Site icon Gazeta Nacional Albania

Pro. dr. KAMBER KAMBERI: MITRUSH  KUTELI  DHE  POEMI  KOSOVAR

 

 

Mitrush Kuteli (Dhimitër Pasko, 1907-1967) është një nga figurat më të shquara që bëri emër në shumë fusha të shkencës e të kulturës, jo vetëm në ato shqiptare, por edhe më gjerë. I lindur më 1907 në Pogradec, bardi i letrave shqipe Mitrush Kuteli, vepra e të cilit është kaq aktuale në interesimet e vazhdueshme të specialistëve në fushën e studimit të shumanshëm. Në radhë të parë, Mitrush Kuteli njihet si prozator, si kritik letrar, si poet, por edhe autor profesionist që shkroi vepra të fushës ekonomike e të sistemit bankar. Krahas gjithë kësaj veprimtarie, ky njeri i letrave me profilin e tij njerëzor, reflekton figurën e maestros, moralistit të madh, të dijetarit të gjithanshëm, specialistit të përkushtuar e të veçantë, i cili bëri emër dhe zuri një vend të rëndësishëm që gëzon respekt në kulturën e shkencën shqiptare. Për figurën e tij komplekse që shënoi një profil interesant në letërsinë moderne shqipe, shkrimtari dhe studiuesi i shquar Martin Camaj do të shprehej:

“Mitrush Kuteli sot ka vendin e vet në letërsinë shqiptare, sigurisht jo atë vend që ia caktuen historiografët në vëllimet e kritikës e të periodizimit të letërsisë sonë. Diçka e tillë arsyetohet me faktin sepse Kuteli na paraqitet si letrar e njeri kulture si vetje fort komplekse. Si i tillë, nuk i përket asnjë rryme letrare plotësisht apo mbetet mik triditësh, vetëm për kalim kudo të vendoset mbrenda kallëpeve të – izmave. Bile si njeri e poet ai Dhimitër Pasko e Mitrush Kutel mund të quhet toskë e gegë, jo vetëm në gjuhë e stil; botnisht i tha vetes kosovar në poemën e vet fort të prekshme.”

Krahas kësaj, si kupolë e gjithë atributeve e epiteteve të veçanta që disponon ky njeri i letrave e i fushave tjera të shkencës, vlerë reflektuese me parime guximtare e njerëzore që e përshkon gjithë veprimtarinë e tij e shpërfaq atdhetarin e kulluar. Ndërkaq, profilin e atdhetarit të shquar Mitrush Kuteli, ndër të tjera njëherësh më së miri e paraqet “Poemi Kosovar”. Poemë në të cilën zotëron motivi atdhetar, që reflekton guximin e përkushtimin e  madh, ku shprehet talenti dhe ndjenja e tij e thellë me lajtmotivin e brengës së përhershme për çështjen shqiptare dhe për të drejtat e gjithë kombit shqiptar.

Së këndejmi, është për t’u habitur se si një shkrimtar që vjen nga Jugu i Shqipërisë, përkatësisht Pogradeci i personaliteteve të shquara, e njeh kaq në detaje historinë dhe kulturën, por edhe mentalitetin e rrethanat e kohës në hapësirat kosovare, krahas gjithë historisë e kulturës së përgjithshme shqiptare. Nga kjo histori siç e dëshmon edhe vetë, ai, kishte në plan të shkruante “një poem të ashpërsis, por Poemi ilirian është një vepër e gjatë fort. Do vjete punimi e latimi”. Do të donte të shkuante një poem të qëndrimit shqipëtar ball për ballë me rrebeshet e historisë. Gjithashtu, i preokupuar dhe i intriguar nga historia e lashtë e kombit, të përshkruante figurën zotëruese të Mbretreshës Teuta. “Teuta është shprehja tipike e krenaris shqipëtare, e përjetësuar me nënat tona”. Kështu si zëvendësim për mos mundësinë e realizimit të këtij projekti madhor që kërkonte përkushtim dhe kohë të gjatë, do të përqendrohet në realizimin e një projekti tjetër që gjithashtu është mjaft i rëndësishëm, vendosë të shkruaj “Poemin kosovar”.

