Gazeta Nacional Albania

Permeti dhe Leskoviku i vitit 1909 në reportazhet e Mithat Frashërit. Përgatiti për botim prof. dr. Luan Malltezi

Permeti dhe Leskoviku i vitit 1909 në reportazhet e Mithat Frashërit, të botuara në disa numra të gazetës “Lirija”

JU TREGOJ FAMËN E PËRMETARËVE PËR KOPSHTET DHE LULET DERI NË STAMBOLL

“Këtu jemi në vreshtat dhe në kopshtet e Përmetit. Njerëzi e këtij vendi në Stamboll dhe gjetkë janë kopshtarë të mirë, pothua gjithë kopshtarët e Jedi-Kules, e Makri-Qojit dhe të tjerë mëhallave të jashtme të Stambollit nga Përmeti e nga Leskoviku janë. Për fat të keq këtu në vend vreshtat dhe kopshtet s’mu duknë dhe aq mirë të punuara. Pse vallë në vend tonë të jemi përtacë dhe jashtë Shqipërisë të jemi më tepër punëtorë”?

Përgatiti për botim prof. dr. Luan Malltezi

Nga LUMO SKENDO

9, 10 NË FRASHËR PARË

Kur zgjohem e gjej veten time më një qetësi të madhe, brenda më një dhomë të gjerë të bukur, lyer me një ngjyrë të kuqe fort të ëmbël, shtruar me minderë të unjët dhe mbuluar me sexhade të vjejtura, ky vend ka një shijë të vërtetë; mësoj se kjo ka qenë ndënjtja e Baba Alushit.
Një pushim i thellë mbretëron në këtë vend të bekuar, sadoqë gjithë njerëzi e tij janë më këmbë dhe kanë zënë punën; një pastërti e çudiçme të gëzon shpirtin dhe rregulla vlen që të merret për shembull edhe prej atyre që e heqin veten e tyre për më të kujdesshëm.
Mbrëmjen kur ardhçë, në të errët, nuk kisha shtënë përveçse një vështrim. Tani vizitoj këtë teqe dhe njerëzit e saj: Baba Abidinë dhe dervishët me rradhë, edhe kjo jetë e qetë, ky rregull dhe ëmbëlsi e çuditçme më gëzon shpirtin.
Po kam mall të vizitoj dhe qytetin, këtë qytet i të cilit i jam djalë dhe nga i cili isha dhe delegat në Kongres të Elbasanit.
Frashëri! Po ky qytet tani s’është përveçse një hije e qytetit të vjetër. Mënjanë Qelqëza, më anë tjatër Kokojka, brenda më një gropë dhe kthisur mi brigje të parregullta.
Frashëri sot ka prapë 200 shtëpi, të gjitha të mira, të ngrehura bukur. Po njerëzi e tij sa janë përndarë, dhe sa fëmijë e kanë lënë për të mos u kthyer kurrë. Brenda më një arë, afër një kumbulle më rrëfejnë një lëmë.
– Atje kanë qenë shtëpitë tuaja! më thonë.
Edhe sa shtëpi të tjera janë shëmbur dhe humbur me ikjen e të zott!
Frashëri mund të thuhet se është themeluar më 1650 me ardhjen e Ajaz Beut nga Stanimaka (Filibe) ku gjyshi i Ajaz Beut, Hamza Beu, që ish nga Tomorica, ish zbuar më 1675 nga shkaku i një kryengritjeje kundër qeverisë. Para ardhjes së Ajaz Beut në Frashër, ishin tri familje Aliçkas, Bregas, Bakas, që janë dhe sot stërnipërit e tyre. Të tjerat fëmijë /familje/ që shohim tani kanë dala nga Ajaz Beu: Vila, Sulejmanbellinj, Laçenj, Kasollarë, Jaubellinj, Meçollarë, prej të cilëve disave s’u ka mbetur as një shtëpi fare!
Pa dyshim ish i bukur dhe i patur Frashëri, do t’i kish plot me njerëz shtëpitë dhe quaret plot kuaj, në kohët që fitimi bëhesh me harxhe me mjeshtërinë e luftës, ahere kur gjithë djemtë e një shtëpie linin vetëm një vëlla në shtëpi, dhe vetë shkonin për kurbet.
