Arra qindvjeçare
mbiu nga një farë
në trurin tim
U rrit dhe gjethe lëshoi
nga klorofili
i syve të mi
Dy gjethe m’i la në bebëz
të mbulojnë
atë vetëtimë në horizont
që mund t’ia çajë përgjysmë
atë trung
para se të humbet thell në dhe
Shëtisja me autobusin urban
nëpër rrugët e ngushta pa shenja
duke shkelur mbi zebër
shkundja këmbët e enjtura
në karrigen e fundit
Fshija pluhurin nga xhami
gërryeja pëllëmbët e nxira
nga dritat e shumta të reklamave
buzë rruge
Rentja krah për krah me inercionin
i zbutur nga një dritë fluoroshente
që vinte nga barazpesha e brendshme e gjërave
dhe rrotës që lëviz botën
Mbyllja sytë dhe ëndërroja
tek ngjitesha mbi çatitë
e nxira nga smogu
nga parajsa e humbur mbi asfalt
Vëtëm kur kërkëllitën frenat
nga dy vijat e nxira të rrotave
më bën ta ktheja kokën prapa
dhe të shoh
figurën time në retrospektivë
Dëgjoja në radio
lajmet mbi kohën e turbulltë
dhe zërat që fikeshin qetësisht
nga butoni nën gishtërinj
Doja të dilja nga realiteti paralel
nga ajo membranë e hollë
e gjërave pa formë
doja të dilja nga lëkura
me një të mbyllur të syve
Nuk e dua më rolin kryesor
në këtë skenë pa dërrasat
që përbëjnë jetën
nuk dua më ta luaj Hamletin
në Danimarkën time të vockël 4 x 4
Zvarrë dola nga dhoma
duke lënë
një copë absurdi teatror
të derdhur kudo nëpër dërrasa
Më mirë është të mos jesh
se i ndarë në dysh
me atë membranë të hollë
mes sendeve
dhe fjalëve .
Flisja me gishtërinj
me grimasa të fytyrës
shprehja atë që ndieja
mendimet e errëta
i nxirrja
si ujin nga fundi i pusit
I bëja sytë katër
tek ngadalësoja
rrjedhën e mendimeve
rrija në vend
i qetë si drita në pasqyrë
i pajtuar me destinin
që më rri këmbëkryq
në mendje
dhe vështron lojën
Nuk dal nga hapësira rrethore
pa zbardhur drita
se puna e natës
është gazi i ditës
po nuk shikove
dritën e koncentruar
në mur
Mos të të zë gjumi
Nën atë hije të trashë
Se më kurrë nuk mund të zgjohesh
Hija ime
Zgjat duart nëpër gjumë
të mbledh
frutat e pjekura të moshës
Gjethet e thara në degë
nëpër pore gishtërinjsh
kërkojnë damarin e kuq. Nuk
është aty:
Në ëndërr verbon
ajo perde mëndafshi
duke fshehur botën lakuriq
tek del zhveshur nga uji
Feniksi
vdes e ngjallet
për çdo çast
në kafaz
U dogj
duke kërkuar
ëndrrën e plumbtë
të mbetur në përralla
I rreh zemra kur vdes
e i pushon kur ngjallet
për një trohë
qielli blu
jashtë kafazi
Krahpërveshur
me daltë e çekan
në duar
ushtron
punë moshe
nëpër trup
Gdhend nëpër eshtra
mjeshtërisht
fytyrën e vet
prej zbrazëtie
Sot heq një pjesë
për ta vënë pjesën e vet
boshe
se nesër
edhe tepricat e mia
do t’i gjuajë pjesë-pjesë
nëpër kohë
Ditë për ditë më mëson
për një formë tjetër
Në hapësirën e errët
një ditë
do të zë vend
i lirë
nga e gjithë
pesha e trupit
Në një gozhdë të ndryshkur
varur është portreti i heroit
në gravurë
Në sfondin gri
duket një vend
nga vijnë luftëtarët e rralluar
prej betejave
të pashënuara
në histori
Aty më nuk kris pushk’ e vjetër
as teret barot’ i lagur
as mburojat
hiqen më
nga ku janë varur në mur
Edhe gishti
në qark i pushkës së vjetër
i ngrirë
ka mbetur
në atë kornizë
Në këtë gravurë
çdo burrë
me bërryla
hyn në histori
e çdo grua
qëndis
flamurin me shkabën
pa krahë
derisa një ditë
të lakohet
ajo gozhdë e ngulur
në murin e vajit
Hije e gjallë mbeta
që të rri pranë shtratit
t’ i bëj shoqëri hijes
që endet nëpër vetmi
o nënë
Si ta qetësoj
këtë shpirt të trazuar
për fytyrën tënde
të tretur në astral
Si ta dëgjoj edhe një herë
Rrahjen e zemrës tënde
o nënë
Iku përjetë
ngjyra e faqeve tua
prej trëndafili
siç ikin retë me purpur
në perëndimin e diellit
Vetëm ca pika shiu nga ato re purpuri
më mbetën kujtim
i asaj mbrëmje
në përqafimin e fundit
o nënë
DREJTPESHORJA LIRIKE E SË BUKURËS
(Ramadan Musliu: “Gjendja neutrale”, poezi, “Rozafa”, Prishtinë, 2019)
Cila është gjendja neutrale në të cilën gjendet folësi lirik i poezisë së Ramadan Musliut? Dhe çka zgjedh, në këso gjendjesh ai?
