Gazeta Nacional Albania

Postndarje.Tregim nga Alma Lamçja

 

 

 

Kishte kuptuar shumë gjëra këto ditët e vetmisë së madhe. Kishte kuptuar që është e kotë t’ju japësh të tjerëve më shumë nga ç’meritojnë, por po ashtu, kishte kuptuar që është e kotë të vendosësh zemrën peng në një tavolinë ku luhet poker.

Nëse lë peng zemrën, më pranë ke humbjen se fitoren.Lojtari i ulur përballë fillon lojën me avantazh, sepse duke parë ç’ke vënë ti, ai ka mundësinë të luaj ftohtë.Je ti  që vë emocionet e tua në atë tavolinë, ndërsa ai luan vetëm për të fituar.

Rrjedhimisht, dashje padashur, ti i lë vetes dy zgjidhje: o gjithçka, o asgjë!!

 

Pas një bllokade të gjatë që i kishte bërë vetes duke e izoluar totalisht, kishte vendosur të dilte dhe të takonte miken e saj të zemrës. Iu desh të shfrytëzonte edhe gjysmën e pushimit të këtij viti dhe të bënte një muaj të plotë e mbyllur brenda mureve të banesës së saj. Këto momente, i ra ndër mend që i kishin mbetur vetëm edhe pak muaj që banesa të bëhej tërësisht e saja. Iu duk vendimi i duhur ai i marrë para katër viteve që të fillonte të pavarësonte veten, së pari duke bërë një kulm mbi kokë.

 

Rrëqethet kur e mendon faktin që femrat gjithmonë janë cak i shfrytëzimit nga gjinia tjetër. Nëse ke fatin të kesh një baba të drejtë, një vëlla të përgjegjshëm, një partner o bashkëshort të denjë, apo një të dashur fisnik që të trajton si të tillë, është si të fitosh lojën jetësore të pokerit.

 

Ina pati fatin të ketë prindër të mirë, të cilët gjithmonë i trajtonin njëjtë, prandaj ishte e vetëdijshme që pasojë e asaj edukate ishte dhe vendimi i të vëllait që ta ndihmonte me gjysmën e shumës së të hollave për të kontraktuar banesën e saj. Ata nuk qenë të pasur në para, por shpirtin e tyre të pasur nuk mund ta gjeje në shitje.

 

Gjithmonë ikjen e tyre e kishte ndërtuar me një imazh të tillë: Rrëshqitja e veturës nga lartësia, ata të kapur përdore duke pritur të qetë përplasjen fatale.

Kanë kaluar njëmbëdhjetë vite dhe sa herë e kujton ikjen e prindërve, zemra e saj pëson shpime gjilpërash që therin pamasë.

Ishte vetëm gjashtëmbëdhjetë vjeçe kur mori lajmin e kobshëm, i cili i la pasoja të parikuperueshme.

 

Të fisnikërohesh prej fatkeqësisë!

 

Kështu e sheh Ina humbjen tragjike të prindërve të saj. Ajo asnjëherë nuk ka luajtur rolin e viktimës me të tjerët, kur shihte reagimin e tyre tek e kuptonin që ishte duke u rritur pa prindër. Megjithatë, është e vetëdijshme që nëse nuk do kishte pasur Adin, vëllain e saj të dashur, nuk di si do të kishte marrë jeta asaj.Ai është vetëm pesë vite e tetë muaj më i madh se ajo, por jeta e rriti para kohe duke i dhënë një rol prindëror para se të bëhej vet i tillë.

Ina lumturohej tek e shihte që dashuria e madhe që kishte për të shoqen, e bëri edhe më human. E shoqja iu gjind pranë në tragjedinë që i pllakosi por edhe tani, në çdo veprim që ndërmerr.Tek i sheh bashkë duke kuvenduar për gjithçka që i shqetëson dhe lidh bashkë, Ina shpeshherë pëson shpime zemre, por në këto raste nga kënaqësia që ndjen kur i sheh aq të lumtur.

 

E adhuron mënyrën që kanë gjetur për të përballuar realitetin e tyre.

Nuk është vetëm dashuria që i mban bashkë, është ndjenja e lartë e respektit që kanë për njëri-tjetrin.Partneriteti është çelësi i lidhjes së tyre.

Ina mendon se ka një vëlla të përgjegjshëm që është një baba i drejtë për djalin dhe do të jetë i tillë edhe për vajzën që së shpejti do ti vijë në jetë.

