Gazeta Nacional Albania

Poetesha Xhemi Nokshiqi boton librin dygjuhësh “All because… of you”. Xhemi Nokshiqi, një poete inteligjente dhe në kërkim të ndryshimit. Kritikë nga Mujë Bucpapaj

 

“E kësaj natyre është edhe poezia interesante “Carcafi i mumjes”. Në këtë poezi kompleksiteti i ndjenjave njerëzore të mallit dhe jetës së Mumjes, së cilës i ka mbetur vetëm hija dhe shfaqja si një carcaf i zbehtë kujtimesh, vjen i ndërthurur me parimet universale të botës së gjallë, si një kumt i së shkuarës së largët, biles mijëravjecare. Poetesha  beson se kështu do të jetë në jetë të jetëve, një ndërrim reflektimesh dhe ndjenjash instiktive në përpjekje të tundimit njerëzor për përjetësi.”

 

 

 

“All because… of you” është libri i parë me poezi i poeteshës Xhemi Nokshiqi. E lindur në Tropojë dhe e natyralizuar prej më shumë se 25 vjetësh në SHBA, ajo ka komunikuar me kulturën e vendit pritës dhe përfituar prej saj, duke na sjellë sot një vëllim poetik dygjuhësh. Kjo përvojë, shkollimi atje dhe mundësia për të lexuar në origjinal shumë poetë të shquar, e ka ndihmuar Xhemin të shkruaj një poezi të sofistikuar dhe inteligjente dhe jo vetëm me tema shqiptare, por edhe universale, sic janë poezitë “Carcafi i mumjes”, “Udhëtari…” “Helena e bukur” “Neë  Yorku”, etj.

Xhemi  e pasuron në këtë mënyrë letërsinë shqiptare, duke kontribuar në atë që tashmë kritika e quan si letërsi të emigracionit, pasi për fat të keq mbi dy milion shqiptarë kanë emigruar pas vitit 1990, një pjesë e të cilëve janë njerëz të artit dhe letërsisë. Ky është një fenomen i ri i letërsisë tonë që i bashkohet asaj të Diasporës së vjetër e cila ka ushqyer letërsinë tonë prej De Radës, Darës, Vaso Pashës, Naimit, Shirokës, Konicës, Naolit, e deri tek Martin Camaj, etj.

Në poezitë me këto motive Xhemi shpreh ndjenjat e njeriut perëndimor të ankthit dhe dilemave të forta, po aq edhe të një malesoreje që ruan të forta kujtimet e vendlindjes dhe mallin per Atdheun.

 

 

 

Ecja kalldrëmeve të dendura mur

sikur zogjtë në fluturim

rrugëve  të panjohura me gurë

e humbur, pa shpresë e pa kthim.

 

Me lëkurën time të mërdhirë

në dimrin e ashpër të acartë

frikesha e dridhesha në errësirë

në fir të hënës, në moshë të artë… (Do kthehem një ditë…)

 

 

Xhemi Nokshiqi është e njohur si këngëtare e famshme dhe instrumentiste e talentuar. Ajo qysh femijë ka njohur suksesin në skenat e Tropojës dhe të vendit, një sukses që e ndjek prej vitesh edhe në SHBA, ku kontribuon me krenari në komunitetetin shqiptar atje. E formuar me bazë muzike dhe letërsie(ka kryer shkollën e mesme të muzikës “Prenk Jakova” Shkodër, dhe më pas është diplomuar në Universitetin “Luigj Gurakuqi”, në degën Gjuhë-Letërsi, po në këtë qytet), ajo i ka dhënë fillimisht  prioritet muzikës, duke ju rikthyer tani letërsisë, sido që është njohur si autore e shumë teksteve të shkelqyera të repertorit të saj dhe të shumë miqve të tjerë këngëtarë, sido që ka shkruar poezi qysh në femijëri.

 

Xhemi, përgjithësisht, është e drejtpërdrejtë në poezi, duke i ftuar lexuesit në botën e saj të komplikuar. Ajo ka strukturën e vet të lirë të organizimit poetik duke e bërë atë të vecantë dhe të ndryshme. Nokshiqi shkruan gati në një mënyrë të crregullt duke përdorur herë pas here rimën dhe strofën katërshe, por kjo nuk është një trajtë e kërkuar nga autorja. Poezia e saj është spontane dhe e befasishme.

 

Shumë prej poezive reflektojnë përvojën e saj njerëzore. Kështu motivet e vendlindjes, femijërisë, emigracionit, mallit për Atdheun, të dashurisë dhe ato universale, përbëjnë korpusin poetik të Xhemit.

 

 

Tek lirikat e dashurisë mund të vecohen poezitë: Ti më bën Evë, Pika loti, Me ëndërrat e dashurisë, Prandaj të kam mbret, Vetmia, Kthehu, Më lerë mua, Dashurinë ma vrave, Buterfly, All because … of you, Loti, Aromë jorgavani, Si një perlë, O trim o yll, Erdhe ti, Tek unë, Me cmendte kurmi yt etj.