Nga të dhënat biografike, del se Mitrush Kuteli në vitin 1943, i kishte rënë gjerë e gjatë viseve të Kosovës, mbase, është e mundur që edhe ndonjëherë tjetër do të gjendej në këto anë kalimthi, sidomos gjatë udhëtimeve të tij për në Rumani?! Sidoqoftë, ai, do të njihej drejtpërdrejt me kulturën e këtyre anëve, objektet dhe gjeografinë me rëndësi nga historia dhe kultura shqiptare të cilat do t’i pasqyrojë mahnitshëm në shkrimet e tij letrare. Ai, do t’i përshkruajë me përkushtim si: Kalanë e Prizrenit, Xhaminë e Sinan Pashës, Çezmën e Bimbashit, Shtëpinë e braktisur të Lidhjes, Kodrën e kishës së Shën Spasit, Xhaminë e Bajrakliut, teqetë, Urën e gurtë e deri te mullinjtë në të dy anët e Rekës. Krahas këtyre objekteve të rëndësishme për historinë e kulturën shqiptare dhe përfshirjen e shtrirjes gjeografike me emërvendet e këtyre anëve ai, drejtpërdrejt kishte takuar e biseduar shtruar me njerëzit e kësaj toke. Kishte hyrë në botën e tyre, me të cilët me respekt e krenari kishte ndarë të mirat, kishte ndarë brengat, shqetësimet e preokupimet e shumta. Këto shqetësime e preokupime të kosovarëve, kishin lënë gjurmë në shpirtin e Kutelit, të cilat do t’i bartë në vete gjatë gjithë jetës.

Të gjitha këto njohuri që vijnë nga përkushtimi, ndjenja e hollë njerëzore e atdhetare, do t’i shprehë me dhimbje e revoltë në njërën nga krijimet e tij më të forta poetike, “Poemin kosovar”. Kjo poemë që edhe i kushtoi shumë në rrjedhën e jetës së tij nga sistemi totalitar komunist, në vazhdimësinë e kohës pas Luftës së Dytë Botërore. Në njërën anë, kjo ndikoi në fatin e jetës së tij dhe në anën tjetër edhe në fatin e veprës së tij. Poema, mbeti e anatemuar dhe e panjohur për opinionin e gjerë, për gati njëgjysmë shekulli. Prandaj, edhe pse vonshëm, qasja dhe trajtimi i kësaj poeme të fortë, me vlera të shumta atdhetare, moralizuese, ideore e artistike, ka zgjuar interesim të madh. Prandaj, edhe interesimet e qasjeve, trajtimeve, vështrimeve për të nxjerrë konstatime e përfundime nuk do të shterojnë kurrë.