Edhe sot më thonë që /po/ të bëhet kaza dhe të hidhet në Korçë, Frashëri mund që të marrë një rëndësi më vete, me qenë se treg i tij ka një marrëdhënie të madhe.
Vizita e klubit dhe e shkollës atje pranë na mbush me gaz: klubi ka mbledhur gjithë djemtë e Frashërit, myslimanë dhe të krishterë, dhe shkolla, sadoqë një shkollë turqisht, me përpjekje të mësonjësit, Hasan Hoxhës, është bërë një shkollë gjysmëshqip dhe gjysmëturqisht. Mësova se dhe në shumë fshatra të tjera mësonjësit kanë zënë të japin mësim edhe shqip, jo vetëm për të kënduar e për të shkruar, po dhe mësime si dheshkronja, numratorja /aritmetikë/ etj.
Në shkollën greqisht që ka fshati, dhe që mbahet me të hollat e Greqisë, të krishterët na japin fjalën se do të vënë dhe shqipen, pa le të jetë dhe vetëm disa orë në javë. Ato që pashë në këto shkolla më mbushën mendjen se mësimi i gjuhës sonë është varur në dashjet tonë, dhe pa dyshim kur ta dëshërojmë këtë mësim asgjë s’na ka për të ndalur. Pra tani, e vërteta është se ndalojmë vetveten. Edhe shkakun e gjejmë; s’jemi mësuar akoma të mejtojmë vetë nevojat tona, s’jemi stërvitur që të zgjidhim çështjet dhe të shërojmë plagët; rrojtja komunale, punët e vendshme zënë një vend fort të pakë në jetën tonë.
Me një fjalë veten tonë e shohim si mysafir në qytet a në fshat që rrojmë. Këta të mos kujdesurit për punët e vendit s’na /ka/ sjellë në mes tonë as atë afërsi dhe lidhje, e cila është burimi i çdo përparimi, i çdo pune së bashku.
Të tre net që ndënja në Frashër i shkoj /i kalova/ në teqe, në atë qetësi që s’e kisha ndjerë kurrë. Dergjahu i Frashërit në rrëzë të Kokojkës është ngrehur njëqind vjet më parë, prej Tahir Dedejt (Nasibi); sot është një nga më të bukurat teqe të Shqipërisë, me 20 dervishë, të gjithë dinë të shkrojnë e të këndojnë shqip. Rreth teqes shoh një kopsht të bukur, një vresht, drurë dhe lule; më çdo anë gjelbëron, edhe sadoqë vjeshta ka hyrë, ky vend ka një hije dhe një bukuri të madhe. Po këtë gaz që ndjejmë na e hidhëron pamja e qytetit ku s’të sheh syri asnjë dru. Qelqeza në majë sa vete po qethet, dhe nga drurët e qytetit mos kërko gjë; më thonë se qëmoti Lopësi ka qenë pyll, ku ka humbur dhe një lopë, tani s’ka ku të fshihet as pula!
– Mbase edhe dheu është i lig, – them unë, – se me të vërtet këto rripa të lara prej shiu, të xhveshura dhe të thata më duken fare shterpa.
– Jo dhe aq, – më thotë miku im që kam pranë. – Shiko arën e Llukajt.
Edhe më tregon një arë brinjë rripe. Ish një gur i shkretë. Po Llukaj nuk u lodh, qëroi gurët, shpuri dhè, hodhi pleh dhe tani plaku merr tetë killë!
Baba Abidini më thotë se do të porosit vendasit që çdo njeri të mbjellë nga një dru dhe të porositen të mëdhenj e të vegjël që të mos këputet asnjë degë, asnjë lastar.
– Edhe kur të viç herën e dytë do ta gjeç Frashërin me gjelbërime dhe me drurë! më thonë.
– Me lastarë të vegjël, – them, – se shpreh /shpresoj/ që të vinj më shpejt!

