Gazeta Nacional Albania

Poeti me famë ndërkombëtare Kadrush Radogoshi dhe dy librat e rinj, botime të Nacional

Poeti Kadrush Radogoshi merr nga Botimet “Nacional” Çmimin “THE BEST POETRY BOOK 2022” për librin “FREEDOM WAS JUST A DREAM” në gjuhen angleze.

“Nacional” organizoi prezantimin e dy librave të rinj të poetit me famë ndërkombëtare Kadrush Radogoshi. Veprimtaria u mbajt të marten 12 korrik 2022, ora 12.00 në sallën “Kostandin Shpataraku”, në katin e dytë të Muzeut, hyrja kryesore nga sheshi Skënderbeu.

Librat “Freedom Ëas Just a Dream”( “Liria ishte vetëm një ëndër“) në gjuhën angeze dhe “Këmishë prej zjarri” në shqip, janë dy botime të “Nacional-it”, të cilat iu prezantuan për herë të parë lexuesve të kryeqytetit.
Fplen për librat e Radogoshit, prof. dr. Gjovalin Shkuraj Akademik, prof. dr. Klara kodra Akademike, prof. dr. Uke Bucpapaj, prof. dr. Anton Papleka, dr. Mujë Buçpapaj, poeti Sulejman Mato, dr. Rovena Vata, studiuesi i njohur Qazim Shehu, Poeti Pandeli Koçi etj.

Moren pjese poete, shkrimtare, studiues te letersise, profesore te Universitettit te Tiranes, te Akademise Albanologjike Tirane, studente te letersise dhe miq te poetit nga Shqiperia, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.
Në event mori pjesë edhe poeti Kadrush Radogoshi i cili kishte udhëtuar posaçërisht nga Kanadaja ku jeton bashkë me familjen prej disa vitesh.
Me këtë rast Botimet “Nacional” shpallen Çmimin “THE BEST POETRY BOOK 2022” për librin “FREEDOM WAS JUST A DREAM” në gjuhen angleze, të autorit Kadrush Radogoshi.

Për poetin shqiptarë me famë ndërkombëtare kanë shkruar shumë autorë të huaj, por këtu kemi shkëputur një paragraf nga parathënia e librit “FREEDOM ËAS JUST A DREAM”, e shkruar nga poeti i shquar kanadez, kritiku dhe historiani i letërsisë Richard Davies: “Liria ishte vetëm një ëndërr” është një udhëtim i gjatë, por i paharrueshëm përmes kaosit, errësirës dhe çmendurisë drejt dritës, një lirie të merituar dhe, së fundi, paqes së mendjes. Libri është një kujtesë për të gjithë lexuesit sot se çfarë ndodhë, kur errësira vendos dorë mbi dritën, si dhe mbi gjithçka, që është e mirë në jetë, e cila vazhdon ta kundërshtojë duke mbijetuar pavarësisht nga forcat e pandërgjegjshme të së keqes”.

Pjesëmarresi zhvilluan nje bashkëbisedim me autorin e mirënjohur.

Për vëllimin “Këmishë prej zjarri”të poetit shqiptaro-kanadez, Kadrush Radogoshi

KËMISHA PREJ ZJARRI DHE MITI I LIRISË NË KONTEKSTE TË REJA TË MODERNITETIT

“Çfarë është në të vërtetë veshja e një këmishe prej zjarri si në dhuratën e Medesë për nusen e re të Jasonit,ku vetiu të shkon mendja në këtë përngjasim?Kadrushi i ka për endje mitet, mitet e antikitetit greko-romak, mitet kombëtare dhe mitet urbane; por mitet dhe shenjëzimet simbolike në poezinë e tij shkrihen dhe marrin jetë në kontekste historike të reja të modernitetit,jetësohen dhe marrin frymë lirshëm sikur të ishin krijuar sot”.

