Gazeta Nacional Albania

Poetesha dhe artistja rumune Steliana Natasa flet për gazetën letrare “Nacional”. Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta

STELIANA NATASA: PIKTURA DHE POEZIA JANË TË PANDARA NË SHPIRTIN TIM KRIJUES

Silvia Steliana Natasa ka lindur në Comanesti (Rumani). Banon në qytetin Città della Pieve (Itali), që nga viti 2008. Silvia është poete dhe piktore e artit modern. Në vitin 2000 punoi si pedagoge në Universitetin (Vasile Alecsandri – Rumani).

Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta

Natasha ka marrë pjesë në këto antologji:

“Shkruar, I” vëllimi 4, (2020); “Vargjet e ndryshme” e përfshirë pasi fitoi vendin e 2-të në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë Sociale, edicioni i dytë për seksionin e të huajve; fitoi çmimin special si Autorja më e Mirë e Huaj, me banim në rajonin e Italisë (Umbria) në Konkursin Ndërkombëtar të Poezisë “Ossi di Seppia” (Itali).

Poezitë e saj janë përkthyer dhe botuar në disa gjuhë dhe revista kombëtare e ndërkombëtare, si: Gazeta Destinacioni, Alessandria Today, Ciceroni, Orfeu, Elite Magazine, Polis Magazino International Magazine, Netrazol International Magazine, International Literay Language Journal, Ëordsmith International Editorial, etj.
Natasha bashkëpunon me revistën Saturno Magazine, blogun Lo Scrigno di Pandora dhe është themeluese dhe administratore e grupit facebook “Ngjyra e shpirtit”
Gjithashtu është ambasadore e kulturës në organizata të ndryshme jofitimprurëse në: Hungari, Marok, Bangladesh, etj…
Natasha ka marrë disa certifikata vlerësimi dhe mirënjohjeje nga revistat në: Hungari, SHBA, Itali, Kosovë, etj…

Piktura dhe poezia janë vibrimet e shpirtit të saj të cilat e kanë frymëzuar që kur ishte në moshë të re. Këtë vit Silvia pati dy projekte të cilat i realizoi me sukses: ekspozitën e pikturave të saj, një në Milano së bashku me poetin Marco Fabio me të cilin bashkëpunoi dhe botoi librin “Si ta shpjegoj shpirtin e një poeti” ku përfshiu 40 piktura të saj krahas çdo poezie si dhe krijimin e kopertinës. Libri u botua në dhjetor 2023 nga Shtëpia Botuese “Divina Follia”.
Nga ana tjetër, projekti i dytë, u realizua në qershor të këtij viti me ekspozitën në Galerinë e Arteve në Città della Pieve. Natasha ka krijuar gjithashtu kopertinën e vëllimit me poezi në shqip: “Libri nën Rrënoja”, të autores Angela Kosta, libër ky, i përkthyer dhe i shpërndarë në disa gjuhë të huaja.

– INTERVISTA –

A. Kosta: Përshëndetje Steliana. Mirë se erdhët në këtë intervistë dhe në gazeta Nacional. Na tregoni kur emigruat në Itali?

– Përshëndetje Angela. Faleminderit për intervistën. Unë jam me origjinë rumune dhe mbërrita në Itali në vitin 2007.

-A. Kosta: Kur keni filluar ta gërshetoni poezinë me artin tuaj?

– Në fillim ndjeva nevojën për të zotëruar artin e pikturës, për të përfaqësuar ato ndjenja që më bënin të ndihesha përtej ekzistencës. Pastaj pjesa instiktive evoluoi falë thellimit të metodave më teknike, por jo më pak emocionuese në mbështetje të spontanitetit ekspresiv. Më pas, lindi një lloj empatie mes poezisë dhe pikturës, e cila në fund të fundit mendoj se është kërkimi dhe dëshira e shumë artistëve, për të rigjetur veten në atë çka bëjmë dhe realizojmë, por, dua të theksoj se këtë e kuptova më mirë me kalimin e viteve.

A. Kosta: Vëreni ndryshime midis letërsisë italiane dhe asaj rumune?

– Letërsia e një kombi përbën një sintezë organike të shpirtit dhe mendimit të një populli të tërë, pra një pasqyrë të shoqërisë së tyre përkatëse në një kohë të përcaktuar e cila ndryshon nga vepra në vepër.
Për mua, çdo popull dallohet nëpërmjet letërsisë dhe kulturës dhe pikërisht në çdo lloj forme arti e gjejmë bukurinë e atij populli.