- Semantika lirike e purpurit
E nis me purgatoriumin (im)personal). Dante Alighieri, kur projektonte ferrin e tij, thoshte: “Vendet më të nxehta në ferr janë të rezervuara për ata që, në kohë krizash të mëdha morale, mbajnë neutralitetin e tyre”. Një gjendje as-as… gjendje pezull, amull, aty ku koha digjet dhe hiri mbetet dëshmi e një ndodhie:
Dita digjet në shuplakë
bëhet hi me ngjyrë qymyri
frika pret frymën time
ta shpërndajë nëpër dhomë
Porse ky folës lirik nuk e merr anën e Pilatit për t’i larë duart në shenjë të këtij neutraliteti në konfliktin midis atyre që kanë fuqi (dhune e pushteti) në duart e veta dhe atyre që anojnë kah peshorja e drejtësisë. “Ju nuk mund të jeni neutral në një tren që lëviz”, thoshte – Howard Zin. Ky subjekt lirik, prandaj, vuan situatën e purgatoriumit, katarsisit personal e kolektiv. Në këso ndërthurje rrethanash, ai pranon njësoj: edhe shqetësimet e kohës, edhe shuarjen… djegien. Së këndejmi, që në fillim, poeti na ballafaqon me leksemën figurative e të epitetizuar: purpur, i purpurtë, shenjë lirike e guximit: ngjyra mbretërore e Cezarit, ngjyrë fisnikërie, e aristokracisë shpirtëtore të një polemi; ngjyrë misteresh e komunikimeve të lashta, vorbullash hyjnore. Është metaforë e epiteizuar e natyrës shpirtërore të krijuesit që posedon prirjen për meditime… purpuri qëndron mes realitetit të jashtëm, fizik, të dukshëm, edhe atij të brendshëm, shpirtëror, meditativ. Porse situata e tillë, e gjendjes as-as, e një purgatoriumi djegës, e ka mpirë edhe medimin, edhe shpirtësinë:
Jetës iu vodh purpuri
syri
peizazhi blu
dhe flaka
e ditës që u dogj në horizont
E, megjithatë, poezia na dhuron komunikim (aty është blu-ja, ngjyrë e shenjë e hapësisë), vetëdijen për tesktin refleksiv, purpurin frymëzues, emocionin e së bukurës, marrëdhënie ndërnjerëzore e dashuri të pakufi (libri i kushtohet mbesës Elina), na dhuron vibrime vetëbesimi e urtësie. Këtë ta sugjeron vetë figura e purpurit, si ngjyrë ëndrrash, dëshirash dhe mrekullisë, si primum movens i paqes së mendjes, i pdashamirësisë dhe mirëkuptimit.
U zgjove këtë mëngjes
e spërkatur gjithë me vesë
e në bebëz re purpuri
(…)
Ecja në ëndërr
duke shëtitur nëpër dhomë
në ajrin e purpurtë
Përgjithësisht, i krijimit. Virtytit dhe besimit, durimit dhe prirjes për parashikime. Prandaj e hasim përgjatë tërë librit:
I pamë kur u kthyen në mermer
Edhe kur e morën ngjyrën e purpurt në bronz
pastaj muga iku nga zemrat tona
e me si i pamë ndriçimet në astral
dhe situatat, kur humb kjo frymë ekzistimi:
fryma e saj do të davaritet
kur purpuri
të shembet
humnerës bardh si bora
( GRAVURË NË BRONZ, Dëshmorëve të atdheut)
Të mos harrojmë: te kjo lirkë ndeshim reflektimet mbi ekzistencën dhe esencën. Janë ato momente, kur poeti e mposht botën e shqetësimeve të EKZISTENCËS (jetës së përditshme), me ESENCËN (qetësinë si thelb ekzistimi, heshtjen me zërat e vet të perëndishëm)… Ekzistenca është lëvizje, zhurmë, gjallëri, ESENCA është thelb, qetësi, heshtje. Njeriu ka nevojë për të dyja!
Poeti merret me idetë, me situatat e ideve, aty ku ato shfaqen në pafajësinë a pastërtinë e tyre, në gjendjen e tillë, ku “objektiviteti” i nxjerr në pah të vërtetat që nuk fshihen… vetëm sa mund ta lexojmë situatën ku njerëzit jepen pas diçkaje tjetër (pasurisë, lakmisë… s’ka rëndësi), kurse “idetë” dhe purpuri i shpirtësisë, ndodhin në një mjedis ku gjithnjë ato zhvillohen nën veprimin e flakës (flakës së brendshme dhe djegies së jashtme), përplasjeve, shuarjes:
Gaca
prej kristali
vezullon
në xham
Drita u shtri me përtesë
në të katër anët e horizontit
mbuluar me
flakën e purpurt
të kujtimeve
Sado që të duket se ky subjekt lirik e pranon situatën si të tillë, ai e ka shqetësimin e tij: si ta kthesh një gjendje të tillë, agresive, djegëse, shuarjeje, një situatë pozitive, ta ndryshojmë situatën a ta ndryshojmë vetveten (te vetvetja ky veprim ndodh kur nuk mund t’i lëvizësh muret e situatës së tillë… GJENDJES NEUTRALE). Ai nuk heq dorë nga liria e tij e brendshme, sado që mund t jetojë nën kërcënimin e shuarjes… Sado që thënia lirike na vjen nga pak e ftohtë, si rrjedhim meditimesh, ai di ta shohë në sy e në brendi të mirën, me flakën e purpurit të brendshëm, aty ku i projekton modelet e tij të përvojave, qofshin ato edhe nën kërcënimin e ankthit dhe frikës:
frika pret frymën time
ta shpërndajë nëpër dhomë
(…)
fluturon nëpër eter
nga ankthi për të më nxjerrë
Kjo do të thotë se ai ka besimin e tij, ka dhuratën e tij të perëndishme, qëllimet fisnike, për ta dhënë më të mirën e për ta bërë më të mirën. Ka pakënaqësinë e revoltën e tij, ka ironinë e situatës. Ka zgjidhjet e tij.
Ka etosin e logosin e tij.
- Postmodernja, performanca diskursive
Le ta kuptojmë poetin edhe në aso situatash kur, me përpjekjen e tij gjakon për ta riparë e rijetuar botën e evokimeve të tij, edhe atëherë kur atë e sheh të humbur, humbjen si nocion të shoqërisë postmoderne, si pamundësi fatale për të mos qenë në gjendje ta ndryshosh atë.
Këndon në vetvete
ëmbël bilbili
mes xixëllonjash
vizatuar në letër
Doli hëna në një valë
pa e thënë asnjë fjalë
xixëllonjave të vetmisë
te pusi i fëmijërisë së humbur
Durimi është fitore
kur e kalon kufirin e humbjes
të vënë më vija gjaku
Dhe kur lexojmë këtë poezi në kontekstin e poezisë të tij përparshme, të spirales së tij estetike, aty do t’i gjejmë gjurmët e etjes që iu kundërqëndron referencave anekdotike të jetës, apo deskripcionit e dorëshkrimit lirik të tranzicionit tonë, tranzicion i shoqëruar me patologji shoqërore. Është poezi e rikrijimit të mundësive të tjera, i qëndrimeve këndshikimeve origjinale, i një realiteti tjetër, artistik. Nga ky aspekt, poezia e Ramadan Musliut, me përpjekjen për të dalë nga kornizat e një ndjeshmërie rutinore të një rrethi vicioz lirik, iu përafrohet poetëve postmodernë evropianë, si me performancën e tij diskursive, ashtu edhe me fenomenologjinë e dekonstrukcionizmit .
