Gazeta Nacional Albania

Prof. dr. Emil LAFE: “GJERGJ FISHTA DHE KINA” (LIDHUR ME VJERSHËN “CASUS BELLI” NË VËLLIMIN “ÂNZAT E PARNASIT” 1907

Ngjarjeve të Kinës në kapërcyell të shekullit XX (Kryengritja e Boksierëve), Gjergj Fishta u kushtoi një vjershë të tërë, “Casus belli”

“GJERGJ FISHTA DHE KINA” (LIDHUR ME VJERSHËN “CASUS BELLI”
NË VËLLIMIN “ÂNZAT E PARNASIT” 1907

Ngjarjeve të Kinës në kapërcyell të shekullit XX (Kryengritja e Boksierëve ) Gjergj Fishta u kushtoi një vjershë të tërë, “Casus belli” (e përfshirë në vëllimin Ânzat e Parrnasit, 1907) . Nga vargjet Prandej u çuene / sivjet Bokserët … kuptohet se vjersha është shkruar në vitin e parë të shpërthimit të kryengritjes, d.m.th. më 1898. Atëherë Gjergj Fishta ishte vetëm 27 vjeç dhe ndodhej në atdhe.

Nga prof. dr. Emil LAFE

Në gjysmën e dytë të shek. XIX Kina ishte e dobësuar shumë nga Lufta e Opiumit dhe agresioni japonez i viteve 1894–1895. Në këto rrethana fuqitë imperialiste të kohës, Anglia, Gjermania, Franca, Rusia, Japonia, e kishin ndarë Kinën në zona influence (fig. 1), grabisnin pasuritë e saj, ndërhynin në punët e brendshme, merrnin nëpër këmbë zakonet dhe rregullat shekullore të jetesës së kinezëve dhe mbeteshin pa u ndëshkuar, sepse të huajt e kishin detyruar Kinën t’u njihte imunitet dhe kështu nuk mund të procedoheshin në gjyqet e vendit. Të gjitha këto ngjallën zemërim të thellë te populli kinez, që u ngrit në një revoltë të fuqishme, e cila njihet në histori si Kryengritja e Boksierëve (Boxer Rebellion) 1898–1901.
Në atë kohë Shqipëria gjendej nën sundimin e Perandorisë Osmane, por idetë çlirimtare të Lidhjes së Prizrenit (1878–1881) dhe të Rilindjes Kombëtare kishin ndezur zemrat e shqiptarëve, që dëshironin të jetonin e të qeveriseshin vetë pa të huaj në vatër. Prandaj edhe për shkrimtarët shqiptarë luftërat për liri e për vetëqeverisje të popujve të tjerë, sado që mund të ndodhnin në vende shumë të largëta gjeografikisht, ishin shumë të afërta emocionalisht. Kishin kaluar vetëm 20 vjet nga Kongresi i Berlinit dhe ishin ende të gjallë kujtimi dhe jehona e luftërave të organizuara nga Lidhja e Prizrenit për mbrojtjen e trojeve shqiptare të shkëputura ngas trungu amtar me vendimet e atij Kongresi.
Ngjarjeve të Kinës në kapërcyell të shekullit XX (Kryengritja e Boksierëve ) Gjergj Fishta u kushtoi një vjershë të tërë, “Casus belli” (e përfshirë në vëllimin Ânzat e Parrnasit, 1907) . Nga vargjet Prandej u çuene / sivjet Bokserët … kuptohet se vjersha është shkruar në vitin e parë të shpërthimit të kryengritjes, d.m.th. më 1898. Atëherë Gjergj Fishta ishte vetëm 27 vjeç dhe ndodhej në atdhe. Po në këtë libër gjendet edhe vjersha “Lum i forti”, me të cilën poeti ynë stigmatizon Anglinë, që kishte nisur luftën e dytë kundër popullit të vogël të Boerëve (1899–1902) në Afrikën e Jugut, sepse ai popull kundërshtonte me armë e me vendosmëri lakmitë imperialiste të Mbretëreshës së Detrave, siç quhej Anglia në atë kohë.