“Lirija”, Nr. 79, f. 3.
Selanik, 13 mars 1910

11 vjesht’ e parë 1910. Nga Frashëri në Përmet

Sado që më donte zemra të rri akoma disa ditë, sot po shtrëngohem të nisem nga Frashëri. Që në mëngjes bëj dhe nja dy vizita për të marrë leje, bëj dhe zjarre te tyrbet e Nasibiut, Baba Jusufit, Baba Alushit dhe Baba Hysejnit dhe më dy të mëngjesit allaturka nisemi për udhë.
Tre-katër miq po na përcjellin; udha do të na shpjerë nga Tabori, gjer atje shkojmë nga Selenica, një fshat i bukur dhe i pasur, pastaj bëjmë një çlodhje në Lajthitë, se një copë e madhe e faqes së malit është lajthishtë.
Tani jemi në Tabor, majë bregut; ky emër pa dyshim vjen nga një karakoll i vjetër, s’andejmi me të vërtetë mund që të ruhet i tërë ky vend.
Sa pamje e bukur nga kjo majë! Me një anë kam përpara syve një vend të çveshur, ca brigje të përzier, një dhè të lig e shterpë: kjo është Dangëllija, Dangëllija me fshatrat e bejvet: Frashëri, Zavalani, Luarasi! Më anë tjatër, faqja tjatrë e Malit është e Përmetit, e mveshur me gjelbërime, e bukur dhe e ëmbël; anë e Dangëllisë mund të quhet vend i malësorëve, kjo anë është e njerëzve më të urtë dhe shumë më punëtorë.
Atje ndahemi nga shokët tanë, nga të tre dervishet e mirë që kanë patur mirësinë dhe na përcuallën; udha tani zë e zbret, gjithënjë e tatëpjetë; po edhe s’kishim bërë shumë çape kur një gjëmim dyfeqësh trondit erën; janë dyfeqe përcjelljeje dhe ndarjeje. Pse të rrëfehet gazi kështu me të hedhur pushkë? Po arma për shqiptarët a s’ka qenë gjithnjë nderi dhe gazi më i madh, arma a nuk ka qenë gjithnjë shoku më i dashur i djemeve të maleve dhe i brigjeve të Shqipërisë?
Udha gjer në Tabor na kish vajtur fort mirë; mësova se dhe atë rrugë e kish ndërtuar ay dervish myhendis , dervish Iliazi; ky dervish me një mënyrë fort praktike, se ujku s’ha mish me porosi, edhe njeriu në do që të bëjë punë dhe të rrojë si duhet, lipset që të marrë vetë shatën dhe lopatën.
Në një vend që i thonë Gura e Lubekës, në hije të një gorice të dobët qëndrojmë dhe bëjmë drekë, pastaj prapë duke unjur gjithnjë arrijmë në Tremisht, ku çlodhemi pak në shtëpi të një miku.
Këtu jemi në vreshtat dhe në kopshtet e Përmetit.
Njerëzi e këtij vendi në Stamboll dhe gjetkë janë kopshtarë të mirë, pothua gjithë kopshtarët e Jedi-Kules, e Makri-Qojit dhe të tjerë mëhallave të jashtme të Stambollit nga Përmeti e nga Leskoviku janë. Për fat të keq këtu në vend vreshtat dhe kopshtet s’mu duknë dhe aq mirë të punuara. Pse vallë në vend tonë të jemi përtacë dhe jashtë Shqipërisë të jemi më tepër punëtorë? Megjithëkëtë, shqiptari, mëmëdhenë, v a t a n ë, e do dhe e ka dashur gjithnjë. Apo mëmëdheu duket më i ëmbël kur vete dhe bën r e h a t njeriu, sesa kur të punojë?