 

Nuk ia ka thënë kurrë, por në thellësinë e qenies së saj, i ndjehet falënderuese se falë tij, ajo u bë njeri edhe më pozitiv. Prandaj, edhe gjatë këtij muaji sfilitës, Ina gjente kurajën që çdo mbrëmje t’i bënte bllok gjendjes së saj shpirtërore dhe të komunikonte me Adin, sikur asgjë nuk kishte ndodhur. Ajo e ndiente se duhej t’i kthehej gjendjes së saj të mëparshme për të qenë në formë kur të bëhej hallë për herë të dytë. Kishte muaj të tërë që e priste ardhjen në jetë të mbesës, duke  thurur ëndrra se si do dukej e vogla e tyre dhe si do ta vishte ajo kur ta merrte përdore në shëtitjet verore që do bënin bashkë.

 

Rreth një muaj më parë, gjendja shpirtërore po vinte duke iu rënduar, prandaj izolimin e mendoi si mundësinë e vetme për të përballuar situatën në të cilën ndodhej, dhe vërtet ishte vendim i drejtë ky që mori. Kaloi një muaj të tërë duke porositur ushqimin t’ia sillnin në shtëpi, por edhe përgatiste vetë që të mos kishte nevojë të dilte shpesh të blinte bukë. Gjatë gjithë kësaj periudhe kishte dalë vetëm nja pesë herë sa për të blerë ushqime dhe bukë me feta që qëndronte më gjatë.

 

E kishte pasur kaq të vështirë të merrte veten nga mënyra si u ndërpre lidhja e tyre. U ndanë pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë preteks real apo ireal që mund të përdoret në të tilla raste. Nuk iu duk shokuese ndarja si veprim që mund ta marrin dy njerëz të cilët vendosin të mos jenë më bashkë, por mënyra si erdhi ajo ndarje.

Kishin investuar shumë në atë lidhje, sidomos ai që me muaj të tërë kishte humbur kohë pafund duke u munduar ta bënte për vete dhe duke e bindur që ndjenja e tij ishte e pastër dhe e vërtetë. Ai ia përsëriste shpesh që ajo është personi që gjithmonë kishte ëndërruar.

– Projektimi im për femrën ideale ka qenë shëmbëlltyra jote, i thoshte shpesh pas marrëdhënies pasiononte që përjetonin bashkë. Gjithmonë e kam përfytyruar vajzën e ëndrrave të mia me këtë elegancë fizike, shikim të butë dhe buzëqeshje të ëmbël, vazhdonte përshkrimin rreth vetive të saj, duke e bërë të ndjehej mirë. Ishin fjalë të kësaj natyre që i thuheshin shpesh ato që e bënë Inën të lejonte depërtimin e tij në çdo pore të qenies së saj.

 

Ina e mori si të mirëqenë një thënie që kishte lexuar diku në një revistë letrare. Ata ishin në fillimet e lidhjes së tyre kur lexoi që mashkulli i cili i thur fjalë dashurie pas konsumimit të një marrëdhënie seksuale të dashurës së tij, i ndjen vërtet ato që thotë. Ajo gjithmonë i sheh me skepticizëm studimet e ndryshme që bëhen për çështje sociale, sepse i duket njëjtë sikur të dalësh në qytet me disa pyetësorë në dorë, të pyesësh disa kalimtarë rasti dhe pastaj të arrish në konkluzione për fenomenin që trajton.

 

 

Të gjitha këto mendime iu sollën në kokë teksa bëhej gati për të dalë me miken e saj të shpirtit.Vendosi t’i kushtonte rëndësi dukjes së saj, ndoshta prej faktit që vetmia dhe mungesa e kontaktit me njerëz gjatë këtij muaji e kishte bërë mjaft të izoluar.Prandaj, iu desh të ndërronte disa versione veshjesh, duke përfunduar në kostumin elegant pranveror ngjyrë pudre, i cili i rrinte më së miri në trup. Vërejti që kishte rënë pak në peshë, sepse mbante mend që kur e kishte veshur në fillim të vjeshtës me zor e mbërthente zinxhirin e pantallonave, megjithatë falë materialit të tyre tani i rrinin edhe më bukur.

 

 

Mikja ishte një nënë e re, e cila të gjithë kohën e kalonte me vogëlushin e saj, por duke ditur gjendjen e Inës, kishte insistuar të takoheshin këtë paradite pranverore. Ajo e arsyetoi insistimin me pretekstin që i shoqi kishte dëshirë të kalonte pak kohë vetëm me djalin, pa praninë e saj.

Ina ishte e bindur që ajo këtë gjë po e bënte për të, gjithsesi, e dinte që takimi do t’i bënte mirë dhe do ia qartësonte edhe më shumë mendimet.