 

Irikat e dashurisë e prezantojnë Xhemin si një poete të kontrasteve të forta. Në këto poezi poetesha mban ekuilibrat e dashurisë dhe dhimbjes që vjen prej saj me një delikatesë të admiruar.

Në një shoqëri të tunduar shpesh nga zilia, mosmirënjohja, pabesia dhe intriga, poezia e saj percjell shumë humanizëm dhe dritë, si dicka që rrjedh prej shpirtit të saj të dlirë dhe dashamirësisë së thellë që ajo ka për njeriun.

 

Motivet filozofike përbëjnë një bosht të qëndrueshëm të librit poetik të Xhemit. Poezitë: Do kthem një ditë , Carcafi i mumjes, Me detin dashuroje, Helena e bukur, Loti, Hëna, Udhëtari i shpresës së thyer, Enigma, Heshtje, Bylbyli qante, Poeti, Ngrohtësia etj,  janë poezi të një niveli të lartë që i shtojnë vlera poezisë tonë moderne.

 

E kësaj natyre është edhe poezia interesante “Carcafi i mumjes”. Në këtë poezi kompleksiteti i ndjenjave njerëzore të mallit dhe jetës së Mumjes, së cilës i ka mbetur vetëm hija dhe shfaqja si një carcaf i zbehtë kujtimesh, vjen i ndërthurur me parimet universale të botës së gjallë, si një kumt i së shkuarës së largët, biles mijëravjecare. Poetesha  beson se kështu do të jetë në jetë të jetëve, një ndërrim reflektimesh dhe ndjenjash instiktive në përpjekje të tundimit njerëzor për përjetësi.

 

 

Kapur fort 

në një trekëndësh të çuditshëm

kandilat u ndriconin

fytyrat e shenjtëruara nga pritja:

dashuroheshin marrëzisht me erën

dhe plakeshin para se të fillonin dashuritë…

 

 

Në errësirë do t’u shfaqeshin 

linjat e tyre dhe sekretet 

një nga një

qielli do t’u vinte

si dashnor i ri…

 

Prej mishit janë 

e lerni t’u hyjë “drita fallco” 

të lodhur, të vyshkur rrëzoheshin 

ne segmentet shkarpa

buzët leshonin bojë manushaqe 

ngjyra të kuqërremta në letrat

e grisura  si flatra…( Çarçafi i mumjes).

 

 

 

 

 

Poetesha ka një interes të shtuar për natyrën e sjelljes njerëzore, aq të ndërlikuar dhe shpesh të pakuptimtë, prej nga zbulon lëkundjet që ka pësuar sistemi ynë moral, bjerrjen dhe degradimin.

Kjo është një poezi që flet për të ardhmen e njeriut dhe njerëzimit të cliruar nga veset, indiferenca dhe etja e shfrenuar për fitim, me shpresë të sensibilizimit të njerëzimit dhe të rimëkëmbjes morale të tij.

 

Xhemi Nokshiqi është një poete inteligjente dhe në kërkim të ndryshimit. Poetesha vlerëson vuajtjen e bukur në emër të dashurisë dhe të jetës.

Poezia e saj eksploron ndjenjat njerëzore duke na dhënë lirika të këndshme të dashurisë, të vertetat e bukura të saj,  që vijnë përmes metaforash befasuese dhe një ndricimi të brendshëm reflektiv.

 

Ajo rishqyrton kompleksitetin e natyrës së dashurisë, ku vecohen sinqeriteti poetik, vertytet e larta njerëzore, natyra e ciltër e bazuar në vlerat universale të njohjes.

 

 

Libri dëshmon përsonalitetin e lartë dhe kulturën e gjërë  të autores. Ato janë krijime të mrekullueshme që sjellin lëndën njerëzore të veshur me figuracion të zgjedhur të ndjenjës së dashurisë së përjetshme.

 

 

Me fustan të zbukuruar prej lulesh si zanat,  

përëndeshë e qiellit  ti zbrite

si flutur e bukur u buzësheqje pentagrameve

me nota të kaltëruara

e hidhje valsin e dashurisë që nga zemra jote 

kurrë  nuk u shua, 

me zjarrin  e ndezur që të përvelonte

 u hidhje  dhe u ndizje flakë 

atyre që me  etje  e shpirt 

ty të dashuronin. (BUTTERFLY)

 

 

 

Xhemi një pjesë të poezive të saj i kushton vendlinjdes, Atdheut dhe historisë tonë kombëtare.

Ajo ka një koncept të saj për botën shoqërore, Atdheun, vendlindjen, historinë dhe emigracionin si një fenomen që ka mbërthyer keq shoqërinë shqiptare.

 

Këto  motive i përcjellin poezitë: Meleodi e këngës time, Anës lumit, Eja ti, Te burimi, Tek një krua, Ngrohtësia e nënës, Qielli derdh lot, Pranë jush, Iliridë-Camëri, Nokshiqasit luftën fillojnë, Atdheu im, Kosova nënë, Shqipëri, Voglushja kosovare, A kam faj, Dheu i ëmbël,  etj.