Tani Përmetin e kemi përpara syve, rrëzë Nemërçkës dhe buzë Vjosës, një pamje e bukur, një qytet i hijshëm në mes drurëve dhe vreshtave. Sa i ashpër duket mali përmi të, kjo Nemerçkë me Dhëmbelin, të xhveshur dhe të zbarthur në majë! Të kish patur ujë, me thonë, këto male do të mbanin me mijë krerë dhen se ç’ushqejnë sot. Po tani me lodrat e dritës që bën dielli i perëndimit, ato gërxhe me kujtojnë të shikuarët e hënës me tejqyrë.
Tani po i qasemi urës, të hedhim Vjosën dhe jemi brenda në qytet. Po kemi harruar, se ura veç se largu ngjan me urë. Ka disa muaj që udha është prerë, ura është rrëzuar nga mezi. A hidhet vallë me vah? Ca miq nga Qosku gjeç duan të na thonë, po zëri s’dëgjohet, se ushëtima e ujit është më e madhe.
Eci më poshtë, se atje më duket se është ngrehur një urë e përtanishme. Sa dëm të madh dhe mundim i ka sjellë njerëzisë rrëzim i kësaj ure, sa e ka prerë dhe goditur lëvizjen.
Gjysmë ore më poshtë e gjejmë urën e drunjtë që kanë hedhur nga një shkëmb te një tjatrë mbi lumë; është një urë e dobët dhe e lidhur me hekura.
Në urë një zot po na pret, një mëmëdhetar na ka dalë përpara; edhe shoqëruar prej tij vemi në klub, një dhomë e vogël më një han po e madhe normalisht dhe mjaft për të mbledhur djemtë.
Po dëgjoj: klubi s’para ka dhe aq përparuar, se disa zotërinjtë kanë ndenjur mënjanë, s’kanë dashur të vinë e të ngrohen në këtë vatër, pranë këtij zjarri. Pa dyshim gjithë dëshirën e kanë të gjallë dhe të fortë në zemrën e tyre, po ca shkake të veçantë fare të vogla dhe as më pak rëndësi, i ka ndaluar që të rendin.
Po pas darke, me sa gaz të madh e shohim plot atë dhomë edhe dhomat pranë! Sa gjë e mirë kur vëllazëria dhe bashkimi dëftehen kështu me kaq mënyrë të ëmbël!
E vërteta është se ata që duan dhe marrin përsipër punë, duhet që të jenë njerëz me durim më të madh dhe me sjellje të mirë, njerëz me zëmrë të gjerë dhe të unjët: ahere janë të sigurtë se do të gjejnë dhe do të heqin shokë, do ta shtojnë vëllazërinë. Kështu e ka njerëzia, sado që të jetë për fitim të tij një gjë, duhet që t’i thuhet me një mënyrë që ta pëlqejë vetë që të rrëfehet sikur e ka çpikur dhe zgjedhur ay vetë.
Me fjalë të ëmbla, në mes të kaq mëmëdhetarëve të zgjuar dhe të ndershëm orët shkuan fort ëmbël gjer në mes të natës, dhe do të rrinim akoma mbase, sikur të mos qe që na duhet të nisemi pak herët nesër në mëngjes.