Dhe sado që poeti jepet në kërkim të metaforës dhe shqetësimeve, neurozave të kohës, trishtimit ekzistencial apo tjetërsimit teknologjik të një bote artificiale; referencë mbizëtoruese e poezisë së tij mbetet detabuizimi i realitetit dhe metafizika poetike e kohës dhe kohëve (“Koha lëviz si siluetë/ në faqe libri”), në të cilën jetojmë me shtresimet e së kaluarës. Aty është drita, si metaforë e njohjes, po edhe përndriçimit të gjërave:
Drita u shtri me përtesë
në të katër anët e horizontit
mbuluar me
flakën e purpurtë
të kujtimeve
(…)
ta njihni vetveten në xhamin pa mjegull
në kufi ku etja ndahet nga loti
- Asociacioni lirik i kristalit,
referencat bogdaniane
Cikli HIJA E DHEUT ka në përbërjen e tij ka dy krijime: një tërësi poetike që i kushtohet Pjetër Bogdanit, me titullin “KUJTIMI I KULLUAR” dhe poezinë “GRAVURË NE BRONZ” (Dëshmorëve të atdheut).
Ky këndim vjen si thelbi i vet, i qenies sonë nacionale e historike, historibërëse e shpritkrijuese. Këndimi i poetit për Pjetër Bogdanin vjen me figurën e dritës e me figurën e përsëritur të kristalit për kujtesën, po aq të kulluar e të shtrenjtë, si ky mineral tejetçmuar:
Ajo s’është mall
dritë kristali në memorie
kur gjithë shekullin
gjëndrat e mia
e kërkojnë
Është energjia e kulluar e kujtesës, e palcës sonë identitare e historike, është simbol i rikthimit të jetës në vlerat e saj burimore. Po qe se në botën e biznesit ato janë simbol pasurie financiare, këtu kristali shfaqet si thesar i kujtesës. Kristali vepron në errësirë e në dritë. Errësira (simbolikisht: pushtimi i gjatë), nuk mund t’ua humbë shkëlqimin as vlerën.
Prej korpi në korp
bredh ndër memorje
s’ njeh regjeni
ushtri as murtajë
Hija e dheut s’ arrin aq lart
si nami i Çetës
për treqind vjet
Meqë vetë Bogdani ishte personalitet historik, ai po ashtu është dhe sinonim i njeriut të urtë, udhërrëfyes, veprues, sinonim i veprimtarisë shpirtërore, i rigjenerimit dhe ringjalljeve arbërore-shqiptare. I ringjalljeve të shpirtit. Musliu i “interpreton” e i rikëndon poetikisht shenjat bogdaniane, i përçon mesazhet e receptimit historik, e krijon portretin shpirtëror të tij, e profilizon së brendshmi, e pikëzon testamentin e tij të ekzistencës nacionale në burimet e pashtershme të forcës shpirtërore.
Trupin e shpirtin e pashë
në Kujtimin e kulluar
shëmbëlltyrën time që rrjedh
në atë Krua të gjallë
Ai është shëmbëlltyra e krijuesit si urtak e mendimtar, e mendjes së thellë, i dramatikës historike e nacionale dhe i tragjikës shpirtërore, në ndërthurje me me jetën nacionale e me të bukurën. Aty vigjilon një hiperteskt, një mbitekst poetik, i Idealit Poetik dhe i Idealit Historik me shpirt të pamposhtur që “s’ njeh regjeni/ ushtri as murtajë”. Kuptimet idealizohen me referenca të pasura asocitative, togfjalëshat poetikë thuren mbi kodet e përzgjedhura historike-spirituale-bogdaniane, shfaqen si transformime ndërtekstore. Së andejmi, ai i gjen paradigmat në historinë e qenies sonë; është një si eksplorim i mençurisë së thellë në lojën tragjike të historisë… një betejë e mendjes e zhytur tërësisht brenda jetës vetë… mendja tashmë është ai eksplorimi ynë shpirtëror për qenien kantiane të kulluar.
I rashë në fund mendjes
të gjej shkëlqimin që lëbyri
në Kristal
Nuk është e habitshme përse krijuesi eksploron, gjurmon dhe hulumton kuptimet e shenjta të kësaj përvoje, historie, qenieje… përgjithësisht të botës bashkëkohore:
Me mall të shtampës në zemër
me rreze të shpirtit të shenjtë
shkallëve të dijes
na u ngrit në amshim
Folësi lirik i çel portat e mendjes, aty i takon dhe i merr cilësitë e pranisë së shpirtrave të tillë bogdanianë, dhe prvoja e tillë na dhurohet si lexim i së shenjtës. Me këso dinamike kuptimore është thur edhe poezia e dytë “GRAVURË NË BRONZ” (Dëshmorëve të atdheut).
