar që natyrisht ishte një monument publik dhe jo privat. Në aksin e rrugës Lissus-Naissus gjenden një stacion rrugore i njohur me emrin Theranda, lokalizuar diku afër Suharekës.
Gërmimet e kryera në Çifllak treguan se kjo qendër në shekujt III-IV ishte e urbanizuar me një cilësi jetë shumë të lartë, vendosur buzë lumit Drini i Bardhë i cili në këtë kohë ishte i lundrueshëm, në qendër të cilit ishte nëdrtuar një Termë e Madhe me karakter publik.
Mendojmë paraprakisht që kjo qendër Çifllaku, nuk është asgjë tjetër vetëm stacioni Theranda në rrugën antike Lissus-Naissus.
Gjithsesi kjo mbetet për t’u sqaruar nga gërmimet e ardhshme arkeologjike të cilat janë të domosdoshme.