“Liria”, Nr. 80, f. 3.
Selanik, 20 mars 1910

12 vjesht’ e parë. Përmet-Leskovik

Kam gaz të ngrihem shpejt dhe të shtie /hedh/ një sy mbi këtë qytet. Me të zotin e shtëpisë ku qesh mirëpritur dhe sa pa dalë dielli isha në rrugë. Ca vizita të shpejta na marrin pak kohë se s’mund që të ndaloj gjëkund, vetëm një “mirseugjetëm” ne porta.
Përmeti, në të mëngjër të Vjosës, është sot kryevend i kazasë dhe me afro 3 000 njerëz, me shtëpi të mira, të rrethuara me kopshte, ku pemët janë të mira dhe të shumëfarëshme. Tek shëtitim, një gjë që më intereson është i dëgjuari Guri i Qytetit, një shkëmb i madh e i lartë, mbi Vjosë, rrethuar me një kopsht; majë këtij shkëmbi duket gërmadha e një fortese, e një qyteti si thonë ca njerëz në Shqipëri, nga i vjen dhe emri.
Ç’është kjo fortesë, nga ç’kohë ka mbetur?
S’e di. I vetmi libër që kam me vete, H r o n o g r a f i a t i s I p i r u e Aravantino-jt , thotë se Përmeti është themeluar mbi një të vjetër qytet bizantin, edhe se është djepi i fëmijës /familjes/ Gjika, princërve të Rumanisë.
Sot, e shtunë, është ditë pazari në Përmet: drithë, gjalp, lesh, lëkura një tog gjëra, një tog njerëz, një tog thasë janë përqasur në treg, një treg i bukur, me dyqane të mirë. Më thonë se tregëtia bëhet më tepër me Dëshnicën. Në mes të njerëzve të tregut shoh ca njerëz me mveshje Tirane dhe Elbasani: pandeh se janë tregtarë vaji dhe ulliri, a mbase që kanë ardhur të shesin ato plaçkat e mëndafshta që punon Tirana dhe Elbasani.
– Jo, – më thotë miku që kam pranë, – këta janë kaçakçinj, kaçak duhani!
– Po kjo mëhallë ç’është, ç’janë këta njerëz?
– Jemi në Qoshk, – më thotë udhërrëfenjësi im.
Vërtet në Qoshk, me të 200 shtëpi evgjite. Mësoj se këta miq të Qoshkut kanë ndjenja mëmëdhetare, duan dhe të çelin një shkollë shqip, dhe po kërkojnë mësonjës. Pse nuk e kanë çelur akoma? Pse ky javash-javash i shkretë na ka hyrë gjer në palcët? Apo janë disa që mejtohen se kacia, perustia dhe vjolia i kanë më tepër hije evgjitit, sesa mësimi dhe shkolla? Po harrojnë mbase se njeriu e ka kokën përpjetë që të shohë gjithënjë lart e më lart!
Jashtë qytetit, tani po udhëtojmë një udhë që thuhet shosé, po në të cilët jemi të lumtur të udhëtojmë me kal se me qerre kush e di sesa kocka do na thyheshin. Po tani duhet që të marrim leje nga zotërinjtë që kanë bërë mundimin e na përcjellin.
Po ecim anë Vjosës, kjo Aoos e të moçmëve me ujërat e kulluar, të bukur; lumi, arat dhe Nemërçka dhe Dhëmbeli kanë një hije, një bukuri të madhe. Po mejtohem: ky lumë që nga koha e Pirros , e Pal Emilit , e Topisë dhe e Ali Pashës sa ngjarje të mëdha, sa luftë, sa trubullime ka parë! Po lumi rrjedh, ato ujëra të Pindit po i rrungulliz në Adriatik dhe shkumba e bardhë e tij më ngjan me një qeshje, se jam i sigurtë se ay njerëzit i ka parë shumë herë në gjak e në tym, po fort pak në përparim!
Dy orë e gjysmë jashtë Përmetit e lëmë shosenë dhe marrim udhën e malit, se duam të shkurtojmë për në Leskovik.
Kjo udhë e malit me të ngritur e me të zbritur mbajti afro katër orë e gjysmë; faqe një bregu, më një gropë brenda shoh kopshtet e një fshati të punuar dhe të ndrequr me mjeshtëri të madhe që më kujtojnë kopshtet e bukura të qyteteve të mëdhenj; vërtet njerëzia e këtyre fshatrave janë gjithë kopshtarë në Stamboll, edhe duket se s’kanë harruar mësimet që kanë marrë, s’janë përtacë këtu në v i l a j e t të tyre!
Kur arrijmë në shkollën e Mohaxhit, atje tek zëmë e shohim Leskovikun, kulla e orës trëngëllit 10 herë. Edhe sa pamje e bukur këtej: Leskoviku më të mëngjër, vreshtat e bukura nën këmbët tona, Glina dhe Konica më tej, edhe në fund malet e Zagorit.
Duke unjur shkallën një shi i hollë na zë, po me sa shpejt mori rrëmbim dhe sa bukur ishim qullur kur hymë në qytet brenda…