 

Doli me këto mendime në mendje, duke u këndellur edhe më shumë nga ajri i freskët pranveror që iu përplas fytyrës dhe shikimeve dashamirëse që i dhuronin kalimtarët e rastit. Ndjesitë që po përjetonte në këto momente, ia përforcuan edhe më shumë vendimin që kishte marrë për të dalë nga banesa.

Sa hap e mbyll sytë, e gjeti veten para lokalit ku e kishin lënë të shiheshin. Çuditërisht kafeneja ishte pothuajse bosh dhe një gjë e tillë i dha mundësinë të zgjidhte një vend të këndshëm ku mund të habiste veten duke shikuar pamjen nga jashtë, por edhe të shihte ardhjen e mikes së dashur. Zuri vend qetë dhe interesimit të kamerierit për të marrë porosinë iu përgjigj duke kërkuar një espreso të gjatë dhe ujë me limon.

Po shijonte kafenë për të cilën ia kishte ndjerë shumë mungesën, e befas ajo i ngeli në grykë. S’po iu besonte syve tek pa të futej në të njëjtën kafene njeriun që më së pakti donte të shihte atë ditë.

Ai ishte i shoqëruar me një grup djemsh që mund të ishin kolegë të tij të punës.

 

Sapo e pa të ulur aty, ai disi u gjallërua. Filloi të bënte lëvizje triumfuese, në këtë përballje të parë postndarje. I drejtoi shoqëruesit e tij në një tavolinë përballë saj dhe mori rolin e protagonistit në tavolinën e tij.Nuk e kishte parë asnjëherë ashtu. Krekosja që po e karakterizonte, iu duk e pështirë.

Ina kishte ngrirë tërësisht dhe instiktivisht shihte e hutuar çdo detaj të veprimeve që po bënte. Në ato pak sekonda të rrëmujshme, arriti ti thoshte vetes me zë koke:Si dreqin ke arritur të duash këtë tipin, ka diçka për t’u dashur ky?

E mblodhi veten nga kjo fjali pyetëse e formuluar dhe drejtoi përsëri mendimet në të tashmen.
Ai ende vazhdonte të bënte interesantin e rëndësishëm dhe dukej sikur ishte në një gjendje ekstaze. Nuk po arrinte të kuptonte në ishte mungesa e femrave në atë ambient që i bëri ata të gjithë të kthejnë shikimin nga ajo, apo ai po i fliste atyre për të.

Sipas të gjitha gjasave, ajo ishte bërë objekt bisede.Fakti që ishte bërë objekti i bisedës së tyre nuk e mundonte aspak, por çfarë ishte ai duke i thënë për të, që ata po qeshnin me të madhe?!

E dinte që një ditë do vinte ky moment i përballjes së madhe, por pse pikërisht sot dhe  pse të ishte përsëri vet ajo e disavantazhuara.?!

Për dreq, mikja që do të takonte sapo i shkruajti që do vonohej edhe pak.

Falenderoi veten për qetësinë që po e karakterizonte.La paratë në tavolinë së bashku me bakshishin, ndërsa nxori nga kuleta një kartëmonedhë dhe e futi në xhepin e pantallonave.

Mori frymë thellë.

Pas një frymëmarrje aq të thellë, sa iu duk që do ti kërcasin mushkëritë prej stërmbushjes me aromë kafeje.Ngrihet pip në këmbë dhe shkon drejt tyre me hapa të sigurtë.

Atyre iu ngri buzëqeshja në fytyrë, sepse i gjeti të papërgatitur lëvizja e saj drejt tyre.

Iu vendos përballë duke e vështruar guximshëm drejt e në sy. Iu duk sikur kishte një zoomorf para vetes. Çuditërisht u qetësua plotësisht, aq sa kur filloi të shqiptojë fjalët, ndjeu butësinë dhe ngjyrimin artistik të tyre.

 

Do të dish diçka: Ndjeva dhimbje që shpërdorove dashurinë që të dhashë pa kushte, por kur po të shoh sot në këtë gjendje, po ndjej dhimbje për ty.

Të lutem do bësh diçka të fundit për mua?

 

Nuk i la hapësirë që ai të pohonte apo mohonte, por vazhdoi:

 

E gjuajti kartëmonedhën në mes të tavolinës së tyre, e me një cinizëm të lehtë dhe një qetësi absolute iu drejtua përsëri:

 

– Pësove gjë zoomorfozë? Hajt se të kalon!

 

Ia preku lehtë faqen e djathtë me gishtin tregues dhe të mesit, i dhuroi një buzëqeshje të shtirur dhe vazhdoi me hapa të sigurtë drejt daljes.

 

Asgjë nuk pipëtinte, përveç zhurmës së takave të saj dhe kamerierit që po nxitonte ti hapte derën.

Përballja me ajrin e freskët pranveror, i krijoi dëlirësi pafund…