- Spiralja estetike
Edhe te ky vëllim i lexojmë jehonat e tjetërsimit bashkëkohor nga vëllimi pararendës “Në zemër të gjërave”. Po qe se lexojmë, përgjatë tërë librit, metaforat nocionore si gravurë, bronz, kristal, tel, xham, rubin, plastelinë, mëndafsh, gozhdë, purpur, siluetë, dyll, fluoroshencë, plastmas etj., (shi ciklet: INTERLUD, GJENDJE NEUTRALE, PERDJA E MËNDAFSHTË dhe SILUETË PREJ DYLLI), atëherë, kundruall thellësisë shpirtërore, kundruall bukurisë së perëndishme, na kundërqëndron një botë artificiale, botë e vyshkjes, e vënë dhe e ngushtuar brenda një kornize që vret gjakimin e shpirtit për hapje, për ëndrra, për shpresë dhe besim. Ja si kundërqëndrojnë brenda poezisë këto dy botë:
Po shuhet me përtesë
panorama gri
me pamje pastorale
Vetëm disa qirinj ndrijnë
në këtë shtëpi perëndie
me mure prej guri
Dhe vjen një lutje si shprehje e gjakimit të pasosur, e dëshirës së madhe, mu ashtu siç janë mistike rrugët e dashurisë. Aty ka heshtje dhe paqe:
se bubullimat heshtën në veshë
paqja ra prajshëm anembanë
Sado që ende bota ndahet me mure e me kufij, ti mund t’i heqësh ata kot, po qe se ngushtohen hapësirat e ekzistencës njerëzore dhe vlerat e humanizmit. Njeriu tjetërsohet nga zhvillimi teknologjik, humb ndjeshmërinë se na qenka vetvetja, humb të qenët vetja. Në këso rastesh, ti duhet të gjendesh në kërkim të drejtpeshimit të qenies së jetës sate. Nuk porosiste kot shkrimtari i madh rus, Mihail Bulgakov: “Secili hap i madh që bën njerëzimi në përparimin teknologjik, kërkon një hap proporcional në drejtim të kundërt.” E megjithatë, njeriu ende mbetet i preokupuar dhe i shqetësuar me tensionet e destruksionet e jashtme, të cilat ndikojnë në jetën e tij.
Nuk është e habitshme, përse përmasat e shqetësimit të jetës së tillë, që degradohet e degradohet, janë me amplituda më të mëdha te poetët, te artistët dhe te humanistët, që nuk i kanë në dorë ligjet. Prandaj njerëzve u duhet t’i kërkojnë t’i ndërtojnë raportet e qasjet e posaçme, personale e shoqërore, me realitetin që i rrethon.
A nuk vijnë ankimet e tilla për destruksione e sulme nga të gjitha fushat e jetës? Sikur më shumë ne na drejton Moskultura e Jetës se sa Kultura e Jetës. Moskultura, si pasojë e agresivitetit shoqëror, nuk e lejon njeriun të vë kontakt njerëzor me realitetin, nuk e lejon t’i shquajë vlerat e veta humaniste: ato përdhosen që në hapin e parë nga një realitet konfliktuoz.
Ndryshe, poeti na tërheq brenda një dialogu spiritual, brenda një hapësire të kuvendimit emocional e meditativ me artin. Mirëpo, në këso rastesh, te ne vjen thellësia e fuqia e kuptimeve përmes thënieve poetike.
Në të vërtetë, poezia na fton t’i njohim përmasat e plota të qenies sonë, ta njohim emrin e vetvetes. Meqë poezia lirike vetvetiu është shqiptim i botës së brendshme, i botës shpirtërore, atëherë edhe arti na i ofron përvojat e ngjashme me sakralen. Ndërsa aty, si kundërqëndrim i lirshëm, është profania, të vërtetat e faktografisë së zhveshur të jetës… së këndejmi, dhe poezia na tërheq kah një reflektim shpirtëror…
Jeta është e ëmbël
kur këndohet
përtej grilave prej kashte
- Në dalje të leximit
Është poeti ai që na e shqipton nevojën për të gjetur një kuptim më të thellë në raportet tona me vetveten, mikrokozmosin, si dhe në raportet me botën përreth nesh, me universin a me makrokozmosin. E kjo do të thotë që, ti ekziston përtej përvojave të së përditshmes, diku në qenësinë e gjërave që është burim i jetës, që e mban jetën, si një margaritar të çmuar, edhe atëherë kur e estetizon tëhuajësimin, artificialitetin e botës sonë, të shëmtuarën, shprishjet e shumta që na ndodhin përreth nesh, apo kur ne kërkojmë ato lidhje të humbura me gjithçka që na ka ndodhur.
Në lirikën e Ramadan Musliut ekziston një perceptim i gjërave të jashtme (realitetit objektiv) mu në zemër të gjërave; ne e ndiejmë një masë, një normë a një ligj sekret, si një drejtpeshore e së bukurës: ne qenkemi pjesë përbërëse e një diçkaje të madhe…
Shkurt 2019
Ramadan Mehmeti
Rreth dorëshkrimit me poezi “Gjendje neutrale” të Ramadan Musliut
Lexuesit, të paktët që sot e ndjekin këtë zhanër letrar, sot ndahen në dy kategori. Të parët janë ata që poezinë e çmojnë si tingull, si bukurshkrim, si rregull metrike, domethënë si kumbim me jehonë të pandalshme të paradigmës tradicionale.Të dytët janë ata që nga poezia kanë kërkesë tjetër, duan ta ndiejnë frymën e kohës, amalgamin emocional që vjen nga koha të cilën e jeton poeti dhe mundohet ta kthejë në ekstrakt poetik. Poezia kësisoj duhet të dalë si një rezonancë e ngjarjeve dhe e dramës së kohës që ndodh, por që në vetvete duhet të përmbajë një komponentë shquese, atë të gjithëkohësisë, një përvojë që do të jetë jehonë edhe për kohë të tjera.
Vetë titulli i dorëshkrimit me poezi “Gjendje neutrale” e Ramadan Musliu duket se e sugjeron këtë modelin e dytë poetik, atë që duhet të jetë i buruar nga koha jonë. Vetë fakti se kemi një gjendje neutrale, asnjënëse, një gjendje që është vetë shemëbylltyra e kohës sonë, na bën me dije se autori arrin të kapë poetikisht dhe t’i materializojë në variacione estetike këto gjendje, këtë ndjeshmëri me ngjyrë gri, këtë ndjeshmëri që në një farë mënyre ka bërë që gjithçka të duket si një rrob e ashtuquajtur uniseks, të barazuar si gjini. Poezia e këtij libri, prandaj, çelës për lexim e ka vëtë titullin, i cili na fut në një gjendje poetike, ku gjatë leximit duhet identifikuar shkallë-shkallë, gradacionet e ironisë, madje deri në shkallën e një parodie.
