Gazeta Nacional Albania

PLURALIZMI DHE GJEOPOLITIKA SHQIPTARE E MUNGUAR, opinion nga DR. NAIL DRAGA, Ulqin

PLURALIZMI DHE GJEOPOLITIKA SHQIPTARE E MUNGUAR

Nuk zgjidhen problemët me takime të rastit por me angazhime të vazhdueshme dhe programe konkrete në sajë të strategjisë kombëtare për shqiptarët në hapësirën e tyre etnogjeografike e cila deri më tash ka munguar nga shteti amë–Shqipëria, që paraqet dobësi institucionale nga ana e qeverive të ndryshme në kohën e pluralizmit, që nuk mund të arsyetohet më asgjë, sepse çështja kombëtare nuk është pronë e ndonjë partie politike apo klaneve të ndryshme por e të gjithë shqiptarëve në kohën e tashme dhe atyre që do të vijnë pas nesh.

Dr.Nail  Draga

Nëse në kohën e monizmit interesimi i shtetit amë-Shqipërisë për shqiptarët jashtë kufijve politik të saj trajtohej si paternalizëm apo përzierje në punët e brendshme të shtetit tjetër, nga viti 1990 në sajë të dështimit të ideologjisë komuniste, kjo çështje mori përmasa tjera që janë në favor të ruajtjës dhe zhvillimit të identitetit kombëtar në hapësirën e tyre etnogjeografike.

Por, pasi nga ai vit po bëhën rreth tri dekada, është kohë e mjaftueshme për të  analizuar se sa ishte përkujdesja nga shteti amë-Shqipëria që është obligim kushtetues, për bashkëkombasit e tyre, në rastin konkret për shqiptarët në Mal të Zi.

 

Përkujdesja e munguar nga shtetit amë

Ka vite që përfaqësues të Shqipërisë kanë kontakte me homologët e tyre në Mal të Zi, duke krijuar marrëdhënie personale por edhe në fusha të ndryshme, madje duke u bërë shëmbull i bashkëpunimit dhe të fqinjësisë së mirë për regjionin dhe më gjerë.

Por, deri më tash jemi dëshmitarë se në vizitat e rastit, me kujdes i është kushtuar  drekave  e darkave që  janë pjesë e takimeve të tilla, se sa çështjeve  të gjeopolitikës  kombëtare. Nga një veprim i tillë del qartë së ka munguar përkujdesja nga shteti amë sepse kanë munguar lideret me kapacitete kombëtare, të cilët duhet të jenë bartës të strategjisë kombëtare ne lidhje me pozitën dhe statusin e shqiptarëve në hapësirën e tyre etnogjeografike, përkatësisht të kërkesave të tyre  për barazi qytetare dhe nacionale në ato mjedise ku jetojnë dhe veprojnë.

Ashtu sikurse në monizëm edhe tash në pluralizëm shqiptarët në Mal të Zi, janë lenë jasht orbitës së përkujdesjës kombëtare, sepse po të ishte e kundërta shumë çka do të ishte ndryshe.

Përfaqësuesit e institucionëve shtetërore me ndërgjegje kombëtare, në sajë të kërkesave të shqiptarëve e kanë obligim moral dhe profesional që të angazhohen  konkretisht  në favor të përmirësimit të gjendjes ekzistuese.

Pikërisht, për çështje të tilla organizohen takime të niveleve të ndryshme për shqyrtimin e  kërkesave të  shqiptarëve në Mal të Zi. Dhe për kërkesat e tilla enkas  formohen grupe pune që i trajtojnë me kompetencë profesionale çështjet përkatëse, duke iu dhënë përparësi atyre të cilat janë emërgjente për momentin.

Në lidhje me çështjet e tilla, nuk duhet biseduar vetëm me spektrin politik, qoftë pozitë apo opozitë, por edhe me intelektual,  persona nga bota akademike dhe gjithsesi me shoqërinë civile, për të pasur një informacion më të plotë. Vetëm në këtë formë të komunikimit përfaqësuesit e institucioneve shtetërore nga Shqipëria do të kishin një pamje reale jo vetëm të kërkesave por edhe të pozitës dhe të statusit të shqiptarëve  si popull autokton në Mal të Zi.

 

Vizitat e rastit sa për fotografi

Pikërisht në lidhje me këtë çështje duhet theksuar vizitën zyrtare në Mal të Zi  të presidentit të Shqipërisë z.Ilir Meta, si dhe takimi me përfaqësuesit e KKSH në Mal të Zi, në Ulqin me 22 janar 2019. Në këtë takim diskutuesit prezantuan kërkesat e vazhdueshme të shqiptarëve në këtë mjedis, si në aspektin e përfaqësimit proporcional, punësimit, arsimit, kultures, ligjit zgjedhor, emigrimit të shqiptarëve etj., duke dëshmuar me fakte pabarizinë praktike e cila vazhdon edhe tash në pluralizëm.

Ne këtë aspekt për herë të parë nga stafi i presidentit të Shqipërisë u evidentuan kërkesat në fjalë të cilat  siç premtuan do të trajtohen për të gjetur zgjidhje në koordinim me palën malazeze. Pasi  kërkesat e shqiptarëve janë optimale  çdo vonesë në këtë drejtim nuk mund të arsyetohet më asgjë, vetëm me mungesë të vullnetit politik të pushtetit, dukuri kjo e njohur për të gjith ne në këtë mjedis.

