Gazeta Nacional Albania

PROF. DR. AGO NEZHA: PUBLIKOHET LIBRI “ SHOQATA LABËRIA 30-VJET JETË DHE AKTIVITET”

Në libër janë përfshirë veprimtaritë kryesore me karakter kombëtar e ndërkombëtar

PUBLIKOHET LIBRI “ SHOQATA LABËRIA 30-VJET JETË DHE AKTIVITET”

“Lexuesi nëpërmjet këtij libri do njihet me historikun e trevës së Labërisë,rrugën 30 vjeçare që ka kaluar Shoqata Labëria dhe me aktorët që janë përfshirë në veprimtari të ndryshme, përfshirë këtu dhe kontributin e degëve në rrethe që pasqyrohet nëpërmjet analizave të kuvendeve dhe përvjetorëve të shoqatës.”

Nga PROF. DR. AGO NEZHA

Libri titulluar “ Shoqata Labëria 30-Vjet Jetë dhe Aktivitet”, është një synim për të evokuar rrugëtimin e gjatë 30- vjeçar,e për të ardhur deri në ditët e sotme. Që nga dita që lindi Shoqata Labëria në 12- Dhjetor të vitit 1991, e deri në vitin jubilar të 30 -vjetorit të saj, ka një bashkëjetesë me shumë shoqata si motra nga Jugu në Veri dhe është përballur me shumë fenomene shoqërore e shtetërore që i ka kapërcyer nëpërmjet baticave e zbaticave, ku i është dashur që të krijojë identitetin e saj patriotik dhe kulturor. Në këtë libër nuk pretendohet që të ezaurohet e gjithë veprimtaria e vrullshme dhe dinamike e Shoqatës Labëria, që ka një rreze mbarë kombëtare, pasi ato janë të shumta e të shtrira në hapësirë dhe në kohë. Një pjesë e dokumentacionit është tretur në rrjedhën e viteve për arsye subjektive, por dhe objektive, pasi shoqata ka vepruar pa një ngrehinë ku të ruhej arkivi dhe dokumentacioni i veprimtarive të saja të shumta, kur shteti ynë “demokratik” ka pajisur me zyra, salla e lokale, shumë parti fantazmë, me kryetar, pa anëtar, që i kanë kthyer partitë në plaçkë tregu duke i shitur e blerë si mall biznesi.
Në këtë libër janë përfshirë veprimtaritë kryesore me karakter kombëtar e ndërkombëtar, në dimensionet e mundshme të përfaqësimit. Shoqata Labëria ka një galeri të pasur aktivitetesh në qendër dhe në degët e rretheve, që po të pretendosh t’i publikosh, si mbulon dot me “jorganin” e një libri, por duhet një enciklopedi gjithëpërfshirëse.Në sfondin e këtij botimi shfaqen veprimtaritë më përfaqësuese, ku Shoqata Labëria ka qenë pjesëmarrëse me fjalën dhe kontributin e saj të vlerësuar.
Kalaja 30 vjeçare është ndërtuar e ngritur me kontributin e kryesisë në qendër dhe të degëve në rrethe, duke filluar nga Tirana, Vlora, Fieri, Patosi, Tepelena Gjirokastra, Saranda, Himara, Orikumi, e duke përfunduar në Durrës. Puna në ansambël, ka bërë që kjo shoqatë jo vetëm të ekzistojë por të rritet e përparojë nga njëri kuvend në tjetrin, plot gjashtë, derisa u ngjit në apogjeun e vet në 18. Dhjetor, 2015, kur vuri mbi krye kurorën e shndritshme “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës, shkëlqeisa e tij Bujar Nishani.
Libri, fillimisht na jep një “Tablo Historike” mbi krahinën e Labërisë, më pastaj vazhdon me një “ Vështrim mbi trevën e Labërisë në rrjedhën e lashtësisë nga autor vendas dhe të huaj” dhe kalon në autostradën e kuvendeve, nga i Pari te i Gjashti, evidenton disa nga festat jubilare në përvjetorët e shoqatës dhe jep kronika, deklaratat dhe peticionet, që janë drejtuar institucioneve kompetente për shqetësimet dhe problematikat që ka kaluar kombi, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, Preshevë dhe Mal të Zi. Njëkohësisht janë pasqyruar veprimtaritë kryesore të shoqatës dhe pjesëmarrja në evente kombëtare e ndërkombëtare, ku është përfaqësuar me të deleguarin e saj, që ka shprehur dhe qëndrimet e shoqatës.
Në mbyllje libri na njeh me disa nga korrespodencat me Kryetarin e Nderit të shoqatës Akademikun Rexhep Qosja dhe ndonjë personalitet tjetër dhe nëpërmjet fotove rikujtojmë disa intelektualë, veprimtarë dhe miq të Labërisë, që janë vlerësuar me “Tituj Nderi”.
Të gjitha materialet që publikohen në këtë libër për veprimtarinë e Shoqatës Labëria, e të tjera që nuk janë përfshirë në këtë botim, janë të botuara në faqet e zëdhënëses së saj, gazetës Labëria, që e ka mbajtur gjallë me informacion lexuesin e saj, anë e mbanë vendit, si dhe në trevat shqipfolëse.
Lexuesi nëpërmjet këtij libri do njihet me historikun e trevës së Labërisë,rrugën 30 vjeçare që ka kaluar Shoqata Labëria dhe me aktorët që janë përfshirë në veprimtari të ndryshme, përfshirë këtu dhe kontributin e degëve në rrethe që pasqyrohet nëpërmjet analizave të kuvendeve dhe përvjetorëve të shoqatës.