Është poemë e ndjenjës së thellë, e përkushtimit njerëzor, i klithjes e vikamës që merr mbi vete ky shkrimtar i ndjenjës atdhetare, gjithashtu i revoltës, thirrjes e kushtrimit në këtë rast. Kjo ndjenjë e shprehur këtu, është e brumosur me një ngarkesë informacioni aq të përpiktë për gjendjen e  shqiptarëve në përgjithësi e të kosovarëve në veçanti, që befason për përkushtimin dhe njohurinë e thellë. Bile befason, mbase si rastësi, apo mund të quhet edhe profeci, që çuditërisht do të ndodhnin më vonë në këto treva, me qëndresën dhe heroizmin e dëshmuar, nisur nga thirrjet e Izedin Jasharit (Kutrulisë) te qëndresa, durimi, sulmi dhe qëndresa heroike e Adem Jasharit, apo familjes Jashari, pikërisht gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Gjatë qasjes dhe shqyrtimit të dramës që shpërfaq kjo poemë, dalin shumë dilema dhe hamendje që shpeshherë edhe befasojnë. Befasia e parë vjen menjëherë pas dëshmisë së njohur të vizitës së vetme të autorit në viset e Kosovës në vitin 1943.  Prandaj, vjen pyetja, si është e mundur që vetëm nga kjo vizitë e vetme disa ditore, javore, por edhe mujore nëse është, të kapen kuotat neuralgjike të një përfshirjeje kaq të gjerë të dramës së këtij mjedisi me gjithë historinë e saj tragjike, kur thuhet se: Kuteli e shkroi “Poemin kosovar” me një frymëzim kur qëndroi në Kosovë më 1943?! Kjo mund të ketë vetëm një shpjegim, mbase tharmi kishte nisur gati dy dekada më parë, që në vitin 1925, kur ishte vetëm 18 vjeç dhe ndodhej në një qëndrim të përkohshëm në Stamboll. Atje, e kishte parë dramën e vërtetë jetësore të shumë kosovarëve, ku kishte takuar shumë shqiptarë të përndjekur dhunshëm nga viset e ndryshme të Kosovës, si rrjedhojë e projekteve, elaborateve, platformave dhe marrëveshjeve tjera të fshehta, hartuar nga qarqe të errëta serbe, dhe jo vetëm nga këta. Atje ku kishin migruar dhe ëndërruar për një jetë të lirë e të lumtur, por që edhe atje, tashmë të zhgënjyer e me mallin e Kosovës po jetonin në një gjendje të vështirë dhe aspak të lakmueshme. Në ndjenjën e tij, kjo ishte një goditje e parë që do të lente gjurmë të pashlyeshme në sedrën e tij gjatë gjithë jetës, në ndërgjegjësimin njerëzor e atdhetar. Ky tharm i mishërimit, ishte forcuar edhe më tutje në vitin 1932, kohë kur po e punonte tezën e doktoratës dhe gjendej për hulumtime të fushës profesionale në Beograd. Ai, këtu, gjithashtu kishte takuar shumë kosovarë hallegjinj e të përvuajtur që jetonin me vështirësi dhe probleme të shumta. Pothuajse, te të gjithë këta shihej e njëjta gjendje e mjerueshme, që kështu reflektonte edhe realitetin jetësor të të gjithë kosovarëve kudo që gjendeshin. Kjo dramë kosovare, e gjatë dhe e dhimbshme, ishte bërë edhe më e prekshme në vetë tokën kosovare në vitin 1943. Tash, kur i kishte ra trup e tërthorë viseve të Kosovës që nga Prizreni e Gjakova, Deçani e Strellci, Peja e Prishtina, Lipjani e Ferizaj, Shtimja e Suhareka, e më së shumti qëndrim, përsëri në Prizren. Këto akte dramatike të përjetuara drejtpërdrejt në këtë periudhë, do të shfaqen me një frymë të fortë në “Poemin kosovar” e gjithashtu do të  mbeten motiv i pandashëm atdhetarie në ndjenjën e Kutelit, deri në fund të jetës së tij. Pos kësaj poeme, kjo frymë e mjedisit kosovar, kjo dramë e dhimbshme do të ndjehet, trajtohet dhe shfaqet në një formë tjetër edhe në dy esetë e tij të titulluara: “Në Prizren, midis të vdekurve e të gjallëve” dhe “Vargje mbi gurë varresh”.

“Poemi kosovar”, nuk është shkruar dosido, me hamendësime imagjinare apo elemente të tërthorta e rrethanore, apo edhe me një frymë, siç është shkruar ndonjëherë. Gjeneza e saj, sigurisht që është e hershme, e bartur si barrë dhe brengë, është bluar gjatë në mendjen e poetit. Është shpërfaqje e përjetuar drejtpërdrejt nga autori, prekur në vetë vendet dhe njohur edhe me  disa nga personazhet e kësaj drame. Këtu, është Prizreni, ku Izedin Jashar Kutrulija (kosovar), alias Dhimitër Pasko (pogradecar) kalon Urën e Gurtë dhe pi ujë në Qezmën e Bimbashit, viziton Kalanë dhe zbret rrugëve e rrugicave ku vrojton shtëpitë me arkitekturën interesante, dyert dhe oborret e tyre. Sheh Shtëpinë e braktisur të Lidhjes, Xhaminë e Bajrakliut, kodrën e kishës së Shën Spasit, Xhaminë e Sinan Pashës, të ngrehur me gurët e kishës së Kryeengjëjve – dhe kjo me gurët e ndonjë faltore pagane a të ndonjë kështjelle. Kalldrëmet, mullinjtë e shumtë në të dy anët e Rekës, vend prej nga sheh perëndimin e diellit mbi malet e Shqipërisë së Vogël. Dhe, Kuteli nuk qëndron vetëm këtu. Ai, përshkon Gjakovën e Pejën dhe ndalon në Strellc të Deçanit. Këtu takon fshatarët hallexhi, ulet shtruar në livadh me Demushin eshtërmadh, ku së bashku pinë raki kumbulle dhe shpalosin brengat e hallet e shumta që dalin nga pjella e elaborateve dhe projekteve të tjera për shpërnguljen e shqiptarëve. Në lidhshmëri të këtyre projekteve e elaborateve ishin edhe goditjet tjera të rënda e dërmuese që shpërfaqin dramën kosovare, në mesin e të cilave edhe ato që vijnë prej reformës agrare, kryekëput të hartuara në dëm të shqiptarëve:

