Gazeta Nacional Albania

Pesidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Shijak, ku u takua me autoritetet vendore, qytetarë, nxënës e mësues

Presidenti Begaj në Shijak, qytetin që përfundoi i pari rindërtimin duke ruajtur traditën.
Kreu i Shtetit thirrje nxënësve për respekt ndaj mësuesve dhe ndjekje të modeleve profesionale pë të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.
Presidenti dhuron libra shqip për bibliotekat e shkollave.

Pesidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Shijak, ku u takua me autoritetet vendore, qytetarë, nxënës e mësues.

Kryetari i Bashkisë, z. Elton Arbana, i uroi mirëseardhjen Kreut të Shtetit dhe u shpreh se kjo është hera e parë që një Presidet i Republikës zhvillon një vizitë zyrtare në Shijak.

“Falënderoj Presidentin për vëmendjen që tregoi ndaj qytetit tonë, qytetit të parë që përfundoi procesin e rindërtimit në Shqipëri pas tërmetit”, – deklaroi kryebashkiaku i Shijakut.

Presidenti Begaj vizitoi shkollat e rindërtuara, të pajisura me ambjente dhe mjete bashkëkohore për nxënësit, përfshirë edhe laboratorë për praktikat, por dhe me metoda të reja të mësimdhënies, klube artistike dhe profesionale.
Presidenti zhvilloi një bashkëbsedim me nxënësit dhe arsimtarët e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, ku u njoh me problematikat dhe mbarëvajtjen e procesit arsimor. Gjatë këtij takimi Presidenti Begaj u bëri thirrje nxënësve të vlerësojnë dhe respektojnë mësuesit sikundër respektojnë familjet e tyre.

Veç rëndësisë së respektimit të figurës së mësuesit, Presidenti, gjithashtu, vlerësoi përkushtimin e tyre në edukim dhe mësimdhënie.

“Nëse ne jemi frymëzyes, e nesërmja ka më shumë shpresë”, – u shpreh Presidenti Begaj, duke theksuar domodsoshmërinë e arsimit cilësor në përgatitjen e brezave.

Në vijim të nismës për librin shqip, Presidenti i Republikës dhe Zonja e Parë dhuruan për bibliotekat e tri shkollave në Shijak rreth 150 tituj didaktikë dhe letrarë.

Zoti Begaj theksoi, gjithashtu, rëndësinë që ka arsimi profesional për të rinjtë, si një mundësi për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri. Një model i tillë ishin edhe dy biznese të vogla në qendër të qytetit, të cilat funksinojnë prej dekadash si trashëgim familjar. Presidenti takoi një orëndreqëse, e cila profesionin e trashegoi nga i ati, që hapi dyqanin para 7 vjetësh dhe po ashtu një pastiçeri , që ofron ëmbëlsira cilësore që nga viti 1985, të prodhuara në mënyrë artizanale.

Gjatë vizitës në Shijak, Presidenti Begaj ndoqi dhe një ekspozitë të vëllezërve piktorë Faja, të bijtë e artistit emblemë të këtij qyteti,“ Piktorit të Merituar”, Agim Faja. Ekspozita “Ç’po luftojnë siç u ka hije, burrat trima t’ksaj nahije”, i dedikohet rolit dhe kontributit të luftëtarëve të kësaj zone në 110- vjetorin e Luftës së Shkodrës.