13 VJESHT’ E PARË. NË LESKOVIK

Teki be Rusi, miku im tek i cili jam pritur kaq mirë, më tha prëmë një dëshirë të madhe që të hipi në majë Melesinit, dëshirë që vetëm një ngarje të vogël kërkonte që të ndizesh fare.
Pra sot udhëtimi i mëngjesit tonë është maja e gurtë që shohim atje siprë.
Fort e lig dhe me mundime, të ngjiturit mbi këta gurë këtej nga qyteti; po një herë sipër në majë sa bukuri, sa madhëri!
Syri na sheh edhe sa vende të ndryshme: s’andejmi shohim Zavalanë, Frashër, Përmet, Konicë dhe, sa të tjera fshatra!
Bëmë dy orë e gjysmë sa të ngjitemi mbi këtë majë shkëmbi. Një kishë e vogël, Shën Ili, në mot një herë mbledh besnikët që venë e lusin ditën e të mirit. Pranë kishës duken dhe ca gërmadha të vogla, ca mure të rrëzuar dhe pa gëlqere, që duken se do të ketë qenë një kishë e rrëzuar pak më parë. Shokët po këndojnë:
“Melesini maja-maja,
ç’e rreh topi e kumbaraja”.
Po vërtet, na atje poshtë ku duket dhe fshati Melesin, me një kishë pranë:
“O moj kisha me kamare,
i shove nizamët fare!”
Atje në atë fshat edhe sot më thonë se i biri i Silihtar /Zylyftar Podës/, Sulejman Beu, një plak tetëdhet vjeç rrëfen ngjarjet e para.
Po për fat të keq, ligësia e udhës na ndalon që të vemë e të piqemi me këtë njeri të moçmë dhe të dëgjojnë nga goja e tij ato të ndodhurat që na duken të një kohe fare tjatrë.
Na duhet që të zbresim se kemi dy shtrëngime: etja dhe uria, se s’ka asnjë pikë ujë mbi ata shkëmbenj të thatë. Tani më s’heqim mundim duke zbritur: nga faqja tjatër është qetuar /ndëruar/ një e vërtetë shkollë fort e bukur.
Sa pa hyrë në qytet qetësojmë etjen në Rëzët, ku gratë me bucela në krah presin radhën për të mbushur ujët e shtëpive: s’ka puse as gurra të tjera në këtë qytet edhe njerëzi e tij akoma s’janë mejtuar që të sjellin një ujë së largu.
Me afro 700 shtëpi, Leskoviku me të vërtetë ka një hije qyteti me shtëpi të ndërtuara fort bukur. Njerëzit e këtij qyteti, të zotë për tregti, janë përhapur në disa qytete në Rumeli: Karaferia, në vilajet të Selanikut, Allasonjë, në Manastir, kanë një tok shtëpi leskoviqarët e vajtur dhe të vendosur atje.
Në u çelshin udhët e tregtisë dhe të mbrothësisë s’kemi fare dyshim se ky qytet do ketë një vend të shënuar dhe të ndershëm në Shqipëri, me punonjësinë që rrëfejnë njerëzi e tij dhe me mendim tregtie që kanë.
Mbrëmanet prapë, si edhe natën që shkoi, gjendemi në klub, ku salla e madhe është plot me djemtë e këtij qyteti dhe ku mendimet e drejta luftojnë që të poshtojnë të shtrembërit.
Një gjë tjatër që dëshëronja të shihja këtu ishin muzikantët evgjitë, të cilët i kam dëgjuar se i lëvdojnë shumë; këta muzikantë e s h a h i r ë, si u thonë këtu, bashkë me të Përmetit janë të dëgjuar në të gjithë Shqipëri, dhe shumë herë në dasma të mëdha dërgohen e thirren gjer në vilajet të Shkodrës.