“-Agrarja na ka vra. Na muaren tokën e suall malazez. Mu më kan thirr e më kan than: Ti, hajt, shko në Stamboll. Po unë s’deshta me shkue. Jam nga barku i Currit…”

Janë këto vendet dhe fushat pjellore të Kosovës, me grunaja gjerë në brez që iu bjen mes për mes Kuteli në rrethet e Kosovës, që iu ishin marrë dhunshëm shqiptarëve kosovarë me Reformën agrare: /Oborrin ma muarr/ gjer në shtëpi/ dhe ngrehnë për vete shtëpi/ në sytë e mi!/. Dhe këto janë nga gjërat më të shtrenjta të kosovarit, toka që është dheu i të parëve, pra atdheu që është i pandashëm me shpirtin e këtij populli të përvuajtur e qëndrestar. Kjo është Kosova që përshkruan ai: U desh të nisemi përsëri për rrugë – gjithë rrugët e Kosovës së vogël – (se përtej kufive të sotme, në Shkup e tatëpjetë, është edhe një një tjatër Kosovë, e robëruar).

Pra gjurmët e elaborateve të fshehta, të projekteve të shumta, të kolonizimit të tokave kosovare me ardhacakë, ishin shtrirë kudo. Dhuna dhe vuajtjet e tyre nuk po treteshin, vazhdimësia dhe pasojat e tyre ishin gjithandej: / Më thanë të ngrihem të ik/ ku qielli puqet me dhenë:/ Stamboll/ Anadoll,/ e më tej!/ Se vetëm andej/ paska për ne/ -Popull pa zot- / vend boll…/, por edhe pse premtimet ishin joshëse, kosovari është i lidhur për atdheun: / Po malli i Tokës s’më la,/ po malli i Fushës s’më la,/ as gjaku i Babës s’më la./ Është pesha e rëndë e Tokës, e Fushës, e Babës, të cilat i njëjtëson si fjalë emra të përveçëm, prandaj edhe i shkruan me shkronjë të madhe.

Krahas Stambollit e Anadollit, projektet e memorandumet e shumta, parashihnin edhe vende tjera për dëbimin e kosovarëve, sikurse i shpreh poeti: Më thanë të ik n’ Albani,/ -Vatan i ri/ i kombit tim-/ si shkoi Selmani,/ Hasani/ e Dani./, por kosovari në veten e Kutelit përgjigjet: Po dot nga toka s’u ndava,/ Dhe mbeta të jem,/ ku jam/ e ku do jem!/, dhe krahas këtyre një pjesë e tyre të shkonte edhe në sheher të shkjaut, si shërbyes,  me sharrë në krah/. Kjo paraqitje ta kujton poezinë e Esad Mekulit, Me sharrë në krah, pra portretin e njeriut kosovar si punëtor krahu në rrugët e Beogradit.

