Nga Nuradin Imeraj drejtor ekzekutiv i Klubit Letrar” Podguri” Istog
Promovohet i librit me artikuj publicistikë për Dr. Ibrahim Rugovën në Hotel Tirana International – Homazh një Strategu të Pavarësisë së Kosovës 22 GUSHT 2025, në ambientet e Hotel Tirana International, u zhvillua një ngjarje e veçantë kulturore dhe kombëtare, kushtuar promovimit të veprës “Dr. Ibrahim Rugova – Strategu i Pavarësisë së Kosovës”, me autorë Besa Tafilaj – Pinchoti dhe Korab Kastrati, botuar nga Shtëpia Botuese “Jalifat Publishing”. Ky manifestim përmblodhi figura të njohura politike, akademike dhe kulturore nga trevat shqiptare dhe më gjerë, për të nderuar figurën dhe trashëgiminë e presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova. Në këtë ngjarje, një ndër fjalimet më të veçanta u mbajt nga Dr. Sali Berisha, ish-president dhe ish-kryeministër i Shqipërisë, i shoqëruar nga deputetja Albana Vokshi. Dr.Sali Berisha në fjalen e vet e vendosi figurën e Dr. Rugovës në panteonin e personaliteteve më madhore të kombit shqiptar, përkrah Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Nënë Terezës dhe Ismail Kadaresë. Ai theksoi rolin unik dhe pa precedent të Rugovës në historinë moderne të shqiptarëve dhe në themelimin e shtetit të pavarur të Kosovës. Për librin foli me kompetencë të lartë akademike Akademik Jusuf Buxhovi, i cili trajtoi rëndësinë historike dhe shkencore të kësaj vepre, duke e cilësuar atë si një kontribut të vyer në literaturën historike dhe politike mbi Kosovën dhe lëvizjen për liri. Një fjalë rasti mbajti edhe z. Agim Rexha, veprimtar i njohur i diasporës shqiptare dhe mik i afërt i Presidentit Rugova, ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Nju Jork. Ai ndau kujtime personale dhe theksoi vlerat që Rugova i kishte përçuar brezave shqiptarë në mërgatë. E pranishme në këtë manifestim ishte edhe znj. Doris Pack, politikane dhe intelektuale gjermane me ndikim në politikën europiane, e njohur si mbështetëse e fuqishme e pavarësisë së Kosovës. Në fjalën e saj, ajo theksoi vizionin europian të Dr. Rugovës dhe vlerat demokratike që ai mbarti në krye të një populli në përpjekje për liri. Z. Uke Rugova, djali i Dr. Ibrahim Rugovës, në fjalën e tij shprehu mirënjohje të thellë për autorët e librit, organizatorët e ngjarjes dhe të gjithë të pranishmit. Ai ndau disa kujtime personale dhe ndau çmime mirënjohjeje për personalitete të dalluara që kanë qëndruar pranë figurës dhe trashëgimisë së Rugovës ndër vite. I nderuar me ftesë në këtë ngjarje ishte edhe z. Nuradin Imeraj, drejtor ekzekutiv i Klubit Letrar “Podguri”, organizatë që çdo vit ndan Çmimin e Madh Letrar “Dr. Ibrahim Rugova” në qytetin e lindjes së tij, në Istog. Ai theksoi se figura e Rugovës mbetet udhërrëfyes frymëzimi për artin, letërsinë dhe identitetin kombëtar. Manifestimi u përcoll nga RTV Fontana, me drejtorin e saj Zeqir Mehmetaj, i cili siguroi dokumentimin vizual të ngjarjes. Organizimin e këtij eventi të veçantë e mbështeti Gazeta e Alpeve, nën drejtimin e Ramiz Tafilaj dhe Ramiz Lushaj, dy figura të njohura në fushën e publicistikës dhe promovimit të çështjes kombëtare. Kontributi dhe nisma për realizimin e këtij aktiviteti i takojnë z. Ramiz Tafilaj, filantrop dhe promotor i shquar i ngjarjeve kulturore dhe kombëtare në SHBA dhe në trevat shqiptare, mik i afërt dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Presidentit Rugova. Kjo ngjarje ishte më shumë se një promovim libri – ishte një homazh i përbashkët për një prej figurave më të ndritura të historisë moderne shqiptare. Dr. Ibrahim Rugova, përmes kësaj vepre dhe kujtesës kolektive, u risoll si simbol i urtësisë politike, vizionit paqësor dhe identitetit europian të Kosovës.