Të gjashtë njësitë ciklike: “Purgatoriumi im”, “Hija e dheut”, “Interlud”, “Gjendje neutrale”, “Perdja e mëndafshtë” dhe “Siluetë prej dylli”, janë pamjet suksesive të kësaj katandie të qenies, e cila e ka humbur identitetin e vet dhe është shkrirë me mjedisin, i cili është larguar nga natyra deri në atë masë sa ka marrë një ngjyrë asnjënëse, atë të hirit. Njeriu, i rrethuar nga gjërat e jetës së përditshme, është bërë viktimë pikërisht i këtyre gjërave.
Në këtë mes është vetëm një cikël poetik, “Interlud”, që është një si lojë brenda këtij mjedisi të tjetërsuar e që në thelb përmban modelin e këngëtimit të paradigmës tradicionale, me ritëm të rregullt, rimarium e ndjeshmëri paksa romantike. Ky cikël vjen si një shkundje apo edhe si jehonë e një gjendjeje të dikurshme, ku njeriu ka qenë më afër natyrës dhe, merret vesh, me një fytyrë të identifikueshme e që i ka të gjitha ngjyrat (emocionale) që janë të varura nga vetë koloriti i mjedisit.
Ciklet e tjera, gjithashtu edhe ai që na kthen në historinë e kujtesës kulturore dhe historike, “Hija e dheut” , përfshijnë poezitë që janë si një kjasinë emocionale e plagëve të kohës në shpirtin e qenies, që është viktimë e mjedisit të tjetërsuar, ku dominojnë objektet e kohës së re, plastika, hekuri, tymi, dylli, etj., si një leksik që është në frekuentim tepër të shpeshtë si pasojë e jetës që bëhet sot në përditshmërinë e teknologjizuar.
Nëse libri i tij pararendës, “Në zemrën e gjërave” ka qenë mbyllje e qenies brenda gjërave, poezitë e reja sjellin qenien e mbuluar nga hijet e gjarave dhe silutetat e muzgut që ka rënë në këtë botë të alienuar. Kështu kjo poezi duket se është një kapje e këtij muzgu të qenies, ku realiteti është bërë gri, ku hija e hirit dhe e djegies së brendshme ka bërë që qenia të jetë e mbyllur brenda një gjendjeje neutrale.
Të gjitha këto gjendje poetike në këtë poezi arrihen të artikulohen me një leksik që është vjelë nga përditshmëria, duke qenë se vetëm ai vokabular arrin të kapë valencat kuptimore që bartin emrat e sendeve dhe dukurive me të cilat është rrethuar qenia njerëzore.
Pra, fjala është për një poezi të kohës dhe për kohën që artikulohet në mënyrë origjinale, gjë që mund të shihet edhe nga kontinuiteti i librave të tij pararendës të këtij autori.
***************************************************************
Ramadan MEHMETI
TEHU I HISTORISË
(Proza poetike)
Më kanë ngarkuar me peshën e një barre të padurueshme, të cilën as e sheh, as e ndien kush.
Thonë se paskam mëkatuar, se me ditë të tëra paskam dashur të orientohem humbëtirës përmes yllit tim.
Mandej, disi paskam ikur nga vetja e, lidhur me zinxhir prej kashte, paskam bekuar çdo mëkat që mund të shkruhet në pentagramin e shpirtit të zemrës.
Kam lavdëruar, apo jo përbuzjen e së përditshmes sonë të hallakatur, që na është bërë si halë në trurin tonë të vogël.
Edhe ky shesh me gurë, pa njerëz të devotshëm, është peizazh i pushtimit tonë nga vetvetja.
Në ferrin tim nuk ka vend për ferre të tjera, madje nuk e ndiej as mungesën e parajsës, sepse ajo do të tallej me mëshirë prej xhelati e me përbuzjen e së përkryerës tek ai njeriu i harruar, që kaherë është dukur në stërkalat, që sikur janë duke na u bërë akull në zemër e në tru?
Lakoj emrin tim nëpër rasa e nuk kaloj dot provimin e pjekurisë. Mas emrin e mbiemrin me fjalët e humbura të motit.
Duke kërkuar Motin e Pashërueshëm luginave të lotëve e përrallave të jetuara, shndërrohem në ajër e mbetem plotësisht i humbur.
Askund nuk më del baraspesha e asaj bote mbushur etje, shpresa e mashtrim. Me sy të përlotur ballafaqohem me murin e pakalueshëm, Ndiej dhembjen e emrit të përtypur me atë dhëmbin e vetëm në gojën e mplakur të historisë.
Ec e ec e ec për të mos e ndier ndrydhjen e shpirtit e ftohtësinë rënduese. Nuk di si ta ndal dëshpërimin tek ngjitet kurrizit tim, derisa çakejtë m’i hanë edhe opingat e grisura. Më spërkasin në çdo hap me pështymën e tyre të pështirë e ma humbin kohën për ecje rrugëve që premtojnë.
Duan të mos kemi mundësi as të pastrojmë oborrin e fatit, i cili me shekuj ka mbetur i lënë pas dore.
KOHË PËR FALJE
Kurrkushi më thërret të shkojmë në kurrkund. Duke qeshur më thotë se mund të ulem në stom të durimit dhe për shtatëdhjetë e shtatë vjet të kërkoj ditën pa dritë. Nuk shoh gjë në atë asgjë dhe nga maja e strumbullarit bërtas:
O, kush më ka robëruar pllajën e mendjes?!
Kush nuk ka si të më japë përgjigje për pyetjen time, ku njeriun nuk e gjen as për be.
Mund edhe ta pyesësh nga je nisur, më vjen zëri i kurrkushit, por kurrkundi është gjithkund. Andaj vazhdo e ec rrugës deri te dhembja, po mos lëngo, se të vrasin ëndrrat. Mund ta marrësh edhe përgjigjen që me miliona vjet është duke u djegur vullkaneve të gjakut njerëzor, si mëkatarët e përjetshëm, në ditën e diel.
O Zot, sa shumë mëkatarë, sa shumë mëkatarë për t’ua falur mëkatet! Mund të mos kesh kohë për falje…
Askujt, madje as kurrkushit, nuk i bëhet vonë që pllaja e mendjes sime po digjet e kurrkundi po zgjerohet në asgjë.
Është lodhur tejvdekjes lahutari, e në fill të lahutës harkohet shpirti i tij, tek dëgjohet një gjëmë burri, duke vajtuar fatin e motrës së Avdisë, për të mos dalë as dushku e bari, për të mos vallëzuar as Zana e Malit.