Prandaj, Kuteli konsideron përfundimisht se, lufta mbetej si mbrojtje e jetës së kombit, të së drejtës së përhershme. E drejtë e përhershme njerëzore, edhe e këtyre njerëzve:

“Po këta njerës që janë ilirjanë, nga ata të Teutës, veprojnë sipas një instiktit të tyre. Po të jetë se do vinin në ekuacion të mendimit botëkuptimin e tyre do kishin për të thënë: Unë jam në këtë tokë sa bota. Kam trajtat e jetës sime dhe brenda tyre rroj. Katundet i bëj në vise ku mund t’i mpruaj. Ashtu edhe shtëpitë. Ardhi tani mbi mua një popull i huaj , ma mori tokën, bëri ndërtesa e katunde si pas trajtës së jetës së vet. Tani ky i huaj s’është më këtu: iku vetë, pa luftë ose me luftë ose u vra me luftë, si u vra edhe babaj im, vëllaj im.”

Janë këto përshkrime të gjendjes së përgjithshme të kosovarit, që trajtohen artistikisht nga “Izedini” (Kuteli) në “Poemin kosovar”. Poema që paraqet dramën kosovare e ndërton nga pesë këngë të titulluara figurshëm dhe të ndërlidhura kuptimisht si: Qëndrimi, Durimi, Sulmi, Ndërtimi dhe përsëri Qëndrimi. Janë këngë të titulluara figurativisht të cilat që në fillim rrëfejnë përmbajtjen e tyre. Pra, qëndrimi i njeriut kosovar, që në këngën e vet të parë rrëfen vendosmërinë e përhershme për mbrojtje dhe qëndresë:  “Jam kosovar/ pra jam shqiptar: / Zot e krenar, / Zot e bujar/ mbi këtë Dhe, / qe kam si fe: / E kam Vatan!/ e kam Atdhe!/ Që gjysh stërgjysh,/ që bres pas bres, / që gjithmon! /…”  Dhe së fundi në këngën e pestë për të thirrur fort për qëndresë stoike, për të drejtën e të qenit Zot në tokën e tyre të përhershme. “Un jam këtu kur Mali i Zi/ Me Shumadi,/ Me Dallmati – / Sa mban e gjitha Shqehëri,/ Ish Iliri!/ Kur nga një det në tjatrin det/ isha Zot vet!/ Se jam këtu nga moti/ kur vetë Zoti/ e bëri fushën- fushë/ e malin mal./ Un jam këtu/ e do jem/-dem baba dem-/ Sa mali të bëhet hi/ E hiri mal përsëri!/.”

Pas leximit dhe rileximit të tërësishëm të poemës, na shfaqet Izedin Jashar Kutrulija (Mitrush Kuteli) përnjëherësh në vetën e parë të kosovarit me qëndrimin, durimin, sulmin, ndërtimin, dhe përsëri me qëndrimin e tij të përhershëm në tokën ilirjane. Pra siç thotë studiuesi i njohur A. Vinca, në këtë rast për përmbajtjen e tërësishme të poemit, “që shpreh dashurinë e madhe të poetit për Kosovën shqiptare dhe dramën e saj tronditëse nën sundimin serb.”

Apo, siç e thekson kritiku i njohur Sabri Hamiti: “Poemi kosovar mbetet vepra e tij më e rëndësishme poetike edhe për insistimin për përhershmërinë etnike në rrjedhën e krijimtarisë së tij në novelistikë e në tregimtari. Pra sipas këtij autori, ”Poemi kosovar është vepra më e fuqishme poetike që ka shkruar një autor i jugut për njeriun e Kosovës. Në të janë të bashkuara njohja e thellë, ndieshmëria, dashuria, madje adhurimi për të.

Mënyra e ndërthurjes shpreh përnjëherësh njëjtësimin apo shkrirjen në një të rrëfimtarit me dramën e saj që është edhe heroi i saj, pra kosovari në këtë rast, pra autori së bashku me këtë hero (kosovarin), të cilët së bashku përfshijnë domosdoshmërisht edhe ndjenjat e lexuesit. Me këngën e parë Qëndrimi është shfaqur qëndrimi historik i kosovarit shqiptar që ishte Zot në këtë dhe, që e ka fe e përmbi fe, e ka brez pas brezi Atdhe që kur ishte Iliri dhe shtrihej nga një det në tjetrin det.