Nga Qazim Shehu

Poezia e Kadrush Radogoshit përbën në vetvete një trill të fuqishëm artistik,ajo vjen me një forcë të madhe të fjalës,me një liri të shpenguar të mendimit,konkrete dhe abstrakte,e ndjeshme dhe e hovshme,plot dinamikë dhe derdhje të butë në shpërhapjen e imazheve.Objekti poetik kalon nëpër një shtjellim të ngadaltë të përshkrimit duke u vizatuar hijshëm dhe bukur.Nuk kemi të bëjmë me një kuadrat të shpejtë të poezisë së tij,por me një panoramë që na rri me ngulm para syve dhe nuk na sjell bezdi.
Çfarë është në të vërtetë veshja e një këmishe prej zjarri si në dhuratën e Medesë për nusen e re të Jasonit,ku vetiu të shkon mendja në këtë përngjasim?Kadrushi i ka për endje mitet,mitet e antikitetit greko-romak,mitet kombëtare dhe mitet urbane;por mitet dhe shenjëzimet simbolike në poezinë e tij shkrihen dhe marrin jetë në kontekste historike të reja të modernitetit,jetësohen dhe marrin frymë lirshëm sikur të ishin krijuar sot.
E gjithë poezia e tij është meditim për fatin historik të Kosovës,si meditim intelektualist ,si shpalosje e përvojave jetësore dhe leximore,poezia e tij mbetet si një kumt për çfarë poetin e shqetësojnë problemet ekzistenciale të njerëzimit,të udhëtimit e të lëvizjes.
Kjo e ka sjellë këtë poezi që të burojë prej një frymëzimi të qetë,të shtruar e të vazhdueshëm,duke përfaqësuar përmes simbolit e duke u ngarkuar e tejçuar përmes metaforës,poezia bëhet bartëse e ngulët dhe ngulmueshëm e përcjell këtë përmes vargjeve që burojnë e rrjedhin si valët e Erenikut të Gjakovës,qytetit të tij të lindjes,ku provoi gëzimet,hidhërimet,spiunimet,burgosjet,maltrajtimet,e tash kthehet i lirë nga Kanadaja ku jeton,për të gëzuar lirinë e Kosovës e për të përcjellë nostalgjinë e viteve të shkuara.
Këmisha prej zjarri shndërrohet në stilemë,ajo është zëri metonimik që sjell mijëra zëra të njerëzve,të cilët nëpër kohëra dhe çaste e faza të ndryshme të saj ngritën lart kultin e së bukurës,të mirës dhe kombëtares.
Poezia e Kadrushit merret me plot kënaqësi edhe si poezi e ëndrrës,e udhëtimit drejt të mundurës dhe të pamundurës,arrin të përçojë ndjesi intelektuale dhe t`i ndërthurë idetë e t`i thurë motivet në mënyrë të tillë,që ato t`u ngjajnë logut të kuvendeve të burrave të moçëm,ku merret fjala e duhet thënë me mend.
Si poezi e vargut të shtrirë,me ndërprerje të vogla,arrin të kumtojë me shtresëzimet e saj të nënkuptimeve që barten dhe vilen pa vështirësi,çka domethënë se është poezi që lexohet ngadalë,me ndërprerje të frymës,çka nënkupton,se duhet siguruar vëmendje për ta shijuar dhe shijohet si poezi mendimi.
Poet i afirmuar,si rezultat i dhuntisë së tij,por edhe i leximeve e kultivimit përmes poezisë më të mirë amerikane dhe kanadeze,ai sjell dilemat për njeriun modern,çka është ai,çfarë e preokupton,çka është liria,sakrifica për të,paradokset e jetës,rrjedhat e ndërthurura që ndërfuten te njëra-tjetra,njeriu kombëtar dhe Kosova si dhimbje,por edhe si qëndresë.
Kështu,poezia e tij nuk është e çastit,as ngazëllim i momentit,një përjetim i aty-atyshëm,as nuk i nënshtrohet ritmit dhe melodicitetit të hapur,përkundrazi,ajo zhvillohet si një diskurs i thellë,me kulturim të frazës.Në këtë kuptim, siguron një tonalitet jo të ngritur si limfë e gjallërimit të vargut,por një tonalitet më të shtruar,më filozofik.E ndodhura,spuntoja,që përbën bërthamën, pikën e parë të ngjizjes së motivit,nuk vjen prej vëzhgimit konkret,por prej mendimit dhe vuajtjes intelektuale të një poeti të angazhuar dhe të shqetësuar mbi fatin e njeriut e fatin e kombit të tij.