Ju udhëtarë të vonuar, keni marrë vajin në buzë e jeni shtrirë në tavernën e pikëllimit, ngritur keni ato pak kupa të mbushura deri në fund, për ta pirë edhe fatin e ndrydhur me dhëmbë, kur edhe gota mund të pëlcasë nga mërzia…
Në këtë natë të vonshme drithëroni, vetëm heshtja po e ha vetveten, e lumturia e mjerë po i jepet ujkut, pa frymën e lahutarit.
Lahuta po e gjëmon dhembjen e saj.
Vonë është për të qarë e për të vajtuar, janë edhe shumë rrugë të gjata për të bërë, deri te rruga nga shkon e nuk kthehesh, sepse hedh veten në do themele të gurta e ngjitesh në do flamuj valëvitës, ku përjetësia flet e flet me gjuhën e heshtjes.
E zeza i erdhi me ëndrrën që nuk e pa, me vajin që nuk e vajtoi, me shkumën që nuk shkumoi dhe vrarëlia nuk i dhembi, sa gazi i atyre buzëve që e shikonin me qesëndi.
Shkurt fjala, ai ishte i plagosur, e plagë kund nuk kishte, ai ishte i mallkuar, e kush nëmur nuk e kishte, së paku jo me zë; ai ishte njeri me dukje, e panjeri në brendi.
Ai ishte e nuk ishte.
Asnjëherë nuk e kishte pohuar ose mohuar qenien, e nuk kishte folur as për mosqenien. Nuk i kishin thënë as të tjerët se nuk e donin e kush afër kurrë nuk i kishte qëndruar.
Ndoshta pse ai ishte lindur ogurzi, mendonte si ogurzi e tashmë kishte vendosur që edhe të vdiste si ogurzi.
Mjerë për të e për rrënjën e tij!
Çdo natë flas me rrugët, me sheshet. Flas me vështirësi të paparë, ashtu në heshtje. Me zë të ulët lutem për veten time, për ty, lutem dhe për këdo që më vete në mendje. Mundohem të jem në unison me ligjet fizike, të mos krijoj reaksion ndaj vuajtjes, sepse kjo do të ishte e tmerrshme.
Pastaj, për të mos më dëgjuar ora me tingëllimën e saj dhe për të mos më tërhequr vërejtjen se po nuk i kuptova, edhe në këtë kohë, si po vajnë gjërat, të mos ndodhë kjo e të jetë një ditë e ogurit të zezë e harresës.
Nuk dua të jetë një ngatërrim i ditës së re me natën e re…
Mendimin për këtë natë, e cila qëkur ka vdekur në qenien time, po, e mikloj, në kuptimin e punës së mundimshme që bëj, duke ia rrënuar dheun nën këmbë dhe, prandaj, si nëna fëmijën e posalindur, shteroj shpirtin e më vijnë dhe më shumë fuqi.
Mendoj mëkimin e fëmijës, ndërsa shoh kodrën e lartë, e cila vazhdon të afrohet pranë dritareve të mia. Sytë e saj, ngjitur për dritare, më tmerrojnë.
Nuk e dua verbërinë dhe heshtjen që këto nuk shihen mirë ose nuk shihen akoma fare.
Te Moçalet e Vjetra mungon lashtësia. Kthehet në kohë një njeri i afërt me jetët tona të egra, që lodruan fushave të mbjella me lulediellin e pikëlluar të një kohe shtrigë. E koha nuk më përkrahu as për histori, as për tragjedi.
Unë përsëri vrapova me gjokun e azdisur e me mërinë për zinë e madhe, që nuk na iku nga vatrat, as kur akulli mbulonte shtrojat prej kashte. Diku kërkonim shpëtim. Shikimi i kësaj ure të moçme sikur na lidhte me botën e më nuk na trembte heshtja e shekujve të rrethuar me pakohë.
Ndoshta për këtë munguaka ajo dashuri për njeriun e ikur nga shpina e kalit të bardhë, që po e rrënuaka urën nga poshtë.
Dashuria për atë urë më bën të jem përgjithmonë brenda kështjellës sime të brejtur nga vitet, ku vjeshta çmendurisht shkund gjethet e njoma nga pema…
Një zë i panjohur këlthiti: zgjohuni, po djegin Ilirinë! Shkrumbi mbulon botën tënde dhe e kupton se nuk ka pikë kuptimi të njohësh botët e tjera.
Del e ulërin si ujk i plagosur.
Mandej e merr vrapin.
Asaj rruge nuk i shkon heshtja, as ajo mangësi e erës së ftohtë. Në mend ke zjarrin tek djeg fëmijë e pleq, tek shuan zemra të dashuruara. Mbase janë lotët që djegin e dhembin padurueshëm.
E ti nuk je në atë kohë.
As nuk je në kohën e sotme.
Provon të frymëzohesh për jetë, kur të ndalin edhe ajrin.
Kot merr rrugë të gjata, pasi heshtja e vdekshme të shtohet rendjeve e shpresës, për të shpëtuar, për të arritur diku.
Nga lodhja e pikëllimi vajton brendia jote e kthyer në diçka pa emër, ku vallëzojnë shtriga e ku këndohet lavdia e atyre që ndihen heronj, sepse të vranë.
Mbyll sytë e ndien se te ti është kthyer e padurueshmja, pafuqia për t’u ballafaquar me fuqinë e tyre kafshërore.
Vazhdon të shkosh diku mes heshtjes e lodhjes, pa të bërë më përshtypje emri që do të kesh analeve. Tashmë je një me kujtimin, vetëm me harresën ke luftë.
Vijnë e shkojnë kujtimet e takimeve, duke u endur kopshteve të mallëngjyera, kurse vrasësit e etur edhe më shumë shpejtojnë të kthehen te vendi i krimit.
Kështu më tha thika e ngulur në gjoksin tim të pafajshëm, derisa mundohesha ta ndalja atë dorë që po priste fytin e po kafshonte zemrën, andaj isha gati i ndjerë.
Ç’mallëngjim i trishtuar do të vinte pas meje, kur të më shtronin arkivolin e ftohtë, mendova tek po hyja në kopshtin e harruar, ku ditët thyheshin në mesditë e netët vdisnin në muzg.