“Lirija”, Nr. 81, f. 3.
Selanik, 27 mars 1910

Gjashtë javë në Shqipëri

14 vjesht’ e parë. Nga Leskoviku në Janinë

Udha sot është mjaft e gjatë; me qerre na thonë se mban plot 12 orë; ne me kal pa dyshim do ta bëjë dhe ca më tepër. Kur nisemi, pra, nga Leskoviku, atë qytet e lëmë në gjumë.
Vendi ku shkelin patkojtë e kuajve është një shosé e Ahmed Ejub Pashës, e atij valiu që ka bërë të parat udhë në këto vende: në vilajet të Manastirit dhe të Janinës, tekdo që të shoç një shosé mos pyet e kujt është, se 99 për 100 do të thonë që e ka bërë Ahmed Ejub Pasha.
Në të ftohtë të mëngjesit udha s’na duket dhe kaq e mirë, po 20 kilometra larg Leskovikut përnjëherë vërejmë se kemi një shosé të çudiçme; kjo udhë që vete kështu gjer në Janinë s’ka asnjë drudhë pluhur, as një copë gurë të dalë, as më të voglën e gropës; mësoj se kjo shosé e çudiçme është ndërtuar prej Osman Pashës, valiut të Janinës; tartari domethënë me gjithë të metat e mëdha të tij bëri dhe një thërrime shërbim.
Ruajtësit që shohim në kolibet e vogla në çdo 10 kilometra shërbejnë në ruajtjen kaq bukur të kësaj rruge.
Pa vajtur katër ora kapërxejmë Vjosën mbi një urë të bukur dhe të shëndoshë; një han dhe ca zaptije e kollxhinj ruajnë atë vend. Edhe s’andejmi udha shkon në mes të pamjeve me një bukuri të madhe; sa hije ka ky breg i mveshur ku janë shtrirë fshatrat Mesare dhe Karamuratas. Ca më tej shohim Konicën me pyllthin e tij pranë dhe me fushëzën e bukur përpara, ku ndrit Vjosa si rrip i argjentë.
Edhe shoseja gjithnjë e bukur, e pastër dhe shumë herë e mbjellë me drurë, përnjëherë kthehet, bën një bryll; tani më s’shohim as fushën e Konicës, as Vjosën, jemi më një grykë; arrimë në qafë të Dhemës, më thotë shoku që më shoqëron që në Manastir.
Ora është 5 e gjysmë allaturka dhe kemi nevojë për një çlodhje, se kemi dalë që më 12 të mëngjesit dhe s’kemi qëndruar asgjëkund.
Një kafene e vogël dhe një karakoll dhjetë çape më tej. Kasollen që shërben për kafene e mban një nga Nivica dhe onbashi i karakollit është nga Tepelena. Duke ngrënë ca mish të ftohtë që kishim në trastë dhe rrushtë që blem atje, lidhëm kuvendin edhe me kafexhinë edhe me onbashin.
Kuvendi i xhandarit më intereson më tepër se ky djalosh, më tregon edhe të pështirat e mjeshtërisë së tij, edhe të paudhat që punohen.
Me 70 groshë në muaj domosdo do të vjedh, më thotë, se njeriu nuk rron me erë. Edhe më tepër tani që do ta nxjerrin fare, se i gjori s’di as të këndojë as të shkrojë dhe tani po i bëjnë t e n s i k xhandarët dhe kërkojnë që të jenë “efendilerë”.
– Po shqip a këndon or mik?
– E kush ma mësoi që ta nxë?
Vërtet kush është përpjekur për këta të mjerë, edhe kur, më ç’kohë?
Dy abetare që kemi pranë i duken si një dhuratë e madhe tepelenasit të gjorë edhe që atë çast zë a be ce …
Pastaj na rrëfen se grekomanët vendës kishin marrë vendime të liga dhe shpresa të dëmshme; pas h y r i j e t i t vendi ish mbushur me armë dhe komitat po lëvrinin si pleshtat në pleh. Po të shkuarët e topave nga Manastiri në Janinë e qetësojë vendin; të rrungullisurit e atyre pirgjeve hekur mjaftoi që të shtrojë mendimet dhe ndjenjat.
Grekomanët e vendit? Oh sa i hidhur më është dukur ky udhëtim i sotëm, me gjithë bukurinë e udhës! Po ç’është bërë shqipja në këto vende, ku ka vajtur gjuha jonë? Pse qëkur kam dalë nga Leskoviku më s’e kemi dëgjuar mbi udhë, ashtu si na përkëdhelte veshin gjer më tani?
Me një fjalë: këta njerëz që pjek mbi udhë grekër janë, apo shqiptarë të grekosur dhe të helmuar? Ashtu sikundër që shqiptarët janë unjur në Greqi dhe kanë mbuluar një tok vende, ashtu pra dhe grekërit kanë ardhur gjer këtu, apo me anë të kishës dhe të propagandës gjuha greqishte ka hedhur kaq rrënja të forta?
Pa dyshim në Janinë dhe më poshtë do të gjej dot përgjigjen e këtyre pyetjeve.
Tani më s’kemi as kohë që të vërejmë shumë, se akoma s’jemi në mes të udhës dhe ora po shkon.
Pas hanit të Kalibaqit bijmë në fushë ku dremit pellgu Lapsishta, një pellg që mund të thahet me pak të prishura dhe mund të lerë një dhè pëllor dhe të bukur.
Po kuajve i do rënë, se dhe në han të Likostomit s’mund që të rrimë; dielli i është fare qasur qarkut.
Kur hyjmë në Janinë ora kish vajtur një e natës dhe mezi shohim udhën që shkojmë dhe miqtë që na kanë dalë përpara.