Në këngën e dytë Durimi, portretizohet kosovari, fiziku i tij, eshtërmadh e bojalli, kësulë-bardh e kryelidhë, që simbolizon trimërinë e heroizmin e tij, urinë e skajshme për drejtësi e liri pasi kishte përjetuar katrahurat më çnjerëzore. Është skaji i durimit që shfaqet pasi u janë nëpërkëmbur skajshmërisht të drejtat njerëzore. I është marrë edhe oborri i shtëpisë dhe është shtrënguar e dhunuar ta lëshojë edhe atdheun e dashur që e ka si fe e përmbi fe, pasi i është marrë toka e trashëguar me breza deri në pragun e shtëpisë. Pragu i shtëpisë në këtë rast figurativisht e karakterizon skajin e durimit.

Kënga e tretë Sulmi, përshkruan etjen për lirinë, për të jetuar i lirë në trojet e tij, në fqinjëri me të tjerët dhe respektin e ndërsjellë. Është shpërthimi i grumbullimit të revoltës nga  durimi i gjatë. Është kulmi i zemërimit, vrulli e thirrja për shembjen e kufijve të vendosur dhunshëm e që shpreh figurativisht paradoksin e padrejtësive deri në anomali, kufiri “përmbi varr të Babës tim”. Tash është shpresa, fundi i dhimbjeve dhe fillimi i një jete të re e të lirë që i takon edhe kosovarit me të gjitha të drejtat njerëzore.

Në këngën e Katërt të titulluar Ndërtimi, që vjen pas Sulmit, poeti i bje arës mes-për-mes si sinonim i dheut me arat plot grurë prej nga vjen burimi e sigurimi i jetës. Gjithashtu është dheu ku janë eshtrat e të parëve të tij e ku do të prehen edhe eshtrat e tij, jetë pas jet! Në dheun  e tij të trashëguar e sheh të arsyeshme të bëjë një lloj përkujtimi mallëngjyes për babanë e vrarë, për të derdhur lotin e dhembjes e të mallëngjimit. Është dhembja njerëzore që kujton mynxyrat përjetuara. Dhembja që ndjehet këtu e që ka zënë vend diku në zemrën e kosovarit që, rreh si Drin. Pra ritmi i vazhdueshëm, pa pushim që shpërfaq kohezionin jetësor. Prandaj vjen e dhe këshilla e babait si kushtrim i padiskutueshëm për mbrojtjen e vendit, për lirinë që e sjell edhe ndërtimin: ”Ta derdhni gjakun /me grushte plot – / po kurrë lot! /as sot, as mot!… ”Se loti është robëri, /Gjaku: Liri!”

Kënga e pestë, Qëndrimi, si përmbyllje është koha e fundit të durimit. Tash është koha e qëndresës, e kushtrimit, e thirrjes, dëshirës, kërkesës dhe shpresës që shpreh poeti: /Hej! /Komb i lirë kosovar, /ti komb shqiptar, /ti Zot krenar, pa dallim moshe, të gjithë të bëhen një, të jenë gati: /për vrull të ri, pra të gjithë kosovarët: /Për liri! /Për Shqipëri!. Prandaj ai, duke e njohur historinë e ndien dhe e ka shpresën te njeriu kosovar edhe për liri, edhe për Shqipëri.

Përfundime

Në vështrimin e përgjithshëm “Poemi kosovar” është një krijim poetik që e veçon Dhimitër Paskon për ndjenjën e hollë krijuese dhe përkushtimin e thellë atdhetar. Është kompozuar me një stil të veçantë që i jep formë dhe ngjyrë revoltës së brendshme të poetit, zërit të kushtrimit e mesazhin e shpresës gjithashtu. Rrëfimi shtrihet në harkun kohor që shkon kryesisht nga gjendja e shqiptarëve në vitet ’30, ’40, e thellë që në prehistori.

