Gazeta Nacional Albania

“Poezia pa kufij”, poetë nga bota në përkthimin e Irma Kurtit

“Poetry without borders” (Poezia pa Kufij) është një projekt i Fondacionit Kulturor Ithaca në Spanjë që synon ta bëjë poezinë universale. Çdo javë botohet një poezi nga poetë botërorë në faqen e Shtëpisë Botuese belge Point Editions në 35 gjuhë të botës si dhe në gazeta, revista të ndryshme e faqe interneti letrare të shoqëruara me një ilustrim.
Projekti drejtohet nga poeti, përkthyesi dhe botuesi i njohur i poezisë moderne ndërkombëtare Germain Droogenbroodt. Siç shprehet vetë ai: “Ideja e Poezisë pa kufij është t’u ofrojë lexuesve pa pagesë dhe pa publicitet tregtar një poezi të shkurtër cilësore: një copëz bukurie. Qëllimi ynë është që poezia t’u përkasë sa më shumë njerëzve të çfarëdo race, kulture apo feje.”

Përkthyese nga anglishtja në gjuhën shqipe pranë Fondacionit Kulturor spanjoll është poetja dhe shkrimtarja me banim në Itali, Irma Kurti. Një poezi e përkthyer prej saj botohet çdo të diel në gazetën “Destinacioni” me drejtues botuesin dhe gazetarin Gëzim Llojdia.

GJURMË
Stuhia është qetësuar:
grimcat e rërës përzihen
me algat në plazh,
gjurmët e një dhune
që nuk njeh cak.

Por diku tjetër dhuna s’ndalet:
shtëpive u vihet flaka
në tokë nuk ka alga
por vetëm të vdekur
si gjurmë të përgjakshme
të një lufte vrastare.

SHPRESA

Është dimër:
era e akullt ka këputur
nga pemët gjethet e fundit
të cilat më parë ishin mbrojtje
dhe strehë për zogjtë.

Dridhen nga i ftohti
por ende këndojnë
sepse për kohë më të mira
edhe ata shpresojnë.

GERMAIN DROOGENBROODT, SPANJË

SI DO TË JETË TË T’KËRKOJ NË DISTANCË?

Si do të jetë të t’kërkoj në distancë?
– Eunice Odio

Si do të jetë të t’kërkoj në distancë,
dashuri, dashuri që më solle pranë një peme,
në fluturimin e një fluture,
pranë forcës, pranë jetës,
dhe që më rrëzove,
pas gëzimit, në krahët e trishtimit?

Si do të jetë të t’kërkoj në distancë,
mes plumbash që më fishkëllejnë pas shpine,
mes zhurmës së luftës dhe lotëve?

Si do të jetë, i dashur, të t’kërkoj ndërkohë
në korridoret e gjata të ditëve, e prakrehur,
e zbathur, me këtë dashuri, dashuri
që rrotullohet tek unë si një det në akuarium?

Si do të jetë të t’kërkoj në distancë, në mungesë,
e zhytur në vetmi, në këtë zbrazëti që gëzon ligësisht
pasigurinë time prej gruaje të braktisur?

GIOCONDA BELLI, NIKARAGUA

MEDITIME PËR JETËN

Jeta është një melankoli e ngadaltë për çfarë mungon
dhe për atë që nuk është më dhe s’do të kthehet kurrë.
Është një qetësi e vonuar që na puth sytë përpara
se të zgjohemi dhe përpara se të biem në gjumë.

Jeta rrethon të këqijat dhe të mirat tona
dhe si të ishte një shpërthim i papritur
vjen mes reve të pluhurit dhe na qëndron pranë
të na thotë se gjithçka do të kalojë, por asgjë s’kalon.

Jeta ecën mbi çelësat e pianos ose mbi
telat e një violinçeli.
Ajo një këngë baroke na këndon për t’na bërë
të besojmë se është e bukur, me nuanca plot.

Jeta ecën pranë nesh ose na bën me të vërtetë mirë
në pikën më të saktë, në shpirtin tonë.
S’na lejon të largohemi nga çfarë ka rëndësi
edhe pse zakonisht të humbur përfundojmë.