“Lirija”, Nr. 82,f. 3
Selanik, 3 prill 1910

Gjashtë javë në Shqipëri

15 vjesht’ e parë. Në Janinë

Në Janinë! Kur ngrihem, më e parë e punëve është të nxitoj në dritare dhe të hedh një vështrim jashtë, të shoh këtë qytet, këtë Janinë kaq të dëgjuar.
Nga shtëpija që jam, shoh një pjesë të madhe të qytetit. Kënetën atje poshtë dhe Miçqelën më anë tjatër, mali Miçqel i xhveshur e i kuqëreshmë.
Po kam nxit që të dal dhe ta shoh më mirë këtë qytet dhe dua të kuptoj a më ka mbetur nonjë kujtim i vogël nga kohët e foshnjërisë që kam shkuar atje.
Me afro 30 mijë njerëz, Janina është një nga më të bukurit qytet të Shqipërisë, nga më të pastërt dhe më të qytetëruarët.
Rrugat tek ecinj i gjej të ndrequra dhe të rregullta, sadoqë të shtruara me gurë të fortë nuk janë rrugë qerreje, po dhe këto qerre ku janë në Janinë.
Vizitë e parë është për në klub, pastaj për në shtypshkronjën shqipe të gazetës “Zgjimi i Shqipërisë”. I çelur nja dy muaj pas konstitucionit, klubi ka hedhur një dritë të madhe shqiptarizmi në këtë qytet dhe ka zgjuar shumë ndjenja kombiare që flinin dhe dremitnin. Po dhe akoma sa punë e madhe, sa mundim të palodhur duhet që të dalën në dritë gjithë ndjenjat e fshehura dhe të panjohura të mëmëdhetarëve tënë të Janinës.
Kur dëgjon njeriu kuvendimin e janiotëve pandeh se gjuha e tyre është greqishtja. Po me sa çudi të ëmbël kemi vërejtur se, në mos të gjithë, të pakën gjysma e njerëzisë në Janinë e kupton dhe e flet shqipen. Pastaj pyetni një herë më ç’anë janë, nga vinë janiotët dhe do të kuptoni se di /kush/ është nga Çamëria, di /kush/ nga Labëria, tjatri nga Përmeti dhe të tjerët nga Gjirokastra. Ahere pse ta dëgjojmë kaq rallë shqipen, pse të mos i ndjejmë zënë që na vjen kaq i ëmbël në vesh dhe në zëmrë? Pse?
Po kjo është që na gjakos dhe na hidhëron zëmrën! Se është një faj i yni dhe vetëm i yni, se nuk kemi dashur që të qëndrojmë në këmbë, po jemi unjur pak.
Tregu ka dyqane të mira dhe lëvizje të mjafta; duket se do të kete shumë të marrë dhe të dhënë. Po si më thonë, ku është tregtia që bëhesh tridhjet e dyzet vjet më parë, ahere kur Thesalia akoma s’ish dhënë te Greqia!
Qyteti i moçmë, mbase dhe në shekuj të parë emëruar Dodonë, ashtu si kuptohet nga të zënët ngojë te “episkopi i Dodonës”, Janina merr emrin që ka sot dhe zihet ngojë për herën e parë më 1081 prej historishkronjëses Ana Komnena ; në ato kohë shohim se princi norman, Boemundi, e merr nën urdhër /sundim/ të tij Janinën dhe për pak kohë, mbretëri e këtyre princëve katolikë qe fort e shkurtër në Epir. Po pa shkuar shumë, Janina i bie në short dhespotisë së Epirit, një principatë e themeluar më 1206 prej Mihail Dukas, me kryeqytet Nartën. Si u ndodh dhe pak kohë nën sundim të serbëve që erdhën dhe ranë si një breshër me mbretin Stefan Dushan, në Janinë gjejmë një fëmijë /familje/ princësh shqiptarë, fëmijën /familjen/ e Topias të cilët pastaj i lënë vendin ca fëmijë /familje/ princësh të vegjël gjersa më 1396 Janina epet vetvetiu te sulltan Bajazidi i Parë, një dhënje në paqe që më pastaj u forcua dhe me luftë në kohë të sulltan Muradi i Dytë më 1431.
Që ahere, pa histori dhe pothua e shuar dhe e harruar, Janina merr një shkëlqim dhe emër të fortë me Ali Pashën, në kohë të cilit thonë se kish gjer më 40 a 50 mijë njerëz.
Pa dyshim, as fytyrë e sotmë as histori e tij nuk është pa interes në këtë qytet.
Edhe tek shëtit në këto rrugë, po mejtohem se tridhjetë vjet më parë, ky qytet kaq i vlefshëm dhe i dashur për të tërë shqiptarët, mend na doli nga dora, se diplomatët e Evropës në Kongres të Berlinit e kishin parë të udhës që t’i epesh si dhuratë a si lëmoshë (sadaka) Greqisë! Edhe le të flasë pastaj njeriu për shpirtmadhësi dhe për drejtësi të “Evropës” e kësaj shoqërie të madhe, për të cilën vetëm një fjalë ka dëftesë dhe shpirt: interesi!
Këto kujtime të hidhura bëjnë dhe suzhetun e fjalës sonë në vizitat që bëjmë te miqtë; suzhetë të hidhura vërtet po prej të cilëve dilte dhe kuptohej nevoja e madhe që kemi për të punuar dhe për të mos flejtur.
Të punuar, të punuar pa dëshëprim dhe pa lodhje! Ky është dhe kuvendi që rrjedh në klub, ku pas darke, përpara më tepër se njëqind e pesëdhjetë shpirt kam nderë që të jap sumim /përfundimet/ nga Kongresi i Elbasanit si mëkëmbës që më kish dërguar klubi.

“Lirija”, Nr. 83, f. 3.
Selanik, 10 prill 1910