Gazeta Nacional Albania

Njoftim i Shtëpisë Botuese “Nacional“ për pjesëmarrje në Antologjinë Poetike të Tropojës.Dorëzimet janë të hapura deri në 31 dhjetor 2024

Dorëzimet janë të hapura deri në 31 dhjetor 2024.

Jemi shumë të lumtur të shpallim lajmin për përgatitjen dhe botimin e Antologjisë Poetike të Tropojës me të cilën mendojmë të sjellim së bashku në një libër poetët më të mirë me origjinë nga Tropoja.
Përpilimi i kësaj Antologjie është një projekt krijues i Shtëpisë Botuese “Nacional”, i cili ka filluar më parë me Antologjine e Poezisë Bashkëkohore Amerikane, me Antologjinë e Poezisë së Tepelenës, Antologjinë e Poezisë Matjane etj.
Ne jemi të emocionuar që po e sjellim këtë libër me të cilin synojmë me modesti të pasurojmë bibliotekën e poezisë shqiptare me prurje origjinale dhe shpesh të një niveli ndërkombëtar dhe të ndajmë me miqtë tanë në hapsirat shqiptare dhe në botë këto arritje që na bëjnë krenar të gjithëve si shqiptarë.
Projekti i Antologjisë së poezisë së Tropojës ka qënë diskutuar gjatë viteve të fundit, por mbetur i pakonkretizuar, për arsye të ndryshme.
Me poetët e shquar Anton (Ndoc) Papleka, Skënder Buçpapaj, Skënder Sherifi, Mehmet Elezi, Besnik Mustafaj, Hamit Aliaj (ndjesë pastë) etj, e kemi diskutuar projektin e kësaj antologjie dhe kriteret e përfaqësimit, por së fundmi mbizotëroi mendimi që antologjia të përfshijë pa përjashtim të gjithë poetët me origjinë nga Tropoja(Malsia e Gjakovës) dhe redaksia të bëjë klasifikimin në libër, bazuar në vlerat e pranuara gjërësisht të gjithësecilit poet, duke filluar me nga tre deri në 15 poezi.
Antologjia mendohet të hapet me poezitë klasike të Tropojës, konkretisht me Poemat Epike të Mujit dhe Halilit, të krijuara rreth 13-14 shekuj më parë, si dhe të ruajtura dhe të mbartura në Tropojë dhe Alpet shqiptare deri në ditët tona. Këngët e Kreshnikëve konsiderohen si poemat më të shquara të Europës dhe Botës, për kohën kur u krijuan dhe çmohen nga studiuesit vendas dhe të huaj si vlera të poezisë shqiptare dhe të njerëzimit në tërësi. Poezia bashkëkohore e Tropojës i ka rrënjët tek ky substrat estetik dhe mbart cilësitë e saj në modernitet.

Atnologjia Poezisë së Tropojës, përveç botimit në gjuhën shqipe, do ta botohet edhe në variantin anglisht, nën përkthimin mjeshtëror të prof. dr. Ukë Buçpapajt.
Poetët tropojanë, qofshin me bazë në Shqipëri apo jashtë shtetit, ftohen të paraqesin deri në 10-15 poezi.
Poezitë do të dorëzohen përmes email-it: bucpapaj@yahoo.com dhe nacionalalbania@yahoo.com
Poezitë mund të jenë të botuara më parë ose të pabotuara, në formatin Word dhe PDF.
Poetët duhet të përfshijnë gjithashtu një biografi të shkurtër dhe një foto të përzgjedhur prej tyre, si dhe detajet e kontaktit: email, telefon, adresë postare.
Dorëzimet janë të hapura deri më 31 dhjetor 2024.
Kjo thirrje për paraqitje është e hapur për të gjithë poetët që mund të jenë të interesuar, pa asnjë përjashtim.
Jeni të mirëpritur me shumë respekt dhe përzemërsi për secilin prej jush miq dhe kolegë të nderuar, në këtë projekt të përbashkët, i cili mendojmë se do t’u vijë në ndihmë studiuesve të letërsisë, nxënësve dhe studentëve, mësueve dhe pedagogëve të universiteteve, mediave si dhe çdo të interesuari tjetër për poezinë shqipe, sot dhe në brezat që do të vijnë.
Për çdo informacion mund të kontaktoni me shkrim me kryeredaktorin e Antologjisë, poetin dhe studiuesin e letërsisë dr. Mujë Buçpapaj, drejtor i Botimeve Nacional, në email: bucpapaj@yahoo.com , në telefon: +355 68 20 74 316, po kështu edhe në fb, WhatsApp dhe viber.

Jeni të mirëpritur!

Me shumë respekt për secilin prej jush!

Dr. Mujë Buçpapaj

Tiranë, 7 shtator 2024