Përmbajtja e poemës dhe rrëfimi i transferuar në vetën e tretë te “shoku i tij” Izedin Jashar Kutrulija, që në fakt është rrëfim në vetën e parë të vet Kutelit, parashtrojnë njohje, dëshmojnë informacionin e tij për Kosovën dhe njeriun kosovar, si lisa mali. Adhurimin e madh, ndjenjën dhe brengën e njëkohshme për të: “Kjo është Kosova? Edhe kjo edhe ajo përtej, Kosova jonë, gjithmon shqiptare!”. Është përfundimi i mesazhit të tij, këmbëngulës për Kosovën, se është, ka qenë e kështu e tillë do të mbetet gjithmonë.

Pothuajse gjithë drama kosovare këtu është sintetizuar në rrëfimin e tij me shpirt poetik. Këtu vetë poeti del i njëjtësuar, është shkrirë tërësisht me njeriun dhe dramën e  Kosovës, apo të “Shqipërisë së Jashtme” siç e quan ai Kosovën. Shpërfaqet përkushtimi e guximi i tij që paraqet botën e tij të brendshme, ndjenjën e tij të thellë njerëzore e atdhetare, dhe tërësinë e kombit.

Veçoritë dhe karakteristikat artistike që ka kjo poemë janë të shumta. Njëra nga këto që shquhet dhe zotëron është toni i lartë, fryma atdhetare dhe natyra dramatike e shprehjes. Po ashtu, struktura e vargut paraqet kombinime dhe shkrirje nga disa modele, si ajo popullore, e traditës por me përparësinë e modernes. Karakteristikë tjetër vjen vetiu pasi të është lexuar me vëmendje kjo poemë. Dhe tani, ajo çka e karakterizon këtë poemë me vlera letrare e figura të këndshme artistike, vijnë shumë pyetje të cilat kanë edhe përgjigje të drejtpërdrejta, por edhe dilema tjera që dalin me shumë kërkesa përgjigjeje, të cilat mbase edhe nuk e përplotësojnë tërësisht dilemën që kërkohet.

Gjuha e rrëfimit, gjithashtu është e përzgjedhur dhe e përshtatur me kujdes, varësisht prej tablove që paraqet. Pos që është krijim artistik, poema është edhe krijim gjuhësor, ku poeti për të arritur synimet artistike, për të krijuar imazhe e ndjesi shfrytëzon mundësitë e ligjërimit, krijon dhe shtron elemente gjuhësore me vlera estetike. Fjalët varësisht prej funksionit, janë të vjelura nga visari kulturor i shqipes që kanë edhe shtresën e dytë të domethënies artistike. Me anë të fjalës, autori ka aftësinë të dalë përtej vetvetes duke rrëzuar barrierat mes botës së tij të brendshme shpirtërore e mendore e të krijojë gjendje të caktuara emocionale. Pos ghuhës së tij të përzgjedhur, ai ndikohet apo qëllimisht për të krijuar atmosferë dhe efekte artistike pranon leksikun kosovar dhe përcjellë mesazhe me personazhe si: Asim, Qerim, Selman, Destan, Hasan, Dan, emra karakteristik që hasen aq shpesh në mjedisin kosovar të kohës. Gjithashtu hetohen fjalë e emra tjerë që përcaktojnë mjedisin kosovar dhe përplotësojnë atmosferën në tablonë artistike si, Babë, vogli, sorrat, Vatani, përmot, japi etj., fjalë nga gjuhët tjera të hasura në mjediset kosovare si: xhandar, vojnik, gllavnik, potporuçnik, naçallnik, vojvodë, kral, tyxhar, sheher etj.

Këtë poemë e shquan edhe përbërja ideore me mesazhe moralizuese, ndjenjë atdhetarie e gjithashtu me vlera të theksuara ideore e artistike. Shprehja e dhembjes e krenarisë njëkohësisht, adhurimit e shpresës si mesazh përfundimtar. Prandaj, vendi i saj në poezinë shqipe është përkrah krijimeve të përkushtuara Kosovës dhe dramës së saj, që vijnë që nga Asdreni, për të vazhduar nga Lasgushi, e më vonë me një tjetër dimension nga I. Kadare, D. Agolli, H. Aliaj etj. Aq më tepër vlera e “Poemit kosovar” në literaturën shqipe sikur rritet kur kihet parasysh se ky autor vjen nga jugu i vendit.

 

Exit mobile version