Gazeta Nacional Albania

Poeti dhe përkthyesi Servet Bytyqi sjell në shqip poetin e mirënjohur ROBERT BËRNS

Poeti dhe përkthyesi Servet Bytyqi sjell në shqip poetin e mirënjohur

ROBERT BËRNSI VJEN I FRESKËT NË DORËN E LEXUESIT SHQIPTAR
(Ose “Tubë lulesh” plot aromë prej kopshtit të krijimeve të Robert Bërnsit)
Nga Besim CENGU
Të marrësh përsipër përkthimin e krijuesve të mëdhenj, që kanë bërë epokë në vendin e vet dhe që kanë përhapur ndriçimin kulturor artistik në shumë vende me talentin e tyre, së pari, është guxim, e, mandej edhe sherbim i çmuar që i bën vendit tënd, me të cilin komunikon me të njëjtën gjuhë dhe ke të njëjtën psikologji, kulturë e mentalitet. Një prej sociologëve dhe publicistëve të shquar të viteve 30’, Branko Mexhani, nënvizonte se “ne (shqiptarëve) aktualisht na mungon auditori, dmth lexuesi apo leximi, ndaj si detyrë imediate sipas tij duhet të jetë rritja e nivelit të arsimit, edukatës dhe mbi të gjitha e vetëdijes kolektive. Pa ndriçim kulturor të mendjes njerëzore nuk ka zhvillim. Në këtë mënyrë do të ndërtojmë institucionin e auditorit, dmth leximit të dhe funksionimit të tij për rritjen e nivelit kultural të popullit.” Ai i konsideron si shumë të rëndësishëm përkthyesit shqiptarë, të cilët sipas tij, duhet të jenë njohës të thelluar të gjuhës nga ato sjellin veprat që duhet të jenë kryevepra universale nisë që prej “Epit të Gilgameshit”, që njihet si krijimi më i hershëm në botën njerëzore, e deri në kryeveprat e epokës të tanishme. Sjellja e krijimeve poetike të poetit të madh skocez, Robert Bërns nga poeti dhe përkthyesi Servet Bytyqi është një kontribut i çmuar pasi i dhuron lexuesit shqiptar një “tubë lulesh” me plot aromë prej kopshtit të këtij poeti. Bërnsi është i njohur te lexuesi ynë, pasi kemi pasë kohë pas kohe përkthime të vjershave të tij prej përkthyesve të njohur (Poradeci, Agolli etj), ndaj vëllimi i ri i këtij poeti të madh i përkthyer nga Servet Bytyqi vjen si një fllad ledhatues në dorën e lexuesit tonë. Së pari, ky poet ndjehet pranë nesh sepse shumë kushte e rrethana të mënyrës së jetesës të Skocisë përkojnë me praktikat jetësore të shqiptarëve. Në shumë aspekte; deri te arti i ndërtimit të shtëpive; kujtojmë se Bërnsi dhe e gjithë shoqëria (sidomos fshatare e Skocisë) e asaj periudhe ka jetuar në shtëpi të mbuluar me kashtë, siç edhe kemi jetuar. Mua dhe besoj edhe të tjerëve lexues të apasionuar të artit të Bërnsit, na ka mbetur në mendje poezia kur “poeti bujk” duke punuar tokën e tij, prishi me parmendë folenë e një miu. Në fakt miu si qenie nuk është shumë “material poetik”, por Bërnsi me madhështinë e artit të tij, por edhe me dimensionet konceptuale universale, ndërton një nivel tjetër përceptimi për një gjallesë që ka të drejtë të jetojë në këtë tokë. Kështu edhe te poezia e përkthyer në këtë vëllim me titull “Një lepuri të plagosur” kemi një çasje poetike ku shprehet dhemshuria njerëzore si një pasuri e madhe që vetëm kjo qenie e zotëron. Është meritë e përkthyesit që ka përcjellë emocionin dhe autenticitetin nëpërmjet një përkthimi apo shqipërimi që të fut brenda atmosferës së krijimit. Së dyti, Bërnsi jetoi e shkroi në periudhën kur Skocia përjetonte emigracionin e madh të popullsisë drejt tokës së premtuar e vendeve të tjera dhe e dinte si askush tjetër se çfarë dhimbje shkakton kjo plagë sociale. Përkthimet nga “cikli” i famshëm poetik bërnsjan “Lamtumirë” shpreh më së miri këtë gjendje. Vrullin dhe emocionin e këtyre poezive të ndjeshme autori e ka përkthyer me një gjuhë ekspresive sikur t’i ketë shkruajtur vetë pasi ai është brenda ndjesisë dhe botës shpirtërore të njohur e përjetuar personalisht. Së treti, kushtet, relievi, praktika e përditshme e jetesës mentaliteti është i ngjashëm, emocioni dhe mënyra se si ai trajton dashurinë. Poezinë Meri Morison, të cilën Agolli e la siç e pat përkthyer Lasgushi i madh edhe sepse ky krijim ngjante si t’i jetë kushtuar një vajze shqiptare. Poezia “Malësores (Vashës së Veriut) apo “E bukura Elizë”, “Nanin s’e kam pranë” etj, janë përkthyer me afshin e poezisë së vendit tonë por edhe me ndjesinë dhe afërsinë sikur jemi në të njëjtin mjedis. Disa prej përkthimeve të këtij vëllimi kanë ecur në këtë teknikë e koncept artistik. Për këtë krijimet e poetit të madh skocez, ne shqiptarëve sikur na futet nën lëkurë, na duket se krijimet e tij janë shkruar nga një dorë e një poeti shqiptar. Për këtë arsye përkthyesi ka operuar nëpërmjet gërshetimit midis përkthimit dhe shqipërimit në disa raste në vartësi të tematikës dhe qëllimit poetik. Dritëro Agolli kur botoi poezitë e Bërnsit më vitin 1987, jo më kot poezive të tij gjatë përkthimit u ka dhënë ngjyrën e krijimeve tona për t’u shijuar sa më mirë, por edhe për t’u observuar më kollaj. Në këtë hulli konceptimi ka ecur edhe përkthyesi i këtij vëllimi, i cili në shumë poezi ka “rrëshqitur” me vetëdije prej përkthimit deri te shqipërimi. Kjo teknikë e vetëdijshme e ka sjellë Bërnsin shumë më pranë lexuesit tonë. Riardhja e Bërnsit për përkthyesin ka qenë mundim i madh. Për shkak të larmisë tematike të krijimeve, gjuhës së zgjedhur, rregullsisë rrokjesore, strukturës së vargut e strofës, ai ka hasur në “pengesa serioze” që i është dashur t’i kapërcejë. Dhe këtë e ka arritur me sukses, duke gjetur të gjitha mjetet dhe mundësitë e gjuhës tonë për ta sjellë poetin e madh sa më pranë lexuesit shqiptar.