Mbi hijen e trishtimit po merrnin banjë dielli ëndrrat mallëngjyese të shpirtit të vetmuar.Tani asgjë më s’kishte mbetur nga shpresa e shpëtimit, derisa mallëngjimi hante copën e vet të trishtimit.
Të kërkosh njeriun me qiri në dorë e në pikë të ditës, qenka si të kërkosh një gjilpërë të humbur në pyll e si një pikë uji të derdhur në liqen.
Lodhesh duke e kuptuar se sa vështirë qenka ta gjesh veten në tufën njerëzore e le më të tjerë.
Nisesh pa ecur e ecën pa u nisur në rrugët e mjegullta të mendjes, duke e ditur se më nuk ka mbetur asgjë në grushtet e guximit tënd të pashprehur. Me dhembje e kupton se ka arritur ora kur as dora e djathtë nuk i beson së majtës.
Tashmë e di se kanibalët janë zgjuar nga varret e kohës së akullnajave dhe hanë mishin e vet në sofër.
Si duket, parajsa është mbushur me aktorë të rremë të besimit dhe ferri vajton fatin e vet për të nesërmen.
Edhe aty ku duhej të merreshin vendimet e urtarëve, historia po rrëshqiste nën sytë e lahutarëve të verbër, kurse majat e bjeshkëve po rëndoheshin nga bora që me kohë bëhej akull. Rrethi i acartë shtrëngohej, e dhembja rritej në pritje të ditës së re.
Shpirti përpëlitej si një dallgë e blertë magjike, kur e kërkuara po e shtynte të rrëshqiste mbi syprinën e ngrirë të asaj feste mortore. Malli po endej rrëmbyeshëm dhe po i merrte të gjitha stinët, për të rrëfyer kohën e mjerë që po rrëzohej humbëtirës.
Me besimin e plotë në zemër, shtoheshin pritjet e gjata të jetës parajsore, e në atë sofër mortore po thuheshin lutjet e pakuptueshme në një gjuhë belbëzimesh, si kërkesë për ta harruar përgjithmonë vuajtjen e dhembjen shpirtërore. Në dritën e mëngjesit të hershëm të asaj feste të shfrenuar, fati dhe mëkati u bashkuan duke ecur nëpër rrugën e harruar qëkur.
Jemi shtruar në tryezën e mishtarit, po piqemi në hellin e padukshëm e po përvëlohemi dhembjesh nëpër terrin që nuk e shohim.
Po cakërrohen gotat e po na e pinë edhe pikën e fundit të ndjenjës së mbetur gjallë.
Po mundohen të na e kafshojnë edhe pulsimin e zemrës e të na lënë pa indin e lidhjes me botën e njerëzve, duke u munduar të na bindin se kafshëria e tyre është vlera e vetme e kësaj që quhet jetë e ardhmëri.
Po na e grimcojnë edhe identitetin, të na e marrin, ndërrojnë e shesin edhe shpirtin e përvuajtur e të vdesim duke na parë të tjerët, ashtu, hije, pa asnjë kuptim.
Gjymtyrët janë mpirë nga ankthi i thikës mbi qafë, e nën ne po rrjedhin rrëkeve të purpurta, që sikur dalin nga damarët e stërngopur me etjen e tyre satanike, përderisa kemi lejuar të jemi pre e ujqërve të malit.
Vajtojmë pse nuk jemi bërë si një lis i vetmuar me degë shumë, për t’u tundur nëpër erërat e tërbuara të kohës e për të mos e njohur rrëzimin.
Ndoshta jemi ngutur diku e engjëjt e rrugëve të gjata më nuk na e kanë besën.
Çka mund të pritet nga kafshët e natës, që s’më njohin gëzimin, nga ata që as dëshpërimin e as ngadhënjimin nuk i ruajtën për vete?
************************************************************************
Jasmir MORINA
Jasmir Morina lindi në Kamenicë (Kosovë) më 29 gusht 1978.
Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në vendlindje, kurse studimet për Inxhinieri i ka mbaruar në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 2008, Jasmir Morina ka marrë titullin Master i Ndërtimtarisë në Universitetin e Prishtinës.
Jasmir Morina është prozator, poet, piktor dhe eseist.
Me krijimtari letrare ka filluar të merret nga viti 1994.
Deri më tani ka botuar këta libra:
- Bota e zjarrit, Rozafa, Prishtinë, 2016
- Hëna nuk gënjen, Rozafa, Prishtinë, 2017
- Hani i zbrazët, Rozafa, Prishtinë, 2017
- Antihistori, Rozafa, Prishtinë, 2018
Kjo është vepra e tij e pestë.
Hardhi e egër, natës (s)i dua krisjet
Si në dru të vjetër mbuluar me myshk
Bota zë e mplaket me ngadalë
Po mëkatet mbesin që të gjitha
Nën brishtësinë e quajtur fjalë
Hardhi e egër, natës i dua hënë të besimit
Si në dru të vjetër mbuluar me myshk
Krishtin do gozhdoj ende yni mëkat
Nën torturat çnjerëzore gjë pa u parë
Nga ne mizorisht tradhëtuar
Hardhi e egër, kudo ku jam, të dua ty
Si në dru të vjetër mbuluar me myshk
Ç’soj jete nga brenda brejnë djallëzitë
Palosur e shqyer deri në plandosje
Si sharrë e mprehtë e druvarit
Këtu tellallët kacavirren, si ballamarë në porte
Dhe mbajnë tellallët këtu ca duar të gjata
Të mbledhin, ku nuk shihet, sy të të përgjumurve
Veshë të të vdekurve
Supe të mëngjër, këmbë të djathta…
Fronet e vjetra të sundojnë
Të paduruarit e rinj
Fronet e reja të nënshtrojnë
Viktimat e vjetra
Këtu tellallët janë fisnikë
Me trupin karrike
Nuk e di kujt i besohet një fat,
Po u mblodh
Me lopatë, mistri
Dhe u ngjesh në trup të kujtdo
Jeta qenka një thes i madh
Si një kor për muzikë
I mbajtur mirë me priftërinj
Nën uniformë biologjike
Kur do hysh në pyllin e dendur
Me degët e shtrira, kudo si fjalë
Ushtar
Mos u frikëso, rrugën pashë, thuaj,
Tutje tret, kthim universi, si dëfton
S’gjen dot
Edhe në baltën e arave qullur
Kur të hysh, jo stepje, po ec
Koha vret
Trishtimi, s’të përket ky risk
Ushtar i fundit, tillë shiqipeje tokë
Plisi të rri mbi kokë
E nëse të përgojojnë me fjalë, me dorë
Hovin mbaj, për stoli të shumta
Ke mendjen ti
Furtunë e jetës të shpie në përrua
Atje lisi i bregut, bukë triumfi
Ushtar, kurorë mbi vend
Përse nuk mbajnë ngjyrën blu
Kënetat e mëkatit
Përse nuk mbajnë ngjyrën kuq
Sytë e mëkatarit
Përse nuk mbanë ngjyrën bardhë
Truri i xhandarit
Përse nuk mbajnë ngjyrën zi
Poetët e oborrit
Mos, o perëndi këtu të lulëzojë veç vdekja
Në mijëra ngjyra të bukura e më të bukura
Ëndrrat përfundojnë në çast
Kur pas gjumi hapim sytë
Me djersën e fohtë në natë
Nga soj trishtimi vegullues
Mendimet vijnë palë-palë
Zënë e mbushin çdo qelulë
Të trurit tim lodhur paksa
E këmbët heqin zvarrë.