 

Ajo mbart idenë se parimet e padrejta, keqqeverisja, korrupsioni dhe injoranca po e dëmton shumë ecjen e vendit përpara, për krah fqinjëve të tjerë europianë, vecenarisht po ndëshkon ambicjet e njerëzve të rinj, të talentuar për t’i shërbyer vendit të tyre dhe demokracisë.

Kjo varfëri dhe indiferëncë ndaj vlerave, mungesa e meritokracisë,  ka bërë që shumë intelektualë, njerëz të artit, të shkencës dhe sportit të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit, shpesh duke kaluar nëpërmjet një  kalvari vuajtjesh dhe tmerresh, duke i shndërruar ata, sic thotë poetesha në “Udhëtar të shpresës së thyer”.

 

 

 

 

Në kokën e rraskapitur, të ngarkuar,

 më rendojnë copa e ngjyra fjalësh 

që i mbaj mbi kurriz nën heshtjen e trembur

nga xhamat shikoja njerëz  të dehur

në lokale të mbushur  pijetaresh

që mblidhnin me vete  premtime 

si  copëza të vogla  thërrimesh

brenda nglenin si kocka e kujtime. 

 

 

Dhe unë një udhëtar i shpresës

së thyer  isha, si një shtegetare

e karvanit me drejtim  të humbur

e djegur, e zhuritur si bari pa vesë

 

e  sytë me shpojnë  e nuk shikojnë

nga shterrja e lotit  si ujëvarë

me zemër të thyer e të pamundur

dukem si një femijë i vuajtur, me kujtesë të dobët.( Udhëtar të shpresës së thyer”.

 

Xhemi Nokshiqi me këtë libër dëshmon talent dhe kulturë të gjërë.  Ajo  ka krijuar stilin e saj të mbartur me rregulla që ngjajnë gati si përsonale dhe ndijime të fuqishme poetike duke ndërthurur një strukturë që i shkon për shtat frymëzimit të saj edhe kur shkruan për dashurinë, edhe kur flet për dhimbjen, për zhgenjimin, për emigracionin e rëndë, po ashtu  e  dhe temat filozofike dhe përjetimet e trishta të ngjarjeve të jetës.

Xhemi ashtu sic priret të filozofojë për jetën dhe shoqërinë ajo shfaq një talent në përshkrimin e gjendjeve të forta emocionale që vijnë nga përjetimi i ngjareve tragjike, si tek  poezia “Bylbyli qante”.

 

 

 

Gjethet lulëzonin dy a tre, po ashtu

Hëna notonte si peshku i detit me valë

një vajzë e vogël është mbytur aty diku

vogëlushja vraponte të kapte cicërimat e pishës  në maje.

 

Bylbyli qante me lotë  plagën e tij

Gjethet, dy-tre, binin nëpër dhe,

një zë i zbehtë i një violine dëgjohej

rrugëtari e fshihte mallin e tij të vjetër.

 

Fëshfeshet e degëve ndihen si zogjtë nëpër  pemë

Gjethet e thajnë gjelberimin, e dhimbja

 thellë   përhapet e dhemb

bretkosat  e fildishta trungut të pemës flenë.

 

Muret e forta thyhen e thermëzojnë

hëna pas reve rreshqiti me natë

 bylbyli qau prap me lotë, shpërtheu në vaj

qielli  me re lundronte,  liqeni me mjeker të bardhë,

                                                  e  qanë.

 

Në mbyllje të kësaj parathënie, mund të them se poetesha shqiptaro-amerikane Xhemi Nokshiqi, prezantohet më një libër  të suksesshëm, duke qënë një zë original i poezisë së emigracionit  dhe poezisë tonë bashkëkohore në tërësi. Ajo sjell përvojën e saj interesante  përmes motivesh dhe shprehjesh kuptimplote,  figurave të zgjedhura dhe strukturave vetjake poetike.

Poezia e saj ndërtohet mbi një substrat të fortë kombëtar, duke e pasuruar atë në mënyrë inteligjente edhe me kluturën përendimore, amerikane ku jeton dhe ka studiuar, duke përftuar poezi që sjellin një frymë universale dhe një shqetësim për botën dhe njerëzimin. Ajo është një poete e metaforës dhe mbart mesazhe  të fuqishme  për jetën, shoqërinë dhe natyrën njerëzore, të ngakruar shpesh nga zilia, intriga dhe hakmarrja.

 

Xhemi Noshiqi, i bashkohet kështu shkollës poetike të Tropojës, me shumë emra të mëdhenj të nivelit kombëtar dhe ndërkombëtar si Anton Papleka, Skëndër Bucpapaj, Hamit Aliaj, Skëndër Sherifi, Besnik Mustafaj, Almona Bajrami  etj.

I urojmë suksese librit, “All because… of you”,  në rrugën e tij për tek lexuesit dhe krijimtari të mbarë në vijim autores.