Gazeta Nacional Albania

Poetja e mirënjohur IRMA KURTI flet për gazeten Nacional për librin “Kujtimet e një mjeku”

 

 

 

“Kam kënaqësinë që të ndaj me lexuesit shqiptarë lajmin e botimit (së shpejti) të librit me poezi të poeteshës italiane Rosy Gallace të përkthyer nga unë. Poezitë si dhe një intervistë e saj janë botuar me parë në  “Nacional” dhe gjej rastin t’ju falënderoj pa masë e t’ju përgëzoj për hapësirën që u lini autorëve bashkëkohorë në faqet e gazetës. Mendoj që libri do të pritet me interes nga lexuesit për forcën, bukurinë dhe magjinë e poezisë së poeteshës Gallace.”

 

-Pas botimit në Itali në vitin 2020 “Kujtimet e një mjeku” vjen edhe në gjuhën shqipe nën siglën e shtëpisë botuese “ADA”. A mund të na thoni diçka më tepër lidhur me këtë?

 

-Botimi i këtij libri edhe në gjuhën shqipe është për mua gëzim dhe emocion njëherësh. “Kujtimet e një mjeku” është një homazh për babain tim Hasan Kurti, një fëmijë jetim dhe i varfër që i shndërroi pengesat dhe fatkeqësitë e jetës në forcë dhe burime për të realizuar ëndrrat e tij më të mëdha, ndër të cilat ajo për t’u bërë mjek. Në faqet e tij, që ka babanë tim bashkautor, pikërisht pse përmban shënime nga ditari i tij, zbulohet guximi, këmbëngulja e tij për të arritur objektiva të rëndësishme, por edhe mirësia, ndjeshmëria, dashuria për jetën, aftësia për të falur dhe për të vështruar drejt së ardhmes.

 

-Ky libër për ju është tepër i veçantë. A mund të na shpjegoni arsyet?

 

-“Kujtimet e një mjeku” është për mua më tepër se një libër, më tepër se një kujtim; është një testament i babait tim. Së pari, sepse im atë dëshironte që eksperienca e jetës së tij të zinte vend në një nga librat e mi, pra që ta ndante atë me lexuesit, por më e rëndësishme është se figura e tij ka qenë vendimtare në rrugëtimin tim e për këtë nuk do të lodhem kurrë së falënderuari. Ishte ai që trokiste në dyert e gazetave dhe revistave me poezitë e mia në dorë, ai që më sugjeronte tema të ndryshme që i realizova në shumë krijime të mia të hershme, ishte ai i cili deri në momentin e fundit të ekzistencës së tij nuk u lodh së më dëgjuari, së ndari me mua ide dhe projekte, Kjo vepër është një akt dashurie ndaj tij, por edhe ndaj nënës sime, Sherife Mezini.

 

 

 

 

 

-Si lindi ideja për të shkruar këtë libër?

 

-Kur babai mbylli sytë përgjithmonë në 19 Prill 2018, boshllëku që la pas ishte i paplotësueshëm: kërkoja në çdo mënyrë një kontakt me të, me praninë, me imazhin e tij. Duke rrëmuar në sendet e tij personale, gjeta disa blloqe me shënime nga udhëtimet në Itali, për nënën time, vizitat e saj në spital, jetën e tyre të përditshme. Dhe në ato çaste më lindi ideja për t’i mbledhur, duke ia shtuar ditarit që ai më kishte dhuruar përpara se të sëmurej dhe t’i botoja ashtu siç ishin: në vetën e parë.

Një pjesë të ditarit e kisha shfrytëzuar për të shkruar romanin: “Në mungesë të fjalëve” të botuar në Itali në vitin 2017, kurse në gjuhën shqipe me titullin: “Njeriu që fliste me pemët”. Kjo vepër është pritur shumë mirë nga kritika si dhe është vlerësuar me çmime të ndryshme të rëndësishme, ndër të cilat: një nga 200 librat më të bukur në Itali në Konkursin letrar ndërkombëtar “Tre colori” 2020, çmimi i parë në seksionin e autorëve të huaj në Konkursin Letrar Ndërkombëtar “La città della rosa” në vitin 2021 etj.

