LDK-ja me një mesazh të fuqishëm nga Istogu – nga vendlindja e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova
Nikoqir:
Ilir Ferati- kryetar
Nga: Nuradin Imeraj
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, nën udhëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku, u mblodh në qytetin simbol të vlerave rugoviane – Istog. Kjo mbledhje nuk ishte thjesht një takim i radhës, por një mesazh i qartë politik: LDK-ja po vjen e bashkuar dhe e fuqizuar në prag të fushatës zgjedhore, dhe pikënisja e këtij rrugëtimi u bë pikërisht nga vendlindja e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova.
Zgjedhja e Istogut nuk ishte e rastësishme. Ajo është një tokë që gjithmonë i ka qëndruar besnike idealit rugovian dhe LDK-së, një bastion që kurrë nuk i ka humbur zgjedhjet. Është qyteti që frymëzon qetësi, mençuri dhe vendosmëri – vlera këto që po i rikthen fuqishëm në terren LDK-ja.
Kryetari i Komunës së Istogut, Ilir Ferati – pasardhës i denjë i kryetarit të përjetshëm Fadil Ferati – tregoi edhe një herë se është lider i konsoliduar dhe i përkushtuar për punë ekipore. Me vizionin e tij si ekonomist dhe drejtues i përgjegjshëm, ai arriti që gjatë këtij mandati ta transformojë dukshëm pamjen dhe zhvillimin e komunës së Istogut dhe rrethinës. Mjeshtër në ndërtimin e konsensusit dhe në amortizimin e mosmarrëveshjeve, Ilir Ferati është dëshmuar si faktor stabiliteti jo vetëm në komunë, por edhe brenda strukturave të partisë.
Takimi i mbajtur në ambientet e hotelit prestigjioz “Trofta” mblodhi figura të njohura dhe të respektuara të LDK-së, si Alush Gashi, Besa Gaxherri, Vlora Dumoshi, Lutfi Haziri dhe shumë të tjerë që e kanë dhënë kontributin e tyre që nga ditët e para të themelimit të LDK-së.
Ky takim përçoi një mesazh të qartë: Lidhja Demokratike e Kosovës është e gatshme, e përgatitur dhe më e bashkuar se kurrë për zgjedhjet lokale. Me përkrahje të fuqishme nga Istogu i Rugovës dhe me liderë të përgjegjshëm si Ilir Ferati, LDK-ja po hyn në këtë garë me besim të plotë për fitore.