LUIS CRUZ VILLALOBOS, KILI

DËSHMITARI I VETËM

Nuk është pirgu i letrave të tua të dashurisë
në sëndukun prej kadifeje të kujtimeve;
As krahët e tu plot me lule dhe fruta
që sjell mbrëmjeve në shtëpi;
As byzylyku i florinjtë 18 karat
që më dhurove në përvjetorin tonë të martesës;
Dëshmitari i vetëm i dashurisë tënde të pastër,
është ky kosh prej plastike i zbehtë plot me mbeturina,
që ti nga kati i katërt e zbret, hap pas hapi ngadalë,
duke refuzuar ndihmën e duarve të mia të përgjumura, natë për natë!

FARIDEH HASSANZADEH-MOSTAFI, IRAN

SI NJË BARKË NË LIQEN . . .

Pasditja kaloi ngadalë
si një barkë në një liqen me ujëra të qeta,
në gjoksin tënd u drodhën manushaqet
nga fryma e nxehtë të përkëdhelura.

Atje të pëshpërita, pranë shatërvanit,
në parkun që ruan dëshira të fshehta plot,
“Unë jam si minatori që në heshtje
venat e dashurisë tënde të butë ëndërron. . .”

Dhe paqja e degëve u prish
dhe kur me ëmbëlsi më the: “Të adhuroj!”
një valëvitje krahësh u dëgjua mbi kokën
tënde të florinjtë, të ndrojtur e të zjarrtë,
që në mendje mbrëmjen e strehoi dhe nata
shtriu papritur drejt nesh krahët e saj.

XAVIER VILLAURRUTIA, MEKSIKË, 1903 ─ 1950

LUFTA VAZHDON

Dhe lufta vazhdon
gjithmonë prezantohet
kjo tragjedi e njohur
ku aktorë të panjohur
luajnë shumicën e roleve kryesore

s’ka çmime Oscar

vetëm
uri
gjymtim
vuajtje
dhe vdekje.

THURÍÐUR GUÐMUNDSDÓTTIR, ISLANDË (1939)

NINULLË

Fli, vogëlushe, nënën e ke pranë
nga vetëtima e stuhia nata u zbardh
dhe mjegulla e errët mendimin verbon
por zemra magjinë e njeh gjithmonë
dhe bari rritet…
trëndafilat lulëzojnë,
vesa e ëmbël e mëngjesit lulen e portokallit
qëndis dhe shpirtin ngacmon.
Buzë detit të rrita, bukuri e rrallë,
deti është djep, fryma ime
është fllad…

MARIA NIVEA ZAGARELLA (SIÇILI)

TË KAM DASHUR

Nuk e di a më ke dashur: Unë të kam dashur
dhe kjo ishte e gjitha, kaq mjaftonte e për mua
ditët u bënë më të bukura.
Të kam dashur ditën dhe në ëndrra,
dhe këndoja për ty, ti më kaloje pranë dhe bëhej Prill
përmes teje njoha mrekullinë e shpirtit tim.
Po, unë të desha, në mënyrë të ngadalshme të heshtur,
ashtu si gjërat e fishkura e duan njëra-tjetrën,
ashtu si njeriu mëson gjuhën e mungesës.

JOAN FUSTER, SPANJË (1922-1992)

NË KLLAPI

Nata do t’më gjejë me vargjet e një poezie
të qetë
por me zemërimin e poetit
në kllapinë e mendjes së shëndoshë
që një shoqëri të sëmurë do të shërojë.

Zogjtë e natës do të shkruajnë
ç’ka ende s’më ka ardhur në mendje,
në tru do t’më rëndojnë bishat gjigante të harresës.

Siguria nuk do të jetë e nevojshme
lëre pastaj dyshimi
për të ditur nëse
do të ndodhë nesër sërish?

Tani për tani
unë mbjell
një fjalë

oksigjen jeshil.

FERNANDO ALONSO, URUGUAI (1975)