Ky takim ishte i veçantë deri më tash sepse asnjë përfaqësues i Shqipërisë më herët nuk ka organizuar një takim të nivelit të tillë me shqiptarët në këtë mjedis për të shpalosur kërkesat dhe problemet aktuale të cilat nuk janë të panjohura për opinionin shqiptarë në Mal të Zi, por edhe më gjerë.

Por, duke marrë parasysh rrethanat shoqërore në vend, neglizhencën e trashëguar të pushtetit ndaj shqiptarëve,  si dhe pasivitetin e subjekteve politike shqiptare, përvoja e deritashme na bën të jemi të rezervuar se mund të kemi ndryshime pozitive në këtë drejtim.

 

Për një rol aktiv të shtetit amë-Shqipërisë

Nga ana tjetër dua të ceki edhe një moment tjetër në lidhje me këtë çështje, e kjo ka të bëjë me rolin e Shqipërisë përmes ambasadës së tyre  në Mal të Zi. Duke marrë parasysh se jemi në pluralizëm dhe në rrethana të tjera shoqërore të bashkëpunimit dhe të integrimeve, ambasada si përfaqësuese diplomatike e shtetit amë-Shqipërisë duhet të luaj një rol aktiv në koordinimin e çështjeve preokupuese të shqiptarëve në  Malit të Zi.

Pra, duhet të luaj rolin e ndërmjetësit në mes dy vendëve (Shqipëri-Mali i Zi), duke qenë monitorues i angazhimeve konkrete në Mal të Zi.

Një veprim i tillë nuk duhet të jetë paragjykues, si në kohën e monizmit që trajtohej si paternalizëm por angazhim konkret  në avancimin e pozitës së shqiptarëve në këtë mjedis. Madje një veprim i tillë ka mbeshtetje  në nenin 8 të Kushtetutës së Shqipërisë, sepse shteti shqiptar e ka obligim të kujdesët për pjesën e popullit shqiptar jashtë kufijve politik të Shqipërisë. Vetëm duke qenë aktiv ambasada përkatëse mund të ndikojë pozitivisht në avancimin e çështjeve  preokupuese të shqiptarëve në këtë mjedis, që janë në favor të barazisë qytetare e nacionale.

Pikërisht  duke marrë parasysh se kërkesat e shqiptarëve në Mal të Zi, janë optimale çdo qeveri demokratike do ti pranonte ato dhe do të përcaktonte afatet kohore  dhe bartësit për realizimin e tyre, sepse janë në favor të avancimit të pozitës dhe të statusit të tyre në këtë mjedis multinacional dhe multikulturor.

 

Arsimimi pa identitetit  kombëtar

Deri më tash të gjithë jemi dëshmitarë së në  gjeopolitikën e munguar të shqiptarëve, ka më tepër deklarata të rastit, se sa veprime konkrete, si nga politika ashtu edhe nga institucionet kulturore, arsimore e shkencore. Në Mal të Zi në shkollat më mësim në gjuhën shqipe nxënësit shqiptarë mësojnë nga tekstet e autorëve sllavë të përkthyera në shqip, ku nuk mësojnë pothuaj  asgjë vetën por për të tjerët. Fjala është për tekstet e imponuara nga lëndët e identitetit kombëtar siç është lënda e historisë dhe ajo e kulturës muzikore, për shkollën fillore dhe ate të mesme. Dhe, nga programe të tilla dhe tekste shkollore të përkthyera nxënësi shqiptar është i programuar të asimilohet, përkatësisht të arsimohet pa identitet kombëtar, që është në kundërshtim flagrant me ligjet, kushtetutën dhe normat demokratike ndërkombëtare.

Janë pikërisht këto çështje që duhet të jenë preokupuese për shtetin amë, që deri më tash fatkeqësisht nuk ka treguar interesimin e duhur që nuk mund të arsyetohet më asgjë. Një konstatim i tillë dëshmohet nga  mungesa e marrëveshjeve apo memorandumeve  të nënshkruara në mes dy qeverive (Shqipëri-Mali i Zi), në fushën e arsimit dhe të kulturës. Nuk ka dilemë se marrëveshjet e tilla do të eliminonin  padrejtësitë që janë të trashëguara nga koha e monizmit edhe tash në pluralizëm(!?).

 

Koha e fundit për veprime konkrete

 

Andaj, pa nënçmuar momentet e fotografive të rastit të përfaqësuesve të ndryshëm të dy vendëve, kemi nevojë urgjente për veprime konkrete që janë në favor të mbrojtjës së identitetit kombëtar, sepse shqiptarët në Mal të Zi janë në pozitë të pavolitshme ekonomike, arsimore e kulturore, me pasoja për kohën tonë dhe të ardhmen.

Është koha që përfundimisht shteti amë-Shqipëria të tregojë interesimin e duhur edhe për shqiptarët në Mal të Zi, me angazhime e projekte konkrete dhe modalitete të ndryshme, mbeshtetje kadrovike e pse jo edhe materiale, si veprojnë kudo shtetet e konsolidura me strategji kombëtare, sepse punët tona nuk na i kryejnë të tjerët.

(Mars 2019)