Site icon Gazeta Nacional Albania

NJË KAFE ME DOKTORIN E PAHARRUAR  RAM ALIAJ. Nga Xhavit Hasanpapaj, N. York

???????????????????????????????

 

 

 

Në qytetin e vogël, rrëzë Alpeve Bajram Curri, ishte privilegj për këdo të pinte një kafe me doktor Ram Aliajn. Jo vetëm sepse ishte mjeku që u duhej të gjithëve, por sepse ishte shumë më tepër se kaq. Ishte një mik i mirë, një qytetar fisnik, një intelektual me horizont të gjerë, një njeri i mbushur me mirësi dhe një mjek i përkushtuar, që gëzonte respektin dhe dashurinë e të gjithë qytetit. Nuk kishte asgjë të sforcuar në sjelljen e tij. Thjeshtësia, mirësia dhe përulësia ishin tiparet që e dallonin menjëherë. Fliste qetë, me kulturë dhe me një finesë të rrallë që nuk impononte, por të ftonte të mendoje. Brenda pak çastesh, biseda me të largohej nga e përditshmja dhe të çonte drejt botëve të dijes, të historisë, të letërsisë dhe të jetës. Por, mbi të gjitha, të kthente gjithmonë te vlerat njerëzore. Ai nuk fliste për të treguar sa dinte; fliste për të ndarë dijen. Nuk kërkonte të binte në sy; kërkonte të ishte i dobishëm. Dhe këtë e bënte me një përulësi që e bënte edhe më të madh. Pranë tij askush nuk ndihej i parëndësishëm. Çdo bashkëbisedues e dëgjonte me vëmendje, e respektonte dhe e bënte të ndihej i vlerësuar. Mirësia ishte gjuha e zemrës së tij, ndërsa dija ishte mjeti me të cilin u shërbeu njerëzve. Mjekësia ishte profesioni i tij, por mirësia ishte identiteti i tij. Qyteti ynë, që në ato vite rritej e zhvillohej dita-ditës, pati fatin të kishte shumë qytetarë e intelektualë të tillë. Ata nuk ndërtuan vetëm institucione e shërbime; ndërtuan kulturën qytetare, besimin, respektin dhe modelin e njeriut të mirë. Ishin njerëz që, pa zhurmë e pa bujë, i dhanë qytetit fytyrën e tij më të bukur dhe frymëzuan breza të tërë me shembullin e tyre. Sot, sa herë i afrohem qytetit tim, ec nëpër gjurmët e kohës. Valët e kujtimeve ngrihen qetë dhe më sjellin para syve portrete të gdhendura në kujtesë si skulptura antike. Janë kujtime që vitet i largojnë, por nuk i fshijnë kurrë. Koha mund të ndryshojë rrugët, sheshet dhe ndërtesat, por nuk mund të zbehë dritën që lanë pas njerëz si doktor Ram Aliaj. Qytetet nuk mbahen mend vetëm nga rrugët, sheshet apo ndërtesat e tyre. Ato jetojnë në kujtesë falë njerëzve që u dhanë shpirt, kulturë, mirësi dhe dinjitet. Doktor Ram Aliaj ishte njëri prej tyre. Sepse disa njerëz jetojnë përtej kohës. Ata mbeten në kujtesën e një qyteti jo vetëm për profesionin që ushtruan, por për fisnikërinë me të cilën jetuan, për mirësinë që shpërndanë dhe për gjurmët e pashlyeshme që lanë në zemrat e njerezve! Njerzit e mire nuk largohen kurre plotesisht. Ata vazhdojme te jetojne ne kujtimet, miresite dhe shembullin qe u kane lene te tjereve!

 

 

 

MIRËNJOHJE E THELLË PËR KËTË PORTRET KAQ TË BUKUR

 

Nga Vera Aliaj *

 

Ta lexosh njeriun me të cilin ke ndarë një jetë, të ruajtur me kaq dashuri në kujtesën e një miku, është si të dëgjosh edhe një herë jehonën e hapave të tij nëpër kohë. Të falënderoj nga zemra për mënyrën kaq fisnike, të ndjerë dhe të vërtetë me të cilën e ke përshkruar Ramën. Në çdo rresht gjeta njeriun që ai ishte. Ke prekur me shumë finesë thelbin e tij. Ju nuk keni renditur thjesht cilësitë e tij; ke prekur masën e brendshme të njeriut që ai ishte. Ke parë mjekun që, përpara se të trajtonte sëmundjen, dinte të nderonte njeriun; intelektualin që dijen nuk e përdorte si epërsi, por si urë afrimi; qytetarin që i shërbente vendit të vet me peshën e shembullit. Ndoshta kjo është ajo që mbetet vërtet prej njeriut: jo emri, as titujt, por mënyra se si ka banuar për pak kohë në jetët e të tjerëve. Mirënjohje e thellë për këtë portret kaq të bukur, përmes syve të dikujt që jo vetëm e ka kujtuar por e ka kuptuar Xhavit Hasanpapaj.

 

*Autorja e ketij falenderimi eshte bashkeshortaj e dr. Ram Aliaj

Exit mobile version