Gazeta Nacional Albania

Premiera e dramës “Osman Taka”, e dramaturgut të njohur Arben Iliazi premierë më 11 shkurt në Teatrin Kombëtar Eksperimental, Tiranë

“Osman Taka”, një dramë e jashtezakonshme, me autor Arben Iliazin dhe regji të Naun Shundit, premierë më 11 shkurt 2023 në TKE

“Osman Taka” është një dramë historike, ku autori është përpjekur të ndërtojë një kontekst të fuqishëm artistik, përmes figurës së njohur të Osman Takës. Në intervistën për “Nacional” dramaturgu Arben Iliazi thotë se në rrethanat tona socio-kulturore, sot më shumë se kurrë, kemi nevojë të merremi me identitetin tonë kulturor e kombëtar dhe me vlerat tona identitare.
Në këtë dramë, që vjen premierë në Teatrin Kombëtar Eksperimental javën e dytë të muajit shkurt, autori ka vënë në pah kotësinë e luftërave dhe urrejtjeve nacionale që shpien në gjakderdhje e kaos, deri në trauma personale e zvetënime morale e shpirtëore, duke krijuar një model frymëzues për forcimin dhe ngritjen e moralit politik dhe kthjellimin e idealit për liri.
Me regji të Naun Shundit, muzikë të Endri Sinës, koreografi të Dion Gjinikës dhe kostumografi & skenografi të Anila Zajmit, vepra e Arben Iliazit “Osman Taka” shënon një moment të ri në krijimtarinë e tij. Lojën aktoreske regjisori ia ka besur emrave të njohur të teatrit: Neritan Liçaj, Ervin Bejleri, Ola Harizaj, Romir Zalla. Producent është Alket Veliu.
Drama “Osman Taka” mbështetet mbi një legjendë të njohur të historisë. Drama është ngritur mbi një sfond të tillë historiko-shoqëror, që krijon mundësinë të shpaloset kompleksiteti dramatik, historia e njerëzve që bartin me vete mallkimin e luftërave.
Në këtë vepër nuk kam ndryshuar thelbin e legjendës, por legjenda është përdorur si lëndë e parë burimore, si një platformë mbi të cilën është ndërtuar konflikti dramatik. Osman Taka ngërthen brenda vetes një realitet historik të ngjeshur, përmes shumë rrethanave dhe situatave historike që jeton ky hero i Rilindjes Kombëtare, të cilin shumica e shqiptarëve e kanë dëgjuar si një valltar të famshëm me vallen e tij pirrike, që kërcehet kudo në trevat shqiptare, madje dhe në Greqi. Përmes këtij heroi jam përpjekur që të analizoj, me një distancë kohe dhe vështrim kritik, zhvillimet dhe ngjarjet e mëdha, në frymën e idealeve kombëtare shqiptare, pikërisht përmes veprimit të ndërgjegjshëm dhe kurajoz të kësaj figure tejet interesante, këtij luftëtari të shquar të Çamërisë

“Osman Taka” është vepër dinamike, me shumë shtresa poetike, me një kornizë të pakapshme, që lëviz në suazat e fiksionit artistik, me situata të papritura, ku imagjinativja dhe fantastikja na bëhen reale, ndërsa ajo që është reale shndërrohet në të pabesueshme. Protagonisti i njëmendttë i veprës, Osman Taka, është shpirti i gjithë zhvillimit të veprës.
Fatet e personazheve të dramës, problemet dhe dramat e brendshme të tyre, janë sa njerëzore aq edhe tronditëse, deri në tragjizëm, dhe vijnë shumë të besueshme dhe reale në skenë.
Drama u jep mundësi personazheve që të shpjegojnë të vërtetën e tyre, dramën e tyre, historinë e tyre, të vërtetën e tyre, e cila i shqetëson. Madje ata nxitojnë që ta bëjnë sa më parë këtë gjë, me përballje mjaft dramatike.
Drama është një tablo jo vetëm e krenarisë, por edhe e pasionit, me nënshtresat dhe zgavrat e tij sekrete. Subjekti përqëndrohet mbi veprimet e Osmanit dhe Xhemile Hanëmit, bashkëshorte e Valiut të Janinës, grua me shpirt të ndjeshëm dhe me joshje të jashtëzakonshme, e cila është njëkohësisht e dobët dhe e zhgënjyer nga martesa me Valiun.
Osman Taka është dënuar me vdekje nga Porta e Lartë, me një ferman të firmosur nga vetë Sulltani. Sipas rregullave të Portës së Lartë të dënuarve para ekzekutimit u lejohej të shprehnin një dëshirë të fundit. Cila është dëshira e Osmanit? Të kërcejë një valle për herë të fundit në jetë të tij! Dëshira i plotësohet. Osmani kërcen vallen e tij, një valle e shkurtër (që zgjat diku tek tre-katër minuta), me lëvizje aq intensive dhe prekëse, plot melankoli dhe krenari, sa i lë të gjithë pa fjalë.
Dhe arrin t’i shpëtojë varjes në litar në momentin e fundit, falë ndërhyrjes së Xhemile Hanëm, e cila i lutet të shoqit ta falë, pasi mahnitet nga vallja e tij. Notat e butësisë, përunjjes dhe pasionit të saj janë patetike në shkallën më të lartë. Ajo dashurohet me Osmanin pas hekurave të qelisë dhe bën plane për t’u arratisur së bashku me të për një jetë të re, pavarësisht nga refuzimi i butë i Osmanit, i veshur me një tis legjende dhe i mbrujtur me stoicizëm folklorik. Për Osmanin e tmerrshme nuk është të vuash, as të vdesësh, por të vdesësh kot. Ndërkohë Valiu përjeton dramën e tij të dyfishtë, si në planin privat, intim, familjar, ashtu edhe në atë shtetëror, të përgjithshëm, kombëtar. Për shkak të ndjenjës patologjike të urrejtjes që e ka kapluar si me magji, i janë fikur të gjitha ndjenjat për gruan e tij, Xhemile Hanëm, dhe refuzon të flerë me të, pra mbetet pa fëmijë, edhe pse Xhemilja ka sakrifikuar gjithçka për të dhe duket se ka rënë në depresion të thellë.
Luftë emocionesh, gjeneruar nga pasioni, nga stresi dhe konflikti. Por ajo që gërryen shpirtin është ndjenja e armiqësisë dhe e urrejtjes, deri sa hakmarrja e humb betejën, duke i lënë rrugë të lirë triumfit të paqes shpirtërore. Xhemilja arrin në fund të ndryshojë burrin e saj. Në skenën e fundit Valiu heq dorë nga urrejtja pa kuptim dhe e lë të lirë Osmanin.
Osman Taka nuk vdes teatralisht, por lihet i lirë për të vdekur vërtetësisht, në kuptimin e ligjeve të jetës. Mesazhi që sjell vepra është se vorbullat e luftërave dhe urrejtjet pa kuptim mes popujve janë kulmi shkatërrues i vlerave të shoqërive tradicionale. Ato shkatërrojnë gjithçka: traditën, lidhjet, obligimet morale, identitetin. Ato sjellin shkatërrim të pamatur të harmonisë, në çfarëdo lloj kuptimi, një mjerim të thellë shpirtëror dhe degradim apokaliptik të vetë qenies njerëzore.