Gazeta Nacional Albania

Partia Agrare Ambientaliste: Hergi Tabaku – Kryetar i Lidhjes Rinore Ambientaliste. Mos u vrisni të rinjve shpresën!

Tiranë më 18/12/2020

PAA – Forumi rinor proteston!

Mos u vrisni të rinjve shpresën dhe të ardhmen.

Hergi Tabaku – Kryetari i forumit rinor të PAA

Një ndër temat më delikate ditët e fundit, është protesta e bërë me rastin e vrasjes së të ndjerit, Klodjan Rasha.

Një rast shumë i ndjeshëm, një kafshatë e rëndë për t’u kapërdirë, duke cituar vargjet e të madhit Migjen. Klodjan Rasha humbi jetën pasi u vra një efektiv i policisë pas fashës orare të lejuar.

Protestat janë demonstrimi, liria e njerëzve, për të kundërshtuar një veprim, kauzë të padrejtë. Të gjithë duhet të ngrihemi dhe të protestojmë, pasi ajo çfarë ne të gjithë duhet të kuptojmë është që shteti duhet të na japë llogari.

Të na japë llogari për veprimet e tij, llogari për masat që merr, për taksat që vendos, si rregullatori më i lartë i një vendi.

Gjeneza e një ngjarjeje të tillë nuk fillon me humbjen e jetës së të riut, çdo gjë fillon me konkursin e përzgjedhjes së efektivëve të policisë. Në çfarë kriteresh u bë zgjedhja e këtyre efektivëve? Për të vazhduar më pas me trajnimet policore.

Ku janë këto trajnime, sa efektive janë apo bëhen për tu hedhur hi syve tanë dhe për të vendosur në pozicione njerëz të cilët nuk e kanë kapacitetin e duhur në sajë të sistemit handikap?

Efektivi që qëlloi, kishte vetëm dy vite që punonte në polici dhe ishte pjesë e strukturës së Shqiponjave, një strukturë që duhet të jetë e specializuar dhe duhet të kërkojë kritere më të larta, eksperiencë më të madhe dhe trajnime më të shpeshta.

Thuhet se dhuna gjeneron dhunë dhe nuk është zgjidhja e një proteste, por si do dëgjohet ndryshe zëri i njerëzve, kur askush nuk vendosi të dëgjonte? Si dëgjohet zëri ynë, kur policët arrestuan, rrahën dhe plagosën me qindra njerëz të cilët protestonin?

Kësaj qeverie duhet t’i vijë fundi, një qeveri që na la në baltë në momentin e një pandemie, që censuron lirinë e të shprehurit, që dënon formën më demokratike të të shprehurit, protestat, që vendos fasha orare dhe të vret. Kjo është një qeveri që duhet ta rrëzojmë, për të ngritur kokë dhe për ta bërë Shqipërinë një vend të jetueshëm, për të jetuar të qetë, jo me frikë.

Një shtet, i cili ka dështuar të kryejë funksionin e tij, një shtet i cili është marionetë për të kënaqur egon personale të kryeministrit tonë. Ky është momenti ynë, për tu ngritur dhe për të rrëzuar një sistem që po na mban peng dhe po na vret. Në vendin e Klodjan Rashës mund të jetë kushdo, mund të jem unë, mund të jesh ti, mund të jemi të gjithë.

Përballë kësaj qeverie të dështuar, Shqipëria ka më shumë nevojë se kurrë për protesta popullore kundër papunësisë dhe varfërisë edhe të rinjve, kundër braktisjes së vendit, kundër korrupsionit që vjedh miliarda lekë nga taksapaguesit.

LRA është kundër kapjes së shtetit që edhe sipas raportit të fundit të Freedom House, jemi vendi me shkallën më të lartë të kapjes së qeverisë nga oligarkët.

Shqipëria nuk qeveriset nga qeveritarët por nga oligarkët. Ky është kërcënimi më i rëndë që prej vitit 1990.

Kush më shumë se të rinjtë e ka detyrimin moral ta zgjojë shoqërinë tonë të trembur dhe të drobitur nga kjo situatë tragjike?

Kush më shumë se të rinjtë në emër edhe të prindërve të tyre të tramatizuar nga kërcënimi për vendin e punës apo nga gjobat, mund të tregojë të vërtetën e hidhur në publik?

Qeveria kurrë nuk mund ta shtypë dot shpirtin protestues të të rinjve të cilët kurrë nuk mund të bashkëjetojnë me varferinë dhe mjerimin që ofron kjo qeveri e kapur.

LRA është kundra këtij sistem qeverisës të dështuar dhe të bazuar tek dhuna psikologjike por edhe fizike.

LRA ështe pro zërit të lirë, ndërgjegjes së lirë dhe qytetarëve të lirë në vendin e tyre dhe për vendin e tyre.