Autori nuk fotografon detajin,as nuk e evidenton atë për ta sjellë siç është,por e kalon atë në transkuptim , duke i dhënë energjinë e fjalës intelektuale dhe të mençur dhe duke e zgjeruar atë si mbajtësin kryesor të imazhit të gjithë poezisë.
Semantika tekstuale e poezisë së Kadrushit përcillet përmes pamjeve që afron,përmes mendimit që vjen i mençur,përmes kujtesës dhe të sotmes,shtjellon ankthin ekzistencial dhe rimerr kujtesën,paraleleizon dhe veçon,dedukton me bindje dhe saktësisht,ashtu siç, mjaft ide përcillen përmes një teksti të hapur.
Si poet që i ka përthithur mirë arritjet më të dukshme të poezisë kombëtare,por edhe të poezisë anglo-saksone(ai është vlerësuar nga kritikë të shquar në Kanada,ka marrë edhe çmime,nuk mund të rrijë pa e reflektuar këtë vetëm si sjellje ndërmend nga leximi i poezisë së tij,por,në të vërërtetë, ai mbetet një poet origjinal që të fton për lexim disa herë.Edhe titujt e poezisë së tij ta sugjerojnë këtë,që nuk janë thjeshtë tituj tregues,por tituj që ngërthejnë një mendim apo mundësojnë dhe nxisin për të krijuar një mendim,si tituj-ide.
Si poezi që sjell shqetësimin intelektual,siç e cekëm më lart,ajo përcjell ndërgjegjen artistike të poetit në poezinë”Antipoezi për Trojën dhe Kalin e Trojës”,”Antipoezi për metaforikën fatkeqe të Pagëzimit”,ku ndërgjegja autoriale dhe ajo historike me një sfond disi mitik ,arrijnë të kapërcejnë kufijtë dhe të shkrihen me njëra-tjetrën në një farë mënyre.
Si poet që ngulmon tek estetika e fjalës,Kadrushi atë nuk e ka të vetmin qëllim,duke e ditur se ajo është primare dhe e realizon kënaqshëm,përkundrazi,poezia e tij dallohet, si tipar stili, për narrativën përshkruese,për zgjedhjen e fjalës me sqimë,për shpalosje tablosh jetësore dhe intelektuale, për një zvogëlim të unit lirik në mënyrë të tillë ,që të sigurohet afërsi e pjesëmarrje me lexuesin,për një ritëm jo të kodifikuar në kufijtë tradicionalë të të shprehurit,larg të menduarit të kontrolluar,si një vetëshprehje e lirshme,moderne dhe e këndshme.
Regjistri ligjërimor ndërtohet me dendurinë e fjalës, e cila vjen e qetë dhe me praninë e saj plot vrull,si poet ai mban lidhjet kontaktore dhe shpirtërore me atdheun(Poezia:Askush në këtë botë).
Në art ,një përmbajtje e fuqishme e bie me lehtësi dhe një formë adekuate,të zhdërvjellët e të përpunuar.Forma e poezisë gjithnjë derdhet përmes vargut të shkathët,plot ndjesi e freski.
Poezia e Kadrushit ndërton simbolin,si shenjë e kuptueshme në kontekste të gjera;,metaforën,si bartëse kuptimore,që kështu përforcon simbolin së bashku me alegorinë,nga kjo poezi nuk është vështirë të ndihet e të të përcëllojë ironia për realitetet absurde të pas-lirisë.
Në shumë poezi,nervi social-politik mprihet dhe acarohet prej ndjeshmërisë që ka autori ,pse disa punë ndër shqiptari nuk shkojnë si duhet,duke u tradhtuar gjaku i heronjve.Si një poezi e angazhimit qytetar,patriotik,ajo vjen me një petk modern dhe artikulim të tillë,jo me një retorikë romantike të vjetëruar patriotike;shpesh ndeshim në të notat lirike të buta me nuancë të thekshme elegjiake,veçmas kur tematika dhe përmbajtja zhvendoset drejt kujtesës, nga ndërgjegja dhe shpirti i plagosur i poetit.
Poezia e Kadrush Radogoshit dhe vëllimi i tij poetik”Këmishë prej zjarri” është një krijimtari me nivel dhe me forcë shprehëse,me varg të mençur,me dashuri të madhe për trollin ,por edhe për botën e përparuar e çka më të mirë njerëzimi,është poezi e dhimbjes kombëtare ,përzier me dhimbjen universale për njeriun dhe sfidat e kohës,është një poezi e lexueshme dhe, në pamje të parë, mendimore,por,ku vlon një ndjesi e fortë ,një mall e brengë për gjërat,sendet njerëzit,që filtrohet e merr hijeshi përmes vargut të mençur dhe modern…