A. Kosta: Cili është frymëzimi që stimulon penën dhe penelin tuaj?

– Ndonjëherë më rrëmbejnë ndjesitë që amplifikohen deri në atë pikë sa gjenerojnë forma dhe ngjyra të cilat pasqyrojnë emocionet, gëzimin dhe trishtimin. Ndonjëherë diçka që shihja dhe që më bënte të reflektoja thellē; ndonjëherë vetëm për hir të pasionit ndaj pikturës. Shpesh më rrëmben dhe më sugjeron vetë puna që krijoj, me çfarëdo lloj emocioni qoftë. E njëjta gjë ndodh edhe me vargjet. Ka shumë raste kur atë që pikturoj e transformoj në poezi, ose i transformoj fjalët në imazhe, pra gjithmonë duke pikturuar dhe vargëzuar…

-A. Kosta: Ju keni fituar disa çmime të rëndësishme. Na thoni diçka më tepër?

– Po, kam pasur nderin të shpërblehem në disa konkurse ndërkombëtare të poezisë e një nga këto quhet “Ossi di Seppia” ku mora çmimin “Autorja më e mirë e huaj”, si banore në rajonin e Umbrias (Itali).

Në fushën e pikturës jam përzgjedhur disa herë për të marrë pjesë në disa ekspozita grupore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Po përmend vetëm disa: ekspozitën ndërkombëtare të grupeve në Turqi, Të jesh fëmijë në Afrikë, Dyvjeçare Metropoli në Torino, si dhe disa certifikata vlerësimi nga botimet e ndryshme në revista kombëtare dhe ndërkombëtare.

-A. Kosta: Në qershor hapët ekspozitën tuaj personale… Ç’mund të na thoni për këtë përvojë?

– Po! Në qershor të këtij viti, inagurova ekspozitën time personale në Città della Pieve në Pallatin Corgna, një vend madhështor plot histori, qytet mesjetar i përrallave.
Qyteti Città della Pieve është shumë mikpritës dhe i paprishur nga kohërat. Është një oaz emocionesh, arti dhe mirëqenieje ku mund të rizbulosh sharmin dhe aromën e jetës autentike e të vërtetë të së kaluarës.
Një qytet me cilësi të mëdha arkitekturore, në të cilin dallohet Pallati i Corgnas i cili vizitohet nga shumë turistë në të gjitha stinët e vitit. Ky qytet ofron gjithashtu një trashëgimi të rëndësishme artistike, falë pranisë mes banorëve të saj të një artisti të madh të Rilindjes. Pikërisht në këtë qytet, ka lindur Pietro Vannucci, piktori i famshëm, “Perugino” siç e thërrisnin në Firence, rreth vitit 1450.
Ekspozita ime zgjati një muaj dhe dua t’ju them se ishte një përvojë vërtetë e mrekullueshme. Për këtë falenderoj Kryetarin e Bashkisë Fausto Risini, Bibliotekën Komunale, Këshilltarin e Kulturës Luca Marchigiani, kritikun e artit Andrea Bafoni, maestron Gianfranco Gobbini dhe të gjithë ata që bënë të mundur realizimin e këtij eventi duke më bërë të ndihem pjesë integrale e komunitetit. Ekspozita “Ngjyrat prekin fjalët” u zhvillua në dy pjesë: në pjesën e parë u prezantuan pikturat e mia kurse në pjesën e dytë u bë prezantimi i librit “Si ta shpjegoj shpirtin e një poeti” të autorit Marco Fabio ku brenda librit, çdo poezi shoqërohet me një imazh të pikturave të mia. Mund të them se ishte një sukses dhe një përvojë e mrekullueshme e cila do të mbetet e paharruar në kujtesën time.

-A. Kosta: Cilët janë autorët dhe artistët që kanë ndikuar në rritjen tuaj artistike dhe profesionale?

– Përsa i përket poetëve, ata janë: Eminesku, Ana Blandiana, Saba, Neruda, ndërsa për pikturën: Pikaso, Klimt, Kandinkij e shumë të tjerë.