Vjersha “Casus belli” ka 29 strofa me nga katër vargje dhe është e ndërtuar në formën e një dialogu: në fillim (18 strofa) raportojnë Lajmtarët (ambasadorët) e fuqive europiane në Kinë dhe në pjesën e dytë Europa (kupto: mbretërit dhe të pushtetshmit e fuqive) arsyeton vendimin për të ndërhyrë në Kinë me ushtri, duke pasur si casus belli vrasjen e ambasadorit gjerman nga kryengritësit (“boksierët”) kinezë. Kanë mbetur në histori fjalët e Kajzerit Wilhelm II, kur përcolli në portin e Bremenit kontingjentin gjerman për në Kinë, duke u kujtuar ushtarëve të tij se ashtu siç kanë hyrë në histori e në legjendë Hunët e Atilës (që shkretuan Evropën) një mijë vjet më parë, në të njëjtën mënyrë duhet të silleni dhe ju, që emri “gjerman” të kujtohet në Kinë për një mijë vjet të tjerë.
Një koalicion i përbërë nga fuqitë europiane të kohës: Britania e Madhe, Gjermania, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia, të cilave iu bashkuan edhe Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia, mësynë Kinën, me një fuqi ushtarake prej 54 luftanijesh, rreth 5000 marinarë dhe 52.000 trupa të tjera. Forcat ushtarake të këtij koalicioni ndëshkimor bënë rrënime, grabitje, tortura e vrasje të llahtarshme jo vetëm të kryengritësve që zinin rob, po edhe te popullsisë civile. Këto fuqi e mbajtën të pushtuar një vit Pekinin, kryeqytetin e Kinës dhe i sollën fatkeqësi të mëdha popullit kinez.
Vjersha e Fishtës përshkohet nga një ndjenjë e sinqertë simpatie për Kinën me pasuritë e me bukuritë e saj natyrore (… âsht nji e bukur/ Mbretní e madhe/ Tanë mal i blerun,/ Fushë e livadhe) dhe për Kinezët, njerëz punëtorë, të mençur e të virtytshëm (janë mjaft t’mêçem/ Kinezët e ngratë:/ Punen e dijen/ I kanë zanatë./ Kanë gjyqe t’mira, E dijn shka âsht besa, E der tash s’vonit/ S’kanë pasë ngatrresa…). Duke lexuar vjershën të duket sikur me të vërtetë Poeti ynë ka jetuar jo pak në mes të asaj natyre e të atyre njerëzve që i përshkruan sikur t’i kishte përpara syve. Por këtë mbarësi e begati gati idilike e dhunon politika grabitqare e fuqive europiane: Por q’prej se hine/ N’Kinë Europejt/ Nuk janë tue shkue/ Bash punët fort drejt. Sepse shtetet imperialiste N’sŷ t’perparímit/ Janë msue m’ja vû/ Zgjedhen njerzimit. Kështu nis ndërhyrja ushtarake e tyre. Dhe si gjithnjë kur lufta ka si casus belli një njeri të vetëm, qëllimi i vërtetë mbulohet me demagogji: Me nisë n’Kinë luftën/ Mue nuk m’bjen keq/ Lkura e Gjermanit / Âsht halë n’perpeq;/ Veç shka: do t’thoni,/ Se këte ushtri/ E nisë Europa/ Veç për lirí…
Demagogjinë e fuqive europiane si sjellëse të lirisë e të përparimit Fishta e fshikullon edhe te pjesa e dytë e vjershës , ku flet për politikën e atyre fuqive ndaj Ballkanit.
Vjersha e Fishtës është interesante edhe nga thurja e saj, nga leksiku e nga frazeologjia e përdorur, nga figurat artistike, nga mjeshtëria e karakterizimit të personave e të psikologjisë së tyre. Kjo vjershë është njëkohësisht edhe një dëshmi historike e simpatisë së hershme të Shqiptarëve për Kinën dhe popullin e saj, gati gjysmë shekulli para se të shpallej solemnisht Republika Popullore e Kinës dhe të vendoseshin për herë të parë marrëdhënie diplomatike ndërmjet dy vendeve. Ajo i bën nder jo vetëm Poetit tonë të shquar të Rilindjes Kombëtare, po edhe letërsisë shqipe në tërësi, si dëshmi historike që shqiptarët kanë qenë gjithnjë në anën e popujve që luftonin për të drejtat e për dinjitetin e tyre kombëtar dhe kundër politikës grabitqare e poshtëruese të disa fuqive të kohës.
Në rrethana të caktuara historike në fillim të viteve ’60 të shekullit të kaluar ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë u vendosën marrëdhënie të ngushta e të gjithanshme dhe lidhje miqësie e simpatie të ndërsjellë. Këto lidhje, që mbijetuan gjatë ngjarjeve të pafavorshme të mëvonshme, po shërbejnë si një themel i shëndoshë për marrëdhëniet e reja të shumanshme në zhvillim e sipër. Këtë e dëshmoi edhe Konferenca shkencore ndërkombëtare me temën “Marrëdhëniet shqiptaro-kineze: tradita, gjendja dhe e ardhmja” e zhvilluar në Vlorë e në Gjirokastër më 12–13 tetor dhe e organizuar nga Universiteti “Ismail Qemali” i Vlorës në bashkëpunim me Universitetin e Gjuhëve të Huaja të Pekinit, me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë dhe me Universitetin “Eqrem Çabej” të Gjirokastrës. Konferenca pati dy seksione: Ekonomi dhe politikë; Gjuhë dhe kulturë, ku u paraqitën 45 kumtesa (prej tyre 8 nga studiuesit kinezë).
75-vjetori i themelimit të RP të Kinës (1 tetor 1949) dhe i vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy vendeve (23 nëntor 1949) është një rast i bukur për ta bërë më të njohur, për shqiptarët dhe për kinezët, këtë vjershë të shkruar rreth 120 vjet më parë, e cila dëshmon se një ndër njerëzit më të shquar të kulturës shqiptare, siç është poeti Gjergj Fishta, duke shprehur ndjenja simpatie, dhembshurie e dashurie për Kinën dhe popullin e saj, ua ka përçuar ato edhe lexuesve shqiptarë. Vjersha e Fishtës, që për arsye të ndryshme ka mbetur si në hije dhe është pak e njohur , përmban mjaft mesazhe të çmuara edhe për marrëdhëniet e ngjarjet ndërkombëtare në ditët tona. Prandaj po e sjellim këtu të plotë.

Shënimet: