Gazeta Nacional Albania

Presidenti ukrainas e quan gjenocid sulmin e Rusisë share

Presidenti ukrainas e quajti gjenocid sulmin e paprovokuar të Rusisë, që po vazhdon, ndërsa zyrtarët perëndimorë po dënojnë ato që ata i quajnë mizori të kryera nga forcat ruse në periferi të Kievit. Sekretari amerikan i shtetit këtë javë udhëton drejt Evropës për një takim me aleatët e NATO-s.

Tymi mbulon qiellin mbi qytetin e Odesës. Autoritetet lokale thonë se raketat goditën qytetin port të Ukrainës, i njohur si “Perla e Detit të Zi”.

Në Odesa ndodhet edhe selia e marinës ukrainase. Një përfaqësues i ministrisë ruse të mbrojtjes tha se anijet dhe avionët rusë qëlluan objektet e përpunimit të naftës dhe depot e karburantit, të cilat ai pretendoi se u ofronin mbështetje trupave ukrainase. Një zyrtar ukrainas tha se kjo është një praktikë e ndyrë e shkatërrimit të infrastrukturës jetike.

Ndërsa lufta e Rusisë kundër Ukrainës vazhdon për të gjashtën javë, trupat ukrainase thonë se po fitojnë terren dhe se forcat ruse po tërhiqen. Por presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskyy paralajmëron për gjendjen e rënduar të civilëve që jetojnë mes minave, mjeteve luftarake dhe kufomave në rrugë. Nga frika e minave-kurth, në qytetin Buça, ushtarët ukrainas tërheqin kufomat me kabllo.

“Ne jemi qytetarët e Ukrainës. Këtu jetojnë mbi 100 kombësi. Këtu bëhet fjalë për shkatërrimin dhe shfarosjen e të gjitha kombësive. Ne nuk duam t’i nënshtrohemi politikës së federatës ruse. Prandaj po shkatërrohemi”, tha presidenti Zelesnky.

Kryebashkiaku i Buçës thotë se ndërsa po tërhiqeshin, forcat ruse ekzekutuan civilët me duart e lidhura pas shpine.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken thotë se Rusia ka kryer krime lufte.

“Nuk mund të rrimë në heshtje. Kjo që po ndodh nuk pshtë normale. Ky është realiteti i asaj që po ndodh, ndërsa Rusia vazhdon agresionin kundër Ukrainës. Prandaj duhet të marrë fund”, thotë zoti Blinken.

Pavarësisht provave në rritje, Rusia mohon se ka shënjestruar civilët. Një këshilltar i presidencës ukrainase përshkruan dëshmi të krimeve të luftës.

“Mes viktimave të krimeve ruse janë gra të përdhunuara që ata u përpoqën t’i digjnin, vranë zyrtarë të qeverisjes lokale, fëmijë, të moshuar, burra – shumë prej të cilëve me duart e lidhura – pasi u torturuan u qëlluan në pjesën e pasme të kokës”, thotë Oleksiy Arestovych.

Trupat ukrainase rimarrin kontrollin e territorit pas tërheqjes së forcave ruse.

Sekretari Blinken udhëton drejt Brukselit për një takim me NATO-n, ku do të bisedojë me homologët rreth vendosmërisë së aleancës për të kërkuar përgjegjësi ndaj Rusisë.