-A. Kosta: Çfarë imazhi do të donit të paraqisni si mesazh paqeje dhe vëllazërie në botë?

– Kam pikturën me titull: “Në kërkim të lumturisë” ku mesazhi është se të gjithë ne dhe e gjithë bota duhet ta kërkojmë lumturinë së bashku, të bashkojmë forcat për të eliminuar mizoritë e luftërave që të jetojmë në paqe dhe harmoni.

-A. Kosta: Mendoni të hapni një ekspozitë personale në Rumani ose diku tjetër një ditë?

– Shpresoj me gjithë zemër që ajo ditë mos të jetë shumë të largët, që të arrij të ekspozoj pikturat e mia në vendin tim të origjinës e pse jo edhe në vende të tjera huaja.

-A. Kosta: Cilat janë planet tuaja në të ardhmen?

– Kam shumë, por, po ju them projektin e muajit dhjetor të këtij viti. Do të jem në Salerno me dy nga pikturat e mia të cilat janë përzgjedhur për Çmimin Ndërkombëtar të Artit Vizion.
Gjithashtu, kam dëshirë të botoj edhe një libër tjetër me poezi dhe për fëmijë.

A. Kosta: Faleminderit për intervistën Silvia. Ju uroj shumë suksese si në pikturë, ashtu edhe në krijimtarinë letrare.

– Ju falenderoj përzemërsisht Angela ashtu sikurse i përcjell mirënjohjen time të thellë Dr Mujo Buçpapaj si dhe të gjithë lexuesve shqiptarë te gazetes se mirenjohur ne Ballkan dhe ne Bote Nacional, i pershendes kudo që ndodhen dhe na ndjekin.

KUJTIME
Nga STELIANA NATASA

NË RRUGËN E KOHËS

Në rrugën e kohës përkulet balli
Nën mendime.
Në urnën e Fatit ku sundon Jeta
Dhe gjeniu i vdekjes.
Kozmosi mat vite drite në një sekondë.
E ardhmja me të kaluarën ngatërrohet.
A është kjo gjithçka e vjetër?
Apo krejt e re?
Koha Vjen?
Apo shkon?
Nga të gjitha paqartësitë
Kush kujdeset veç Fatit
Nëse kemi veç Rrezen e së tashmes.
Kështu… në pafundësinë e përjetësisë së thellë
Ti kërko ta gjesh të vërtetën tënde.

MORI FLUTURASH

Një fllad
rrjedh ngadalë
si një lumë i padukshëm,
duke lëvizur ajrin e nxehtë.
Lulet përkulin në tokë
ballin e tyre të ëmbël,
si nën sharmin
e një puthjeje të dëshiruar.
Mbi shpatet e kodrave
një vetëtimë rrufeje shfaqet
qielli ndryshon veshjen e tij
shiu është duke ardhur
nga qielli perla bien
në qytetin e përgjumur
vera mbaroi
dhe vjeshta shtrin
pallton e saj, një mijë ngjyrash.
Gjethet që rrotullohen
në ajër, një mori fluturash të shndritshme
imitojnë simfoninë e Vivaldit.
I dashuri im
mbërriti, erdhi vjeshta.
Mbuloje shpirtin tim
me hijen e një peme, një gjetheje
ose një luleje
ose
më mirë
me hijen tënde.

KUJTIME

Në telat e vjetra
të një kitareje
nata shpërndahet
në aromën e yjeve.
Mbi shkëmbinj brymë sjell agimi
dhe rreze të kuqe hyjnore.
Me hapa prej një mijë ngjyrash
jeta ikën, për krahu zbret
me të djeshmen dashuri.
Shpresa blu mblesh
dhe i fsheh midis faqeve
të një libri kurrë të shfletuar,
ku strehohen petalet e një trëndafili të kuq
dhe kokrriza rëre,
të shpëna nga një fllad i lehtë.
Kujtim…
momente të vogla përjetësie!
I dashuri im
mos më mëso si harrohet.
Më mëso akoma për një orë, për një ditë,
karremin e ëmbël të një puthjeje
që mbështjell shpirtin në një përqafim.
Më dashuro në tetor!
Ji për mua
gjithmonë pranverë
në dimrin që po vjen…

Intervistoi dhe përktheu: Angela Kosta Drejtore Ekzekutive e revistës fizike MIRIADE, gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese