Prof. dr. Emil Lafe: FJALË KUJTIMI E NDERIMI PËR PROF. ANDREA SHUNDIN (1934–2024)
Më 30 prill 2024 u nda nga jeta në SHBA prof. dr. Andrea Shundi, agronom, një nga më të shquarit në vargun e specialistëve dhe të studiuesve të zellshëm e të përkushtuar të bujqësisë shqiptare. Andrea kishte lindur më 15 nëntor 1934 në një familje qytetare të virtytshme e arsimdashëse të Tiranës. Ai ishte ndër ata njerëz që kanë ndjekur parimin se edhe kur nuk bën atë punë që do, duhet ta duash atë punë që bën! Një djaloshi tiranas si Andrea, kur kreu gjimnazin më 1952, nuk i kishte shkuar ndoshta ndër mend të studionte për agronomi. Por pak nga pak agronomia me bukurinë e larmishme të natyrës së gjelbër dhe horizontet shkencore që i hapën një numër profesorësh e specialistësh të atëhershëm të Institutit të Lartë Bujqësor, të formuar në universitete të Francës, Italisë, Austrisë, Greqisë dhe në disa vende të lindjes në vitet e para të pasluftës (Bashkimi Sovjetik, Bullgari, Hungari), si Faik Bajraktari, Burhan Çelo, Abedin Çiçi, Aqif Dabulla, Pirro Dodbiba, Skënder Gozhita, Teodor Gjermani, Teki Kaltanji, Astrit Kallapodhi, Avni Oktrova, Mentor Përmeti, Janaq Prifti, Niko Qafëzezi, Gaqo Tashko, Sulejman Xhepa, Skënder Xhiku etj., bënë që edhe Andrea ta dashuronte shkencën e agronomisë dhe punën konkrete të agronomit. Të dyja të frymëzojnë dashuri për një nga shfaqjet më të mrekullueshme të natyrës, siç është bimësia, dhe për mjeshtërinë më të lashtë në botë, siç është bujqësia, falë së cilës marrim “bukën tonë të përditshme”.
Pas mbarimit të studimeve, më 1956 Andrea Shundi filloi punën si bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Kërkimeve Bujqësore në Lushnjë dhe më 1960 u emërua kryeagronom i atij rrethi, nga më të rëndësishmit për bujqësinë shqiptare. Në vitet 1964–1975 u emërua drejtor i drejtorisë së punës shkencore në Ministrinë e Bujqësisë dhe kryeredaktor i “Buletinit të shkencave bujqësore”; më 1976–1980 drejtor i ndërmarrjes së farërave (Tiranë). Më 1980–1992 dha mësim në Fakultetin e Agronomisë të Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe katër vitet e fundit (1988–1992) qe dekan i Fakultetit. Më pas kaloi në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë si sekretar shkencor i Seksionit të Shkencave Natyrore dhe Teknike (1994–1999). Më pas jetoi midis SHBA dhe Shqipërisë, duke zhvilluar një veprimtari të dendur shkencore e botuese, dhe duke u bërë edhe më i njohur si një personalitet shkencor i bujqësisë shqiptare në fushën ndërkombëtare. Veprimtaria dhe bibliografia e tij shkencore është jashtëzakonisht e pasur.
Andrean pata rastin ta njoh nga afër gjatë viteve kur punoi në Akademinë e Shkencave. Binte në sy si studiues me përvojë të pasur jetësore, që i peshonte fjala dhe që të tërhiqte për bashkëpunime të frytshme me mirësinë e çiltërsinë e dijetarit të vërtetë, që vinte me një varg botimesh, fryt i hulumtimeve e i eksperimentimeve të tij në terren e në laborator si edhe me një numër tekstesh universitare, krahas tyre edhe me një përvojë të gjerë bashkëpunimi, me shprehi praktike të organizimit të punës shkencore dhe me pasurinë intelektuale të pjesëmarrjes në mjaft konferenca shkencore brenda e jashtë vendit (për disa ka qenë edhe nismëtar e organizator).
Me Andrean më lidhi më shumë kureshtja e tij shkencore për gjuhën shqipe dhe nderimi e vlerësimi për punën që bënte atëherë Akademia në fushën e pasurimit të saj të mëtejshëm dhe të mënjanimit të fjalëve të huaja të panevojshme. Që më 1955 në Institutin e Shkencave qe krijuar sektori i terminologjisë tekniko-shkencore dhe fjalori i parë terminologjik që u punua atje qe fjalori i termave të botanikës, një disiplinë shkencore që qëndron në themel të agronomisë. Te ky fjalor zunë fill terma të shqipëruar mirë e bukur, si pjalm, pjalmim, petël, nënpetël, thekë, zhardhok, dythelbor, njëthelbor etj. Nga bashkëpunimi i mëtejshëm specialistëve të botanikës e të bujqësisë me gjuhëtarët janë hartuar e botuar një varg fjalorësh terminologjikë të këtyre fushave. Si ndër më të rëndësishmit po përmendim: Fjalor i bujqësisë. Shqip-latinisht-italisht-rusisht i Niko Qafëzezit (1978, 852 f.); Fjalor i terminologjisë së bujqësisë anglisht-shqip dhe shqip-anglisht i Latif Sususurit (Prishtinë, 1999, 412 f.), për të cilin ka shkruar një recension vlerësues edhe Andrea Shundi; Fjalor i termave themelorë të bujqësisë (shqip-anglisht-frëngjisht-italisht-rusisht). Grup autorësh, redaktor Agron Duro. (Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 2006, 1021 f.); Fjalor i terminologjisë botanike – shqip-anglisht-gjermanisht-frëngjisht. (Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Tiranë – Prishtinë, 2006, 865 f.), grup autorësh; Fjalor shpjegues i termave të botanikës (shqip – latinisht – anglisht, rreth 11.000 terma dhe 1000 skica). (Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës. Tiranë, 2012, 1563 f.), grup autorësh; Fjalor i bujqësisë shqip, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, latinisht. (Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës Prishtinë, 2016, 1042 f.) nga Latif Susuri. Këtyre u duhen shtuar edhe: Fjalor i emrave të bimëve dhe të kafshëve shqip-latinisht dhe latinisht-shqip.( 2010, 619 f) dhe Fjalor i emrave të bimëve dhe të kafshëve anglisht-shqip dhe shqip-anglisht. (2014, 540 f.), nga Xhevat Lloshi, që kanë saktësuar dhe kodifikuar përdorimin e këtyre emërtimeve duke u nisur nga kritere shkencore e gjuhësore të arsyetuara. Fusha tematike e leksikut bujqësor është besoj më e gjurmuara e më e studiuara nga gjuhëtarët shqiptarë.
Në këtë hulli hyri edhe Andrea Shundi. Më 2006 në bashkëpunim me kolegun e vet Arif Daçi botuan Fjalor shtjellues Vreshtaria dhe Verëtaria. (88 f.), që pasua nga Fjalor enciklopedik për vreshtarinë dhe verëtarinë. ( 2010, 465 f.) dhe Enciklopedi për vreshtarinë dhe verëtarinë. (2012, 869 f.), Hortikultura: vështrim enciklopedik. Shqip-anglisht me rreth 4.600 terma. (Akademia e Shkencave e Shqipërisë. Tiranë, 2017, 846 f. – bashkautor Nazmi Gruda). Andrea ka pasur me të vërtetë një ide sa praktike, aq dhe racionale, kur i hyri punës për të shtjelluar në formë fjalori një pjesë të dijeve e të përvojave të tij shkencore e jetësore. Fjalori tematik është një paraqitje e dijeve në një formë që të lejon të gjesh shpejt atë që ke nevojë të dish. Pra, duke e shtjelluar lëndën në mënyrë alfabetike, të kursen mundimin e leximit të një vepre të plotë, ku lënda shtjellohet në mënyrë organike e sistematike. Por kjo mënyrë shtjellimi të bën të përballesh me jo pak pikëpyetje e probleme, redaktoriale e shkencore, për të cilat specialisti përkatës ka nevojë për këshillim e për bashkëpunim me një filolog, se edhe fjalori tematik, si çdo fjalor tjetër, ka brenda përbërësen filologjike të punës. Andrea ka ditur t’i zbatojë vetë mjaft mirë ato këshilla e kritere për të cilat ishim marrë vesh. Me këta fjalorë e enciklopedi Andrea i ka bërë një shërbim të vyer edhe gjuhës shqipe. Në faqet e tyre ndihet dashuria e autorit për fjalën shqipe, kujdesi i tij për ta gjurmuar, për ta vlerësuar e për ta pasuruar me fjalë shqipe fjalorin e kësaj fushe, për të gjurmuar e pasqyruar sinonimet e shumta popullore kudo ku ka shqiptarë që vënë vresht, vjelin rrush, nxjerrin musht e verë, jo vetëm anembanë Shqipërisë që përshkruan Sami Frashëri, po edhe te arbëreshët e Italisë e te arbërorët e Greqisë. Fryt i atyre hulumtimeve fshat më fshat e shtëpi më shtëpi është dhe vepra e tij E(t)nogastronomia arbëreshe (shtjellohen 610 receta gjellësh dhe ëmbëlsirash). (Tiranë, 2016, 437 f. – përmban edhe një fjalor për vreshtarinë e verëtarinë dhe shqyrtime filologjike).
Siç shprehet vetë, A. Shundi ka synuar që ligjërimi dhe shkrimi ynë “të bëhen më të pasur, të përpiktë, të fuqishëm e të hijshëm, pse jo edhe që të ruajmë pastërtinë e shqipes.” Një risi e mirëseardhur kanë qenë fjalët terma verëtar e verëtari, që na kishin munguar deri sot. Tashmë ato, bashkë me dhjetëra fjalë të tjera shqipe të kësaj fushe, e kanë rrugën të hapur për të kaluar nga librat e fjalorët e Andreas e të kolegëve të tij, në fjalorët shpjegues dhe fjalorët dygjuhësh të gjuhës shqipe, veçanërisht në fjalorin e madh që po e përgatit Akademia jonë e Shkencave.
Dhe meqë jemi te vera, më duhet të pohoj se njohuritë e shqiptarëve për verën dhe vlerat e saj shëndetësore mbeten shumë pas nga dashuria dhe dëshira e tyre për ta shijuar, për ta pasur në tryezë. Librat e mësipërm të Andrea Shundit janë një ftesë e këndshme për të zgjeruar kulturën e(t)nogastronomike, d.m.th. për të ditur më shumë për rrushin e për verën, për vlerat e tyre në përgjithësi, dhe për traditat e për verërat shqiptare në veçanti. Kjo mjeshtëri e lashtë ka marrë hov të madh e po ecën mbarë sidomos në shekullin tonë, mendoj jo vetëm falë kushteve për nismën dhe sipërmarrjen e lirë, po edhe si një rigjallërim i një tradite që nga koha e mureve ciklopike. Me zell të admirueshëm Andrea Shundi ka mbledhur edhe dhjetëra e dhjetëra fjalë të urta për verën e për vreshtin
Pasuria e traditës shqiptare për vreshtin dhe verën e ka çuar Andrean te mendimi i një lashtësie të thellë të kësaj tradite. Ai kërkonte që nëpërmjet lashtësisë së fjalorit shqip të vreshtit, hardhisë, të rrushit e të verës të sillte dëshmi të tjera për lashtësinë dhe autoktoninë e atyre që e ushtruan dhe e zhvilluan këtë mjeshtëri në këto troje brez pas brezi që nga kohët e stërlashta. Dhe gjithnjë më kërkonte t’i gjeja etimologjinë shumë fjalëve e termave të vreshtarisë e verëtarisë. Fjala venë/verë është shumë e lashtë në gjuhën shqipe. Siç pohon Eqrem Çabej në shtjellimin që i ka bërë etimologjisë së kësaj fjale, “që prej veprës së Antuan Mejesë “Gjuhësi e historike dhe gjuhësi e përgjithshme” (1926), mendimi se emri i verës ishte i gurrës indoeuropiane, më fort është lënë në të mirë të mendimit tjetër, që kemi të bëjmë me një huazim të lashtë mesdhetar, me vatër gjuhët e Kaukazit e të trevave veriore të Azisë së Vogël e të Detit të Zi (Pontit), një zonë që ka shenja të jetë djepi i vreshtarisë e i kulturës së verës” (Studime etimologjike në fushë të shqipes VII. 2006, f. 242). Me lashtësinë e saj, kjo fjalë është një dëshmi tjetër e lashtësisë së etnosit shqiptar në pellgun e Mesdheut. Si shumica e fjalëve të vjetra, edhe vena/vera ka lëshuar lastarë fjalësh të reja. Kështu, prej saj ka dalë fjala vëneshtë me format saj sipas krahinave: vêsht, vështë, vresht, vreshtë, vneshtë; prej tyre kemi neologjizmat tashmë të njohur vreshtar e vreshtari (që kanë mënjanuar fjalët e huaja të panevojshme vitikultor e vitikulturë) dhe kohët e fundit edhe neologjizmat verëtar, verëtari, që kanë hyrë tashmë në qarkullim shkencor me veprën e përbashkët të Andrea Shundit e Arif Daçit “Fjalor shtjellues vreshtaria dhe verëtaria”.
Andrea nuk e arriti dot jubileun e 90-vjetorit (15 nëntor 2024), që do të shënohej sigurisht ashtu siç e meritonte jeta dhe vepra e tij. Por ai do të jetojë e do të kujtohet përmes mijëra faqeve që ka lënë si pasuri të çmuar në bibliotekën shkencore të bujqësisë shqiptare dhe përmes shembullit të jetës së një dijetari me pak fjalë e me shumë vepra themelore, që koha do t’ua shtojë vlerën.