 

-A mund të ndani me ne ndonjë përjetim tuajin gjatë shkrimit të tij?

 

-Ky libër më ka bërë shoqëri gjatë muajve të vështirë të izolimit. Ai u bë ëndrra që më mbante zgjuar dhe të kthjellët. Për orë të tëra e gjeja veten të emocionuar dhe të shkëputur nga realiteti, ndërsa përpiqesha të deshifroja rreshtat e shkruar prej babait, t’i përpunoja dhe të gjeja mënyrën më të mirë për t’ia përçuar lexuesit. Në atë periudhë, me presionin dhe terrorin që ushtronin mbi ne kanalet televizive e media italiane, kur gjithçka dukej të kishte dalë jashtë kontrollit, e vetmja gjë që ndieja ishte një farë shqetësimi dhe frike se mund të mos e mbaroja dot këtë projekt.

 

-Le të ndalemi pak tek krijimtaria juaj. Jeni fituese e dhjetëra çmimeve të para në Itali dhe në Zvicër. Jeni vlerësuar së fundi si një nga poetet më të mira bashkëkohore nga Enciklopedia Poetike. Çfarë janë këto vlerësime për ju?

-Pjesëmarrja në konkurset kombëtare është një mundësi për ta ballafaquar krijimtarinë tënde me atë të poetëve të tjerë italianë apo ndërkombëtarë, ndërkohë edhe njohje me krijimtarinë e tyre. Çdo vlerësim që kam marrë është një sfidë por edhe një nxitje, një përgjegjësi për të punuar me pasion dhe këmbëngulje në këtë udhëtim të gjatë, të bukur e të vështirë, të nisur që kur isha fëmijë.

-A po shkruani në këto çaste?

Unë shkruaj vazhdimisht dhe kam disa vepra me poezi ende të pabotuara. Momenti që po përjetojmë është i vështirë, prandaj shpesh e gjej veten të pavendosur nëse duhet t’i botoj apo të pres normalitetin, prezantimet dhe kontaktet e drejtpërdrejta me lexuesit, që për fat të keq tani mungojnë.

 

-Cilat janë disa nga projektet letrare tuaja?

-Së fundi doli nga shtypi në gjuhën italiane libri me poezi “Briciole di gioia” (Grimca gëzimi) botuar nga Shtëpia Botuese CTL Editore në Livorno. Kam nënshkruar një kontratë botimi me Besa Editrice dhe do të botohet së shpejti në gjuhën italiane romani im i ri “Le onde chiamano il tuo nome”(Dallgët thërresin emrin tënd).

Kam kënaqësinë që të ndaj me lexuesit shqiptarë lajmin e botimit (së shpejti) të librit me poezi të poeteshës italiane Rosy Gallace të përkthyer nga unë. Poezitë si dhe një intervistë e saj janë botuar me parë në  “Nacional” dhe gjej rastin t’ju falënderoj pa masë e t’ju përgëzoj për hapësirën që u lini autorëve bashkëkohorë në faqet e gazetës. Mendoj që libri do të pritet me interes nga lexuesit për forcën, bukurinë dhe magjinë e poezisë së poeteshës Gallace.

 

 

Biografi

-Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ka filluar të shkruajë e të botojë që në moshë të vogël.

Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 60 çmime në konkurse të ndryshme letrare, ndërmjet të cilave çmime të para, të dyta e të treta në Itali e Zvicër. Ka shkruar rreth 150 tekste këngësh dhe është pjesëmarrëse në festivale të muzikës së lehtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni.

Irma Kurti ka botuar njëzet e dy libra në gjuhën shqipe, pesëmbëdhjetë në italisht dhe katër në anglisht. Veprat e saj janë përkthyer edhe në gjuhë të tjera.

Në 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.

Në vitin 2020, për kontributin në fushën e poezisë, nderohet me titullin “Akademike dhe Presidente Nderi” e Enciklopedisë Poetike Italiane.

          Në 2021 nderohet me çmimin “Liria” nga Komuniteti Arbëreshë në Itali.

I akordohet titulli “Leonardo da Vinci 2021” nga Shoqata Kulturore “Chimera” në Lecce.