Peshë e tyre, pa habi rëndon
Mbi trupin ca dhe të kërrusur
Si zor duron brishtësi e tij
Peshë që dridh terezinë
Nën këndin e ngushtë të ngjarjeve
Aty ku ndërhynë gjithkush që has
Yni projeksion i jetës është
Në katër kuadratet e mundshme
Në rrethin magjik të krijuar
Vrapojmë si kuaj zbutur nga barra
E në ëndrrë prapë këkrojmë dalje
Që pa dyshim e pikasim tutje
MBRESË
Të moçme kureshtjet, sytë plot jetë
Në pamje pikasur, apo nuk thura
Shqetësimin tutje pse ma flake,
Natës së humbur, çkopsitur ëndrra
Cili piktor më shqepi tërë gjumin
E fjongëza të bardha s’më la rrëmeti
Derisa hapat e mi po të arrinin
Derisa duart më zurën shkumë deti
Ki kujdes, s’qëndron mënjanë
Asgjë në fusha e qafa mali
E gjatë rruga gjer në pakthim
Vjollca, drita… gjë nuk shmangim
Zëri im si nga erë me fërfëllim
Këngën më të gjatë agut nxjerr
Në shtrat zemre, si kor, mbështeta
Trupin tërë thirrje zjarr palosa
Për atë që iku, tashmë tretur
Lotin vara në krah dallëndysheje
Porsi rreze, lart-lart, shpëtim jete
Ҁuni ballë busti zë e vëzhgon
Me kujdes, ballin, syrin, hundën e tij
“Si të miat” , thotë me habi ca
E në shtëpi nënën kërkon me vrap
“Nënë, busti në shesh qyteti në mua ngjanë
Di kush është apo emrin si e ka?”
E gjora nënë, në çast mendoi, u hodh e tha
-Yt atë është, bir, po, ta them, forcë s’kam
Tërhoqi fëmijën ëmbël, me sa mallë
Do ia thotë të tërën, sapo të lëshojë shtat.
Ndërrimi i kohëve ka çmimin e lartë
Nga punë e zemra të mëdha vete larg
KËSHTU DETIN NUK DUA TË SHIKOJ!
Nuk dua ta shikoj detin, kur shoh të flenë
Vashat në plazh, djemtë rërës kot luajnë
Më mirë pulëbardhat që fluturojnë lart
Dhe gruri që piqet rradhë-rradhë
Më mirë të mos i shoh zhelet e vetmuara
Kur valët blu rrëmbimthi marrin sytë e mi
Dhe në anë të anës fluturim bartin
Kudo takon pjesë toke
Si të grirë nga jashtëtokësorë
Lule të mbetura përgjysmë në lulëzim,
Pemë gjysmë të thara
Buste të glasuar
Me shkronja, numra të ngrënë
Një lojë – tmerr e shtrenjtë dhe lojtarë
Sikur luftojnë, humbin, fitojnë
Tërë kohën nëpër rrugë
Mbledhje e festa
Të shndërruara në kuzhina të rëndomta
Të shndërruara në tufë
Pantallonash e fustanash
Ah, seç mesha
Këmbëzbathur tret rrugëve pa skaj
Dheun e shkrifët kap ngado tokës time
Ec përmbri varresh të gjyshër-stërgjyrshërve
Si lule zjarr i mbaj në gji e diçka më shtyp
Dhe krah më jep njëkohësisht
Lakuriq notoj, dhemb gjaku i të parëve
Të tjerëve dhe moshatarëve të mi
Notoj, dhemb gjaku i tyre, tashmë i tharë
Pluhurit harlisës të kaq harrese
Shpesh kureshtja qark më vret nga pak
Ta gris, copë, plafin e bardhë të shpirtit
E futem brenda, gërmoj gjatë, sa gjatë
Si dhelpër e uritur, mallin plak kapërdij
E nis të ulurij mbi Tomor, ujk i vetmuar
Këmbëzbathur tret rrugëve pa skaj
Dheun e shkrifët kap ngado tokës time
Ec bri përmbri varresh të gjyshër-stërgjyshërve
E këmbët, uroj, t’më jipen përpara tutje, tutje
Vullnet i hyjve mbjell e korr ngjyra, zëra
Tokash e njerëzish për këta filma…
Rëra që djeg me turfullim të shkretëtirës
Pikë mbi të ujë, volia ju vjen
Të zinjve të dritës
Nata i ka vënë shenjën blerimi të bungut
Të mos mbetet dru i fortë tutje në këmbë
Po kësaj jete i erdhi në ndihmë gjithmonë
Toka kuq larë, shtëpitë rrënuar, dielli i madh
Nuk do të mbetet kurrë, drita pa triumfuar
Kurrë, log lulesh me erë malli sheshit pa dalur
Bënë nxehtë a ngrinë acar
Mrekulli, kur zhduken pamjet, si bisha me krah
Të fushave humbur në flakë
Mrekulli, kur vdesin plumbat e ata litarë